Radoveshi, “fshati me kulakë”
Nga dr. Besnik RAMA


Radoveshi njihet historikisht si një ndër fshatrat më të begatshme të krahinës së Gollobordës. Doje drithëra, i gjeje; doje pemë, i kishe me bollëk; doje livadhe e pyje, nuk mungonin në të katër anët; doje trima, gati ishin në çdo kohë; doje nuse për shtëpi, nuk zhgënjeheshe; doje ustallarë, mjaftonte t’i kërkoje; doje mundës, kampionë i kishe; doje burime, mund te freskoheshe si askund tjetër. Shkurt, aty nuk mungonte asgjë. Si askund tjetër, në fshat ishte dhe një arrë budallaqe, e cila nuk gabonte asnjë vit të bënte fruta me thasë.
Në gjithë këto të mira, fshatit iu ngjit dhe një e keqe, që e mbajti gati dyzet vjet. Në fillim të viteve pesëdhjetë të shekullit të kaluar e bënë fshat me kulakë. Se si erdhën punët deri aty, është e pashpjegueshme dhe e vështirë të kuptohet dhe sot e kësaj dite. Një shtëpi me kontribute edhe në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, një ditë prej ditësh u zgjua me damkën “kulakë”. Po kështu dhe një tjetër shtëpi në lagjen përballë. Në fëmijërinë time të hershme, as që ia kisha idenë se çfarë donte të thoshte kulak. Nuk bëj dot të diturin. Më vonë, kur nisa të frekuentoj bibliotekën e shkollës 8-vjeçare, hapa fshehurazi fjalorin e gjuhës shqipe dhe, me nxitim, gjeta fjalën “kulak”. E lexova gjithë frikë. E mësova kuptimin e fjalës, por nuk gjeja ndonjë lidhje mes kulakëve të fshatit tim dhe atij shpjegimi. “Fshatar i pasur” – ata nuk kishin pasuri (as kishin pasur aq sa të quheshin të pasur), “që kishte shumë tokë” – nuk kishin aspak më shumë toka se të tjerët (as para kooperativës), “shfrytëzonte punën e argatëve a të fshatarëve të varfër dhe pasurohej në kurriz të tyre” – bashkëfshatarët e mi shkonin argatë te njëri-tjetri sa herë i kishin punët deri në fyt (p.sh., në muajin e dushkut, në kohë prashitjesh apo të korrash etj.). Do thoni ju: Çfarë të shtyu të hapësh fjalorin për fjalën “kulak”?! Po vazhdoja klasën e shtatë. Në pranverë, shkolla bëri një aksion për të mbledhur humus. Shkrova një kronikë dhe m’u botua në revistën “Pionieri” (e kisha aq të dashur sa mezi prisja të vinte, ndaj postieri, Bektashi, veteran lufte, që e dinte këtë, nxitonte e trokiste në orën e mësimit për të ma dhënë në dorë). Gëzimi i botimit të asaj kronike për mua zgjati vetëm një ditë, sepse dikush nga shokët e klasës kishte vërejtur që unë kisha lavdëruar edhe Xhelalin. Xhelalin e kisha moshatar dhe shok klase, por nuk u dashka lavdëruar, sidomos në revistë apo gazetë, se ishte djalë kulakësh (ndërkohë që i ati i tij, Rifati, ishte veteran lufte!). Në darkë, mora stilografin dhe e fshiva me bojë emrin e Xhelalit te revista ime. Dhe jo vetëm të Xhelalit, po fshiva dhe dy emra të tjerë që kishin lidhje gjaku me kulakët. Me këtë veprim, e qetësova veten – mendje fëmije: fshiva emrat në revistën time, po ata ishin të shkruar në mijëra kopjet e tjera anembanë të “Pionieri”-t!
