“5 SKENARË…” të Bujar Kapexhiut


Libri “5 skenarë”, i sapobotuar nga Prof. Bujar Kapexhiu, vjen si dhurata më e mirë e këtij fillimviti për lexuesin e veçanërisht për autorët e rinj të veprave letrare.
Një libër nëpërmjet të cilit autori Kapexhiu, ikonë e artit dhe kulturës kombëtare, u dhuron bujarisht krijuesve të rinj përvojën e tij të suksesshme në shkrimin e skenarëve të filmave artistik.
Botimi i skenarëve letrarë të filmave artistik është një përvojë botërore. Tek ne kjo praktikë ka munguar. Skenari letrar i filmit artistik është një krijimtari e mirëfilltë letrare, plotëson me dinjitet artistik punën krijuese të autorit dhe, së fundi, justifikon një angazhim dashamirës të çdo lexuesi.
Botimi i Mjeshtrit Kapexhiu përmban skenarët dhe platformat regjisoriale të filmave “Dy herë mat” (kinokomedi), “Edhe kështu, edhe ashtu” (kinokomedi muzikore), “Bixhoz me dekorata” (kinokomedi), “Mozaiku” (kinokomedi) dhe “Pipiruku këngëtar” (skenar për film artistik për fëmijë), të shkruara me mjeshtëri e mjaft të arrirë artistikisht.
Duke na dhënë me detaje elementet e platformës regjisoriale, për shembull te kinokomedia “Dy herë mat”, si ideja, konflikti, kompozicioni, trajtimi figurativ etj., te loja e aktorëve do të mësojmë se si e bën Mjeshtri Kapexhiu pantelikën e tyre, si të Ilo Pincit, Sazanit, Kopit, Cukut, Rudinës, Besës, Takut, gruas së Kopit (si dhe të grupit të shahistëve), për lexuesin e sidomos për shkrimtarët që mund të pretendojnë t’i shndërrojnë në skenarë filmi romanet apo novelat e tyre, rëndësi ka stili i përdoruar nga Kapexhiu në përshkrimin e ngjarjeve.
Sot formatimi strukturor i skenarit të filmit ka ndryshuar, por Kapexhiu ruan atë formë me nuanca më të dukshme letrare, siç është shkruar skenari i filmit artistik në ato vite. Duket si një tregim i gjatë apo novelë, ku shtjellohet subjekti me të gjitha nuancat e përshkrimit të mjedisit, të veprimit dhe dialogut të personazheve. Kjo, thotë Kapexhiu, “për të ruajtur dhe si dokumentacion autentik formën dhe stilin e të shkruarit të skenarit. Quhet skenar letrar, por të jemi të sinqertë e objektivë që nuancat letrare në skenarin e filmit janë të kursyera, sepse aty ka rëndësi, veprimi, aksioni, filli i subjektit dhe dialogu. Ekspresioni, psikologjia, meditimi i personazheve mbetet si detyrë e aktorëve në sheshin e xhirimit nën drejtimin e regjisorit dhe kompozimit të figurës nga operatori. Filmi ‘Dy herë mat’ tashmë është parë nga mijëra spektatorë në kinema dhe në ekranin e televizorit dhe është shoqëruar me përshtypjet më të mira në vlerësimin artistik për një komedi brilante e me nivel artistik nga të gjithë komponentët.”

“Dy herë…” apo “Tri herë mat”
Pakkush e di që filmi komedi “Dy herë mat”, që mban autorësinë e Bujar Kapexhiut, fillimisht ka qenë ideuar për “Tri herë mat”. Ndërsa flet për komeditë që ka realizuar në vite, e gjithë fytyra i merr një pamje hareje. Duket se humori është argument për të cilin pëlqen të flasë pa fund. “Më pëlqente gjithmonë të bëja humor në shoqëri e në familje, kujton ai. Interpretimi i filmit Dy herë mat ka qenë edhe si një vazhdë e punës sime si regjisor në Estradën e Tiranës. Aty u caktova, sapo mbarova shkollën. Gjatë gjithë këtyre viteve jam marrë me humorin, si me shkrimet, ashtu edhe me regjinë. Kështu që kur shkova në Kinostudio, fillimisht shkrova një komedi e cila u pëlqye mjaft. Atëherë isha regjisor, piktor dhe skenarist i filmit vizatimor. Mirëpo dëshira ishte që të kaloja regjisor në filmin artistik. Prandaj shkrova skenarin, që në atë kohë titullohej Tri herë mat. Por meqë filmi dilte shumë i gjatë, hoqëm një mat dhe e bëmë Dy herë mat. Por unë nuk e kisha menduar që do ta interpretoja vetë rolin kryesor të këtij filmi, e kisha taksur këtë rol për aktorin Agim Qirjaqi. Atë e kam pasur student në Institutin e Arteve dhe më kishte lënë përshtypje të jashtëzakonshme, si një student i rrallë dhe më vonë si një aktor i mrekullueshëm.
Mirëpo kur kërkova Agimin, ai ishte i angazhuar në një film tjetër. Kështu që u vendos që këtë rol ta interpretoja unë. Padyshim nuk është lehtë që edhe të interpretosh edhe të drejtosh. Gjithmonë duhet të kesh një sy tjetër që të shikon dhe të korrigjon. Por kam bashkëpunuar shumë me operatorin Lionel Konomi, i cili më ka ndihmuar në këtë drejtim dhe ka qenë ai që ka bërë syrin korrigjues gjatë filmit.”

