Balluku inspekton rrugën e Arbrit, bën thirrje për respektimin e sinjalistikës


Rreth 200 makina kanë mbetur të bllokuara sot në drekë në Qafë Murrizë, në by-passin e Rrugës së Arbrit që lidh Zall Bastarin në Tiranë me Xibrin në Klos.

Qytetarët e kanë shpërfillur njoftimin e kompanisë “Gjoka Konstruksion”, e cila më 23 nëntor njoftonte se “Rruga e Arbrit vijon të jetë e mbyllur deri më 29 nëntor”.

“Të gjithë qytetarët që udhëtojnë nga Tirana në drejtim të Peshkopisë dhe anasjelltas, të vijojnë të frekuentojnë akset e tjera rrugore lidhëse me Tiranën deri më datë 29.11.2021, pasi RRUGA E ARBRIT VIJON TË JETË E MBYLLUR. Kërkojmë mirëkuptimin e përdoruesve të mjeteve dhe të banorëve deri në njoftimin e radhës për qarkullim në Rrugën e Arbrit”, – thuhej ne njoftimin e kompanisë “Gjoka Konstruksion”, të shpërndarë për median më 23 nëntor si dhe të botuar edhe në faqen e saj zyrtare në Facebook.

Një lexues njoftoi sot (27 nëntor, 15:00) se në by-passin e rrugës, në Qafë Murrizë, qindra makina janë duke pritur me shpresën e hapjes së rrugës, ndërkohë që policia e ka bllokuar atë. Një qytetar tha përmes telefonit se bllokimi për një kohë të gjatë, ndërkohë që binte edhe shi i vazhduar, ka vënë në vështirësi drejtuesit e makinave. Në këtë orar bllokimi, për shkak se shumë prej tyre e kanë bërë këtë rrugë për herë të parë, madje edhe me fëmijë, kra krijuar një gjendje paniku. Disa drejtues mjetesh kanë dalë në korsinë tjetër, ç’ka e ka bërë të pamundur edhe kthimin mbrapsht. 

Policia ishte e pranishme në vendngjarje, por ajo e ka zhbllokuar trafikun pas më shumë se 2 orë pritje. Rreth orës 4 pasdite trafiku është zhbllokuar dhe makinat u lejuan të kalojnë. 

Radha e makinave tashmë ka kaluar, por autoritetet bëjnë thirrje që deri të hënën të mos kalohet në këtë aks.

Balluku inspekton punimet para hapjes së rrugës për qarkullim



Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga
drejtori i Policisë Rrugore në Policinë e Shtetit, Altin Qato dhe administratori i shoqërisë “Gjoka ‘87”, Erind Gjoka, kanë zhilluar më 26 nëntor një inspektim gjatë gjithë aksit të rrugës.

Po e hapim këtë aks rrugor para afatit kontraktual”, – tha në një ‘video live’ të shpërndarë një ditë më pas në faqen e saj në FB ministrja Balluku.

“Kontrata e mbarimit të saj është në pranverë 2022, megjithëse ne po e hapim para kohe, me qëllim lehtësimin e trafikur gjatë periudhës së dimrit”.

Ajo bëri thirrje për një vëmendje të shtuar gjatë qarkullimit në këtë aks, pasi “jemi në kushtet e kantierit, kështu që duhet shumë kujdes nga ana e drejtuesve të automjeteve”.

“Ne i kemi marrë të gjitha masat” – tha Altin Qato, drejtor i Policisë Rrugore në Policinë e Shtetit. 

Kemi nxjerrë urdhër shërbimi për në të dy akset, si në qarkun e Tiranës ashtu edhe në atë të Dibrës. Do të jetë shërbim i shtuar në kontroll dhe shpejtësia do të jetë e kufizuar. Do të ushtrojmë kontrolle me qëllim rritjen e parametrave të sigurise”, tha Drejtori i Policisë Rrugore.


Erind Gjoka, administratori i kompanisë koncensionare “Gjoka ‘87” i tregoi ministres Balluku proceset e fundit t
ë punës, para se të nisë qarkullimi zyrtarisht më 29 nëntor 2021.

“Jemi duke vendosur sinjalistikën rrugore, vizimet, barrierat mbrojtëse, tabelat dhe në  bashkëpunim me policinë e shtetit, besojme se deri ditën e diel, gjithçka do të jetë e përfunduar”.

Erind Gjoka përsëriti thirrjen për drejtuesit e mjeteve që “të respektojnë sinjalistikën, pasi jemi akoma në një kantier ndërtimi”.

“Rruga është e bukur, – tha ministrja Balluku, – është e parametrave europianë dhe ndoshta të thërret pak edhe për shpejtësinë, por kjo nuk duhet të ndodhë, pasi është një rrugë e re dhe do të dojë pak kohë të ambientohen edhe drejtuesit e mjeteve me ketë pjesë të rrugës”.

Balluku tha gjithashtu se “by-passi, prej 8.8 km, është ndërtuar nga kompania Gjoka pa i shtuar asnjë kosto projektit,pavarësisht  çfarë dëgjojmë kohët e fundit, dhe është bërë për të lehtësuar lëvizjen”.

“Në tunelin e Murrizit, 3.8 km të gjatë, kemi hasur në formacione argjilore  me rrjedhje të mëdha uji, duke krijuar rrëshqitje të herë pas hershme, duke e kthyer në një nga tunelet më kompleksë në këtë aks rrugor, pavarësisht se kjo rrugë ka edhe 5 tunele te tjere”.

Duke pasur parasysh se by-passi kalon në zonë malore, Balluku tha se “gjatë ditëve me reshje bore, rruga do të jetë e mbyllur për qarkullim”.

 “Në rastet kur do të ketë reshje dëbore, ne do të detyrohemi të mbyllim pjesën e by-passit. Bashkë me ARRSH kemi bërë  një kërkim për tre vitet e fundit dhe, pak a shumë, nuk rezulton më shumë se 5 ditë me borë në tre vitet e fundit . Në këto ditë me borë by-passi do të mbyllet dhe do të përdoret rruga e vjetër” – theksoi ministrja Balluku.

Rruga, e cila do të jetë funksionale me datë 29 nëntor 2021, përveç by-passit, ka edhe një segment tjetër ku duhet pasur kujdes të shtuar, në shkallën e Tujani, rreth 2 km.

Punimet në këtë segment janë kryer përpara se “Gjoka ’87” të merrte rrugën me koncension  dhe, ashtu si në segmentin Ura e Vashës – Qafa e Buallit, ka nevojë për punime shtesë, sidomos mbrojtje anësore nga rënia e gurëve dhe krijimi i taracave të sigurisë. Në Shkallën e Tujanit, 2 metra nga ana e malit nuk janë asfaltuar, me qëllim krijimin e një hapsire sigurie, por edhe për vazhdimin e punimeve në rritjen e parametrave të sigurisë.

Kilometri “0” në rrugën e Arbrit nis sapo kalon Tufinën. Deri në Klos rruga është e gjatë 35 km, 70 km më pak se në aksin tradicional nga Shkopeti. Ky segment, duke respektuar sinjalistikën e vendosur, parashikohet të kalohet për  më pak se 50 minuta.

Shënim: Për të ndihmuar në rritjen e sigurisë rrugore, meqë ky aks i rrugës së Arbrit është krejtësish i ri, gazeta ka përgatitur disa këshilla për drejtuesit e mjeteve, të cilat mund ti lexoni në linkun më poshtë:

http://rrugaearberit.com/2021/11/06/disa-keshilla-per-te-qarkulluar-te-sigurt-ne-bypass-in-dhe-tunelet-e-rruges-se-arbrit/