Vesel Murrja “Plaku” me famë i Dibrës


Nga ARIF MURRJA & XHELADIN MURRJA

Figura 1.1 –Trojet ku lindi dhe jetoi Vesel Murrja (Foto e realizuar nga Fitim Murrja, nipi i Veselit)

1. Hyrje

Jeta dhe veprimtaria e Vesel Murrës është pjesa e gjashtë e studimit “Kronologjia, e fisit Murrja në Luzni të Dibrës”. Vesel Murrja lindi më 1884 dhe vdiq në shkurt të vitit 1961. Jetoi 77 vjet në fshatin Selane (Figura 1.1). Kastragjyshi i Veselit ishte Halil Murrja, pinjolli i parë i fisit Murrja, në fshatin Hotesh që mori të drejtën e Parisë/Kreut të Malit/Krahinës të/së Luznisë. Stërgjyshi i Veselit ishte atdhetari Elez Murrja, përfaqësuesi i krahinës së Luznisë në qeverisjen e Dibrës në shekullin XIX-të (Kreun e Malit e trashëgoi nga i ati, Halili). Elez Murrja është dekoruar nga Komuna Luzni, ndërkohë shumë kohë më përpara është dekoruar nga Kuvendi Popullor “Për merita patriotike, në luftë kundra pushtuesve Osman”. Gjyshi i Veselit ishte Isuf Murrja, i cili ndoqi rrugën e të atit dhe nuk kurseu as jetën kundra pushtuesve Osman. Isuf Murrja është dekoruar nga Kuvendi Popullor me 4 qershor 1966. Dekoratën e mori Jahje Abdulla Murrja, nipi i Isuf Murrës. Babai i Veselit ishte Miftari, djali i katërt i Isufit. Miftar Murrja është vrarë nga serbët në vitin 1913. Vëllai i madh i Veselit ishte Xhetani, i cili është vrarë ngaserbët në vitin 1918.

1.1 -Vrasja e Miftar Murrës
(Babai i Veselit)
Në shtator të vitit 1913 tek ura e Mehmetit në Ravna të fshatit Grevë një togë serbe e kapi në befasi të pa armatosur Miftarin dhe Qazim Zebin, nipi i tij. Pasi i kishin identifikuar, Qazimit i kishin thënë: Ti mund të ikësh. Ai nuk pranoi duke iu përgjigjur se, o do të ikte bashkë me dajën, o na vrisni të dyve. Atëherë serbët i ekzekutuan të dy nip e dajë.

1.2 -Vrasja e Xhetan Murrës
(Vëllai i Veselit)

Pas pesë vitesh nga shtatori 1913, në tetor të vitit 1918 një grup ushtarak shëtitës serb kapi Xhetanin në arën e tij duke vjelur misër dhe e ekzekutuan. Një muaj pas vrasjes së Xhetanit, vëllai i Qazim Zebit, Vahidi së bashku me Beqir Selishtën, nipi i Vahidit në vendin e quajtur Kroi i Jasharit në jug të fshatit Pjekë i organizuan një pritë policit të postës maqedonase Dhimitër Çaushit, duke vrarë në vend, si hamarrje ndaj vrasjeve të Miftarit dhe Xhetanit.

