Agron Tufa: “Ngjizja e papërlyeme” është një sagë rrëqethëse e shoqërisë shqiptare në fillim të viteve ’60


Në roman u kushtohet vend i rëndësishëm diskurseve etike të marrëdhënieve të artistit me të vërtetën dhe mënyrës sesi duhet të shprehet e vërteta, pa e shkatërruar artistin, sikundërse dhe marrëdhëniet e shkrimtarit me misterin e pashpjegueshëm të krijimit. Samuil Ismari dhe miku i tij Dario S. janë të përpirë nga misteri i shtatzënisë së Ljuba Borisovnës.

Foto ©: Blerta Celibashi

I dashur Agron, romanin tuaj voluminoz “Ngjizja e papërlyeme”, që do të paraqitet për herë të parë në stendën “Onufri” në Panairin e Librit, kam pasur fatin ta lexoj në dorëshkrim. Qysh në prologun e tij, leximi më solli në mendje tregimin e shkurtër të Kadaresë “Vdekja e gruas ruse”. Por, në qoftë se mundësitë e tregimit janë të kufizuara, proza juaj (shumë) e gjatë na jep, mbase për herë të parë në detaje, vuajtjet, burgosjet, internimet, divorcet e vajzave ruse që erdhën pas djemve shqiptarë mijëra kilometra larg vendit të tyre. Një fakt që na bën të ndihemi keq, si nënshtetas të këtij vendi, kur diktatura burgosi si agjente këto nuse, ndërkohë agjentët e vërtetë të KGB-së ishin në instancat më të larta të shtetit shqiptar. Doja t’ju pyesja fillimisht: Mos është kjo një nga arsyet kryesore që e shkruat këtë roman?
Ka qenë një ngacmim i hershëm ideja për t’iu qasur thelbit tragjik të qindra fateve njerëzore ku, tok me divorcin ideologjik, diktatura nuk kurseu ndarjen e përjetshme të burrave me gratë dhe fëmijët e përbashkët nga këto martesa. Diktati politik i partisë-shtet për herë të parë në historinë njerëzore ndërhyri në shtretërit bashkëshortorë për t’i dëbuar burrit gruan e vet. Një gjë të tillë të dhunshme nuk e ndeshim as në subjektet e miteve antike. Pra, u guxua të preket shenjtëria e shenjtërive, kurora e martesës, sakramenti, rrjedhimisht, familja. Si nga etika religjioze, ashtu dhe nga etika mondane, kjo ishte një katastrofë shokuese që la plagë të pashërueshme dhe pengje të përjetshme në shpirtrat e burrave, grave dhe fëmijëve. Historikisht është e dihet: direktiva e pushtetit komunist, fill pas prishjes së marrëdhënieve me BRSS-në, qe prishja e martesave shqiptaro-ruse, kthimi i nuseve ruse në atdhe, që përbën një akt zhburrnimi për burrat shqiptarë (që s’duhej e s’duhet falur) dhe, njëkohësisht, pohimi i besnikërisë pa kushte të këtyre burrave para Partisë. Por jo gjithkush e pranoi këtë zhburrnim. Martini, heroi i pushkatuar i romanit, përfaqëson imazhin përmbledhës të atyre që nuk u bindën, nuk deshën të zhburrnohen.
Kur isha student në Institutin “Gorki”, më qëlloi të lexoja në revistën “Nash Sovremenik” (Bashkëkohësi ynë) romanin autobiografik të një shkrimtareje me dy tituj, rusisht dhe shqip: “Zhdu tebja”/ “Të pres”. Një rrëfim dhe përjetim i dhimbshëm i ndarjes së autores me të shoqin shqiptar në Tiranën e vitit 1961. Më vonë pata rastin të shihja në festat kombëtare të ambasadës sonë në Moskë shumë gra dhe bijtë e bijat e tyre që i kishin ndarë dhunshëm nga burrat/etërit e tyre. Kam parë, gjithashtu, burra pleq që u kishin dhënë besën nuseve të tyre kur i ndanë, se do të ribashkoheshin. Këta burra pleq, edhe pse Partia i kishte shtrënguar të martoheshin, madje të bënin sa më shumë fëmijë, me rastin e parë që u dha, në vigjiljen e rrëzimit të diktaturës, u arratisën, si fillim në Sofje, mandej me tren deri në Moskë, ku i prisnin njëmend nuset e tyre, sipas besatimit. Veçse nuset ruse vërtet nuk qenë martuar (flas të paktën për rastet që kam njohur vetë). Drama të rënda që shkojnë përtej legjendave. Përfytyroni, gruaja hap derën e apartamentit në orën 21.00 të mbrëmjes dhe befas sheh përballë, pas 31 vjetësh, të shoqin e saj shqiptar të cilit i ka qëndruar në besë: gruas i bie të fikët dhe e dërgojnë në spital. Pas tre muajsh burri i thotë të vërtetën, se atë e kanë detyruar të martohet dhe ai ka braktisur në Shqipëri familjen e vet, gruan dhe 7 fëmijët. Gruas sërish i bie të fikët dhe vdes në spital.

