Udhëtim në peizazhet e Gjarecës


Nga Selman Meziu

Pasdite gushti. Dielli po i afrohej përvëlues vargmalit të Runjës. Me ato njollat bukuroshe të pyjeve të ahut, sikur t’i kishte vendosur ndonjë arkitekt peizazhist. Megjithëse, njeriu edhe atje, ka filluar me i zhgarravit ato. Më duhet të le udhën majtas. E të ngjitem djathtas. Çuditërisht para pak vitesh ajo vazhdonte rrafsh. Ndërsa tani në ngjitje dhe e gërryer nga shirat. Kështu që nuk kalojnë as traktorët me zinxhirë. Poshtë saj vazhdon një rrjet teli, ku brenda jeshilon bari, drurë e shkurre të mbjellë jo më shumë se dy vjet. Në këto brigje me pak dhe, e me shumë shiste argjilore ka ndodhë çudia. Po, vërtet, uji i Drinit, teknologjia e re apo paraja e kanë zbukuruar?
Shpat me strukturë toke gurishtore. Tubacione të mëdha që ngjitin ujin përpjetë. Nëpërmjet kanalit që ndërpritet nga masa betoni e muresh. Pjerrësia dhe dheu i pakët mbi sistemin gurishtor shiste kanë sjellë emërtimin “Shpatet e Gjarecës”. Vazhdoj në drejtimin juglindor. Pas disa dhjetëra metrash udha automobilistike ndërpritet. Sa keq nuk arrin të bashkohet me ish atë horizontale, ndërtuar aty rreth viteve 1970. E cila përbënte unazën e kodrës së Gjarecës. E çfarë na duhet në këto kohë moderne e të vetëzhdukjes se dhimbshme të katundeve përqark.
Poshtë kësaj udhe në një kthesë, e cili bie thikë mbi shtratin e Drinit ngrihet Kepi i Shpajs (shtëpisë). Emërtim ndoshta i ardhur nga forma e lartësia e tij. Edhe këtu dikur, ziente në stinën e Verës nga fëmijët që laheshin poshtë tij. Rrjedhja kaltëroshe, gjarpëruese është larguar. Tani poshtë shkëmbit gjigant kemi zhavorrishte e grupe shelgjesh ngjyrë argjendi. Vazhdojmë udhëtimin shpateve të kodrës stërmadhe të Gjarecës, ose Gjarajcës pse jo Gjaricës. Pas një kurrizi vjen një luginë që zgjatet e thellohet në ngjitje, ndërsa poshtë, sa vjen e zvogëlohet, derisa nën rrugës automobilistike zhduket. Ngaqë janë disa, quhen Lugjet e Hoxhe. Shtëpitë e të cilëve duken fare mirë përballë, matanë Drinit mbuluar me gjelbërim.
Ngjitem faqeve të luginës me peizazh trishtues. Qilimi i barit të thatë në disa rrafshina gjysmë harqesh dhe ndërmjet tyre të thara nga vapa e gushtit. Këto quhen taraca ose brezare. Historia e tyre ka rrënjë gjashtëdhjetë vjeçare. Ndërtuar me kazma e lopata. Punë e lodhshme disa vjeçare e fshatarëve që punonin në NBSH (Ndërmarrje Bujqësore Shtetërore). Pra, janë produkt i forcave, energjive, vullnetit të fshatrave përqark kësaj kodre. Diku shikohet ndonjë arrë e vetmuar dhe e ligshtueme. Ndoshta nga vetmia. Ndoshta nga dhimbja e zhdukjes të simotrave. Diku lartësohet një dardhë e egër, gorricë me gjemba të forta e gjethe të vogla në formë elipsi me push të bardhë poshtë, të dendura. E mbushur me frutat e saja karakteristike. Lloji që i përballon thatësirave të tejzgjatura e këtyre shpatinave. Pastaj ferrmana në grupe. Njollat e fierit duken aty këtu me një shkamb ngjyrë të zezë pothuajse në pjesën sipërme të shpatit majtas.
Brezaret i ngjajnë një amfiteatri antik të braktisur prej kohësh. Të pushtuar mjerisht nga barëra, shkurre e drurë frutor të lodhur, vuajtur e përgjëruar nga natyra. Vështroi me kujdes një bimë barishtore në mes gurishtes si një tufëz e bardhë. Shumë e bukur. Më tej gjëmbaçi i bardhë. E takova shpesh në këto shpate kurrize e rrafshina. Pastaj pranë një shkëmbi një dëllinjë e vogël me të gjelbërtën e saj të thellë e rrethuar nga bari i gjatë mjerisht i tharë. Me andej tre arra në rresht rrethuar nga ferra të shumta. Trup vogla jashtë brezareve. Sigurisht, produkt i kokrrave të arrave që dikur mbulonin të rreshtuar këto shpate kurrize e lugina deri buzë Drinit. Ja edhe lugina e Fierit, paksa e thellë ku shërben si kufi ndarës me fshatin Brezhdan. Më sipër, një shkëmb që quhet i Zyber Sadikut (Damzi). Shumë kohë më parë këtu veronin bagëtia e fisit Hoxhe ku ngrinin stanet.
