HEC Skavica, qeveria po punon për të ndërtuar variantin me digën më të lartë


Benet Beci: Projekti i Hidrocentralit të Skavicës do të jetë një investim publik. I vendosur në rrjedhën e sipërme të HEC-eve ekzistuese të kaskadës së lumit Drin dhe do të ketë ndikim në operimin e të gjithë kaskadës. Në këtë mënyrë është shumë e dobishme për vendin dhe sistemin tonë elektroenergjetik që ky projekt të jetë një investim publik.

“Ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës nuk do të ketë vetëm efekte negative në mjedis, ekosistem dhe në popullsinë e zonës ku do të krijohet rezervuari, por do të ketë edhe shumë efekte pozitive në këtë zonë, madje efektet pozitive do të jenë dominuese. Konkretisht, zhvillimi i këtij projekti është një mundësi e jashtëzakonshme për zhvillimin ekonomik dhe punësimin në këtë zonë. Gjatë fazës së ndërtimit do të ketë një punësim masiv direkt, por edhe indirekt të banorëve të zonës”.

“Zhvillimi i projekteve të kësaj natyre shoqërohet me një ndikim social-mjedisor në zonën e cila preket nga projekti. Edhe në këtë rast, ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës do të shkaktojë përmbytje në zonën ku do të krijohet rezervuari. Për vlerësimin e efekteve që do të ketë ky projekt në mjedis, ekosistem dhe në popullsinë e zonës po realizohet një studim i kujdesshëm, i cili ndër të tjera do të përcaktojë edhe masat zbutëse/kompensuese të nevojshme sipas praktikave më të mira ndërkombëtare”

Shoqata për Mbrojtjen e Pellgut të Drinit të Zi vazhdon të protestojë për ndërtimin e Skavicës. Muajin e kaluar nisën një peticion në drejtim të autoriteteve më të larta në vend, por deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Asnjë prej institucioneve më sipër nuk ka kthyer një përgjigje, duke vështirësuar hapësirat për protestën e tyre. Aktet normative të qeverisë shqiptarë në lidhje me situatën e pandemisë kanë penguar ushtrimin e të drejtës për të protestuar. Dy anëtarët e saj janë penalizuar me gjobë prej 5 milionë lekësh.

“Projekti për ndërtimin e Hidrocentralit të Skavicës ka ngjallur interes të lartë te donatorët dhe financuesit e mundshëm. Hidrocentrali, që do ta kthente vendin në një lider rajonal në prodhimin e qëndrueshëm të energjisë, vlerësohet të kushtojë midis 308 deri në 510 milionë euro, në varësi të lartësisë së digës” shkruan revista “Monitor” që botohet në Tiranë me fokus ekonominë, në hyrje të një interviste me z. Benet Beci, administrator i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH).
Beci i thotë revistës “Monitor” se “projekti i Hidrocentralit të Skavicës do të jetë një investim publik. Hidrocentrali i Skavicës do të jetë i vendosur në rrjedhën e sipërme të HEC-eve ekzistuese të kaskadës së lumit Drin dhe do të ketë ndikim në operimin e të gjithë kaskadës. Në këtë mënyrë është shumë e dobishme për vendin dhe sistemin tonë elektroenergjetik që ky projekt të jetë një investim publik.”
Drejtori i KESH thotë se “kostot e vlerësuara deri në fazën e parafizibilitetit për këtë projekt janë respektivisht 308 milionë euro për alternativën me digë të ulët (deri në kuotën 388 m.m.n.d) dhe gati 510 milionë euro për alternativën me digë të lartë (deri në kuotën 443 m.m.n.d).”.
Duke iu përgjigjur pyetjes mbi burimet e financimit për Skavicën, Beci thotë se “burimet e financimit për projektin janë ende duke u diskutuar mes Qeverisë Shqiptare dhe donatorëve të mundshëm. Deri tani mund të pohojmë se ka interes të lartë për financimin e veprës, si një ndër investimet më të mëdha të mundshme në rajon, në burimet e energjisë së rinovueshme”.
Në vazhdim të intervistës, drejtori i KESH thotë se “ky projekt e shlyen vlerën e investimit brenda dekadës së parë pas vendosjes në funksionim. Nëse marrim në konsideratë faktin që jetëgjatësia e këtyre investimeve është deri në 100 vite, atëherë duket qartë leverdishmëria ekonomike e investimit”.
“Së pari, prodhimi i energjisë elektrike: aktualisht Shqipëria, në një vit mesatar, importon energji elektrike në sasi të konsiderueshme dhe prodhimi i pritshëm i hidrocentralit të Skavicës, i cili do të jetë deri 1,000 Gwh/vit do të kontribuonte ndjeshëm në reduktimin e importit dhe në sigurinë energjetike të vendit. Nga ana tjetër, leverdishmëria e këtij projekti qëndron në optimizimin e prodhimit të energjisë elektrike nga hidrocentralet ekzistuese të kaskadës së lumit Drin. Kjo lidhet me faktin që hidrocentrali i Skavicës do të jetë hidrocentrali i parë i vendosur në kaskadën e lumit Drin dhe ndërtimi i tij do të ketë ndikim dhe në hidrocentralet e tjerë të kaskadës”.
Beci mbështet ndërtimin e alternativës me digë më të lartë. “Do të kishte një efekt të konsiderueshëm në optimizimin e prodhimit në hidrocentralet ekzistuese të kaskadës së lumit Drin, ku vlerësohet se hidrocentralet ekzistuese mesatarisht do të prodhojnë 80 GËh/vit më shumë energji elektrike nëse Skavica zhvillohet sipas kësaj alternative”, thotë Beci në intervistën për ekonomiken “Monitor”.
Duke iu referuar ndikimeve në mjedis, ekosistem dhe popullsinë e zonës, drejtori i KESH thotë se për këtë “po realizohet një studim i kujdesshëm”.
“Zhvillimi i projekteve të kësaj natyre shoqërohet me një ndikim social-mjedisor në zonën e cila preket nga projekti. Edhe në këtë rast, ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës do të shkaktojë përmbytje në zonën ku do të krijohet rezervuari. Për vlerësimin e efekteve që do të ketë ky projekt në mjedis, ekosistem dhe në popullsinë e zonës po realizohet një studim i kujdesshëm, i cili ndër të tjera do të përcaktojë edhe masat zbutëse/kompensuese të nevojshme sipas praktikave më të mira ndërkombëtare”
“Vlen të theksohet – thotë Benet Beci, se ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës nuk do të ketë vetëm efekte negative në mjedis, ekosistem dhe në popullsinë e zonës ku do të krijohet rezervuari, por do të ketë edhe shumë efekte pozitive në këtë zonë, madje efektet pozitive do të jenë dominuese. Konkretisht, zhvillimi i këtij projekti është një mundësi e jashtëzakonshme për zhvillimin ekonomik dhe punësimin në këtë zonë. Gjatë fazës së ndërtimit do të ketë një punësim masiv direkt, por edhe indirekt të banorëve të zonës”.
“Pas përfundimit të ndërtimit, shfrytëzimi dhe mirëmbajtja e hidrocentralit do të krijojë vende pune të cilat do të jenë të qëndrueshme dhe cilësore… Veç punësimit, ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës do të krijojë kushte të favorshme edhe për zhvillimin e sektorëve të tjerë të ekonomisë, si turizmi apo peshkimi. Ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës do të shoqërohet me një infrastrukturë të përmirësuar. Në këtë drejtim do të kemi ndërtime të reja në infrastrukturë, si ura, rrugë, qendra banimi, godina shërbimesh, qendra shëndetësore, arsimi etj.”.
Duke folur për përfitimet ekonomike, drejtori i KESH thotë se “hidrocentrali i Skavicës do të reduktonte mesatarisht 55% importet vjetore të energjisë elektrike”.

