Luftërat e Dibrës kundër ndërhyrjes ushtarake jugosllave i hapën rrugën shtetit kombëtar shqiptar


Prof. Bajram XHAFA

Me rastin e 100 vjetorit të betejës së Lanë Lurës, 28 tetor 1921, organizojmë këtë akademi përkujtimore shkencore në këtë vit jubilar. Është beteja e fundit në ballafaqimet luftarake të dibranëve me serbët, në Luftën Çlirimtare të Dibrës kundër Intervencionit Ushtarak Jugosllav të viteve 1918 – 1921.
Beteja në Lanë Lurë në fakt përmbyllte një etapë historike të qëndresës luftarake të shqiptarëve me fqinjët ballkanikë dhe jo ballkanikë, periudhë që kanga popullore në mënyrë poetike e ka stampuar në vargun “Qe nantë vjet luftojmë me krajla”.
Çfarë e detyroi Shqipërinë dhe Dibrën të luftojë pa da me krajlat e Ballkanit dhe të përtej Ballkanit për nantë vjet rresht, nga 1912 –ta deri më 1921? Gjatë kësaj periudhe bota pa dy luftëra: një Ballkanike, 1912-1913 dhe një Botërore 1914-1914 në të cilat u përfshi edhe Shqipëria. Cili ishte shkaku i këtyre luftërave, që shqiptarët as i shpallën dhe as ua kishim borxh.
Pavarësia shqiptare, një e drejtë e ligjshme e tyre, u shpall në momentin më të keq historik; në dimrin më të acartë, jo vetën si stinë apo si muaj i vitit, por edhe si stinë politike kur Evropa po e çonte botën drejt Luftës së Madhe. Pavarëria erdhi kur qielli dhe toka e saj gjëmonin nga topat dhe krismat e pushkëve, zjarri dhe flaka e Luftës Ballkanike; kur koalicioni i shteteve të krishtera të Ballkanit, ngarkuar me urrejtje racore dhe fetare ndaj shqiptarëve, me nxitjen e Evropës, i kishte shpallur luftë Perandorisë Osmane, pjesë e së cilës ishte Shqipëria. Nën qiellin tokën e shkrumbuar shqiptare, shqiptarët qenë të detyruar të shijojnë pavarësinë e tyre.
Është pak ose aspak e besueshme, që kryengritjet shqiptare sollën pavarësinë e tyre. Jo se ata nuk e kanë dashur pavarësinë, por kryengritjet dhe luftërat e shqiptarëve më shumë i kanë nxitur e manipuluar armiqtë e Shqipërisë për interesat e tyre. Shqiptarët vetëm sa kanë dredhur gjakun. Kjo është në thelb tragjizmi i shqiptarëve para dhe pas këtyre ngjarjeve. Shqiptarët më shumë kanë qenë protagonistë gjakhupët. Ata e kishin merituar prej kohësh pavarësinë, madje shumë para fqinjëve të tyre, por ajo u llogarit kur Evropa i kishte “bërë” fqinjët tanë gati 100 vjet para tyre. Ajo “erdhi” kur fqinjët e krishterë ballkanikë i kishin zatekur keqas shqiptarët dhe u turrën kundër tyre me zjarr e me hekur për t’i shfarosur.
Në këtë sfond historik, gjaku e ploje dhe nën ultimatumin e rrufeshëm të ngjarjeve të luftës u shpall edhe Pavarësia e Shqipërisë. Ultimatumi i rrufeshëm i ngjarjeve1 (shprehje e historianit francez Hanato) detyroi Evropën që çështja shqiptare të shtrohej zyrtarisht për zgjidhje në tryezat e diplomacisë së Fuqive. Kështu “erdhi” edhe pavarësia shqiptare. Dhe ashtu si e sollën atë, por të ngarkuar me farën e luftës, nga jashtë e nga brenda,
Me fillimin e Luftës së Ballkanit, Evropa nuk mund ta zvarriste më gjatë punën e sistemimit të kësaj race të torturuar, që vegjeton, e rrahur nga të gjitha furtunat e fatit të keq, në bregun tjetër të Adriatikut, të shqiptarëve, e që me fatin e së cilës lidhet aq shumë paqja e diplomacive, shkruan Italo Sullioti2…Eshtë, pra, (citojmë), i vënë në gabim a në dashakeqësi ai që, duke u marrë me çështjen shqiptare, shtiret t’ia fshehë vështirësinë e jashtëzakonshme. Europa e ka trajtuar Shqipërinë, gjithmonë si një pikë qendrore të një pëlhure diplomatike (Sullioti, f. 25).
Në këto kushte u mblodh Konferenca e Ambasadorëve të gjashtë Fuqive të Mëdha në Londër më 17 dhjetor 1912 – 12 gusht 1913. Ajo do të merrej ekskluzivisht me “çështjen shqiptare”; me statusin (pozitën politike), caktimin e kufijve të saj dhe organizimin e brendshëm të Shqipërisë. Ç’bëri ajo? Një mynxyrë të vërtetë, një krim politik të pashembullt. Pas Luftës Ruso-Osmane dhe Serbo e Malazezo-Osmane të vitit 1877-1878 dhe Kongresit të Berlinit 1878, Lufta Ballkanike dhe Konferenca e Ambasadorëve në Londër 1912-1913 e hodhën në greminë Shqipërinë kombin dhe popullin shqiptar. I shkaktuan atij katastrofën më të madhe në gjithë historinë e tij 3 mijë vjeçare. Me dhimbje në shpirt e në gjendje dëshpërimi të thellë Mehmet Akif, poeti i madh dhe autor i himnit kombëtar turk me origjinë nga Peja, më 1913 shkroi këto vargje:
Dëgjoje këtë nga unë: po, unë jam shqiptar /
Tjetër s’kam ç’të them, ja, u shkatërrua atdheu im3
Origjina e luftërave të shqiptarëve ka si vektorë të saj: së pari ambiciet e shfrenuara politike shoviniste të shteteve ballkanike dhe, së dyti, përkrahjen dhe mbështetjen politike e diplomatike të Fuqive të Mëdha të Evropës.