2. Kush ishte Vesel Murrja

Vesel Murrja vinte nga një trung familjar me vlera patriotike nga më të shkëlqyerat në Dibër (Figura 2.1). Kastragjyshi i Veselit ishte Halil Murrja, pinjolli i parë i fisit Murrja në fshatin Hotesh, i cili mori mihirin/mihajrin (vulën e Parisë së Malit të Luznisë) nga fisi i Sefere në Luzni. Stërgjyshi i tij, Elezi ishte atdhetari më i madh i kohërave në mbrojtjen e Luznisë dhe Dibrës nga perandoria Osmane. Gjyshi ishte dëshmori Isuf Murrja, i vrarë nga turqit më 1881. Babai i tij ishte Miftar Murrja i vrarë nga serbët më 1913 dhe vëllai i madh Xhetani i vrarë po nga serbët më 1918. Veseli la dy djem Shefqetin dhe Musain.
Ai vinte nga një familje e mesme fshatare, banonte në një shtëpi dykatëshe me 8 dhoma. Shtëpia ishte ndërtuar nga gjyshi i tij, Isufi. Kishte aftësi të jashtëzakonshme intelektuale dhe ishte shkolluar si autodidakt. Zotëronte në mënyrë prefekte turqishten, filste, lexonte, shkruante dhe e përkthente atë. Lexonte arbasishten. Ishte besimtar, falte pesë vaktet, urrente shumë ateizmin dhe ateistat. Falë diturisë së tij, gjykonte në mënyrë të thelluar dhe me urtësi olimpike. Ai ishte filozof popullor.
Vesel Murrja ishte shumë bujar, “Oda e madhe e tij” apo thënë ndryshe “Oda e mikpritjes” nuk mbahej mend të ishte pa miq. Në krah të majtë të oxhakut kishte një dollap muri të brendshëm, ku mbante libra shqip, turqisht dhe arabisht. Urrente provokimet dhe reagonte shume shpejtë ndaj tyre.
Në verën e vitit 1952, në një dasëm në fisin Murrja në konak ishte një ateist, i cili propogandonte ateizmin dhe përbuznte Fuqinë e Mbinatyrshme. Nuk mundi ta duronte dhe ju përgjigj duke e ofenduar sipas mënyrës së tij alegorike. “Qeni që lidhet, bën një punë ruan shpinë dhe njerëzit. Qeni që nuk lidhet nuk bën asnjë punë (e kishte fjalën për njerëzit pa besim) dhe quhet zagar”.
Veseli ishte edhe shumë punëtor. Duke thyer një gur me varre dëmtoi njërin sy. I përbuznte dembelët. Njëherë shkoi në shtëpi një mik, Halim Ferruku nga fshati Pjekë, fshat fqinjë me Selanen, për të bërë muhabet. Pasi kishin ngrën darkë, kishin ndenjur pak dhe kishin mbetur pa muhabet. I kishte thirr të shoqes së tij: Oj zonja e shpisë bjeri petkat e fjetjes (dysheket dhe jorganët) e të biem. Halimi i kishte thënë: Është herët, o Vesel, unë kam ardh për muhabet tek ti. Mirë, i thotë, ku ta fillojmë: Në Stamboll e të vijmë këtu, apo këtu e të shkojmë në Stamboll? Jo, i thotë miku: Këtu e të shkojmë në Stamboll.
Mirë, i thotë Veseli, kur u nise për të ardhur tek unë mik a u lae fëmijëve një hua miell për bukë? Jo, i thotë Halimi. A u ke lënë fëmijëve një barrë me dru për t’u ngrohur? Jo u përgjigj Halimi. Veseli i thotë Halimit: A e ke nënën e fëmijëve? (e kishte fjalën për lopën që të kishin qumësht e bulmet me hëngër). Jo, i thotë Halimi. Veseli shton më tej, leje pra, llafet paskan mbaru. Një njeri që nuk i shërben familjes, çfarë i duhet muhabeti. Përsëri shton Veseli. O Halim të mirat njeriut i vijnë vetëm me punë, ndershmëri e sinqeritet e jo me llafe.
Një ndër pyetjet e shumta të bëra Veselit në mexhelise (oda) ishte: Çfarë bëni Ju, kur zihen dy veta (persona)? Me talentin e tij natyror, Ai i përgjigjet: -Dy të mençur (zgjuar) nuk zihen kurrë, ndërsa kur ngatërrohet një i zgjaur me një budalla, përsëri është e kollajtë (e lehtë), sepse i mençuri i hap rrugën allçakut apo torollakut (budallait). Me të mbaruar përgjigjen, personi e pyetën përsëri: -Po kur zihen dy budallenjë? Përgjigja ishte: -Ndodhsh ti në këtë zënkë, sepse budallai nuk i hap rrugën budallait.

