Asnjë zë asaj Dibre…


Nga Abdurahim Ashiku

Asnjë zë Bujar Karoshi, ASNJË ZË.
As asaj Dibre, as…
Asnjë zë në Kuvendin e Shqipërisë për zhdukjen e Dibrës, MBYTJEN e saj, harresën historike të saj.
Kuvendi i Shqipërisë me votat e shumicës dhe të pakicës vendosi të ndërtohet Skavica…
Të ndërtohet që mos përmbytet Shkodra!!!
O tempo o mores!
Mbyt një krahinë që të mos përmbytet një tjetër!
Çudi parlamentare në shkallën sipërore. Të mbysësh një krahinë të tërë, të shuash nga harta tokësore gjysmën e Dibrës, bukën dhe gjizën e saj ushqyer në shekuj, shpatën dhe pushkën… që të shpëtohet Shkodra…
Këtë nuk e thotë as hasmi më i egër i saj, serbi…
Kështu tha me të tëra notat e zërit të saj Ball-Uku, Bujar Karoshi…
“Do t’i jepet zgjidhje përmbytjeve në të gjithë zonën e Shkodrës”…
Ky është titulli i kronikës së gazetës “Bulevard”, i vetmi zë që foli dje dhe sot për kobin që do të mbulojë Dibrën, mbytjen e saj që të mos përmbytet Shkodra.
Asnjë gazetë, asnjë portal,asnjë televizion nuk shkroi e as tha një fjalë.
Asnjë germë…
Asnjë foto…
Asnjë dibran, nga ata që mbushin facebook-un me thirrje e përkushtime për kandidatët për deputetë në kuvendin e 25 prillit, nuk u duk të thotë një fjalë.
NJË TË VETME…
Ndërkohë që të gjitha gazetat dhe portalet sot hapeshin me mort, me vrasje e dhunime.
E ku kishte mort më të madh se sa vendimi për mbytjen e Dibrës, shuarjen e një treve dhe ikjen e re biblike të dibranëve pas ikjeve të njohura nga turqit osmanlinj e nga shkjau serb?
Vetëm për mortin që parlamenti votoi MBYTJEN E DIBRËS, nuk u fol, NUK U SHKRUA…
Nuk folën asnjë nga deputetët që kanë marrë votën dhe i lanë Dibrës rrotën.
Nuk foli as Manja, ideologu i ligjeve, që i shkon uji i Skavicës në derë të shtëpisë.
Nuk foli as Lala, as Xhembulla, as Stojku, as të majtë, as të djathtë, as të tokës, as të qiellit, askush…
Nuk foli as Xhelali i Mëzinjëve të Reçit që i mbytet oborri e dhomae lindjes dhe as Gjeneral Gjunkshi…
As, as, as…
Askush nuk foli…
Më fal Bujar se më doli nga mendja: foli Presidenti. Jo sot se kishte ditëlindjen, dje e ditë e përditë më parë, me zë e me fotografi…
Foli e pozoi për Vjosën…
Ëndërroi Ball-Uku në parlament…
“Një ëndërr e madhe e cila nuk ka gjetur mundësi që të realizohet deri më sot Ndërtimi i Centralit të Skavicës.” – lëçiti për shuarjen e Dibrës Uku i ministrisë së infrastrukturës dhe energjetikës duke u hedhur përpjetë e gëzuar në foltore…
“Me “Skavicën”, tha ajo, do të rriten kapacitetet edhe për 3 HEC-e të tjera, ndërsa shtoi se gjithashtu ky projektligj do t’i japë zgjidhje përmbytjeve në të gjithë zonën e Shkodrës”.
E si gjithnjë nuk mungoi edhe gjoksi “gropë”:Duhet thënë që qeveritë e mëparshme nuk arritën që ta plotësonin këtë vepër.
Se për kë e kishte fjalën nuk lëçiti asnjë fjalë më tepër.
Mbase ishte romuz për Berishën që një dyzynë vjetësh më parë pat deklaruar “Unë di të ndërtoj vepra botërore…”
“Kemi një numër të pronave të cilat preken”- e mbylli Uku pretencën.
Vetëm “një numër të pronave”!!!
Se sa është ky numër nuk e tha.
Se sa tokë, shtëpi, shkolla, biznese, varre, vende historike të shkallës së parë… mbyten e zhduken përgjithnjë…nuk përmendi asnjë.
E si të thotë?
Nuk e ka idenë fare, mor fare, fare…
Nuk ka udhëtuar asnjëherë luginës me bukuri e histori të pa shoqe të Drinit të Zi.
Bujar i dashur! Lëshoj dushke kësaj pune, vari duqit!
Në Dibër nuk ka dibranë, as me punë e as me llaf, nën e mbi mutaf.
E din se si shënoi në facebook një person publik që i mbytet shtëpia e katandia?“Unë e kam një shtëpi dhe një tokë në Tiranë ndërsa djali im e ka një shtëpi dhe një tokë në Itali”!!!
Si i thonë asaj fjalës në Dibër Bujar” “Shëndosh gjëja e gjallë…”
Oh, më fal, nuk shkon, shuaje.
Nuk do të ketë gjë të gjallë luginës së Drinit të Zi…
Peshk e peshkaqenë të gjallë të siguroj qëPO…
Unë nuk besoj se do ta arrij atë ditë Bujar, nuk do ti shtoj gjolit të Skavicës një grusht me lot…
Athinë, 24 të pranverës 2021
V.O Për kujtim po të dërgoj një fotografi të vendlindjes tënde, amanet i udhëtimit të fundit të Murat Koltrakës luginës së bukur të Drinit, me lutjen që mbi të të vesh kryqëzimin e dy shiritave të zi, simbol i mortjes…