Poet i ngjyrave të vendlindjes, i dashurisë dhe patriotizmit brilant…


Vëllimi poetik më i ri i Mevlud Bucit shenjtëron, përmes një verbi të sinqertë e plot ndjenjë vendlindjen; vendlindjen si natyrë me male, gryka, përrenj, shkëmbinj, thepa, kreshta, lëndina, lule; vendlindjen përmes një zëri epik, me traditat, luftërat për liri, kullat, qëndresën dhe mbijetesën, për të ngritur lart virtytet e malësorit, të cilat u shenjtëruan nëpër shekuj dhe mbajtën gjallë karakterin e etnisë; poeti shenjtëron e shpalos dashuri, mall, përkushtim dhe mirënjohje edhe për sa njerëz të cilët i ka njohur, njerëz të thjeshtë po edhe të përmendur. Kjo është pak a shumë natyra tematike e këtij vëllimi që i bëhet me dije lexuesit që në fillim, për të kuptuar se Mevlud Buci është një poet i hapur, dhe gjithë krijimtaria e tij poetike përshkohet nga vrulli i pandalshëm i zbulimit të thesareve njerëzore, dhe këto thesare mbeten të paçmueshme, duke bërë një thirrje ideotematike, se nuk ka gjë më të bukur se sa të duash njeriun, se përmes kësaj dashurie do dhe lartëson veten. Mevlud Buci është një poet origjinal, i cili ka zërin e tij; ai vjen në poezi me një ritëm dhe vrull intensiv, përmes lakonizmit të shprehjes dhe energjisë së fjalës, duke rendur në përfytyrime konkrete të jetës, larg abstragimeve të panevojshme dhe kërkimit të figurës për ta mistifikuar atë në kuptime të errëta vramendjeje. Si i tillë, ai mbetet poet i sinqeritetit të vargut dhe asnjëherë nuk e mbyt poezinë me kërkime dhe thellime të panevojshme, gjë të cilat do ta largonin atë nga ky origjinalitet, sepse ai i këndon asaj që njeh, që ndikon, që përjetohet dhe pastaj transformohet në fuqi imagjinative vargu; kështu, poezia e tij mbetet e rrjedhshme, melodioze, me vargje që vijnë në metrin e tyre sipas shpërthimit të frymëzimit e kjo ia rrit patetikën dhe dinamikën e vargut dhe e bën të veçantë e të dallueshëm në vetësinë e tij poetike. Ky vëllim flet për një punë dinjitoze, për përzgjedhje dhe renditje të poezive në aspekt të vlerave të tyre.
Poezia e Bucit ka një shtrat të gjerë ku mund të lëvizë, të qëndrojë e të stacionohet, ajo mbart një frymëzim të thellë për vendlindjen për njerëzit e saj, për far e fisin, njerëzit e afërt, duke shenjtëruar dashurinë njerëzore; prandaj me të drejtë poeti ia ka vënë titullin “Shenjtëria”, titull që mund të arrijë deri në nivelin fetar të nderimit. Ky shenjtërim nuk është një deklaratë, po një burim i sinqertë i ndjenjës dhe besimit, një pulsim i natyrshëm i kësaj ndjenje, një shpalosje, sa e ngadaltë, aq edhe e vrullshme, e kohërave të cilat te Buci vijnë dhe mblidhen bashkë në metaforën e kujtesës. “Ku ndien dallgë përmallimi/ku loton lulja nga gëzimi/ku çel shpirti frymëzime/ku tjetër, veç në vendlindje”… ; janë këto disa vargje që poeti i shtron si kuintesencë të përjetimit dhe të mendimit të vet për vendlindjen. Dhe poeti është në kërkim të një melodie; atë e përfytyron tek shëtit në katër Grykët, tutje nga Kacnia e Lukani, tek vështron malin e Runjës me pamjen hijerëndë dhe epike, por që fal ngrohtësi, dhe kërkon meloditë që falin drurët e gurët, gjethi i jeshiluar, zogjtë, përrenjtë dhe lumenjtë, kërkon melodinë e jetës e cila nuk mund të kuptohet, veçse si një shpërthim i butë i natyrës