Diplomati amerikan Xhorxh F. Wiliams, ish ministri i Amerikës në Greqi dhe Mal të Zi dhe vrojtues i Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit në Shqipëri më 1914, në librin “SHQIPTARËT” (1934), shkruan porosinë që anglezi Uksensherna (1583 – 1654) kançelar i Suedisë 1612 i jep djalit të tij: Djali im, ti nuk e din se me sa pak mëshirë qeveriset bota. Kurse ne shqiptarët duhet të themi se sa e pamëshirshme dhe katile është treguar Evropa me vendimet për Shqipërinë. Ne s’na mbetet veçse të lëshojmë atë namën e Hoxhë Kallës kur nga fundi i jetës kuptoi pabesinë e madhe që i ishte bërë në fillim të jetës: “më paske pre në besë dhe më ke marrë në qafë, (zotni Elez), por aq shumë sa ne besojmë në perëndi, aq i madh qoftë ndëshkimi për ty. Edhe neve s’na mbetet tjetër veç të fshajmë: “Aq i madh qoftë ndëshkimi i të Madhit Zot për Evropën!”.
Shqipëria, një vend kaq i vogël dhe i prapambetur, shkruan Wiliams, pse luan një rol kaq të madh në politikën e Evropës? Përgjigja më e shkurtër, thotë ai, është se situata gjeografike e Shqipërisë paraqet probleme politike edhe më të gjëra se ato të parashtruara prej shteteve të tjerë të Ballkanit. Gjendja e Shqipërisë është një faktor kryesor i problemit të Lindjes, mbasi kjo është udha natyrale e kalimit prej Adriatikut në Lindje. Përveç kësaj është pikërisht vendi për daljen e tregtisë së Ballkanit dhe së fundi, ajo ka në dorë komandën e hyrjes në Adriatik në ngushticën e Otrantos. Portet e saj, me portet në detin Egje të Selanikut dhe të Bosforit, janë çelësat e dyerve të Evropës Lindore për në Detin Mesdhe (nënvizimi im). Për të marrë në dorë këto çelësa diplomacia e Evropës ka punuar për dy shekuj resht. Dmth, për dy shekuj ne na ka gërryer Evropa, jo Turqia.
Përmbi të gjitha del e dukshme figura e Rusisë, qëllimi politik i së cilës ka qenë me pas kalim të lirë në detin Mesdhe. Për këtë qëllim ajo synon shkatërrimin e Turqisë, konkludon Wiliams dhe vazhdon:
Austria dhe Italia komandojnë detin Adriatik përveç ballit të Shqipërisë dhe presin të shtinë në dorë portet e këtij vendi. Ata qenë posaçërisht në marrëveshje: e para, që asnjëra prej tyre të mos sundonte Shqipërinë dhe e dyta, që asnjë fuqi tjetër të mos vendosej në Adriatik. Këtu e ka fillin pavarësia e Shqipërisë; këtu janë edhe detonatorët që e mbajnë Shqipërinë në zjarr e gati në shpërthim.
Në këtë plan veprimesh Austria dhe Italia ishin pa kundërshtim fuqitë lëvizëse. Kur Austro – Hungaria mori më 1908 Bosnjën dhe Hercegovinën për pak qe duke u shkaktuar një luftë evropiane dhe vepra e krijimit të shtetit të pavarur shqiptar sigurisht qe duke ndezur një ndeshje të përgjithshme.
Plani për një perandori sllave ushqehesh më tepër prej Serbisë nën emrin e krijuar “Serbia e Madhe”. Edhe Mali i Zi është bashkuar me këtë plan; që të dy duke qenë nën kujdesin e Rusisë, mbrojtëses së tyre të betuar.
Xhorxh Wiliams bën fajtore diplomacinë evropiane që e ka mbajtur peng Shqipërinë.
Shqipëria, viktima kryesore e kësaj diplomacie, mbetet e lodhur, e kërrusur dhe e zhytur në gjak…Diplomacia e shastisur (e Evropës) vendosi të zbatojë forcën dhe tiraninë për të sunduar këtë popull; por ky vendim doemos do të binte poshtë sikurse u pa.
Shtetet e Europës kanë bërtitur dhe kanë shpallur se Shqiptarët janë popull i pabindur, i egër e barbar. Por në anën tjetër deshën të krijojnë mbi ta një qeveri pa pyetur dëshirat e tyre, pa u siguruar ndonjë farë lirie ose të drejta trashëgimore, e, më në fund, pa asnjë këmbë ushtari për të vënë në zbatim programin e tyre, sollën vetëm disa oficerë4, kurse ushtarë jo.
Ata prenë copa me rëndësi nga toka Shqiptare dhe ia dhanë fqinjëve në Veri, në Jug e në Lindje, duke shkaktuar kështu ngatërresa dhe lufta të përditshme në mes të këtyre shteteve, shkruan diplomati amerikan. Në fakt Evropa e “këputi për mesi” Shqipërinë. Këtu qëndron burimi i gjakderdhjes së shqiptarëve që do të vazhdojë për nantë vjet e për dy shekuj rresht. Copën që mbeti nga gërshëra e tyre, thotë Wiliams, e quajtën shteti i pavarur i Shqipërisë që është bërë tehu i influencave heterogjene që e tërheqin atë në drejtime të ndryshme (Wiliams, “Shqiptarët” f. 43).
Kur gjashtë fuqitë e mëdha hartuan një plan qeverimi për Shqipërinë, vepra e tyre tregoi një pazotësi të çuditshme, sepse ai qe një plan që nuk i përshtatesh një shteti si ky. Marrëveshja e Londrës përmbante nenet:
1. Një Principatë autonome, sovrane, me të drejtë trashëgimi të fronit nga të paslindurit dhe nën sigurimin e gjashtë fuqive të mëdha. Në këtë kohë Evropa llogariste të shpërthente luftën mes vedit. Dhe kjo nuk e mbushi as vitin. Atëherë, si do t’i vente halli princit dhe principatës? Ky fat ka për faturë gjakderdhjen e shqiptarëve. A nuk ndodhi kështu me Kryengritjen e Shqipërisë së Mesme?
4. Kontrollimi i administratave qytetare dhe i financave i jepet një komisioni ndërkombëtar të përbërë prej delegatësh të gjashtë fuqive të mëdha, shkruan Wiliams. Kur të fillonte lufta, siç edhe filloi, si do të funksiononte komisioni, anëtarët e të cilit do të ishin në luftë me njëri tjetrin?