3 -Si e mori të drejtën “PLAKUT”
Vesel Murrja?

Para Veselit, xhaxhai i tij, Avdulla Murrja, djali i madh i Isufit ishte Plaku i Luznisë. E kujtojnë Abdullain si një burrë të bëshëm e të madh me shpatulla të gjera, i veshur me dollmë të zezë, kësul konike të kuqe me lidhëse të zeza (uniforma e Plakut të krahinës në kohën e sundimit Osman). Avdullahi ka vdekur rreth vitit 1911 në Selane. Plakëllëku i takonte Jahes (djalit të tij), por ai ishte vetëm 3 vjeç, ndërsa Veseli ishte 29 vjeç. Atëherë plakëllëku kaloi tek Veseli sepse ai gëzonte të gjitha tiparet dhe cilësitë e karakterit të drejtë njerëzor. Në kohën e Veselit, Luznia kishte edhe tre Pleqë të tjerë, Xhurxhin në Hotesh, Nikollin dhe Palluçin në Katund të Ri. Ai nuk kishte uniform. Veseli me intelektin dhe zgjuarsinë e tij e pasuroi akoma më shumë Kanunin e Dibrës. Aftësia e tij intelektuale dhe qetësia e tij olimpike bëri që të zgjidhte shumë konflikte me pasoja njerëzore. Zgjidhja e konflikteve midis individëve ishin të panumërta. Ka pasur shumë raste që e kanë kërkuar palë të tretë, pasi palët nuk kanë gjetur pikat e marrëveshjes (thënë ndryshe një nivel më i lartë i gjykimit). Kur Jahja u bë 20 vjeç, Veseli e merrte në të gjitha çështjet kanunore. Jahja ishte trim i hutuar, besnik dhe shumë i zgjaur.
-Zgjidhja e konfliktit midis dy lagjeve të fshatit Dohoshisht (1943)
Në vitin 1943 dy lagjet e fshatit Dohoshisht, Mahmutet në krahun e djathtë të rrjedhës së përroit të Peshkopisë dhe Varrenë në krah të majtë të përroit hyjnë në konfliktë për ujin vaditës. Të dyja lagjet merrnin ujë vadidës tek ura e Peshkopisë. Mahmutet nuk lejonin pjesën që u takonte Varrenit. Atëherë dy palët kërkuan tre pleqë për të zgjidhur problemin e ujit. Palët nuk kishin rënë dakort. Kishin thirr, si pleqë Nokën, Pirën dhe Kaloshin. Në fund kishin thirr Veselin. Palët në konflikt dhe tre pleqtë pritnin Veselin.
Kur shkon Veseli tre pleqtë dhe dy palët në konflikt, i gjen në bahçen e Kadriut (lagja Mahmute). Pasi prezantohet dhe u përshëndet me pjesëmarrësit u mori leje që të merrte fjalën.
Thënia e parë e tij ka qenë: Kanuni nuk zgjidhet këtu në bahçe, por në “tam të vijës” (ujëmbledhësi i kanalit vadidës). Kjo për t’u njohur më qartë me kushtet apo rrethanat e konfliktit dhe për t’i paraprirë espertizës.
Si e zgjidhi konfliktin? Merr dy palët e konfliktuara dhe shkon në “tam të vijë”. Dy palët rrinin anash dhe Veseli përvesh mëngët e këmishës dhe futet vet në sfratin e ujit. Gurët që i kapte dora i mbështet në krah të Varrenit, ndërsa gurët më të mëdhenjë i mbështet në krah të Mahmute. Në dy anët rridhte uji dhe të dy palët dolën të kënaqura me sasinë e ujit.
Për nder të Veselit, Ramadan Gjuti i Vjetër nga Varreni bën një drekë të madhe, ku morën pjesë përfaqësitë e dy lagjeve dhe Veseli.