Me shumë mundime ngjitem aty ku fillon rrafshina e Gjarecës, Një puset betoni ku del ujë i kthjellët plotë kaltërsi e më pak shkumëza të bardha. Ku ai me shumë vrull hynë në një kanal betoni në drejtimin verilindje. Poshtë një arë me misër. Mbi kallirin duken mustaqet e kefejta. Ajo ka humbur të gjelbërtën e thellë. Ndërsa kjo copëz arë më ngjan me një oaz plotë jetë e jeshillëk të shkretëtirës të Saharasë. Sepse përqark saj gjithçka është pa jetë, e thatë e vyshkur, e mpirë që të idhëton, të ngrinë buzëqeshjen.
Ndjekim kanalin mbushur me ujë. I gjithi i veshur me çimento. Mund të kapërcehet nga djelmoshat mbi gjashtëmbëdhjet vjeç. Në të dy anët gjelbëron bari ose ndonjë shkurre si shkoza, frashëri e ndonjë lloji dushku. Papritmas, ai merr një kthesë dhe vazhdon udhëtimin e tij për të gjallëruar bimësinë e arave, kopshtijeve, bahçeve, e dhënë jetë liqeneve, lëndinave përroskave.
Përpara një peizazh i përthyer, me lugina e kurrize. Ato fillojnë në harkun e rrafshinës së Gjarecës, pastaj humbin për gjatë udhëtimit në zbritjen, poshtë në drejtim të udhës automobilistike Fushë Muhurr – Peshkopi. Të cilët formojnë përroin e Lleshe, i cili pas disa kilometrash derdhet në Dri. Pra, formohet një gjysmë hinke me këto relieve me prerje gjatësore që emërtohen ose thirren Lugjet e Lleshe. Vetë Gjareca ka qenë mera e fshatrave përqark, por me zbritjen e fiseve të ndryshme nga Bulaçi malor një pjesa e tyre edhe janë ndarë në toka, pyje ose kullota private.
Për ta mbajtur lexuesin lidhur pas rreshtave të shkruar po fillojmë të përshkruajmë shkurt sipas toponimeve këta peizazh sa të thyer e kurriz zhveshur aq edhe lugina që hieshohen nga drurë të veçuar shelgjesh, plepash arrash etj. Lugu i Dhelprës është këtu pranë nesh që zbret vrullshëm, por në shpate me disa arra kurorë gjëra aty këtu, “mbeturina” të gjelbërta që i kana shpëtuar kasaphanës të pas viteve ’90 të shekullit që mbyllëm. Luginë e veshur me bimësi shkurrëzash pak të dobishme që ndoshta i kanë dhënë emrit ngaqë gjejnë vend të jetojnë dhelprat. Ajo zbret deri pak poshtë rrugës automobilistike duke u bashkuar me një degëzim tjetër përroi.
Lugu i shtrembër është më pak i thellë me dy kurrize të mprehta, me shumë pak shkurre e bimësi barishtore. Rrallë herë duken formacione rrasash, duke i dhënë një pamje të zymtë. Ndërsa ndryshe shfaqet lugu i Ujit, ku kemi një burim i cili iu ka dhënë jete disa plepave e shelgjeve edhe pse të rralla. Lugu i Gjanë ka shpate me sipërfaqe të madhe e me njolla bimësie aty këtu. I tillë shkon deri në rrafshinën gjatësore të Gjarecës. Të tre këto lugina pëfundojnë mbi rrugën automobilistike duke formuar një rrafshe të stërgjatur me maje te rruga. Shumë vite më parë ka qenë e mbushur ose rriteshin mollë. Tani ka vendosur shtëpinë Sefedin Lleshi nga Bulaçi duke i kthyer peizazhit gjallërinë, bukurinë, me arat, jonxhat, misrat, bahçen, shtëpinë dhe stanin.
Tani ngjitem në rrafshinën e Gjarecës. Edhe pse pak hapësira gjatoshe me rrafshina të daluna në krahun verior e jugor në formë gjuhëzash. Nuk shikoi ndryshime thelbësore në mbulesën bimore e cilësitë e tokës. Po ai qylym bari, i pafund, i zhuritur nga vapa e tej zgjatur, me disa dëllinja trup vogla me të gjelbërtën e thellë. Përshkruar kjo nga një udhë automobilistike ku shirat e pakta kanë filluar gërryerjet duke lënë kështu gjurmët e shkatërrimit të saj.