7. Emërimi i princit, formimi i një qeverie kombëtare përfundimtare, funksionet e autoriteteve të vendit si dhe qetësia e popullit i lihen në dorë komisionit në fjalë. Kur komisioni do të shpërbëhej për shkak të luftës, ku do të “vareshin” princi, qeveria kombëtare dhe autoritetet e vendit?
8. Sigurimi i popullit dhe rregulli do të bëhet nga xhandarmëria që do të jetë në dorën e oficerëve të huaj. Tani, si mund të formohet një shtet mbi një plan si ky, pyet diplomati amerikan.
Sipas vendimit të marrëveshjes (së Londrës), princi do të zgjidhej pa pyetur dëshirat e popullit5; gjithashtu funksionet e autoriteteve të vendit dhe sigurimi publik u hoqën nga duart e popullit. Nuk qe vënë përpara një statut në bazë të të cilit të qeverisej ky popull dhe as ndonjë premtim nuk i qe bërë për një liri të plotë ose për të ushtruar të drejtat tradicionale. Ky qe vetëm një sundim tiranik dhe një despotizëm i deklaruar me urgjencë; mesa gjykohet, kjo qe një anarki për të shkaktuar revolucione. Po të mos ngrihej populli shqiptar në formën e quajtur rebelizëm, për shqiptarët nuk do të besohej mjaft dhe do të thuhej se këta nuk kanë idenë mbi lirinë që kërkojnë. Kështu u ngrit “mbi vullkan” shteti i parë shqiptar, llogaritur te shpërbëhej pa mbushur gjashtë muaj. “Shqipja u ringjall mbas sa qindvjetash, tha Noli në Kongresin e Triestes në mars 1913, por ajo asht e shitueme”. Edhe Konica në “Kopështi shkëmbor i Evropës juglindore” (f. 193) shkruan: “Shqipëria u bë shtet, por u rrëgjua në një të katërtën e hapsirës tokësore natyrore që i përkiste”.
Nga kjo marrëveshje e Londrës doli një ngatërresë sa nuk bëhej më e madhe dhe më e keqe, thotë diplomati amerikan. Përfaqësuesit e Evropës janë përfaqësuesit e “decline paradigm” (paradigmës së rrënimit). Gjaku i derdhur i shqiptarëve e ka burimin në vendimet e fuqive të mëdha të Evropës dhe në patriotizmin dhe vrullin luftarak të popullit shqiptar si reaksion e pasojave të tyre. Le ta shohim në këtë mijëvjeçarin e ri se çdo të bëjë Amerika. Hillëri Klinton, ish ministre e Jashtme e SHBA-ve ka thënë se Amerika do të qëndrojë në Shqipëri aq kohë sa ka qendruar Turqia. Pyetje: A do ta çojë Amerika Shqipërinë në hapësirat gjeografike të Shqipërisë Etnike aty ku e mori Turqia në shek. XV dhe “e la” më 1913? A do t’i thoshte Ajo “prapsohu!” Vendimeve të Kongresit të Berlinit 1878-ë, të Konferencës fatale të Ambasadorëve të Londrës 1912-1913 e të Parisit 1921; dy Versajave dhe gjithë “Epokës” gjëmëmadhe të Enverit e t’ia kthejë ato të drejta elementare e të patjetërsueshme që i janë mohuar shqiptarëve, një popull rrënjës, autochthtonous, e më i vjetri në Evropë? Shqiptarët shpresojnë shumë, shumë. Dum spiro, spero – Sa rroj, shpresoj.
Sipas shtypit të kohës gjatë viteve 1912-1913 u vranë nga agresorët serbë 120.000 deri në 130.000 veta. Vetëm në Shkodër e përreth saj pati 30.000 viktima nga serbët e malazezët. Po kështu edhe në zonën e pushtuar nga Greqia dhe Mali i Zi. Politika e shfarosjes së shqiptarëve nuk u ndërpre edhe pas vitit 19136.
Gjatë Luftës së Parë Botërore, Dibra u bë shesh lufte nga më shumë se pesë shtete: ushtritë serbe, austro-hungareze, bullgare, italiane, franceze e serbo-jugosllave. “Fat” i rrallë në histori për një krahinë. A thua se aty (në Dibër) ishte çelësi i rrotullimit të globit për planet e luftës dhe të “paqes” për gjithë Ballkanin dhe botën.
Me nënshkrimin e Armëpushimit në nëntor 1918, Shqipëria nuk pushoi së qeni “në luftë”. Ajo u nda në 4 zona pushtimi: italiane (Vlorë-Gjirokastër), zona franceze (Korçë), zona serbo-jugosllave e pushtimit me “Kufij strategjikë” e me “Vija demarkacioni” si dhe pushtimi ndëraleat i Shkodrës (angezë, francezë, italianë). Ato “Aleatë” me të cilët edhe shqiptarët ishin “aleatë”, tani u bënë rivalë e armiq në truall shqiptar. Vallja e luftës do të hidhej mbi Shqipërinë e drobitur e të sakatuar. “Qaje Zot të keqen”! Ta qajnë e të mjerojnë shqiptarët, se Zoti është gjithmonë fitimtar.
Dekada e dytë e shekullit XX po mbyllej tepër e zymtë për Shqipërinë. Në vitin 1920 ajo hyri me problemin e pazgjidhur të statusit shtetëror dhe të kufijve të saj. Në Konferencën e Paqes në Paris, më 9 dhjetor 1919 memorandumin anglo-franko-amerikan, të cilit i bashkangjitet edhe një promemorje i njihte Italisë sovranitetin e plotë mbi Vlorën dhe krahinën e saj si dhe mandatin mbi shtetin shqiptar të gjymtuar. Kjo e bënte Shqipërinë “syri i ciklonit” në Ballkan. Për Shqipërinë 1920-–ta prodhoi tre luftëra: Luftën e Vlorës, atë të Koplikut (Shkodrës) dhe Luftën e Dibrës. Shqiptarët duhej të paguanin të tjera fatura gjaku. Dibranët, po e po, më të parët.