Gjatë viteve në vazhdim mësova më shumë gjëra për “të prekurit” (njerëzit me biografi të keqe), siç i përmendnin sa herë binte fjala për të cilësuarit “kulakë”. Megjithatë, nën zë mësova se “shkak” që “kishin merituar të jenë kulakë” na qenka një zënkë në kohën e luftës midis më të madhit të djemve të Izeirit, Istrefit, dhe komandantit H. Lleshi. Istrefi kishte bërë burg. Po kështu dhe vëllain e tij, Qamilin (Qamon) e kishin burgosur dy herë, herën e dytë për ca fidanë lisi që i paska prerë për hunj gardhi.
Duke u vlerësuar si armiq të klasës, kulakët mbaheshin të izoluar nga pjesa tjetër e fshatit. Ata nuk kishin triska fronti (Fronti Demokratik i Shqipërisë). Si të tillë, nuk mund të merrnin pjesë në mbledhjet e popullit, nuk kishin të drejtë të votonin, sa herë bëheshin zgjedhjet (për t’u zgjedhur as që bëhej fjalë). Shtëpitë e tyre ishin nën vëzhgim e kontroll nga sigurimi i shtetit. Nëse tek ata vinin miq, mbaheshin nën mbikëqyrje derisa iknin nga kishin ardhur. Vonë mësova se, sa herë që arratisej nga burgu ndonjë i dënuar, shtëpia e kulakëve rrethohej nga çeta e gatshme e zonës gjithë natën dhe vëzhgohej gjithë ditën se mos i arratisuri vinte e strehohej aty. Kjo duket shumë qesharake kur e kujton. Ku e si do ta gjente një i burgosur, ngado që të ishte, shtëpinë e kulakëve? Sa kohë i duhej atij të udhëtonte nga burgu deri në fshatin tonë? Frika e pushtetit ishte se mos të prekurit do të ndihmonin të pakënaqurit të arratiseshin në Jugosllavi.
Një aspekt i përjashtimit ishte mohimi i të drejtës së fëmijëve dhe të nipërve e mbesave të kulakëve për të ndjekur arsimin e lartë, edhe pse ata mund të ishin shumë të mirë apo të shkëlqyer në mësime. Fëmijët e tyre nuk nxirreshin në tabelë nderi, as në aktivitete të rëndësishme nuk guxonte kush t’i përfshinte. Ishte një diskriminim i hapur dhe askush nuk guxonte të hapte gojën.
Më bënte përshtypje se thuajse të gjithë djemtë e kulakëve punonin jashtë fshatit, kryesisht në ndërtim, ustallarë. Si rregull, çdo shtëpi e fshatit ishte e detyruar që të paktën një mashkull të rritur ta mbante në kooperativë si krahë pune. Djemtë e Rifatit ishin shumë, por, për fat të mirë, për ta nuk kishte kufizim, siç ndodhte për të tjerët. E vërteta e kësaj “tolerance” komuniste na qenka: Kulakët të mos kenë shumë djem e burra në fshat, se ngrenë kokë. Në ndërmarrje janë nën kontroll më mirë.
Përjashtim i rëndë ishte veçimi i të prekurve në konak, në dasma e morte. Nëse në një konak burrash do të ishte i pranishëm një i prekur, i zoti i dasmës duhet të bënte shumë kujdes që aty të mos fuste ndonjë komunist, ose, para se të futej aty komunisti, i prekuri duhej “transferuar” në një konak tjetër me dasmorë më pak të rëndësishëm. Po kështu dhe në raste fatkeqësish. Kur vinte ndonjë “i prekur”, e ulnin në konakun ku nuk kishte komunistë apo kuadro (kryetar kooperative a këshilli, drejtor a doktor).
Me gjithë këto shtrëngesa, në fshatin tonë ekzistonte një “harmoni e heshtur” mes të cilësuarve “kulakë” dhe pjesës tjetër të banorëve. Të prekurit, me edukatën dhe punën e tyre, impononin respekt. Sa herë bënin dasma, fshati ndiqte ceremonialet e ndryshme, megjithëse brenda avllisë hynin vetëm të ftuarit dhe fëmijët. Të organizuarit, ose ndërronin rrugë, ose kalonin “pa e kthyer” kokën.
