Minatorët kërkojnë statusin e harruar përmes peticionit


Firmosja e peticionit për statusin e minatorëve në qytetin e Bulqizës | Foto : Sami Curri

Një peticion i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, i cili ka mbledhur rreth 3 mijë firma, i kërkon qeverisë të kujtohet për statusin e minatorëve – një dokument që do u garantonte mijëra punëtorëve të nëntokës me probleme shëndetësore, kushte bazike të përkujdesjes për vete dhe familjet.

Reit Çekiçi tregon se doli në pension në janar 2020 së bashku me 27 minatorë të tjerë, por pa u mbushur ende viti, tre prej shokëve të tij ndërruan jetë si pasojë e problemeve shëndetësore nga puna në minierë.
“Ne kur dolëm në pension na mbajtën edhe shpërblimin e vitit që kishim punu, prej 240 mijë lekë,” kujton ai. “I gjithë qyteti duhet të ngrihet për të kërkuar statusin e minatorit, sepse është gjaku i këtyre njerëzve,” shtoi Reiti.
Minierat janë një nga vendet më të rrezikshme të punës në Shqipëri dhe çdo vit ka aksidente të rënda me humbje jete.
Aksidenti më i fundit u regjistrua në fund të tetorit, kur dy minatorë dhe një inxhinier gjetën vdekjen në galerinë ku punonin, në Selishtë të Dibrës. Në pesë vitet e fundit, 30 minatorë kanë humbur jetën në vendin e punës, kryesisht në zonën e Bulqizës dhe Martaneshit dhe me dhjetëra të tjerë janë plagosur.
Familjarët e viktimave përfitojnë dëmshpërblime minimale, kryesisht sipas vullnetit të kompanive ku janë punësuar dhe mbeten pa mbështetje –  siç gjeti BIRN në një investigim të mëparshëm. Ndërkohë, shumë minatorë që ia dalin të mbërrijnë në moshën e pensionit, nuk mund ta gëzojnë atë, për shkak të gjendjes shëndetësore.
“Punonjësit e nëntokës më të zakonshme kanë sëmundjet pulmonare, me prekje të mushkërive,” thotë Fatos Hoxha,  mjek pneumolog në spitalin e Bulqizës.
“Paraqiten të disa formave, nga më të lehtat e deri më të rëndat, që është edhe fibroza pulmonare,” shtoi ai.
Hoxha thotë se problemet shëndetësore të minatorëve janë kryesisht për shkak të profesionit dhe me moshën, ato bëhen kronike dhe më të rënda.
Statusi i minatorit, i premtuar disa herë nga kryeministrit Edi Rama që nga viti 2009, do jepte trajtim preferencial nga shteti për minatorët që dalin në pension dhe familjet e tyre në rast aksidentesh në punë.
Por ai ka mbetur në letër prej vitesh, duke i lënë minatorët dhe familjet e tyre të pambrojtura nga aksidentet apo sëmundjet që shoqërojnë punën për vite me radhë nëntokë.
Në një përpjekje për të tërhequr vëmendjen dhe miratuar statusin, Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, ka nisur prej ditësh një peticion, i cili është firmosur deri më tani nga 3500 minatorë dhe ish-minatorë.
Marrë nga reporter.al.
Lexo shkrimin e plotë në: https://www.reporter.al/minatoret-kerkojne-statusin-e-harruar-permes-peticionit/