Episode ndeshjesh të shumta luftarake me intervencionistët ushtarakë serbo-jugosllavë dhe mercenarët e tyre shqiptarë. Forcat qeveritare kombëtare me Elez Isufin, Hakik Menën – bajraktarin e Lurës, Miftar Kaloshin, Brahim Gjoçin, Dik Xhelilin, kapiten Ali Riza Kosova – ushtaraku me përvojë e kualitet të lartë, komandant i Batalionit “Drini”, formuar me vullnetarë dibranë; kapiten Preg Jakun me batalionin shetitës-një shqipe mali e besnik tek s’thuhet nga njëra anë dhe, nga ana tjetër forcat esatiste me prijësa: Halit Lleshi, Tafë Kaziu, Selim Noka për Dibrën dhe Mahmaut Rexhep Bulicën për Lumën. Një intervencion ushtarak serbo-jugosllav përzjerë me një “luftë civile” në Qafë Gëlqere 31 korrik 1921, në Lanë Lurë ku kishte shtabin Elez Isufi, në Grykë-Nokë e Kodër Leshe, në Muhurr etj dhe ajo finalja në Lanë Lurë më 26-28 tetor 1921. Artilieri Gani Dida nga Prizreni i kishte mahnitur armiqtë me saktësinë e tij goditëse sa që serbët akuzonin se në radhët e forcave shqiptare kishte oficerë italianë.760Ai kishte marrë pjesë në të gjitha aksionet e batalionit Drini të zhvilluara kundër sulmeve të ushtrisë jugosllave që nga Dibra e Poshtme e deri tek Ura e Vezirit.
Duke e ndjerë se së afërmi Konferenca e Ambasadorëve do të jepte vendimet e saj për çështjen e kufijve të Shqipërisë si dhe duke shfrytëzuar apatinë e Lidhjes së Kombeve, qeveria e Pashiçit vendosi të ndërmerrte një agresion të ri në tokat e shtetit shqiptar për të ndikuar sa të ishte e mundur më shumë në marrjen e vendimeve në favor të Jugosllavisë. Këtë radhë vendosi të veprojë më tepër duke përdorur drejtpërdrejtë forcat e veta të ushtrisë së rregullt, pa neglizhuar edhe ato të Marka Gjonit e të forcave të tjera mercenare. Agresionin e filloi në gjysmën e dytë të shtatorit në Dibrën e Poshtme e në veri të Shkodrës.
Me 17 shtator komanda jugosllave i jep ultimatum komandantit shqiptar të kufirit në Arras (nëntoger Xhezmi Frashërit) që brënda 24 orësh të liroheshin nga forcat shqiptare fshatrat Muhurr, Arras, dy Sinat, Mustafe, Grykë Noka, Çidhna e Poshtme, Dardha dhe Mali i Lurës.8 Qëllimi kryesor ishte lirimi i rrugëve që çonin në Mirditë dhe sigurimi i “Vijës strategjike”. Forcat dibrane e vunë në dijeni qeverinë për këtë dhe shpreheshin se nuk do t’i lëshonin pa pushkë pozitat e tyre.
Ofensiva ushtarake jugosllave filloi në mëngjesin e 26 tetorit 1921 me një bombardim të gjatë kundër pozitave shqiptare, i cili u pasua nga sulmi i gjithanshëm i reparteve të rregullta dhe mercenare. Gjatë natës së 25-26 tetorit 1921 nga ana e Reçit në fshehtësi, 600 forca të tyre kaluan Drinin për t’u ngjitur herët në mëngjes drejt fshatit Bardhaj-Reç. Në mëngjesin e 26 tetorit, ditën e mërkurë, filloi bombardimi i vijës nga Sorica deri në Muhurr, pastaj u kalua në mësymje të përgjithshme në vijën gjatësore nga Reçi deri në Muhurr. Në fshatin Rreth-Kale, Tafë Kaziu kishte grumbulluar 1000 forca mercenare dhe serbe dhe nisi sulmin në drejtim të Muhurrit. Forcat jugosllave arritën të zënë Kodrën Leshe afër Arrasit dhe pushtuan fshatrat Muhurr, Bulaç, Vajmëdhej, Arras, Mustafe, Sinë e Epër dhe Sinë e Poshtme.9
Kur erdhi lajmi i rifillimit të ofensivës armike, gati 2000 malësorë të tjerë rrëmbyen armët dhe u vunë në dispozicion të komandës ushtarake shqiptare. Me gjithë epërsinë e madhe numerike, luftëtarët dibranë iu përg10jigjën me një qëndresë të fuqishme sulmit të forcave jugosllave e mercenare. Zjarrin e armëve të tyre e shoqëronin me thirrjet e fuqishme luftarake “A besa-besë, burra!” “me dorë, ti kapim, me dorë!”, “aha, ha, ha!”. Për dy ditë me radhë luftëtarët dibranë luftuan me heroizëm duke i gozhduar forcat jugosllave në vend e disa herë duke i nxjerrë matanë Drinit. Një ndeshje e ashpër u zhvillua në vendin e quajtur Guri i Shqipes ku iniciativën komanduese e mbante Abdulla Cara. Këtu serbët u thyen disa herë dhe lanë rreth 50-60 të vrarë. Duke përfituar nga epërsia numerike, me krahëmarrje, forcat armike thyen mbrojtjen e forcave vullnetare, pushtuan Zall – Reçin dhe Bardhaj-Reçin, dogjën disa shtëpi, shtrinë linjat telefonike dhe po bëheshin gati për t’u ngjitur drejt Lurës. Në përleshjen tek Guri i Shqipes ra heroikisht Abdulla (Dullë) Ibrahim Cara nga Bardhaj Reç dhe u plagos Ramadan M. Prençi.
Luftimet vazhduan me 26 dhe 27 tetor me përpjekjet e serbëve për të arritur kuotat dominuese me synimin drejt Lurës, por përparimi i tyre haste në qëndresën e fortë të forcave atdhetare, me sulme e kundërsulme. Rastet e heroizmit ishin në çdo hap por i veçantë ishte ai kur Sufë Xhelili me 27 vetë arriti të thyejë forcat serbe prej 400 vetësh në Fushë të Madhe të Dardhës dhe i detyroi ato të zbresin në Dri.
