Sheh Iljazi i Vleshës


“Një ditë do të ndërrojë regjimi, sa do i egër dhe i gjatë të jetë”!
Një figurë e shquar dhe shumë e njohur në Dibër e më gjerë qe edhe Sheh Iljazi, i biri i Shezumanit të Vleshës.
Sheh Iljazi lindi në Vleshë, më 1895. Ai qe një vazhdues i denjë i traditave popullore e patriotike, me shumë autoritet dhe me zgjuarsi të madhe. Gjithmonë në krye të vendit në konak, në odat dibrane e në mexhlise, qe mburojë e fshatit dhe e tërë krahinës. Banorët e fshatit Vleshë nuk e harrojnë kurrë pushtimin gjerman, më 1943.
Edhe sot e kujtojnë me trishtim ditën kur gjermanët hynë në fshat dhe qenë gati të bëjnë reprezalje mbi banorët e pafajshëm. Qe ndërhyrja e menjëhershme e Sheh Iljazit te disa autoritete vendase, që gjermanët të tërhiqeshin, duke mos shkaktuar asnjë incident.
Sheh Iljazi, i mbështetur dhe nga fshatarët, mbrojti me fanatizëm çdo pronë të fshatit apo të fisit. Një pronë e tillë qe edhe Bjeshka e Shehut. Kjo bjeshkë ishte një kullotë verore prej disa qindra hektarësh dhe zinte një nga faqet e malit të Korabit. Kjo bjeshkë kishte marrë këtë emër sepse Shehu, dikur herët, kishte ndërhyrë për të shuar një konflikt mes palësh, prandaj i qe falur bjeshka.
Si pasuri e rrallë dhe për resurset që kishte, pa fakte e pa dokumente pati një tentativë për përvetësimin e saj. Çështja atëherë kaloi në gjyq dhe vazhdoi plot 10 vjet, deri më 1938. Qenë fjalët e mençura të Sheh Iljazit dhe dëshmitë e dëshmitarëve që gjyqi të fitohej nga Sheh Iljazi dhe bjeshka të mbetej pronë e fisit, ashtu si kishte qenë më parë dhe është edhe sot.
Sheh Iljazi njihej me shumë krerë të Dibrës dhe së bashku me to, edhe pse në atë kohë mungonte informacioni, njiheshin me ngjarjet që zhvilloheshin në vend. Ai demaskoi ata që sollën farën e komunizmit në Dibër, duke e kuptuar qysh atëherë se çdo të mbinte nga kjo farë. Por, komunizmi kishte triumfuar mbi të vërtetën dhe do të godiste pa mëshirë të gjithë ata që nuk u pajtuan asnjë herë me idetë e tij.
Kështu u godit dhe Sheh Iljazi, duke e cilësuar “kulak”. Ky ishte një model i luftës së klasave, që sa vinte e ashpërsohej. Si hije e ndoqi nga pas ky titull plot dyzet vjet, deri sa vdiq. Një barrë tepër e rëndë, për vete, fëmijët e të afërmit. U privuan të gjithë nga çdo e drejtë civile e shoqërore.
Sheh Iljazi, gjysmën e jetës së tij e kaloi i izoluar brenda mureve të shtëpisë, i veçuar nga të afërmit, fisi e shoqëria. Nuk mori pjesë asnjëherë në dasma e morte as në gëzime të tjera familjare të tyre. U vetizolua vetëm e vetëm për të mbrojtur nderin, për t’ju shmangur çdo lloj provokimi, që mund t’i bëhej orë e çast nga ata që mbanin pushtetin vetëm duke sajuar.
Sheh Iljazi njihet për vlerat që mbarte.
Një natë, aty rreth vitit 1962, erdhi i rekomanduar në shtëpinë e tij një historian i shquar. Ishte profesor Osman Myderizi. Një shkollë në Tiranë mban sot emrin e tij. Kishte ardhur profesori nga Tirana të bisedonte me Shehun për historinë e vendit, të kaluarën. Kishin biseduar tre-katër orë qetësisht dhe deri atëherë, profesori kishte marrë shumë material të çmuar nga goja e Sheh Iljazit. Por, papritur, u muar vesh se shtëpia e tij ishte e rrethuar. Në oborr e pastaj në dhomë, ku ishte miku, futen njerëz të armatosur.
Në shtëpinë e “kulakut” kishte ardhur një person i dyshimtë. Një situatë nga më të vështirat! Duhej qetësi e vetëpërmbajtje. Edhe profesori e kuptoi se ç’po ndodhte. Biseda u ndërpre. Pas disa minutash heshtjeje, biseda nisi, aty ku ishte lënë. Ndërsa biseda vazhdonte, personat që sollën atë situatë e panë se kishin gabuar rëndë. Para tyre fliste një akademik. Kishte ardhur të mblidhte fakte e ngjarje nga historia e popullit tonë në shekuj.
Pas viteve ’70, me dekret të veçantë u vendos që në shtëpinë ku kishte bujtur një natë patrioti i shquar Abdyl Frashëri, gjatë rrugës për të shkuar në Prizren, të vendosej një pllakë përkujtimore. Kjo ishte shtëpia e “kulakut”. Në këtë shtëpi u prit dhe u përcoll me nderime e bujari ky patriot i madh i kombit. Po, a do të vendosej pllakë në këtë shtëpi? Jo, kurrë! Pllaka u vendos në një shtëpi tjetër, shumë afër kësaj.
-Si ka mundësi, aty nuk ka bujtur Abdyl Frashëri!-thanë disa fshatarë.
