Bashkim Rama, ky korife i diplomacisë shqiptare
Nga Arsim Sinani


Ike Bashkim Rama, krenaria e dibranëve

Nga Abdurahim Ashiku

Më njoftoi vajza,
me lot, me dhimbje,
IKU BASHKIM RAMA…
Iku një diplomat,
iku një dibran,
Nga më të mirët,
nga më të pjekurit,
në diplomaci,
nga më të dashurit,
në shoqëri,
diplomat karriere,
profesor universiteti,
lektor,
rektor,
Dibran
me germa kapitale…
E kam parë tek rritej
Bashkim Ramën,
Rrugëve të Brezhdanit,
me babanë e tij Hasanin…
E kam parë kur
ndër të parët,
u ul në shkollën e gjuhëve të huaja.
Kemi pas familjarisht lidhje,
Kur ishte në Gjermani,
në Bullgari,
në ministri.
Erblina ishte si bijë në shtëpinë e tij,
motër me Nevilën,
asgjë si ndante,
çdo gjë i bashkonte…
Ike Bashkim Rama, ike
na le dhimbjen,
të madhe sa se mban toka,
familjes, shokëve, miqve.
Një emër të përveçëm na le,
emër që do të udhëtojë në breza.
Një dorë dheu,
mbi varrin tënd,
sot desha ta hedh,
Nuk mundem…
Një fjalë po…
NGUSHËLLIME
Nastës,
Nevilës,
Milenës,
Albanit
Nga unë dhe Natasha,
miqve,
kolegëve…
Të rrojnë,
ta kujtojnë,
ta nderojnë,
në përjetësi…

Athinë, 14 tetor 2021

Ditë më parë iku nga kjo botë një nga figurat më interesante të diplomacisë shqiptare. S’di se si por ishte diku viti 2007, kur u njoha për së afërmi me ambasadorin Bashkim Rama. Një pedagog sistematik dhe shumë i zhdërvjelltë në punën e tij. Them se nga ai kam përvetësuar kulturën që ai e kishte në protokoll të diplomacisë por edhe një ligjërim të qartë e domethënës.
Më pastaj miqësia jonë u bë më e fortë pasi që për vite pata mundësinë të punoj me te në Akademinë Diplomatike Shqiptare. Dhe janë të shumta bisedat, diskutimet pse jo edhe shakatë pasi Bashkim Rama ishte një intelektual që dinte ta rregullonte bisedën, tavolinën, diskutimin. Dinte vërtetë dhe ishte shumë dashamirës i madh i shqiptarëve që në Shqipëri kanë nofkën: shqiptarët e trojeve.
Pse doja të shkruaj diçka për te? Duke ikur tepër i ri dhe pa e thënë fjalën e tij të fundit ndija për obligim që të shkruaj pak për te, për ta kujtuar punën e tij të madhe që e ka bërë për shqiptarët.
Në kohën sa ai ishte në zyrën Kosovës Bashkim Rama ishte një urë e madhe për komunikimin mes shqiptarëve jo vetëm nga Kosova dhe Shqipëria por edhe e shqiptarëve nga Maqedonia e veriut, Mali i Zi, e Lugina e Preshevës. Më ka rastisur vetë si gazetar asokohe që të na e bëjë agjendën për një udhëtim që kishim, e që kishte të bëjë më promovimin e vlerave kulturore të Shqipërisë.
Them se ishte një njohës brilant i kulturës shqiptare dhe i traditave gjë që e dallonte nga diplomatët e tjerë, ky ishte ambasadori Bashkim Rama siç kishim dëshirë ne ta quanim ne . Një model që secili nga ne lakmonte për tu bërë, kur bëhet fjalë për teknikat dhe mënyrën se si i trajtonte problemet.. Ishte shumë modest dhe nuk e pëlqente të mburrej për punët që bënte kjo ishte një karakteristikë e jashtëzakonshme e tij.
Në një rast më kishte nisur një letër nëpërmjet një student me një shkrim të bukur dhe me elegancën që e karakterizonte. Kjo më bën që sot ta admiroje dhe më shumë për shkak se ishte brilante në atë që e bënte, në mënyrën si shprehej, mënyrën si vrojtonte dhe mënyrën se si u qasej problemeve. Gjithnjë na motivonte dhe na jepte drejtimin e duhur që na mungonte, neve shqiptarëve të trojeve.
Por lipset thënë jo për edukatë por për të mbetur e shënuar se puna e tij me brezin e diplomatëve të Kosovës ka qenë një punë e pamohueshme dhe d.m.th. për krijimin e embrionit të diplomacisë së Kosovës. Them se Akademia Diplomatike e Republikës së Kosovës e ka për obligim që të bëjë veprimet e duhura për këtë figurë të madhe të diplomacisë shqiptare. Jo se Bashkim Rama ka nevojë për këtë, por për hir të punës që ai e ka bërë me diplomatët që edhe sot shërbejnë në shërbimin diplomatik të Kosovës, gjithandej nëpër botë.
Një diplomat që do të ja kishte lakmi gjithsecili për karrierën dhe përkushtimin e tij gjithnjë për të përfaqësuar sa më denjësisht Shqipërinë por edhe shqiptarët me theks të veçantë në Kosovë.
Ambasadori Bashkim Rama mbetet një figurë shumë domethanëse dhe interesante për tu trajtuar nga brezat që vijnë, e ne që patëm mundësi ta njohim nga afër përveç kësaj ai la pas vetes fëmijët e tij të cilët do ta vazhdojnë punën e babait të përkushtuar i cili gjithnjë mungonte në shtëpi jo me dëshirën e tij por se çështja shqiptare e kërkonte që ai të bënte veprime që ne sot të jemi faktor në Evropën juglindorë. Dhe krejt në fund batutat e tij në tavolinë s’do mend se s’mund të harrohen pasi i tillë ishte ambasadori Bashkim Rama, i hareshëm dhe i buzëqeshur.