Ndërsa balli lindor i Lanë Lurës po mbrohej me heroizëm, forcat mercenare e serbe me Tafë Kaziun, pa shumë vështirësi kaluan në Muhurr dhe u ngjitën në Selishtë. Synimi i tyre ishte që t’i hapte rrugë ushtrisë serbe për në Mirditë. Duke tentuar të ktheheshin nga Pllaja fillimisht ata hasën në qëndresën e vendosur të popullit të Lukanit e të Katundit të Vjetër (Qafë Murra) të drejtuar nga Llan Destani (Ndregjoni). Në këtë përpjekje pati mjaft të vrarë e të plagosur nga forcat mercenare ndërsa nga forcat proqeveritare mbeti i vrarë Rustem Dervishi si dhe u plagosën Llan Destani, Ramadan Biba, Zenel Nika, Rrahman Dobra, etj.
Ato vazhduan përsëri sulmin në drejtim të Pllajës me qëllim që të dilnin me krahëmarrje në Lanë të Lurës, objektivi i vazhdueshëm i tyre. Por aty ndeshën në qëndresën e çidhnakëve dhe të forcave të tjera dibrane të drejtuara nga Murat Kaloshi dhe si përfundim mbetën të gozhduara e nuk mundën të depërtojnë drejt Lurës. Në këtë përleshje vetë Murati u plagos.
Forca serbo-mercenare të këtij krahu me ndihmën e Tafë Kaziut u ngjitën në Selishtë, pastaj kthyen poshtë e zunë Sharrën e Zogollit dhe Shkallën e Deshëve. Kështu luftëtarëve dibranë iu pre rruga e furnizimit me ushqim e municion nga Mati. Forcat e Lurës po futeshin në gjysmë rrethim. Armiku rrezikonte të pushtonte Lisin, qendrën e n/prefekturës së Matit. Ja si e raportonte gjendjen Ali Rizaj në një letër që i drejtonte Bajram Currit me 28 tetor: 1. Serbia po na bombardon me 21 topa. 2. Municion s`na mbeti aspak. 3. As Tirana as Lisi nuk po na japin as përgjigje. 4. Udha e Sharrës së Zogollit u mbyll. 6. Ne nuk po dijmë se kah me ja mbajtë.10
Më 28 tetor 1921, ditën e premte, forcat serbe dhe mercenare bënë një mobilizim, u ngjitën në shtigjet dhe kreshtat malore të Lanë Lurës dhe u hodhën në një sulm të përgjithshëm. Kjo ishte dita e tretë e betejës, më heroikja: beteja e Lanë Lurës.
Forcat atdhetare kishin zënë pikat kyçe ku mund të tentonte për të kaluar armiku që nga Lana, Suka e Dardhës, Kaprat e Reçit, etj. Ahmet Lekës, Rremë Lushës dhe Can Lalës me shokë u ishte besuar shtegu më i rrezikshëm. Ahmeti 57 vjeçar nga fshati Ndërshenas i Reçit, që kishte marrë pjesë edhe në Luftën e Kolesianit më 1912 dhe në luftëra të tjera, e kishte zakon ta priste armikun në tabe të parë, duke qendruar në këmbë, ballë pë ballë. Në krah qëndronte bashkëfshatari i tij Rremë Lusha. Në ahishten e shpeshtë, nën dritën e hënës fekste shkëlqimi i bajonetave të ushtarëve serbë që po afroheshin drejt tabes së tyre. Ahmeti përveshi këmishën e gjërë, rrasi kësulën në kokë me të dy duart, u kreshpërua dhe lëshoi britmën e zakonshme “A besa besë burra, t`i kapim me dorë!”. Për ta populli ngriti këngën: “Ahmet Leka e Rremë Lusha, / Po luftojnë si dy arusha./ Ai Can Lala trim me fletë, / Vdekun len, sa herë po qet”.11
Forcat dibrane kundërsulmuan në mënyrë të shpejtë e të rrufeshme. Me britmat e tyre të zakonshme luftarake, duke mos i lënë kohë armikut t`i sulmonte dhe të zinte pozicionet, e detyroi atë të tërhiqej në rrëmujë dhe të kalojë në anën lindore të Drinit. Kjo përbënte një fitore të madhe për Dibrën dhe mbarë Shqipërinë. Beteja e Lanë Lurës pati pasoja të rëndësishme. Me të u dogj karta e fundit e ushtrisë së Beogradit.
Në Betejën e Lanë Lurës shkëlqeu në veçanti një heroizëm i rrallë popullor, nga njerëz të thjeshtë por edhe nga oficerë si nëntoger Abdulla Tirana, aspirant Mynir Dibra i këmbësorisë dhe aspirant Gani Dida i artilerisë. Pa dyshim që rolin më të madh këtu e kishte vetë Elez Isufi, që ishte shpirti dhe krahu i forcave atdhetare, si dhe veprimet taktike të studiuara e zbatuara me mjeshtrinë e artit ushtarak të komandantit të batalionit “Drini”, Ali Riza Kosovës. Megjithatë, gjendja e forcave atdhetare ishte shumë e rëndë.
Me 29, 30, 31 tetor dhe 1 nëntor, forcat atdhetare qëndruan në Nezhdë të Lurës ose Majën e Kunorës. Këtu në lartësitë e maleve bora kishte mbuluar tokën dhe kishte filluar një të ftohtë shumë i madh. Kushtet ishin jashtëzakonisht të vështira. Armiku i kishte ndërprerë lidhjet me Matin. Prandaj fuqia e Lurës, i shkruan Elez Isufi deputetit Kristo Dako, u detyrua të zbrapset, jo se u demoralizua por “nga mungesa e municionit, të armëve e të topave…Ushtarët ishin të zhveshun e të zbathun, pa kapota, pa këpucë, pa çadra, pa velenxa, pa çorape, pa spata, pa kazma e pa lopata, e u shtërnguem me 2. XI. 1921 me ra në Lamë të Kolecit (Selitë)” ose Lami i Madh.12 Që nga Lama e Kolecit Elezi i shkruan letrën e mirënjohur deputetit Kristo Dako me 13 nëntor.