e, për pasojë, edhe të zemrës. “Dua dhe kërkoj një melodi/ta gdhend në tela çiftelie/si dritë jetë në sytë e mi/ta çel zambak për dashuri”. Meloditë e jetës në malësi janë të heshtura, të bukura, të pastra, ato nuk përzihen nga gërvima metali as nga pluhurat e intoksikuara të qyteteve dhe të metropoleve; dhe, nga ky këndvështrim, buron edhe tisi romantik i poezisë së Bucit, jo një romantizëm lëngues, por një romantizëm shërues. Këto melodi të natyrës, ndjellin në shpirt paqe, frymëzim, jetë, mall, brenga, një vlim të natyrshëm çastesh, rrjedhën e kujtimeve dhe të poezisë, dhe Buci arrin të shprehet: “Për vendlindjen nga malli/nis e qaj/se vendlindjen gur stërralli/në zemër mbaj”. Guri i stërrallit është guri që lëshon xixa, ai është gur jete; ja pra, kështu mbetet edhe vendlindja, shkëmb e gur, flamur kujtese që valëvitet hapësirave të saj plot përmallim, po edhe realitet i gjallë konkret me begatitë e saj të mira që shuhen në heshtje nga mungesa e njerëzve të ikur… Dashuria për vendlindjen nuk është e re në poezinë tonë; ajo është trajtuar nga shumë poetë; por e veçantë te ky vëllim mbetet se kjo dashuri shpaloset dhe thuret përmes elementit konkret gjeografik, lokalizohet dhe tabloizohet në një vend të caktuar; jo thjesht si enumeracion kodrash, malesh luginash, as si dekoracion, çfarë janë, por si përjetim i natyrshëm.
Peizazhi i vendlindjes merr domethënie në poezinë e Bucit dhe nuk është thjesht një përshkrim gjeografik, por, më së shumti, gjetje e atyre detajeve të cilët kalojnë dhe vizatohen përmes shprehësisë së ndjenjës dhe ndihmojnë që ta përcjellin atë. ”Pllaja, male, shtigje, /Atje kullosin rrufetë, /Atje ku ka folenë thëllëza, /Bilbili folenë vetë. /Pranvera bleron vonë, /Bora shkrin në maj. /Ëndërr kam të ngjitem, /Vetëm me malin të rritem… “Çfarë mund të kuptosh përmes këtyre vargjeve, veçse mahnitjen që ndjen poeti përmes këtij peizazhi që e jep me fjalë të kursyera thjesht, po me forcë ndiesore, veçse mahnitjen që shkakton një peizazh i tillë dhe gravitetin tërheqës që ai ka, sepse:”Lartësive në maja/Atje ku retë fjalosen/Mbi gryka e thepaja/Ku rrufetë kullosin. /Lartësive të maleve/Rri fytyrë e të parëve, /Lartësive të ngjitesh/Ndjen si përtëritesh…”; ja pra, çfarë kumti na jep poeti duke u ndalur në forcën përtëritëse të natyrës, dhe duke e bërë atë pjesë organike të njeriut, një simbiozë aq e qartë dhe të mrekullueshme, e njohur tashmë dhe e sjellë përmes këtyre vargjeve të freskëta me vlerë domethënëse: “Atje lart nëpër ahishte, /Mu tek krojet, anës lisit, /Vrullojnë gurrat në zallishte, /Jehojnë zërat e bilbilit. /Vjen bukuria e ndrit gusha, /Vjen prej shkrepit, prej lëndinës, /I ndez krojet kjo Tanusha, /Shtatkurora e Jutbinës… ”
Vëmë re se në poezinë e këtij autori përfshihet shpesh fjala Jutbinë, Tanushë, Ajkunë, figura këto të njohura në Cilklin e Kreshnikëve, por edhe për shumëkënd. Mevlud Buci është një njohës i shkëlqyer i folklorit, veçmas atij dibran, po edhe më gjerë, edhe në këto vargje, duke e parë me kujdes fjalën “shtatkurora” të cilën mund ta përcillnim si një metaforë origjinale të autorët, vetiu mund të mendojmë se poeti e sjell peizazhin nga lartësitë eterne dhe nga këto lartësi ai gjen kuptimin asociativ të përqasjes, vetëm për