Në rrafshen e Shenjes me lartësi 506 m mbi nivelin e detit është ngritur një antenë e kompanisë Vodafon. Kjo kullë e çeliktë të befason. Vepra e vetme, për këto tridhjetë vjet demokraci. Megjithëse pozicioni i kodrës së Gjarecës është strategjik në luginën bukurishumtë të Drinit të Zi. Ngjarjet e shumta tregojnë se ka qenë e preferuar nga pushtuesit turq, serb, bullgar etj. Beteja të përgjakshme e luftime deri trup me trup janë zhvilluar ndër shekuj nga muhurrakët e dibranët e shumtë këtyre relieveve me thyerje gjatësore. Dhe ja lexoni se çfarë më ka thanë i ndjeri Bajram Hysen Mani në një intervistë: “Në luftën e Gjarecës (1920) kanë marrë pjesë: Dini Hoxha, Hysen Mani, Liman Xhani, Dan Leka, Liman Berisha dhe gjithë meshkujt e zonës së Muhurrit”. Tokë e përthyeme, kodër në formën e një breshke, me bimësi shumë të varfër këto vite, në kapilarët e saj ka ujë, ku ka sjell burime në pjesët fundore, por në kapilarët e saj ka edhe shenja gjaku e djerse të derdhur në luftën për mbrojtjen e trojeve, familjeve e në punën për lulëzim e prodhim për të jetuar.
Ulem poshtë deri në tehun, ku fillon një luginë, por që ka shpate të pjerrëta, shtratin e ngushtë mbushur me bimësi të pa dobishme, e në fund ara të mbjella. Më tej hapet shtrati i Drinit prej disa hektarësh me ngjyrën e gjelbërt në të argjend. Ndërsa Drini ka gjetur shtratin e tij rrëzë malit të Mollës, si një kordele e kaltër. Mbi atë, një peizazh trishtues, lakuriqësi trupëruese, ngjyrë kafe, shpatesh, rrafshinash e kodrash krejtësisht të zhveshura. Rrjedhojë e shkatërrimit të mbulesës pyjore në vitet 1980, për t’i kthyer në livadhe polifite, për të ushqyer blegtorinë.
Peizazhe në të dy anët e Drinit, ku njeriu i ka shkërmoqur me vetëdije e pa vetëdije, duke ju nxjerrë brinjët. Përkundrazi, natyra me ujin e Drinit, freskues e zbukurues, ka dhuruar peizazhe në hapësirat e pafund të shtratit të tij, plotë vlera materiale e bukuri magjepse. Ne dhe natyra kundërshtare në shekuj.
Vazhdojmë shëtitjen tonë duke mbajtur tehun jugor të rrafshës, e cila vazhdon për disa kilometra. Shikojmë se kemi disa lugina me shpate shumë të pjerrëta që zbresin në fushën e mbjellë në shtratin e Drinit. Pikërisht aty nga viti 1967 ka qenë e mbuluar me shelgje e verrinj trup lartë e me rrema uji të Drinit të veshur anash, me gjelbërim. Këto sipëfaqe toke kuadrate, kuadrate quhen Çapa e Brezhdanit. Ndoshta emërtim i ardhur ngaqë ujët e Drinit të Zi një herë në disa dhjetë vjeçar e shkatërronte, e pastaj largohesh duke sjellë lym.
Në kurrizet e njërës prej tyre të pjerrëta duket një grup dëllinjash kurorë larta e të gjëra. Në mesin e ish brezareve që nuk e kanë humbur formën. E këto i shikojmë shpesh ne shpate e kurriz me kundrejtimin jugor e jug lindor. Po kështu të shpërndara arra shumë ta rralla, por me kurora të mëdha në shpate e lugjet e thella.
Ndaloi. Para meje, një trung i madh me ngjyrë të zezë i ngulur në tokë. Më tej në një rrafshinë një cung i shkulur, me rrënjë që i ngjanin, gojës së shkyer të nja kali me dhëmbët e vjetra. Pas një vëzhgimi të hollësishëm mendojmë se janë trungje gështenjash. Edhe në fotografitë e udhëtimit tim më 2008, ne relievet e Gjarecës, kam gjetur mjaft trungje të mëdha, aty këtu, kundruall rrafshes dhe përgjatë shpateve.
Nga intervistat me të ndjerin Islam Dida dhe Bajram Hysen Mani më kanë thënë se: “Gjareca ka qenë e veshur me lisa shumë të mëdhenj. Gështenjat nuk janë mell (mbjell), por kanë mbirë vetë, pra natyrale”. Peizazhi i tanishëm të provokon për të besuar, mbi bimësinë drunore në shekullin e XIX dhe fillimet e shekullit të XX. Por ngrohja e rruzullit tokësor, nga ndryshimet klimatike e veprimet e tjera të njeriut i kana zhdukur ato. Por përse vallë në kodrën e Mizës nga një cung vegjetojnë, tre apo gjashte filiza gështenjash?