Aty nga 2 nëntori Kurt Agë Kadiu me forcat e tij liroi Shkallën e Deshëve (Deja e Macukullit) dhe u tërhoq pa rezistencë. Armiku ra në Macukull. Në ndihmë të forcave qeveritare, drejt Macukullit u nisën forca të tjera të vullnetarëve matjanë. N/prefekti i Matit njoftonte ministrinë e Brendshme se “Sulë Kurti me parinë e Prellës me 100 vullnetarë u bashkuan me fuqinë qeveritare në Macukull. Ashtu edhe Dule Bej Buzhiqi me 40 vetë u nis për në front te Dine Hoxha”. Forcat armike vazhdojnë të bombardojnë me top Macukullin dhe Butrojn.13
Lëvizja separatiste e Mirditës dhe asgjësimi i ndërhyrjes jugosllave

Ndërsa në Lurë bëhej përleshje me armikun i cili tentonte të depërtonte në thellësi, në Tiranë kishte plasur lufta për pushtet. Pas zgjedhjeve për Këshillin Kombëtar në pranverë, në parlamentin që doli u krijuan dy grupe kryesore politike: grupi “Popullor” dhe grupi “Përparimtar” si dhe një grup më i vogël që quheshin “Indipendentë”. Grupi “Përparimtar” që nuk fitoi shumicën në zgjedhje dhe nuk mund të krijonte qeveri, nuk u mjaftua që në korrik i bënë vend në një qeveri koalicioni të pamerituar, me qëllim që të ulnin tensionet politike, por iu vunë punës që ta merrnin pushtetin me puç, me rrugë jashtë parlamentit.
Për të përballuar gjoja më mirë ndërhyrjen e huaj dhe “çështjen e Mirditës” propozuan bashkimin e grupeve parlamentare në një organizëm të quajtur “Bashkimi i Shenjtë” i cili u bë me 12 tetor. Hasan Prishtina, Mustafa Kruja, Luigj Gurakuqi llogarisnin të rrëzonin qeverinë dhe të krijonin një qeveri të re me Mustafa Krujën dhe Luigj Gurakuqin. “Bashkimi i Shenjtë”, një organ antikushtetues, krijoi një komision prej tre vetësh: Bajram Curri, Qazim Koculi dhe Avni Rustemi, i cili do të propozonte qeverinë. Nga ky komision arbitrazhi dhe jo nga parlamenti doli qeveria e Pandeli Evangjelit e cila erdhi në fuqi me 19 tetor 1921.
Tre komandantë në operacionet e ndërmarra nga qeveria për të shtruar Mirditën kishin dështuar njëri pas tjetrit. Më 4 nëntor 1921 qeveria shpalli Ahmet Zogun komandant të operacioneve ushtarake në frontin Lindor të trupave të rregullta e të parregullta (vullnetare) shqiptare kundër ushtrisë jugosllave e atyre të Marka Gjonit. Po me 4 nëntor emëroi Bajram Currin komandant të forcave të rregullta ushtarake dhe të atyre të zonës Pukë-Zadrimë, d.m.th. komandant të frontit Perëndimor. Një ditë më vonë, më 5 nëntor 1921, qeveria emëroi Elez Isufin kryekomandant të trupave të parregullta të Lurës dhe Ahmet Zogun komandant të fuqive të parregullta të Matit. Këto ishin pjesë e intrigave të “Grupit të Shenjtë” për të larguar Zogun nga Tirana, me shpresë që të hante kokën atje në Mirditë, që ata të kishin më shumë liri veprimi në kryeqytet për marrjen e pushtetit me grusht shteti.
Në krye të një fuqie prej 100 xhandarësh dhe afro 1000 dibranësh e matjanësh Ahmet Zogu arriti në Orosh si komandant operacioni dhe komandant të ushtrisë major Meleq Frashërin. Me arritjen e Zogut situata u përmbys. Zogu hyri në kontakt me kryengritësit e me bajraktarin e Oroshit, Prengë Marka Prenga, me të cilin bisedoi shtruar e miqësisht, grumbulloi ushtrinë e shpërndarë sa andej këndej dhe thirri në raport komandantët e kolonave.
Në një raport të ministrisë së Luftës drejtuar kryeministrisë mbi gjendjen e sotme të kufirit me 14.11.1921 thuhej: “Serbët me fuqi të rregullta ndodhen në Qafë Bulqizë (Buall), Qafë Murrë e në Lanë të Lurës…Në Lumë e në viset e Dibrës, brenda kufinit të 1913-ës kanë çue krahinarë e kanë formuar një gjindarmëri të vendit. Në Arras, Dardhë e në Reç ju kanë marrë bagëtinë (5.600 kokë) e anëtarëve të qeverisë shqiptare u kanë rrëzue çatitë e shtëpive e tjegullat jua kanë hedhë në Dri. Këto shtëpi bahen ma shumë se 100. Disa ushtarë serbë të vrarë në luftimet e fundit në Lurë, qeveria serbe nuk i ka varros, por i ka fut në një shtëpi dhe i ruan me roje. Shkaku i kësaj nuk dihet…”.114
Elez Isufi nga Lama e Kolecit njoftonte kryeministrinë me datë 18.11.1921 se “Serbia në Reç e në Dardhë ka pru 1000 (njëmijë) vetë e civila prej Kosove të cilëve u ka dhanë vetëm nga nji kapot. Xhandarë e civila të Lumës që shërbejnë për interes të Serbisë me 17.11.1921 kanë pasë një të pjekun (takim) tek Ura e Kukësit me Gjon Marka Gjonin për t`u bashkue me Mirditë e me vu në veprim qëllimet e Marka Gjonit duke përdorë fuqinë e tyne kundër nesh e major Rexhep Shalës e Bajram Currit. Me gjasë duket se edhe fuqinë civile që ka pru në Reç e Dardhë ka për t`i shti në Mirditë me i ndihmue”.15
Duke mos patur përkrahjen e drejtpërdrejtë të forcave të armatosura jugosllave dhe për shkak të pakësimit të ndihmave materiale e në të holla, armë e municione, Marka Gjoni e Zef Ndoci parashikuan dështimin e tyre. Prandaj me 12 nëntor ata kërkuan takim me një përfaqësues të qeverisë. Qeveria autorizoi Elez Isufin. Takimi u bë me 16 nëntor në Kullën e Mardhoçit, në Selitë. Në bisedime, krerët e Mirditës propozuan që “Dibra, Luma, e Mirdita” të shkëputeshin e të formonin një qeveri të vetme. Meqenëse shumicën e popullsisë e përbënin myslimanët, Marka Gjoni propozonte të merrej një princ nga familja e sulltanëve të Turqisë. “Unë, relatonte Elez Isufi, u bana të ditun se nuk u takova me ta për të zgjedhë princ a mbret, por pata shpresë se po bashkoheshim për të shpëtue Shqipninë… Kryetarët e Mirditës, vinte në dukje ai, dëshirojnë prishjen e Shqipnisë dhe jo lirinë, indipendencën e vetqeverimin e kombit shqiptar”. Meqenëse populli i Mirditës,- konstatonte Elez Isufi- nuk ishte në këtë besë tradhëtare të krerëve, për realizimin e qëllimit ata kishin futur ushtrinë serbe deri në Lurë dhe kërcënonin se “ në rast se qeveria e Tiranës nuk i lironte të 12 bajraqet, ata do të përpiqeshin të futnin ushtrinë serbe më brenda territorit shqiptar, deri sa të arrihej synimi i tyre”.16Takimi nuk dha asnjë rezultat.
