29 nëntor, nis qarkullimi i makinave në Rrugën e Arbrit nga Tirana në Klos përmes bypass-it
Nga Bujar Karoshi


Rruga e Arbërit në Xibër, Klos. Foto: Facebook/ Gjoka Konstruksion

Rruga do të hapet fillimisht deri në Klos. Vazhdon puna në segmentin Ura e Vashës – Qafa e Buallit. Nuk do të lejohet të qarkullojnë makinat e mëdha dhe ato të tonazhit të rëndë.

Më 29 nëntor 2021 rruga nga Tirana në Peshkopi do të shkurtohet shumë. Mbi 70 kilometra rrugë, plot kthesa e trafik, nuk do të jetë më “barrë” për udhëtarët e Dibrës dhe Matit, duke u bërë realitet një ëndërr e vjetër e dibranëve për një rrugë të shkurtër drejt kryeqytetit. Klosi do të jetë larg Tiranës vetëm 35 km, ndërsa Peshkopia as më shumë e as me pak se 100 km nga qendra e Tiranës.

Puna po vazhdon edhe në segmentin Ura e Vashës – Qafa e Buallit, përgjatë luginë së Planit të Bardhë. Punimet në këtë segment janë përqendruar në dalje të Urës së Vashës, me krijimin e tarracave sipër rrugës, për më shumë siguri në lëvizje. Në foto: Pamje nga punimet në rrugë pranë Planit të Bardhë

Punimet po vazhdojnë normalisht edhe në tunelin e Murrizit. Në tunelin kryesor, që do të shërbejë për kalimin e mjeteve, aktualisht janë rreth 900 metra tunel pa u hapur akoma, ndërsa në tunelin e emergjencës kanë mbetur pa u hapur rreth 800 metra.

Deputetja e Dibrës Dhurata Çupi Tyli ngre dyshime që rruga mund të jetë me pagesë. Ministrja e Financave: Nuk ka asnjë parashikim buxhetor aktualisht.

Më 29 nëntor 2021 rruga nga Tirana në Peshkopi do të shkurtohet shumë. Mbi 70 kilometra rrugë, plot kthesa e trafik, nuk do të jetë më “barrë” për udhëtarët e Dibrës dhe Matit, duke u bërë realitet një ëndërr e vjetër e dibranëve për një rrugë të shkurtër drejt kryeqytetit. Klosi do të jetë larg Tiranës vetëm 35 km, ndërsa Peshkopia as më shumë e as me pak se 100 km nga qendra e Tiranës.
Lajmi për hapjen e rrugës pritej dita-ditës që nga prilli i këtij viti, por mesa duket shkak u bë një debat në sallën e parlamentit mes kryeministrit dhe kryetarit të opozitës.

***
“Më 29 nëntor do të hapet Rruga e Arbrit që të kalojnë njerëzit”, – tha kryeministri Edi Rama gjatë një debati në parlament me 28 tetor 2021.
Ky lajm u prit me duartrokitje në sallë dhe erdhi pas një replike me kryetarin e opozitës Lulzim Basha.

Kryeministri Rama, disa orë pas fjalës së tij në Kuvend, publikoi në FB një foto të Urës së Vashës, me shënimin që “29 nëntor – Hapet për qarkullim Rruga e Arbrit”. Kryeministri, duke i mëshuar faktit se Rruga e Arbrit do të jetë e kalueshme përmes bajpasit, krijoi perceptimin që gjithë pjesa tjetër e rrugës do të jetë e hapur, por një burim nga kompania tha se segmenti “Ura e Vashës – Qafë e Buallit” nuk është akoma gati.

Më 28 tetor 2021, nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, lideri i opozitës e akuzoi qeverinë për abuzime me partneritetin publik privat, në kurriz të qytetarëve dhe në favor të bizneseve të lidhura me qeverinë. Ai mori shembull investimet në Rrugën e Arbrit, për të mbështetur akuzat e tij.
“Nga 120 milionë që ka qenë Rruga e Arbrit, ka shkuar në 360 milionë dhe ti ke kurajon të vish e të na krenohesh këtu, në vend që të japësh llogari se pse paguan 240 milionë euro më shumë, tre herë më shumë projektin për Rrugën e Arbrit”.
Duke iu referuar shembjes së tunelit të Murrizit, Basha tha se ajo “nuk është fare befasi gjeologjike, është babëzi tipike, është hajdutëri me çizme”.
Duke iu përgjigjur liderit të opozitës, kryeministri Rama tha se “jo vetëm nuk i heq asnjë presje atyre që kam thënë për Partneritetin Publik Privat dhe nuk kompleksohem fare nga ato që thoni ju… Faktet flasin dhe në 29 nëntor do hapet Rruga e Arbrit që të kalojnë njerëzit, me të vetmin problem që në Qafën e Murrizit, për shkak të përbërjes gjeologjike të tunelit, që ka krijuar vonesa të mirëdokumentuara, gjithë pjesa tjetër është gati”.
Në replikat me liderin e opozitës kryeministri ritheksoi edhe njëherë qëndrimin e qeverisë ndaj partneritetit publik-privat, i njohur për publikun me akronimin PPP. Duke iu referuar shembjes së tunelit të Murrizit në pranverë të vitit 2019, ai theksoi se kjo nuk ka asnjë kosto për buxhetin e shtetit.
“Nëse ajo që ndodhi me tunelin e Murrizit, ajo që ndodhi me shfaqjen e një përbërje gjeologjike të papritur, dhe ajo do ishte me buxhetin e shtetit, atëherë do duhet të nxirrnim nga buxheti i shtetit një mal me lekë të tjera… Me Partneritetin Publik – Privat ne nuk kemi punë fare. I themi kompanisë “të doli tuneli me atë përbërje gjeologjike, është tek ti jo tek ne, nuk shtojmë ne para për atë punë. E rëndësishme është që me paratë, që përndryshe do duheshin vite për t’u bërë të gjitha bashkë, për t’u bërë Rruga e Arbrit, ne thjesht do të paguajmë në vite kthimin e investimit për një rrugë që është gati atje”, tha kryeministri Rama në foltoren e Kuvendit.