Si simbol të “kulakëve” të fshatit po veçoj njërin, Qamon. Duhet t’i kishte kaluar të pesëdhjetat, kur unë isha nxënës në fillore dhe, si të gjithë djemtë e tjerë, shkoja për t’u qethur tek ai, ndryshe nuk na pranonte mësuesi në klasë. Ishte njeri i këndshëm, fliste me zë të plotë, pak të ngritur, por të sigurt. Tek ai shikoje një burrë që nxirrte fjalë të mençura nga goja, dinte çfarë thoshte dhe fjala e tij nuk binte në tokë. Dinte t’i jepte këshilla çdokujt. Tek ai merrnin mend edhe brigadierët e agronomët e kooperativës për punët e stinës. Një mesoburrë i papërtuar për çfarë ta doje. Një punëtor i palodhur dimër e verë. Ishte i vetmi që kujdesej për vijën e ujit që kalonte përmes fshatit. E pastronte kohë e pa kohë, edhe në ditët me akull. Nuk vazhdonte ecjen, nëse shihte në rrugë diçka që pengonte lëvizjen apo shkaktonte ndotje. Mbante elmaz e vizore dhe priste xhama sikur të ishte mjeshtër. Kavaletat e grurit dhe mullarët e barit e të dushkut askush nuk i bënte aq shpejt e aq mirë si ai. Nuk e duronte rrëmujën askund. Jetoi gjatë, e arriti demokracinë, por nuk ngriti krye kundër atyre që e shtypën. E kishin pjekur fëmijëria, vuajtjet, sakrificat, jeta gjithë sfidat. Qamos nuk i shkonte për shtat asnjë çast emri kulak. Bënte dhe mbante miq. Tek ai burrë, unë nuk munda të lexoj kurrë qenien e tij kulak. Mbahej gjithë krenari. Për gjithë sa ishte e bënte, respektohej kudo e nga të gjithë.
Rifati, vëllai i Qamos, partizan në luftë, ishte njeri i Zotit. Ai burrë që rriti tetë fëmijë, i edukoi ata me respektin për njerëzit dhe me shpirtin e punës. Punoi në ndërtim derisa doli në pension, por prapë nuk reshti së punuari. E shikoje me kosë në dorë gjatë gjithë verës dhe me parmenda e plugje në stinët e tjera. Fliste pak dhe me zë të ulët, e karakterizonte një qetësi për t’u admiruar. Kurrë nuk u dëgjua të ngrejë zërin si veteran lufte, të lavdërohet dhe të kërkojë të drejtat e mohuara. Dikush mund të mendojë se Rifati kishte frikë të ankohet, se ia bënin edhe më keq. Jo, unë mendoj se ai ndiqte një logjikë të tijën: Nuk i duheshin të drejtat atij pse kishte luftuar, sa kohë që vëllezërit e tij do të mbeteshin me “damkë”.
Fshati im, të cilit i mbeti emri “Fshati me kulakë”, veç pasurive natyrore, kishte dhe ka bij e bija të mrekullueshme, me botë shpirtërore të pasur, njerëz të punës.
Fshati im, që u damkos “Fshati me kulakë”, kurrë nuk i luftoi “kulakët” e regjimit komunist, përkundrazi i trajtoi ata me dinjitet.
Fshati im, që nuk e meritonte të quhet “Fshati me kulakë”, dha shembullin në krahinë se e di çfarë është padrejtësia dhe kurrë nuk spiunoi e nuk persekutoi “kulakët” e etiketuar nga pushtetit i asaj kohe.
Fshati im, “Fshati me kulakë”, nuk pati asnjëherë qoftë dhe një incident me “kulakët”, të cilët kurrë nuk ishin kulakë, ndaj mbetet me kokën lart.