-Çfarë hipokrizie !-thoshin disa të tjerë. Po atëherë kaq mund të thuhej. Atë e vendoste Partia!
Shtëpia, ku u vendos pllaka, ishte e vjetër dhe një natë me shi u shemb, duke zënë edhe rrugën e fshatit. Punuan disa punëtorë më shumë për të hapur rrugën se sa për të gjetur pllakën. E gjetën edhe pllakën, por tani, për ironi të fatit, e çuan shumë larg shtëpisë ku kishte bujtur Abdyl Frashëri. E çuan tek furra e bukës së fshatit, atje ku gatuhej bukë për kooperativistët. Qëndroi ajo pllakë atje me vite të tëra. U lexua dhe u stërlexua nga fshatarët që rrinin aty në radhë me orë të tëra për të marrë bukë dhe sa herë që nuk merrnin iknin në shtëpitë e tyre duke bërë humor: “Na ka nemur Abdyli, prandaj nuk ka bukë, se pllaka nuk e ka vendin këtu!”
U shemb sistemi komunist e bashkë me të u shemb edhe furra. E historia e pllakës më tej nuk dihet.
Shtëpia e Sheh Iljazit, pas viteve ’90 të shekullit të kaluar, u bë bazë e fuqishme për fillimin e lëvizjeve demokratike dhe më vonë, më 1995, në këtë shtëpi, ashtu siç u prit me nder e bujari patrioti Abdyl Frashëri, po me aq nder e bujari u pritën Prof. Dr. Sali Berisha, Anton Çeta e shumë të tjerë.
Sheh Iljazi qe martuar me Rabishe Litën. Kjo ishte e bija e Ali Litës. Ishte mbesa e Mustaf e Osman Litës, Zyber e Sherif Litës. Ishte motra e Zenel, Xhafer, Rushit, Hamzë e Jahe Litës, të gjithë nacionalistë e atdhetarë të shquar. E dhanë jetën se kishin vetëm një ideal: Luftë pa kompromis kundër komunizmit. Në një ditë Maj të vitit 1946, Rabishes iu vranë 5 vëllezërit brenda një ore. I qau Rabishja vëllezërit atë ditë me vaj e me kuje dhe lotët nuk iu thanë kurrë.
-Mos qajë!-i thanë partizanët,-pusho, se do t’i lidhim duart! Vëllezërit e tu ishin kriminelë e kriminelët nuk qahen.
-Do t’i qajë për jetë.-u tha Rabishja pa iu trembur syri.-Ata ishin vëllezërit e mi. Ju i vratë se ata se nuk e donin komunizmin.
Sheh Ijazi kishte lidhur miqësi në Dibër me Teqenë e Haxhi Osmanit dhe me teqetë e Tominit e të Brezhdanit. Kishte lidhur miqësi me Hidër Valterin në Mat, Shemsi Plakun në Sllatinë, Ali Maliqin në Kërçisht, Abdurrahim Tafën në Sohodoll e Hakik Hoxhën në Krujë, që jetoi në një oborr me Mbretin në Francë.
Sheh Iljazi njihej me Selim Kaloshin, Halil Alinë, Dine Hoxhën e Maliq Markun por idhull pati Mbretin Zog, me të cilin ishte takuar disa herë, kurorën e të cilit e kishte bekuar më 1928 babai i tij, Sheh Zumani.
Sheh Iljazi shpresonte shumë se një ditë do të ndërronte sistemi, sa do i egër e i tejzgjatur të ishte.
-Në të gjithë botën ndërrojnë sistemet.-thoshte ai. –Edhe këtu do të ndërrojë.
Vdiq më 1981 dhe nuk arriti ta shijonte demokracinë aq shumë të dëshiruar e të përfytyruar prej tij. Vdiq i pamposhtur, me mllef e përbuzje për atë sistem.
Edhe ditën e vdekjes, i survejuar, sikur të ishte gjallë. Atë ditë, të gjithë ata që morën vesh lajmin e vdekjes së Sheh Iljazit, në heshtje, thanë: “ Paska ndërruar jetë një burrë i madh!”
Sula e Bexheti morën veglat e varrit e shkuan të hapnin varrin e mixhës së tyre. S’kishte kush të shkonte tjetër! Pas pak te varri shkuan dy bashkëfshatarë: Abdurrahim e Ramazan Abazi. I vriste sedra e dibranit e nuk mund të bënin sehir.
-Ikni!- u thanë ata të dy Sulës e Bexhetit, duke ua marrë veglat nga duart. –Nuk ju takon juve të hapni varrin. Nuk ka ndodhur kurrë! Ju jeni bijtë e tij. Ju sot keni halle të tjera.
-Do t’ju shohin e gojët e liga do të flasin. Do t’ju marrim në qafë.-folën njëherësh Sula e Bexheti.
-Ne punëtorë kooperative jemi e ma poshtë s’kanë ku të na çojnë.-u përgjigjën bashkëfshatarët.
Respekt e mirënjohje për të dy. Kjo që bënë në ato kushte të vështira nuk do t’ju harrohet kurrë. Për atë kohë ishte një guxim i tepruar.
E përcollën atë ditë me dhimbje babanë e tyre për në banesën e fundit djem e bija, nipër e mbesa.
A e meritonte Sheh Iljazi i Veshës një varrim të tillë?!
Ky qe Sheh Iljazi. Kjo qe koha në të cilën jetoi ai. Kohë gënjeshtare e shumë e pabesë!