3.2 -Zgjidhja e konfliktit midis fshatit Deshat dhe lagjes Kabe (1941)
Në vitin 1941 futen në konflikt fshati Deshat i njësisë administrative Kastriot me lagjen Kabe të fshatit Pilafe. Shkaku i konfliktit kishte ardhur nga pronësia e një sipërfaqje toke (mera) midis tyre. Meraja ndodhej në perëndim të lagjes Kabe dhe në lindje të fshatit Deshat.
Pasi ata në radhën e parë kishin thirrë Pirën dhe Kaloshin për ta nda se kujt i takon kjo mera dhe nuk kishin rënë dakord me zgjidhjen e tyre, si plak të tretë thirrin Veselin, i cili shoqërohej nga Jahja.
Në bisedë e sipër u thotë palëve, ju që ziheni për këtë tokë, po ju pyes: Kjo tokë a ka emër? Po, i thotë njëri nga përfaqësuesit e Lagjes Kabe. Po, si e ka emrin? Kjo tokë e ka emrin “Rrafshat e Kabe”. Kanuni qenka i ndarë u drejtohet palëve. Përse nuk e ka emrin “Rrafshat e Deshatit”. Përfaqësuesit e Deshatit kishin lidhje me Xhaferr Balin, komandant i xhandamërisë së asaj kohe. Kapën Veselin dhe Jahen dhe i mbajtën në burg 24 orë. Dolën nga burgu me ndërhyrjen e Miftar Kaloshit tek Xhafer Bali.
-Zgjidhja e konfliktiti midis Kadrieve të Dohoshishtit dhe Ukëve të Pollozhanit
Të jesh plak nuk mjafton fakti i të qënit i zgjuar, por duhet të jesh edhe shumë trim. Kadriet e Dohoshishtit me Ukët e Pollozhanit ishin në konflikt vrasjesh me njërti-tjetrin me disa dekada. Pas disa vitesh vrasjesh njëra pas tjetrës Ukët marrin plak Veselin, për të përcjellë mesazhin e tyre tek Kadriet.
Mirëpo Ukët i thanë Veselit: Të shkosh kështu: kemi me marrë hak, e verteta ishte ndryshe, Kadriu kishte për të marrë. Atëherë u thotë Ukëve “Plak me të mësume nuk ka”. Nëqoftëse do të pranoni ashtu siç e mendoj unë, do të shkoj, ndryshe unë shkoj në shtëpinë time. Ukët i thonë Veselit: shko sikur ta mendosh ti.
Kadriet e kishin marrë vesh të gjithë bisedën dhe debatin që kishin bërë Ukët me Veselin dhe kishin bërë plan që nëse Veseli do të vinte me mendjen e Uke, do ta vrisnin. Ndërkohë Veseli troket në derë të Kadriut. Përshëndetet me Rustan Kadriun si më i madhi i fisit. Të gjithë përfaqësuesit e fisit Kadrie ishin të shpërfytyruar, sepse pritshin një tragjedi në konak (Kadriet do të vrisnin Plakun e Uke).
Veseli gjak ftohtë u thotë Kadrieve. Keni të fala prej Ukës: “E kemi var në kunj”. Menjëherë ngrihen në këmbë duke i thënë paç faqen e bardhë o Vesel Murrja. Me këtë ngjarje i tha Dibrës dhe pleqëve të Dibrës se “Plak me të mësume nuk ka”.

4. Përfundime

Gjyqësitë e Plakut Vesel Murrja janë të shumta në numër, por ne në këtë artikull sollëm disa prej tyre. Vendimet e drejta e të paanshme të Vesel Murrës merren si precedente dhe shërbejnë si aksioma për zgjidhjen e konflikteve të sotme, kur palët nuk duan t’i drejtohen gjykatës. Edhe sot në mexhelise të Dibrës thuhet kështu ka thënë apo kështu e ka nda Vesel Murrja. Vendimet e këtij filozofi popullor kanë shërbyer dhe do t’i shërbejnë dibranëve si precendete të drejtësisë në breza e shekuj.