IN MEMORIAM

Universiteti Ndërkombëtar në Strugë, me keqardhje i njofton studentët, stafin akademik dhe administrativ se sot në mëngjes ndërrojë jetë Rektori i deritanishëm Prof. dr. Bashkim Rama.
Asnjë fjalë dhe postulat nuk do të reduktonte dhimbjen familjarëve, miqve dhe studentëve, por jemi të bindur që edhe ata që sado pak e njihnin profesor Bashkimin, e dinin se ai ishte një njeri i jashtëzakonshëm, me vlera të mëdha si në aspektin akademik ashtu edhe në aspektin njerëzor.
Prof.dr. Bashkim Rama, përveç si Rektor, i cili bëri shumë për UNS, do kujtohet edhe si pedagog i dashur për të gjithë studentët e Universitetit Ndërkombëtar në Strugë dhe për të gjithë kolegët si një mik i pazëvendësueshëm.
Universiteti Ndërkombëtar i Strugës nuk është i vetmi institucion që ka humbur një personalitet siç ishte Profesor Bashkimi, i cili për dekada të tëra ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm si një intelektual, ambasador, diplomat dhe pedagog shembullor për të gjithë popullin shqiptar.

Jetëshkrim

Prof. dr. Bashkim Rama ishte Rektor i Universitetit Ndërkombëtar të Strugës (2012-2014, 2016-2021), Profesor i Shkencave Politike, i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, i Teorisë e Praktikës Diplomatike, i Studimeve të Sigurisë, pranë Universitetit të Tiranës dhe në disa Universitete të tjera të vendit dhe Rajonit.
Bashkim Rama kishte mbaruar studimet pranë Universitetit të Tiranës, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja,ku ka vijuar studimet pasuniversitare për Filozofi. Ka mbaruar Kursin e Diplomacisë. Ka përfunduar jashtë shtetit studimet “Master” për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci ku ka mbrojtur gradën Doktor i Shkencave (PhD) për “Diplomaci dhe Siguri”.
Ai ishte diplomat karriere dhe ka punuar për më shumë se dy dekada në Shërbimin e jashtëm të Shqipërisë, ku ka kryer disa detyra dhe misione diplomatike në Ministrinë e Punëve të Jashtme; Sekretar i
Parë i Ambasadës së Shqipërisë në Berlin; i Ngarkuar me Punë a.i. i Shqipërisë në Sofje; Ambasador i Shqipërisë në Bullgari, dhe Ambasador i Shqipërisë në Kosovë, drejtor i Drejtorisë së rajonit dhe vendeve fqinje në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë etj.
Është autor i artikujve, librave dhe teksteve për marrëdhëniet ndërkombëtare, diplomacinë dhe sigurinë, të botuara. Bashkim Rama ishte një prej njohësve më të mirë të situatës politike në Maqedoni dhe në rajonin e Ballkanit. Dy nga botimet e tij më të rëndësishme në këtë fusha janë librat “Faktori shqiptar dhe siguria rajonale” (Geer, 2011) dhe “Ballkani pas rënies së Murit të Berlinit -Vetëvendosja “versus” tërësia territoriale”” (Botimet M&B, 2013).