Beteja e Lanë Lurës, epopeja e madhe e qëndresës


Nga Gëzim LOKA  

Në arealin e luftërave të njëpasnjëshme dhe qëndresës së pathyeshme luriane kundër pushtimeve dhe tiranisë së të huajve, Beteja e Lanë Lurës e vitit 1920 është një faqe e ndritur historie, që do të bëjë krenare në jetë të jetëve jo vetëm Lurën e lurianët, jo vetëm Dibrën e dibranët, por gjithë shqiptarinë.
Në këtë betejë madhore shkëlqeu edhe një herë shpirti qëndrestar lurianë, guximi, trimëria, besa e burrëria luriane, virtytet më të mira të një krahine, ku kanë kaluar mbretër e perandorë, princa e gjeneralë, shkrimtarë e diplomatë të shquar, të cilët ia kanë ngritur zërin dhe lavdinë Lurës sonë. Ajo shënon përplasjen e madhe të skalioneve të barabarisë serbo-jugosllave me patriotët dibranë e shqiptarë, të cilët të braktisur nga qeveria e kohës, për shkak të frikës së ndonjë konflikti civil, që mund të sillte pasoja për të, u vetëudhëhoqën në një luftë titanike, duke vënë në krye strategë e gjeneralë madhorë si Elez Isufi, që kanë hyrë në analet e ndritur të historisë së kombit dhe janë ajka e krenarisë dibrane e shqiptare.
Beteja e Lanë-Lurës, (kulmoi më 28 tetor 1921) ka hyrë në histori si beteja e një populli të etur për liri, që mbyti serbo-jugosllavët në Drin, betejë që bëri jehonë të madhe në të gjithë botën dhe solli pavarësinë përfundimtare të Shqipërisë. Për nder të kësaj lufte emblematike, mendoj se duhet të ngrihet një memorial madhështor, përkushtues dhe me një fushëpamje të gjerë, që të bëjë me dije çdo vizitor vendas apo të huaj zhvillimin e kësaj beteje, me të cilën do të krenohen në jetë të jetëve lurianët dhe dibranët.
Historia e kësaj beteje, në kufijtë e legjendës, nuk është e shkëputur nga gjithë areali i rezistencës dibrane e gjithëshqiptare ndaj agresorit tinëzar e mizor serbo-sllav.
Në ndërkohën nëntëvjeçare, 1912 – 28 tetor 1921, hark i cili nis me betejën dhe fitoren epokale të Kolesjanit dhe përfundon me betejën e Lanë- Lurës, është një baticë e egër qëndrese të shqiptarëve kundër Serbisë e synimeve shoviniste serbo-jugosllave, ku Dibra, dhe Luma kanë një peshë të madhe, unike. Në këtë kohë, u ngrit dhe u dallgëzua një furi madhore e qëndresës popullore, në mbrojtje të tërësisë kombëtare, të trojeve të lashta të këtij vendi, që nuk njohu kurrë një ditë të vetme qetësi e paqe.
Beteja e Lanë Lurës shënoi aktin kulmor të ndeshjes epokale midis atdhetarëve luftëtarë që mbronin lirinë dhe pavarësinë e vendit të shqipeve dhe serbo-sllavëve që kërkonin me çdo kusht aneksim e pushtim të Shqipërisë.
Udhëheqësi popullor Elez Isufi kishte lëvizur në trajektoren Dibër-Lumë dhe tre ditë para nisjes së betejës pati udhëtuar nga Reçi në Lurë, shoqëruar me bashkëluftëtarët e tij besnikë. Në Lurë, ku bujti disa netë, u mbështet masivisht nga burrat trima lurianë, që u ngritën në këmbë dhe iu bashkëngjitën kryeluftëtarit.
Në gjithë ditët e betejës, në mes të zhegut përvëlues, gratë dhe vajzat luriane poqën bukët në çerep dhe furnizuan me bukë e ushqime Elez Isufin dhe trimat e tij, që në llogore të luftës po luftonin fyt a fyt, për vdekje a liri, me armikun shekullor të shqiptarëve, ushtrinë serbe.
Prijësi legjendar, Elez Isufi qëndroi në krye, duke udhëhequr me largpamësi e gjenialitet këtë furtunë qëndrestare, që u ngrit me furinë e Nëntë Maleve dhe Lurës, malit më vete, mbi bishën gjakatare serbo-sllave.
Shumë është folur dhe me të drejtë për Luftën e Vlorës, por shumë pak për betejën e Lanë Lurës, e cila është thuajse e njëkohshme me të parën. Është detyrë e historianëve që Luftën e Lanë Lurës, këtë betejë me të vërtetë të lavdishme në historinë e Shqipërisë së re, ta studiojnë dhe ta ngrenë në piedestalin që i takon.
