Kur do të ketë bashkia Dibër tregun e prodhimeve bujqësore?


Prej 30 vitesh Dibra nuk ka një treg të prodhimeve bujqësore. Sot prodhimet bujqësore tregtohen çdo ditë anës rrugës së ish-parkut të makinave. Tregtohet në rrugë, pa standarde dhe po ashtu pengohet qarkullimi i qytetarëve dhe mjeteve. Shkurt: nuk kemi një treg ku të tregtojnë 1000 fermerë, vendi i tregtimit dhe produktet të plotësojnë standardet minimale dhe të parkohen 2000 mjete dhe qytetarët e mjetet të qarkullojnë lirisht. Kanë qarkulluar deri tani 6 kryetarë bashkish, por asnjëri nuk e ka zgjidhur këtë problem.
I njëjti problem është dhe për tregun e kafshëve. Ka qarkulluar ideja se nuk nevojitet një treg i tillë, sepse fermerët e gjejnë tregun përmes rrjeteve sociale. Nuk është absolutisht e vërtetë. Ndoshta 10 apo 20 fermerë kështu e zgjidhin problemin e tregut, por kjo zgjidhje nuk përbën as 1% të nevojës, pa thënë se marrëdhëniet e sigurta për shitblerjen e një produkti krijohen e realizohen në një treg fizik.
Mjafton të shohim sa njerëz e ndjekin panairin, numër i cili shkon dhe në 10,000 veta, sa njerëz shkojnë tek ky treg ekzistues i së dielës, i cili shkon në 5000 veta dhe bindemi që një treg me sipërfaqe prej 2 ha i nevojitet Dibrës. Dikush mund të thotë se tregtari le të shkojë në parcelë e ta blejë prodhimin. Edhe kjo është një mënyrë e krijimit të marrëdhënieve, por në treg njihesh jo vetëm me shumëllojshmëri prodhimesh, por edhe më shumë prodhues, e ke mundësinë të zgjedhësh. Jo vetëm kaq, por konsumatori i thjeshtë shkon e blen në treg dhe jo në parcelë, pasi shumica nuk kanë mundësinë të shkojnë direkt në parcelë.
Me përfundimin e Rrugës së Arbrit, i cili duket se është afër, nevoja për një treg të tillë do të jetë edhe më e madhe, pasi pritet të rritet kërkesa për produktet e Dibrës.
Ne mendojmë se këta fermerë që kanë mbetur e që punojnë e prodhojnë me kaq përkushtim, duke qenë “heronjtë e mbushjes së tavolinës me ushqim”, kanë merituar prej kohësh një treg me standarde.
Dibra është ndër të paktat bashki që nuk ka treg dhe është e pafalshme të mos e kemi. Le të shpresojmë se duke bashkuar dhe reagimet tuaja në këtë status, ato të “vrasin” syrin dhe mendjen e drejtuesve vendorë, Ministrisë së Bujqësisë apo më shumë, për të vënë në planin e zgjidhjes ngritjen e një tregu.
(Marrë nga Facebook
“Vizioni Bujqësor Për Dibrën”)