* * *
Shoqata për Mbrojtjen e Pellgut të Drinit të Zi vazhdon të protestojë për ndërtimin e Skavicës. Një peticion i nisur muajin e kaluar në drejtim të autoriteteve më të larta në vend, Presidentit të Republikës, Kryeministrit të Shqipërisë, Kryetarit të Parlamentit Shqiptar, Ministrit të Energjisë dhe Infrastrukturës, Ambasadores së SHBA në Tiranë dhe kompanisë amerikane “Bechtel”, ku kërkojnë ndalimin e planeve për ndërtimin e HEC të Skavicës, duket se nuk ka sjellë reagimin e duhur. Asnjë prej institucioneve më sipër nuk ka kthyer një përgjigje, duke vështirësuar hapësirat për protestën e tyre. Aktet normative të qeverisë shqiptarë në lidhje me situatën e pandemisë kanë penguar ushtrimin e të drejtës për të protestuar. Dy anëtarët e saj janë penalizuar me gjobë prej 5 milionë lekësh.
Tani që ka filluar realisht edhe fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, pritet që debati për ndërtimin e HEC të Skavicës të jetë më i prekshëm. Opozita, e cila në çdo gjë kundërshton qeverinë, për HEC-in e Skaviës është duke heshtur. I vetmi kundërshtim i saj duket se është në terren dhe kjo lidhet me çmimet e shpronësimeve.
Gjatë këtij muaji, edhe Kryeministri Edi Rama ka folur për ndërtimin e HEC të Skavicës.
“Ne jemi në proces, në bashkëpunim me qeverinë amerikane, për ndërtimin e Skavicës”, tha kryeministri Edi Rama në Fier, gjatë një turi takimi bashkëbisedimi me qytetarët më 20 shkurt 2021.
Ndërsa më 26 shkurt, gjatë një takimi të ngjashëm në Berat, duke folur për investimet në energji, tha se “kemi investimin tjetër të rëndësishëm për Skavicën nga kompania amerikane, që do të jetë dhe një ndryshim i madh i profilit të sektorit të energjisë sonë, sepse më në fund do të kemi atë që mungon në Kaskadën e Drinit, që është balancuesi i ujit. Kur kemi ujë më shumë sesa na duhet, nuk e derdhim, por e ruajmë dhe kur nuk kemi shi sa duhet, e fusim në përdorim. Kështu kemi një tjetër mundësi për të eksportuar dhe njëkohësisht nuk jemi të lidhur skallvërisht me qiellin, po nuk ra shi, në thatësirë, në pikun e energjisë të importojmë me çmime të kripura”.
* * *
Por deri më tani në Dibër askush nuk po flet për Skavicën: problematikat që sjell dhe përfitimet për banorët, sidomos ata që shpërngulen. Për këtë, me sa duket do të flitet disa ditë para votimeve të 25 prillit, atëherë kur gënjeshtra dhe e vërteta kalojnë përmes premtimesh.

Të plotë intervistën e Drejtorit të KESH e lexoni këtu:
https://www.monitor.al/skavica-mund-te-kushtoje-midis-308-dhe-510-milione-euro-2/?fbclid=IwAR2eOXJf_MC-z54Cm3s29DI3W38TE7XD97qe1o4Vv7Vgm0j-HkoJbyj90oU