gruan, vajzën e këtyre anëve, kurora këtu janë majat e maleve të veshura me pyje e blerim… Nuk mund ta ndash peizazhin as nga poezia e dashurisë, krahas poezisë për vendlindjen, edhe këtu shkon po aq bukur dhe përputhshëm. Në lirikën e dashurisë, Buci shpalos ndjenjat më të sinqerta të intonuara here- herë me theksime të folklorit e duke përdorur mjete shprehëse të lirshme: “Deti u ngrit nga shtrati i vet, /Dhe u përplas në breg/Veten mori mbrapsht lumi, /Burimin s`e gjet. /Gurra e kristaltë/E syve të tu, /S`dihet ku shkoi, /Logun tim të zemrës, /Shkretëtira e mbuloi… ”
Motivi i ikjes nuk është motiv preferencial i këtij poeti, por, ai shfaqet aty-këtu, sepse, më së shumti, poezitë e Bucit afrojnë ardhjen, takimin, intimitetin, bashkëbisedimin dhe jo largimin. “Ti e mira në ato bjeshkë/Zemrën ma dogje eshkë, /Kur të shoh në bebe të synit? Këndojnë zanat në breg të Drinit. /Mbi kunorë bleroi tërfili, /Dhe u ndi një zë bilbili, /Molla dhe ftoi çelën në bahçe, /Karafilat nëpër faqe. “Vajza në poezinë e Bucit nuk i ik konceptit të folklorit, te ajo shihet një dashuri e shëndetshme, një ngazëllim që ia sjell jeta e pastër, një bukuri që rrëzëllit me bukuritë e natyrës, prandaj gjithë mjetet stilistike në përshkrimin e portretit të saj fizik poeti i merr nga natyra, nga lulet, trëndelinat, thëllëzat po edhe nga mitologjia, kur i duhet të përmendë herë pas here zanat si qenie të tilla. “Me shpirtin e saj, ndrit hyjnia/Ëndrrat, poezia, magjia. /Hyjnesha/Diell mbi kreshta. /Si pëllumbeshë që ikën/Nëpër rreze të hënës, /Më ndez/Flatrat e këngës. “Ai e hyjnizon dashurinë përmes këtij regëtimi të zemrës, duke sjellë një përfytyrim të gjallë metaforik përmes shfrytëzimit të detajeve natyrore më të pastra, dhe përmes këtij lirizmi mahnitës krijohet apoteoza e bukurisë, magjisë dhe dashurisë në korrespondim me të gjithë këto element që përmendëm më lart dhe që vibrojnë në të gjitha poezitë e këtij vëllimi me këtë temë. “O moj hënëza në agime/Zanë e sertë, manare, /As e merr këngën time/Ndriço hone e drizare. /Ti e bardhë si plat bore/Ngjitesh bjeshkës në livadhe, /Si brerim i një kurore/Plot me lule e petale”. Në këto vargje, poeti shpreh jo vetëm dashurinë po edhe vetminë e maleve, e, në këtë vetmi, patjetër zemra ka nevojë të mbushet me dashuri, për ta bërë më të hijshme më të kuptueshme atë. Kontrastet inkadeshente që krijohen: “Zanë e sertë/manare”, janë mjaft të gjetura dhe sjellin pikërisht atë mendim tipologjik që rri brenda portretit të vajzës malësore. Lirika e dashurisë te ky poet buron me intonacione të buta, ajo përshkruan thjeshtësisht e denjësisht portretin fizik të vajzës malësore me të gjithë ato detaje që poeti i huazon nga natyra, folklori pse jo edhe nga poezia popullore. Është një poezi që shkruhet me spontanitet, e shkurtër, jo shumë e gjatë dhe në çdo aspekt të saj qëllimor dhe ideor reflekton bukurinë, hijeshinë, moralin dhe virtytin e vajzës malësore. Kjo poezi buron përmes ndjenjave të ngrohta, një lirizmi të pastër subtil, brenda këngëtimit të një zemre poetike që vjen në vite e magjepsur nga bukuria e njeriut, bukuria e natyrës dhe bukuria e vendlindjes; kështu lirika e dashurisë impresionin, pikërisht për qartësinë e mendimit dhe vlagën e ndjenjës e cila hijeshon.