Romani, tetralogjia “Ngjizja e papëlyeme”, është ndërtuar në bazë rrathësh interferues rrëfimorë, gjithsej katër, me një prolog dhe epilog të zhvendosur në kohën e sotme që legjitimon instancën nga ku shkarkohet rrëfimi dhe një intermexo, “Orë pa akrepa”, që na jep idenë e palëvizshmërisë, pezullimit të rrjedhjes së Kohës. Rrathët rrëfimorë janë romane që kanë në epiqendër një protagonist, i/e cili (cila) ose rrëfen në vetë të parë, ose na jepet në veprim përmes vetës së tretë.

Momenti i dytë dhe shtysë për t’iu kthyer kësaj tragjedie kanë qenë regjistrimet e të mbijetuarve nga kampet dhe burgjet e komunizmit, që i bënim me poeten Luljeta Lleshanaku për ISKK, ndër të cilat edhe rrëfimet e nuseve ruse, që duruan kalvarin e burgjeve dhe internimeve, por nuk u ndanë. Sigurisht, disa nga gratë që e kaluan këtë kalvar të hidhur kanë shkruar dhe memuaret e tyre në gjuhën amtare, e ndonjë edhe është përkthyer.
Për fat të keq, nëse përjashtojmë tregimin e trishtë të Kadaresë që përmendët ju, “Vdekja e gruas ruse”, dhe një skenar filmi po të Kadaresë, “Sorkadhet e trembura”, u gjet madje dhe regjisor rus që do ta realizonte (s’di pse nuk u finalizua ky projekt), gjë tjetër në letërsinë tonë nuk është shkruar. Në një rrafsh të përgjithshëm ky, pa dyshim, ishte një turp kombëtar dhe tjetërsim i neveritshëm i traditës sonë, për të cilën duhej folur, por letërsia i qaset dramës në vetë të parë, duke i shpërfillur pyetjet “çfarë” dhe “pse”; letërsisë i intereson pyetja “si”: si ka mundur të ngjasë kjo gjëmë e padëgjuar deri në regëtimat e drithërimat më të fundit?