***
Lajmi për nisjen e qarkullimit në Rrugën e Arbrit ishte i papritur. Ndërkohë që besohej se nisja e qarkullimit në këtë aks duhej të ishte bërë më herët, me ardhjen e muajve të dimrit, qarkullimi në këtë aks, përmes bajpasit- 9 km, është i vështirë.
Kryeministri Rama, disa orë pas fjalës së tij në Kuvend, publikoi në FB një foto të Urës së Vashës, me shënimin që “29 nëntor – Hapet për qarkullim Rruga e Arbrit”. Kryeministri, duke i mëshuar faktit se Rruga e Arbrit do të jetë e kalueshme përmes bajpasit, krijoi perceptimin që gjithë pjesa tjetër e rrugës do të jetë e hapur, por një burim nga kompania tha se segmenti “Ura e Vashës – Qafë e Buallit” nuk është akoma gati.
Bajpasi bashkon dy anët e tunelit të Murrizit, në Bastar dhe Xibër, duke kaluar në qafën e Murrizit në lartësitë 800-1230 m mbi nivelin e detit. Rruga është 5 metra e gjerë, dhe në krahasim me aksin tjetër të rrugës, duket shumë e ngushtë.
Një burim pranë kompanisë “Gjoka Konstruksion” tha se kalimi përmes bajpasit nuk do të jetë i hapur për të gjithë llojet e mjeteve, por vetëm për makinat e vogla 4+1. Nuk është e qartë nëse në këtë aks do të kalojnë mikrobusët e linjave, por është e sigurt se kamionët, makinat e mëdha të transportit dhe autobusët nuk do të lejohen të qarkullojnë.
“Kamionët, autobusët dhe mjetet e tjera të tonazhit të rëndë nuk do të lejohen të qarkullojnë në këtë aks, deri në vënien në funksionim të tunelit të Murrizit”, tha një burim pranë kompanisë.
Bajpasi është një zgjerim i rrugës së vjetër, që lidhte fshatrat e Xibrit dhe Bastarit. Ajo u zgjerua me nisjen e punimeve në tunel dhe ishte ideja e kryeministrit Rama për ta asfaltuar këtë segment, i cili në të ardhmen do të shërbejë si një rrugë në funksion të turizmit në zonë.
Përmes bajpasit ka nisur qarkullimi që në prill të këtij viti. Gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare në prill 2021 rruga ishte e kalueshme për makinat e vogla, pavarësisht se shumë segmente të saj ishin të paasfaltuara. Ndërsa kalimi i makinave u kthye në një problem për kompaninë, pasi pengohej puna në kantier. Që nga prilli deri më tani, përveç asfaltimit të rrugës nga dalja e tunelit në Xibër deri në Fshat-Klos, punimet në kantier duken se kanë ecur ngadalë.
Nga muaji korrik kompania po punon për hapjen e degëzimit dalje Ura e Vashës – Klos, me gjatësi rreth 3 km, i cili këto ditë ishte drejt përfundimit, në pritje të shtresës së parë me asfalt. Në këtë segment nuk ka filluar akoma puna për ndërtimin e urës në Klos, e cila për momentin do të funksionojë me një kah lëvizje. Lëvizja në këtë urë do të duhet të rregullohet me semafor.
Puna po vazhdon edhe në segmentin Ura e Vashës – Qafa e Buallit, përgjatë luginë së Planit të Bardhë. Punimet në këtë segment janë përqendruar në dalje të Urës së Vashës, me krijimin e tarracave sipër rrugës, për më shumë siguri në lëvizje.
Një burim pranë kompanisë konfirmoi për gazetën se më 29 nëntor do të hapet rruga deri në degëzimin e Klosit, ndërsa ajo drejt Bulqizës pritet të hapet në pranverë të vitit të ardhshëm.
Në segmentin Ura e Vashës-Bulqizë, rreth 10 km i gjatë, puna ka nisur në vitin 2011. Që nga viti 2018, kur Gjoka Konstruksion e mori rrugën me PPP, në këtë segment punimet kanë ecur shumë ngadalë. Burime nga kompania thonë se aktualisht në këtë segment, përfshirë edhe degëzimin e Klosit, janë përqendruar punimet.
Ndërkohë, punimet po vazhdojnë normalisht edhe në tunelin e Murrizit. Në tunelin kryesor, që do të shërbejë për kalimin e mjeteve, aktualisht janë rreth 900 metra tunel pa u hapur akoma, ndërsa në tunelin e emergjencës kanë mbetur pa u hapur rreth 800 metra.
Sipas burimit tonë, me këto ritme hapja e tunelit do të bëhet e mundur në pranverë 2021, ndërsa për punimet e brendshme do të duhen muaj të tjerë punë.

***
Megjithëse jemi në prag të dimrit, lajmi për nisjen e qarkullimit të pjesshëm në Rrugën e Arbrit është një lajm i mirë. Kjo tregon se, pavarësisht vështirësive, nuk ka më kthim pas dhe shumë shpejt rruga do të jetë e kalueshme në të gjithë aksin nga Tirana na Bllatë, 70 km i gjatë.