Buci është një poet epik; epika e tij vrullon përmes nderimit për të parët, për luftërat, historinë, qëndresën, mikpritjen, mbajtjen e fjalës së dhënë; ai është një njohës shumë i mirë i historisë së vendlindjes, historisë së Dibrës, këtë e ka dëshmuar në libra të tjerë. Nderimi për të parët është në radhë të parë nderim për vetveten, për të sotmen, dhe të ardhmen, dhe kjo ide përshkon si një fill i pashkëputshëm gjithë poezitë e tij epike, të cilat dallohen për një ritëm të fortë të shprehuri, shpesh me vargje rapsodikë. Simboli i kullës shëtit aty-këtu dhe bëhet simbol-rrethqëndror i epizmit, i cili mbledh rreth vetes dhe tjerr shtëllungat e reve të kohërave dhe, prej tyre, tjerr fijet e kujtimeve të pambarueshme.“Një katund sofër e bujarisë, /Murra e vjetër e Arbnisë, /Në çdo fis e në çdo kullë/Gen trimnie për flamur”.Vargje sintetike, plot kuptim, me të cilat shprehet gjithë koha e sendërtuar në ato kulla bujare që ruajtën etninë, se në ato kulla jetonin fise të forta me emër, të cilët u bënë qëndrestarë përballë turkut, serbit dhe çdo pushtuesi.“Dritë jete në ato vise/Kala bese nëpër fise. /I njeh koha dhe Grika/Mihët, Manrekët e fisin Nika, /Fisin Miha, përshpirtbardhësinë/Nika i luftës, për lirinë, /Fisi Biba me bij të furtunës/Balldjersitur, sokola të punës. /Te çdo fis ka burra t’dheut/Siç është Duka i Skënderbeut, /Prrejsi, Daçi e Shehellarët, /Brez pas brezi si thesarët. /Në çdo kullë ndriçim masati/Sofër drite ka dhënë Perhati”… etj. Poezia e tij epike gurgullon me intonacione burrërore dhe vjen vetvetiu si frymëzim edhe përmes kujtesës, edhe përmes njohjes me kontaktet e sotme, nëntekstualisht poeti bën thirrjes se këto kulla nuk duhen braktisur, ato janë vlera, jo vetëm të rralla etnografike që dëshmojnë për shpirtin artist të gjyshërve, por, mbi të gjitha, për virtytet e larta luftarake, për shpirtbardhësinë aristokratike e për thellësinë e mendjes së të parëve tanë. Ai i këndon birit të Manasdrenit, Qafë Murrës dhe Katër Grykëve, Liman Jakup Ballës, që ra në luftë kundër serbëve; Lurës heroike e mentare, Lurës së vllaznimit: “Në majë të Kunorës/Lind në çark të martinës, /Bijt e Dom Nikollës, /flakë e vetëtimës”; martirit nacionalist Bilal Kola: “Kulla e Kolës Dejën ka vlla, /Në luftë me turq e luftë me shkja, /Në flakë u dogj prej gjermanit/Kulla e Kolës-e Bilalit”; Matit të barotit, sa e sa luftëtarëve dhe fiseve të forta, për të gjithë ato cilësi të spikatura që përmendëm më lart e që lexuesi do t`i gjejë në libër.
