Zhvillohet edicioni i 27 i Odës Dibrane, grupi folklorik “Përparim Tomçini” fiton vendin e parë


Vëndin e parë e mori grupi folklorik “Përparim Tomçini”, Peshkopi.
Në vendin e dytë u renditën Shoqëria Kulturore-Artistike “Jahi Hasani” -Çegran, Gostivar dhe Ansambli “Folklori nder breza”- Belsh, Elbasan.
Më çmimet e treta u nderuan ansambli ”Lidhja e Prizrenit” – Kosovë, ”Krahu i shqiponjës” i grupit Çamëria-Vlorë dhe grupi folklorik “Gjergj Arianiti” – Mallakastër.

Festivali “Oda dibrane” zhvilloi edicionin e saj të 27-të në qytetet e Dibrës së Madhe Peshkopisë më datat 7-9 tetor 2021.
Në këtë manifestim të madh kulturor morën pjesë 14 grupe, shoqëri artistike dhe ansamble folklorike popullore nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Nga Shqipëria morën pjesë Ansambli “Folklori nder breza”, Belsh; Shoqata Kulturore “SKAMPA” e Këshillit të Qarkut Elbasan; grupi folklorik “Gjergj Arianiti”, Mallakastër; Ansambli “Krahu i shqiponjës” – Taip Madani, Vlorë; Ansambli “Visaret e Krrabës”, Tiranë; Qendra Kulturore Bulqizë dhe Qendra Kulturore Peshkopi.
Nga Maqedonia e Veriut morën pjesë tre shoqëri kulturore: “Jeta e RE”, Sllupçan – Kumanovë; “Jahi Hasani” – Gostivar dje “DUFLA”- Race, Shkup.
Nga Kosova morën pjesën Ansambli “Lidhja e Prizrenit”-Prizren, “Prishtina”-Prishtinë; “Hasan Prishtina”-Vushtri dhe “Shote Galica” – Drenas.
Gjatë ditëve të festivalit u zhvilluan edhe parada e kostumeve, në Dibër të Madhe më 7 tetor dhe në Peshkopi me 8 dhe 9 tetor 2021.
Në këtë festival morën pjesë afro 350 artistë, këngëtarë, instrumentistë dhe valltarë.
Edicioni i këtij viti u zhvillua njëkohësisht me “Festë e të Vjelave”, një panair tradicional me prodhimet bujqësore e të pemtarisë së Dibrës.
Interesimi i publikut ishte shumë i madh, megjithëse shfaqjet shkonin mbi dy orë, sallat kanë qenë gjithmonë plot, duke u përjetuar si një festë e madhe në qytet.
Në këtë festival u nderua edhe puna dhe krijimtaria e kompozitorit Përparim Tomçini, i cili ka qenë një nga ideatorët dhe organizatorët e parë të këtij festival. Ansambli Dibra, pjesëmarrës në këtë festival, mori emrin e kompozitorit të dashur për publikun dibran e më gjerë, “Përparim Tomçini”.
Juria e përbëre nga Isak Shehu – Mjeshtër i madh, dekan i Fakultetit të Muzikës në Universitetin e Arteve, z.Kastriot Tusha – Mjeshtër i madh, Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut, pedagog në Universitetin e Arteve dhe z. Jeton Pustina, pedagog në Universitetin e Muzikës në Tetove dhë përgjegjës për kulturën në Komunën e Tetovës dhanë çmimet për këtë edicion.
Vëndin e parë e mori grupi folklorik “Përparim Tomçini”. Në vendin e dytë u renditën Shoqëria Kulturore-Artistike “Jahi Hasani” -Çegran, Gostivar dhe Ansambli “Folklori nder breza”- Belsh, Elbasan.
Më çmimet e treta u nderuan ansambli ”Lidhja e Prizrenit” – Kosovë, ”Krahu i shqiponjës” i grupit Çamëria-Vlorë dhe grupi folklorik “Gjergj Arianiti” – Mallakastër.
*** 
Oda Dibrane e ka zhvilluar edicionin e parë të saj në vitin 1994. Ishte një iniciativë e përbashkët e artistëve dibranë dhe e Shoqatave Kulturore artistike të shqiptarëve të Maqedonisë që kishin nevoje për më shumë hapësira për jetën e tyre artistike. Ky festival, që nga ajo kohë, vazhdon pa ndërprerje.
Oda Dibrane në gjuhen popullore simbolizon dhomën e pritjes së mikut. Ajo është simbol i vatrës së besës e bujarisë, qëndresës e trimërisë së shqiptarëve, ku bëheshin dasma e kuvende, ku shpalosej urtësia e mençuria e këtij populli.
Oda ka shërbyer ndërkohe dhe si vendi ku thureshin e merrnin udhë këngët e bukura epike e lirike, ku pritej e përcillej miku i shtëpisë, ku përdorej fjala e urte e dialogu alegorik.
Festivali është një takim specifik, origjinal në llojin e vet, jo vetëm në Shqipëri, por dhe me gjerë. Është takim i këngës e valles humoristike, riteve e lojërave popullore. Qëllimi është ti rizgjojë këto vlera të papërsëritshme të kulturës tonë, t’i sjellë në kohë e ti bëjë të të asimilueshme për publikun e kohës.
Specialistët më të mirë në këtë fushë e kanë quajtur këtë festival një zbulim dhe kontribut të çmuar në traditën e kulturën shqiptare, si festivali me i rëndësishëm në Shqipëri në fushën e traditës, pas atij të Gjirokastrës.
Në shkallë kombëtare, “Oda dibrane” pasuron me origjinalitet larminë e evenimenteve artistike që zhvillohen në vendin tonë. Bashkon në një festë të vërtetë artistike popullore, artistë e studiues nga të gjitha trevat shqiptare për të promovuar një mozaik të pasur të trashëgimisë kulturore, artistike, folklorike. Pasuron jetën kulturore artistike të qytetit të Peshkopisë, duke edukuar në brezat e rinj thellësinë e mendimit të “shkollës së Dibrës” mikpritjen, bujarinë, artin fin të fjalës, të këngës e valles dibrane.
Në këto 27 vite jetë kanë marre pjesë rreth 130 grupe e shoqata artistike dhe kanë interpretuar rreth 9000 artistë.
Të gjithë emrat e shquar të artistëve popullorë të trevave shqiptare kanë marrë pjesë në këtë festival. Që nga i mirënjohuri, artisti dibran Hazis Ndreu e me radhe Ndue Shyti, Frok Haxhia, Bujar Qamili, Ilir Shaqiri, grupi çam, Arif Vladi, Liri Rasha, Vera Laçi; grupet polifonike shoqëritë artistike e kulturore nga Vlora, Saranda, Gjirokastra, Berati, Fieri; Korça, Kukësi, Puka, Lushnja, Elbasani, Shkodra, Kolonja, Prishtina, Gjakova, Prizreni, Shkupi, Kumanova,Tetova dhe e gjithe Maqedonia, Ulqini, Presheva, Medvegja e Bujanovci etj. Nuk ka trevë nga Shqipëria apo trojet shqiptare përtej kufirit që nuk ka marrë pjesë të paktën një herë në “Odën Dibrane”. Ajo ka qenë porta e parë hyrëse e shqiptarëve nga matanë kufijve për në Shqipëri.