Të nesërmen me 17 nëntor 1921 Zogu i paraqiti qeverisë dhe ministrisë së Luftës propozimin për marrëveshje me krerët e Mirditës: 1. Faljen e përgjithshme. 2. Qeveria t`u falte misër. 3. Marrja e vergjisë dhe e ushtarëve nga krahina e Mirditës të shtyhej për më vonë. 4. Nomi i xhibalit të vazhdonte në Mirditë aq kohë sa do të vazhdonte edhe në malësitë e tjera.
Kabineti i aprovoi propozimet e Zogut, kurse Regjenca i kundërshtoi. Madje edhe mësymjen kundra Marka Gjonit nuk desh që ta bënte Zogu por Elez Isufi, kurse ky i fundit (Zogu), urdhëronte Regjenca, duhej t`i shpërndante edhe forcat vullnetare të mbledhura në zonat e ndikimit të tij. Konfuzionin që kishte krijuar në Tiranë, Këshilli i Naltë (Regjenca) po e përcillte edhe në bazë.
Pas kësaj Zogu lajmëroi se operacioni mori fund, duke vendosur në këtë mënyrë rendin dhe qetësinë pa derdhur një pikë gjak. Komanda e operacionit shpalli faljen e përgjithshme pa kushte. Kush nuk paraqitej në komandë brenda një jave “pas shpalljes së faljes, do të ndiqej me rreptësi, shtëpia do t`i digjej dhe malli do t`i konfiskohej”.17 Të nesërmen paria e Mirditës me gjithë armët e tyre vinin në komandën e operacionit dhe nënshkruanin bindjen ndaj qeverisë.
Orvajtjet e qeverisë jugosllave për ta ndryshuar vendimin e Konferencës së Ambasadorëve dështuan. E cilësuar si agresore ndaj Shqipërisë, Jugosllavia u detyrua më në fund t’i largonte ushtritë e saj nga territoret e pushtuara. Më 9 nëntor, Konferenca e Ambasadorëve i hodhi poshtë pretendimet jugosllave për “vijën strategjike”. Ajo mori vendim për miratimin e kufijve të 1913-ës, por me “rektifikime” në krahinën e Lumës, Hasit dhe të Dibrës në zonën e Gollobordës. Po me 9 nëntor qeveria angleze njoftoi se njeh zyrtarisht qeverinë shqiptare. Beogradi e kuptoi seriozitetin e qëndrimit të Konferencës së Ambasadorëve dhe të Këshillit të Lidhjes prandaj filloi të tërhiqte trupat nga Shqipëria. Megjithatë ajo i vazhdoi edhe më tej provokacionet për të shkaktuar sa më shumë trazira në Shqipëri përpara se të vinte në kufi komisioni ndërkombëtar i caktuar për të vëzhguar zbatimin e vendimit të Lidhjes së Kombeve dhe para se të mbaronte afati i tërheqjes së ushtrisë jugosllave nga Shqipëria.
Për kufijtë verilindorë vendosi të bënte ndryshime përsëri në dobi të shtetit SKS (Jugosllavisë), duke i dhënë kësaj të fundit një pjesë të krahinës së Lumës, Hasit dhe Gollobordës, me një popullsi shqiptare prej disa mijëra frymësh: Dibrës i hoqën edhë fshatrat: Hotishan, Zepisht, Drenok dhe Modriç.
Vendimi tjetër cënonte pavarësinë dhe sovranitetin e shtetit shqiptar. Italisë i njihej një pozitë e veçantë në Shqipëri. Në këtë mënyrë u zgjidh përfundimisht çështja e sovranitetit të Shqipërisë.
Më 10 dhjetor 1921 nga territori i Dibrës dhe i gjithë Shqipërisë politike u larguan ushtarët e fundit të Jugosllavisë. Atë ditë flamuri kombëtar u ngrit në pikën kufitare të Bllatës. Kështu, pas 9 vjet e disa ditë nga shpallja e Pavarësisë kombëtare të mbushur me luftëra të ashpëra e të pandërprera, pjesa më e madhe e trevës dibrane më në fund u lirua nga pushtuesit serbo-jugosllavë për t`u bashkuar me gjysëm-shtetin e pavarur shqiptar.
Grusht-shteti i dhjetorit 1921

Në Tiranë puçist kishin shkuar përpara në projektet e tyre. Artizanët e “Grupit të Shenjtë” vendosën të shpërndajnë parlamentin dhe të përmbysin qeverinë që vetë i dhanë votbesimin për të vendosur tërësisht pushtetin e tyre. Me 4 nëntor thërrasin parlamentin duke thënë se qeveria do të bënte një ekspoze mbi situatën e jashtme të Shqipërisë. Për çudinë e deputetëve, në vend të ekspozesë u lexua dekreti i Këshillit të Naltë për shpërndarjen e parlamentit me motivacionin se qeveria ka nevojë për liri veprimi, për t`i bërë ballë situatës së rrezikshme të krijuar gjatë kufirit jugosllav. Pastaj me forca ushtarake rrethojnë kryeministrin Pandeli Evangjeli në Hotel Internacional dhe e detyrojnë të japë dorëheqjen duke e kërcënuar në natën e 6 dhjetorit. Si anëtar i Këshillit të Naltë, Aqif Pashë Elbasani caktoi Qazim Koculin kryeministër. Ky pranoi me kusht që në qeveri të mos bëte pjesë Hasan Prishtina, por nuk mundi të qëndrojë as 4 orë në atë detyrë, prandaj u detyrua të japë dorëheqjen. Ministrat, deputetët, funksionarë, oficerë e shumë patriotë, bashkë me kompaninë e kapiten Osman Gazepit dhe me 150 xhandarë të destinuar për vijën e demarkacionit nën komandën e major Ibrahim Jakovës, nga pasiguria u nisën pasdreke nga Tirana për në Elbasan. Para nisjes, me korrier special lajmërojnë Zogun mbi ngjarjet në Tiranë. Dy anëtarët e Këshillit të Naltë, Aqif Pasha dhe Imzot Bumçi ngarkuan Hasan Prishtinën për formimin e kabinetit, por situata u tensionua edhe më shumë, prandaj edhe ky nuk mundi të qëndrojë në krye të qeverisë veçse 4-5 ditë.