Një numër jo i pakët poezish në këtë vëllim u kushtohen njerëzve të ndryshëm, personaliteteve të artit e të shkencës, të cilët poeti i ka njohur ose jo, si: për Kadarenë, Agollin, Albert Vërrinë, Fran Vukajn, Naim Plakun, Lefter Çipën, Ali Podrimen, Flora Brovinën, Gjokë Becin, Fadil Krajën, Gëzim Krujën, Sherif Dervishin, Vilson Blloshmi, Genc Lekën, por edhe për luftëtarë të ndryshëm, siç është minipoema për Kasem Dibrën, një krijim mjaft dinjitoz me një ritëm tirtean; por edhe për shokë e miq si Hasan Frangu e Ferit Fixha, Llesh Ndue Gjokën e Kaftallit të Kashnjetit (Mirditë), Fatmir Delishi, Skënder Abaz Gjucin e Macukullit të Matit. Mevludi ndryshon nga shumica e poetëve që, pasi e lexojnë krijimtarinë e mikut, nuk shqiptohen, por e lënë atë në heshtje, edhe pse në heshtje e pëlqejnë. Ai është entuziast për shokun, bën vlerësime dhe nderime, arrin ta kuptojë të bukurën te shoku dhe ta deklamojë duke treguar tiparet e një artisti të vërtetë që ego të vetme ka punën. Në poezinë e vet të përkushtimit ai portretizon secilin me mjete adekuate të shprehjes, i shikon njerëzit, për të cilët shkruan, me dashuri, dhe këtë portretizim e skalit me identifikimin e tipareve specifikë: “O Cukal me plot gjelbërim/Tarabosh me lule prilli, Ti e rrite birin Gëzim, /Zaambël, me gjuhë bilbili. /Bunë moj, pse ngre valët/Rozafë, pse lëshon kujën/Nanë Shkodra i nisi vajet/’Për të madhin, Gëzim Krujën”. Vargje të tilla me plot përkushtim, ndjenjë, humanizëm e vështrim lartësues, do të gjejmë në poezinë për të cilën flasim, se dashuria për artin është në radhë të parë dashuria për krijuesit e tij. Poezia e Bucit është poezi e tonaliteteve të forta dhe e mjeteve shprehëse të pangarkuara, por gjithnjë të gjendura në vendin e duhur, ajo është poezi e vetvetishme, buron nga frymëzimi dhe përjetimi, jo nga kërkimi fals apo nga mendimi shterpëzues; si poezi e tillë ajo ngjit vetvetiu te lexuesi me ngrohtësi dhe ritëm të ëmbël, prej nga buron forca jetësore dhe integriteti i një krijuesi të frymëzuar. Për ta mbyllur këtë fjalë, në ndihmë na vjen një poezi e Ndrec Mustafës që ia kushton poetit Buci: “Mësues me zemër të madhe/Mjeshtër i madh i penës/I përket shkollës dibrane/Akademisë së mendjes”. Ndërsa poeti Zenel Anxhaku për të do të shprehet: “Në atë shtëpinë tënde të vjetër/Diku në periferi të Tiranës, /Një pllakë do vihet nga një brez tjetër/Shenjë e mirënjohjes së pastër…” Edhe ky vëllim me poezi i justifikon plotësisht këto fjalë; ai është shenjë e pjekurisë dhe arritjeve të poetit, shenjë se, nëse i mban këmbët fort në truallin e vendlindjes, nëse nuk e humbet kujtesën ndaj traditave dhe dashurisë për natyrën, për njeriun, për të afërmit, poezia nuk shteron kurrë… Mevlud Buci është një nga shembujt më domethënës që e ilustron bukur –mirë këtë ide, dëshmi e pakundërshtueshme e së cilës është edhe ky vëllimi freskët poetik.