Koherenca te “Bixhoz me dekorata”
Mjaft tërheqës është skenari i kinokomedisë “Bixhoz me dekorata”, përfshirë në librin voluminoz me 544 faqe të Bujar Kapexhiut.
Ndonëse titulli mjaft sinjifikativ është në koherencë edhe me realitetin e sotëm të shoqërisë shqiptare, në parashkrimin që i bën skenarit të kësaj kinokomedie autori na njeh me kontradiktën themelore në këtë subjekt, që është përballja e dy koncepteve për moralin: “Ajo e gjeneralit Taho dhe e nipit, i cili me lirinë e të shprehurit që erdhi me vendosjen e demokracisë, merret me një biznes mjaft fitimprurës, me botimin dhe shpërndarjen e një reviste me përmbajtje erotike”.
Me mjeshtëri të rrallë autori vë përballë dy personazhe me karakteristika të veçanta e shumë larg nga njëri-tjetri, për sa i përket konceptit se ç’është e moralshme e ç’nuk është e tillë.
Linja tjetër që e bën më tërheqës subjektin dhe i jep karakterin komik ngjarjes është linja e kapterit Xhemal, që shkurt e thërrasin Xhemo dhe kur, me miqësinë e ministrit, rritet në përgjegjësi, në takimet me ushtarakët e NATO-s e thërrasin Xhejms. Dy komshinj, gjenerali Taho, që me të padrejtë, sipas reformës, e nxjerrin në pension të parakohshëm dhe kapteri Xhemo që rritet në përgjegjësi, paralelisht kalojnë në situata gazmore që ndërthuren me njëra-tjetrën duke zbuluar situata komike me të papriturat dhe batutat e zgjedhura humoristike.
Për sa i përket anës kompozicionale, Kapexhiu i vendos ngjarjet në mjedise të tilla si: Shtëpia e gjeneralit (dhoma e gjumit, dhoma e ndenjjes, kuzhina, anekse etj.); Hyrja para pallatit, Sheshi i pallatit, Sheshpushim midis apartamenteve, Repart rrobaqepësie, në Librari, Dyqan tapetesh, Shtëpia e kapter Xhemos etj.; mjedise këto ku zhvillohen dialogë tërheqës mes personazheve Sofika, Riku, Yllka, Taho, Piku, Ariani, Qefseri, Viola etj.
Këtu skenaristi përcakton qartë mesazhin dhe qëndrimin ideoemocionial që do të jetë i mjaftueshëm vetëm me interpretimin elegant, origjinal e gazmor të aktorëve, si dhe trajtimin regjisorial për gjithçka, ku duhet dora e vëmendja e tij, pa neglizhuar këtu edhe fotografinë dhe këndin e dinamikën e kameras.
Këto elemente i gjejmë edhe në skenarët e kinokomedisë muzikore “Edhe kështu, edhe ashtu”, të kinokomedisë “Mozaiku”, si dhe në skenarin për film artistik për fëmijë “Pipiruku këngëtar”, ky i fundit diçka e re, e parealizuar më parë në artin kinematografik tek ne. “Pipiruku këngëtar” në dukje ngjan film për fëmijë, por subjekti që shtjellohet në të ngjall interes edhe për spektatorin e rritur. Ky skenar ka një teknikë të kombinuar midis filmit me aktorë dhe filmit të animuar. Pra, figura reale e aktorit është përballë figurave të vizatuara. Personazhi i filmit të animuar, Pipiruku, tashmë i njohur me tre seritë e tij, ka dëshirë të bëhet këngëtar dhe me ndihmën e miqve të tij Bleta, Milingona dhe Zogu gushëkuq merr rrugën për të arritur në godinën e Televizionit që po përgatit festivalin e këngës. Dhe pasi kalon në situata të ndryshme plot humor realizon më në fund ëndrrën e tij, pjesëmarrjen në festival.
Botimi i këtyre pesë skenarëve vjen jo vetëm si dëshirë e autorit, për t’i botuar vetëm për vete, për t’i pasur në koleksionin e krijimtarisë letrare, por për të qenë edhe në duart e atyre personave pasionantë, fillestarë që kanë dëshirë të ndjekin rrugën e krijimit të skenarëve për film, siç e quajnë artin e shtatë. Kjo është përvojë dhe një kontribut për të ardhmen e artit kinematografik.
Nga pesë skenarët që Kapexhiu ka përmbledhur në këtë libër të llojit e stilit të veçantë, dy komeditë “Edhe kështu edhe ashtu” (1989) dhe “Dy herë mat” (1986) janë bërë filma, ndërsa tre të tjerët ai i vë në dispozicion të krijuesve që kanë dëshirën, pasionin, shijen dhe aftësinë për krijimet e artit komik.