Filluam të vrojtojmë me kujdes tokën, cungjet dhe përhapjen e tyre. Toka ishte e kuqrremtë, me strukturë rriskash, pra shistoze, mjaft e përshtatshme për zhvillimin e gështenjës. Ndërsa aty-këtu gjetëm trungje, me përmasa të mëdha, të thara, me ngjyrë pothuajse të zezë. Ndërsa nga trungjet e rinj fidanët ishin të shëndetshëm, por me lartësi deri në tre metra. Ato prodhojnë shumë pak ose aspak. Kodra bie në formë shpati drejt lagjes Lleshe, ku sa më shumë i afrohemi rrugës automobilistike, ato rrallohen e zhduken krejtësisht.
Nga kodra e Mizës shikojmë poshtë në Lugun e Madh, livadhe të gjelbërta në zbritje njëri pas tjetrit, me dy shelgje vajtues, me kurorë jo vetëm bukuri joshëse, por gjigante. Ky formon me gjithë lugjet e tjerë nën rrugën automobilistike përroin e Lleshe.
Pas shpatit të luginës të sipër përmendur,formohet Lugu i Vogël ku duken mjaft mirë tarracat dhe disa molla kurore sakatuara aty këtu të hallakatura. I rrotullohemi kodrës duke dalë në kundrejtimin verilindor ku kemi krojin Fajk, fare pranë rrugës automobilistike. Më sipër gjendet Hurdha e Xhilit (Lleshit S.M). Sipër saj kemi krojin e Fikët. Në vazhdim formohet lugina e Avdiut ku gështenjat pas një zbritje prej dhjetëra metrash zëvendësohen nga arrat kurore mëdhaja. Diku këndej në këto shpate ndodhet Hurdha e Llanit.
Shpati vazhdon me pjerrtësi të butë drejt rrugës, derisa arrijmë te kurrizi i Zhuzhe. Fis mjaft i madh ky me troje nën rrugën automobilistike, i cili edhe ky ka ardhur nga fshati malor i Bulaçit. Lëmë Kodrën e Mizës ku na pret udhën kanali me ujë të kthjellët si vazhdimi i tubacioneve që kalojnë përmes lagjeve Mikle e Mëzeze të Fushë Muhurit, të cilat lidhen me Kanalin e Madh të hapur në vitin 1967. Ky kanal e merr ujin nga gjurra e Kumbullës në shtratin e lumit Murra, nën Rrabos, shpati juglindor i malit të Shmrisë.
Kaloi kurrizin dhe afrohem te një bunker. Duket si i pa mbaruar. Pra i papërdorshëm në kohë lufte. E çuditshme kjo! Të vetmin që kam takuar gjatë udhëtimit në një sipërfaqe prej 100 hektar të kodrës së Gjarecës. Kjo duhet të jetë Kodër Shame. E këtu më tej kemi Lugun Risk, ku zbret në pjesën e sipërme të tokave të Çapës.
Kalimi i një udhe automobilistike për tu ngjitur në Rrafshen e Gjarecës ka sjellë grryerjen e saj duke krijuar kanale të shumta. Ndërsa përbri saj, një përrua të vërtet ka krijuar uji i kanalit i lëshuar drejt liqenit të Zhuzhe. Në disa vende kemi bimësi të ndryshme shkurrore si: plepa, shelgje, frashër, krekëza, dëllinja etj., të cilat praktikisht pengojnë gërryerjet. Ndërsa kurrizi në zbritje, në të djathtë, ka gështenja me madhësi të ndryshme. Toka ka karakteristikat e kodrës së Mizës, e cila pëlqehet nga ky lloji druri.
Takojmë udhën automobilistike, ku në një puset, brenda së cilës ka mbirë e vegjeton një shelg kurorë dendur. Produkt i ciklit natyror, nga fara mbirja në lymin e pusetës, rritja në kushtet, uji dhe tokë brenda në dhomëzën prej betoni.
Dielli po perëndon, ku së bashku me retë e kuqe, pasqyrohen në ujërat e liqenit prej 3415 m², duke dhuruar një mrekulli natyrore në këtë buzë mbrëmje gushti. Në cepin verior kemi shtarën që ka mbuluar, si maja shigjetash atë, me të gjelbërtën e thelle. Përqark liqenit me gjatësi prej 771 dallojmë shelgje, vidha ferrmane ne lulëzim e barëra të ndryshme të gjelbërta. Kuptohet gjallërinë e bukurinë mrekulluese ua ka dhuruar uji i liqenit. Nga gurra e Kumullës të lumit Murra. Natyra dhe njeriu të miqësuar.