Lajmi i grushtit të shtetit dhe formimi i kabinetit të ri u prit me protesta të fuqishme në kryeqytet. Shefat e zyrave dhe gjithë nëpunësit lanë zyrat dhe organizuan demonstrata në të cilat mori pjesë populli i kryeqytetit duke kënduar këngë kombëtare dhe duke thirrur “Poshtë agjentët e Italisë!”. Qeveria u detyrua të japë dorëheqjen me 12 dhjetor. Dy anëtarët e Këshillit të Naltë ngarkuan Idhomene Kosturin të krijonte një kabinet “teknik” me sekretarët e përgjithshëm dhe drejtorët e ministrive.
Lajmin se “Bashkimi i Shenjtë” kishte bërë grusht shteti dhe kërkesën për kthimin e forcave në Tiranë për stabilizimin e situatës, Zogu e mori në Mirditë ditën kur operacioni kishte marrë fund. Me forcat e rregullta ushtarake dhe me vullnetarë dibranë, matjanë e mirditorë (që i dha me vete Prengë Marka Prenga) Zogu hyri në Tiranë me 14 dhjetor 1921 me oficerët trima e patriotë të devotshëm Preng Jaku e Meleq Frashëri. Me 16 dhjetor u kthyen nga Elbasani në Tiranë deputetët dhe gjithë të larguarit të cilëve iu bë një pritje madhështore. Me 22 dhjetor u mblodh parlamenti i cili diskutoi mbi deputetët e Drinit dhe duke marrë parasysh se në viset e prefekturës së Drinit që u liruan nga pushtuesit jugosllavë nuk ishin bërë zgjedhje parlamentare të rregullta, vendosi t`i rrëzojë ata nga deputetësia. Pasi dëgjoi raportimin e Pandeli Evangjelit për grushtin e shtetit, ai vendosi rrëzimin e Aqif Pashë Elbasanit dhe Imzot Bumçit nga Këshilli i Naltë mbasi kishin qenë në krye të komplotit dhe zevendësimin e tyre me Omer Pashë Vrionin dhe Ndoc Pistullin.
Tiranë, 12. 09. 2021
Referenca

1 Hanotaux, Parathënie, Gabriel Louis-Yaray, Shqipëria e panjohur, Në mbretërinë e shqiptarëve, Tiranë: Dituria, 2007, f. 11. “Sot Shkodra dhe Janina janë të rrethuara, çështja shqiptare është shtruar për zgjidhje para Evropës nga ultimatumi i rrufeshëm i ngjarjeve” (f. 11).
2 Italo Sullioti,
3 Hasan Kaleshi, “Kontributi i shqiptarëve në dituritë islame”, International Islamic Publishing House, 1992-1412, f. 12.
4 Oficerat hollandezë që erdhën në Durrës.
5 Ndër të gjithë delegacionet e Parisë Shqiptare që shkuan ta përurojnë Pricin Vilhelm kur Ai erdhi në Durrës, kryeqytetin e Shqipërisë së pavarur, vetëm Ahmet Bej Zogu i kërkoi të sanksiononte Princërinë e tij me mbledhjen e një asambleje kushtetuese. E dinte vetë këtë të drejtë kushtetuese ky djalosh 19 vjeçar, apo ja mësoi dikush, kjo tregon formimin e tij politik dhe juridiko-kushtetues, e…siç del nga zhvilimet e mëvonëshme politike, del se ai qe i “nominuar” ta bënte shtetin e parë kombëtar dhe ligjor shqiptar mbi baza kushtetuese..
6 Th. Murzaku, “Politika e Serbisë kundrejt Shqipërisë gjatë Luftës Ballkanike 1912-1913”, Tiranë, 1987, f. 339.
7 AQSH, fondi 251, viti 1921, dok. 51, f. 233.
8 AQSH, fondi 251, viti 1921, dosja nr. (50), 51, f.222; AQSH, Letër e Elez Isufit, Kristo Dakos; “Shqipëria e re”, viti III, Nr. 051, Konstancë, 6 tetor 1921.
9 AQSH, fondi, 251, viti 1921, dosja 51, f. 345; AQSH, Letër e Elez Isufit, Kristo Dakos.
10 AQSH, fondi Bajram Curri, viti 1921, dosja 8/3-320.
11 Xhemal Laçi, “Ahmet Leka e Rrem Lusha, po lutojnë si dy arusha”, gazeta “Ushtima e maleve”, 16 tetor 1982.
12 AQSH, Letër e Elez Isufit dërguar deputetit të Dibrës Kristo Dako, përfshirë edhe në “Kujtime…” të I. Strazimirit.
13 AQSH, F. 251, dosja nr. 51, faqe 359, viti 1921. Mat-Lis , 5.XI.1921, nr. 2619.
14 AQSH, fondi 249, dosja I-338, f. 5, viti 1921. Kur thotë: anëtarëve të qeverisë u ka rrëzue çatitë…njoftimi ka parasysh ata familje që kishin njerëzit e tyre në Batalionin e Drinit apo me vullnetarët që shkonin me forcat qeveritare.
15 AQSH, fondi 251, viti 1921, nr. 8/f.
16 AQSH, fondi i Kryeministrisë, dosja I-240, dok. pa emër, datë 16.11 1921.
17 AQSH, fondi i Kryeministrisë, dosja I-238, dik. 880, datë 15.11.1921; shih edhe H. Kordha, “Lëvizja demokratike në Shqipëri në vitet 1921-1922”, disertacion, f. 189-190.