A do të jetë kalimi në Rrugën e Arbrit me pagesë?


Deputetja e Dibrës Dhurata Çupi Tyli ngre dyshime që rruga mund të jetë me pagesë.

Ministrja e Financave: Nuk ka asnjë parashikim buxhetor aktualisht.

Kur “Gjoka Konstruksion” nuk kishte nënshkruar kontratën për nisjen e punimeve në Rrugën e Arbrit, në vitin 2017, media shkroi se duke u bazuar në një relacion të Ministrisë së Financave të asaj kohe, Rruga e Arbrit do të ishte me pagesë, me një shumë 4 euro për çdo kalim. Sipas medias, të ardhurat do të ndaheshin përgjysmë mes kompanisë dhe qeverisë.
Prej kohës që kanë nisur punimet në pranverë 2018 e deri më tani, lajmet se rruga mund të jetë me pagesë kanë qenë më shumë për debat politik.
Kryeministri Edi Rama i ka mohuar vazhdimisht lajmet se rruga e Arbrit do të jetë me pagesë, të paktën gjatë periudhës 13-vjeçare së koncesionit.
“Kjo rrugë nuk do të ketë asnjë tarifë për sa kohë do të jem unë, pastaj me të tjerët shihni e bëni e do më kujtoni” ka shkruar ai në Facebook në shtator 2019, në një përcjellje që i bëri ecurisë së punimeve.
Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe në prill të këtij viti, gjatë një vizite në kantier. Në një intervistë televizive në njërin nga tunelet afër Klosit, ai ritheksoi se “rruga do të jetë pa pagesë për njerëzit dhe mirëmbajtja do të kryhet nga kompania. Pra ne do të japim financim edhe për mirëmbajtje dhe njerëzit do ta kenë pa pagesë”.
Këto ditë, deputetja e Dibrës Dhurata Çupi Tyli, gjatë diskutimeve për projektbuxhetin e vitit 2022 në Komisionin e Ligjeve e pyeti Ministren e Financave Delina Ibrahimaj nëse Rruga e Arbrit do të jetë me pagesë.
“Kryeministri deklaroi se “Rruga e Arbrit” inaugurohet brenda vitit 2021, por ka të dhëna se do të vendoset një tarifë 4 euro për 1 kalim për dibranët dhe qytetarët që do të kalojnë në “Rrugën e Arbrit”. Qytetari do të paguajë 4 euro të vijë në Tiranë dhe 4 euro të shkojë në Dibër, ndërkohë që flasim për qarkun më të varfër të Shqipërisë. Është parashikuar në buxhetin 2022 kjo taksë që u vendoset dibranëve?” – pyeti deputetja e Dibrës ministren e Financave.
Në përgjigjen e saj, Ministrja Ibrahimaj tha se “për këtë kërkesë nuk ka asnjë parashikim buxhetor aktualisht. Ky është një koncesion PPP, kemi parashikuar pagesën e këtij koncesioni në bazë të dokumentacionit që kemi aktualisht në dispozicion dhe kontratës konçesionare”.