Dibranët dhe lumianët e kurdo herë me ta dhe lurianët trima e sypatrmebur e kanë shkruar me gjak e sakrifica historinë e tyre të vjetër e të re, duke dhënë kështu një kontribut të çmuar në historinë e vërtetë të Shqipërisë, e cila pa u shkruar siç është historia e këtyre krahinave qëndrestare, nuk do të jetë kurrë një histori e plotë dhe e bazuar në të vërtetat historike.
Duhet thënë se beteja e Lanë-Lurës shënoi fitoren historike të dibranëve në luftë me serbët dhe me këtë luftë u farkëtua liria dhe pavarësia shqiptare, të kërcënuara seriozisht nga qeveria e Beogradit, që nuk arriti ta luante kartën e fundit për aneksimin e një pjese të territoreve shqiptare, për shkak të thyerjes që i bënë dibranët në “shtatë e shtatëdhjetë” në betejën e Lanë Lurës, duke bërë që ushtria barbare të tërhiqej në panik e të mbytej në ujërat e Drinit të Zi.
Forcat militare serbe, nga paniku i humbjes së madhe, nuk i përsëritën më operacionet e tyre dhe kësisoj fitorja ushtarake e dibranëve solli edhe fitoren politike, në arenën ndërkombëtare, që u vetëdijësua për luftën e drejtë të bijve të shqipes. Kështu, më 9 nëntor 1921, Konferenca e Ambasadorëve e etiketoi Jugosllavinë si agresore dhe hodhi poshtë pretendimet e saj për të ashtuquajturën “vijë strategjike”, mbi të cilën bazoheshin pretendimet e saj absurde territoriale.
Por tentativat provokuese të skalioneve serbo-sllave vazhduan, në mënyra nga më të stërholluarat, për të dështuar në të gjitha rastet me turp dhe duke bërë që historia t’i dënojë si agresorë dhe të pabesë.
Beteja e Lanë – Lurës përbën arealin, palcën dhe karakollin rreth të cilëve u ngrit dhe qëndroi e pathyeshme kështjella e qëndresë dibrane në verën dhe vjeshtën e vitit 1921.
Përmasat e kësaj qëndrese të pashembullt nisnin nga Muhurri në Reç, gjatë tërë gjatësisë së Drinit të Zi (në lindje), nga Qafë-Murra në Qafë-Mërkurth e në Qafë-Drajë (në perëndim e në veri).
Në këtë betejë të pashoqe, me përmasa gjithëpopullore, shkëlqeu herozimi dibran dhe lurian, u farkëtua uniteti i madh i popullit të këtyre anëve me tribunët e lirisë dhe u pagëzua me gjak e sakrifica sublime vetëdija e lirisë dhe pavarësisë së trojeve etnike të popullit shqiptar.
Valët e kësaj beteje unike vazhduan disa muaj, duke kulmuar më 26-27 e 28 tetor 1921, ditë që përbëjnë një ngritje madhore të kurbës së kësaj lufte titanike, ku Dibra dhe Lura u bënë karakolle të pathyeshme qëndrese e shprese për shqiptarinë.
Në Lanë të Lurës, në këtë vend strategjik, u nisën për udhë drejt pavdekësisë vargjet epistolare, shkrirë mbi mbi telat e çiftelisë, i quajturi “Marshi i Djelmënisë Dibrane”, që do të bëhej himn i shoqërisë “Djelminia Dibrane” dhe “Bashkimi Dibran”.
Ja çfarë thuhet ndër të tjera në atë:
Drin, e Lum i gjanë, Plaku i malësisë, / A ke me ja lanë Dibrën Serbisë? /Kurrë nuk durohet kjo robëni, / Dibra e Mosiut asht Shqipëni… / Çohu burra, çohu, /Gjithë me besa besë / Për Dibrën luftoni /Me të madhe shpresë. / Lurë, o vend i nalt, vend i trimërisë / Aty u banë fjalët, besa e lirisë…
Dibra do të jetë ndër breza krenare për këtë betejë, por ende më krenare do të jetë Lura, që priti Elez Isufin dhe trimat e lirisë, radhët e të cilëve i mbushi me djemtë e saj më të mirë, që luftuan fyt me fyt e me besa a besë, të pathyeshëm kundër ushtrisë së Krajlit serb.
Beteja e Lanë Lurës është një ftesë e hapur për historianët, shkrimtarët, gazetarët, që të hulumtojnë e të shkruajnë të vërtetat e saj, ende të mbuluara me pluhurin e harresës dhe mosvëmendjen e merituar, që në të vërtetë duhet të ketë një ngjarje kaq e madhe historike, që është krenari e dinjitet për gjithë popullin shqiptar…