Shumë shkrimtarë dhe artistë shqiptarë  që përfunduan studimet në BS, kanë pasur histori dashurie, fejesa, martesa, divorce me vajza ruse. Ja, për shembull, duke bërë një paralelizëm me një nga personazhet e romanit tuaj, e përfytyroj dhimbjen e një poeti si Dritëro Agolli kur përcjell në Rinas gruan e tij ruse së bashku me djalin e tyre të vetëm. Por nuk di që Dritëroi të ketë shkruar për këtë temë. Mos ishte kjo një tabu? Mos ndoshta kjo dhimbje nuk i shkonte frymës anti-BS dhe kjo në letërsi ishte gati e pamundur? Por, megjithatë, pas vitit 1990  kjo temë nuk ishte më e rrezikshme. Si mendoni ju?
Ajo që më habit edhe mua është se nuk kanë shkruar për këtë “zhburrnim” as vetë shkrimtarët. I bie, paradoksalisht, në përgjithësi, se shumë shkrimtarë tanët të viteve gjashtëdhjetë nuk kanë shkruar asgjë që të ketë lidhje me ndonjë të vërtetë, shoqërore qoftë ajo apo individuale, e aq më tepër për një të vërtetë të tillë kaq thellësisht private e të dhimbshme. Nuk kam një përgjigje racionale, por Zoti na faltë për nja dy-tri hamendje që kam rreth kësaj heshtjeje.
E para, mendoj se ka të bëjë me një peng të parrëfyeshëm, një ndjenjë bezdie e turpi që “agjencitë e nënvetëdijes” e fshijnë me “regjim heshtjeje” diç të pakëndshme që u kujton minutat e dobësisë, kujtesën e turpshme. Pse? Se ata iu përgjigjën flakë për flakë direktivës së Partisë, sikundër i përgjigjeshin burrat autoritetit paternal në Kanun, për ta ndarë gruan kur shkel normat tabu. Veçse këto gra e nuse të reja s’kishin bërë asgjë të turpshme, siç kam pasur rastin të dëgjoj intervistat dhe jetëshkrimet e tyre. Madje, ato kishin të ngulitur një bindje romantike, të pastër apo naive në vetëmohim, për t’i ndjekur burrat që donin deri në fund të botës, ashtu si gratë e Dekabristëve ndoqën burrat e tyre në Siberi.
E dyta, ka shumë gjasa që, paraprakisht, me paramendim, Sigurimi të ketë ndërhyrë, ndërkohë, të ketë siguruar fakte apo simulime faktesh me situata komprometuese për prestigjin dhe nderin e këtyre grave. Varet pastaj nëse këto “komprometime” që hidhnin hije mbi nderin e tyre u janë thënë burrave të tyre para apo pas ndarjes. Baza për të menduar kështu ka, madje të dokumentuara.
E treta, ka të bëjë me ekuilibra të brishtë mes burrave dhe grave që zëvendësuan nuset e dëbuara ruse, ka të bëjë me obsesivitetin e tyre dhe shkallën e trysnisë që do të ushtronin mbi burrat këto gra, nëse burrat e tyre do të guxonin të zhvarrosnin historitë e një romantike të dënueshme në sfondin e tashëm familjar.
Fakti që nuk shkruan, pavarësisht para apo pas vitit nëntëdhjetë, nuk përligjet me asgjë. Shkrimtari shkruan edhe për sirtar, në çdo kohë. Aq më tepër për rastin në fjalë që ishte një llogari e hapur dhe e ndjeshme me ndërgjegjen. Por kjo tashmë është një pyetje tjetër që prek raportet e shkrimtarit shqiptar me ndërgjegjen e vet dhe se kjo i përket sociologjisë së moralit.

Keni mbaruar Institutin e Letërsisë së Huaj “Gorki” në Moskë. (Në vitin 2010, ndërsa shoqëroja Kadarenë në Moskë, insistova të shihja dhomën e tij në konviktin e institutit. Atje mësova se pikërisht në atë dhomë keni jetuar edhe ju gjatë studimeve.) A mund të na thoni se ç’gjë tjetër u kujtonte Kadarenë (apo shkrimtarë të tjerë, si S. Spasse, D. Siliqi, Dh. Xhuvani): lëndët, pedagogët…
As vetë nuk e dija kur shkova më 1994, por duke rilexuar “Ftesë në Studio” dhe “Muzgu i perëndive të Stepës”, që i kisha me vete, kur Kadareja përshkruan atmosferën surreale të konviktit të Institutit “Gorki” (në fakt, ashtu e gjeta edhe unë, madje edhe më surreale), përmend aty edhe numrin e dhomës së tij. Siç isha me libër në dorë, u ngrita dhe dola jashtë të shoh në derë: i njëjti numër! Ua thashë këtë fakt bashkëstudentëve shqiptarë, madje njëri më ofroi një shumë markash gjermane për t’i ndërruar dhomat, por miku im, Korab Hoxha, më tha: po më dëgjove mua, Gon, mos e shkëmbe.
Për Kadarenë dhe shkrimtarët shqiptarë të brezit të fundit të viteve gjashtëdhjetë pata rast të flas gjatë me zyshën time të rusishtes, Magdalena Rubianovna, një zonjë me origjinë armene në prag të pensionit; e kishte filluar vitin e parë të mësimdhënies pikërisht me shkrimtarët shqiptarë, si Aliabdi Hoxha (ajo i kishte ndihmuar atij të përkthente romanin “Një vjeshtë me stuhi”), Dhimitër Xhuvani, Ibrahim Uruçi dhe veçanërisht dy, të cilët ajo i mbante mend më mirë e më pyeste për ta: Ismail Kadare dhe Drago Siliqi. Për Kadarenë kishte dëgjuar dhe kishte lexuar tashmë tri vepra të përkthyera në “Inostranaja Literatura”: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Sjellësi i fatkeqësisë” dhe “Dimri i madh”. Madje, në bazë të këtyre veprave të përkthyera në rusisht, pata bërë në vit të katërt shpërndarjen e tyre ndër studentë rusë e të huaj dhe zhvillova një seminar rreth tyre me krijuesit e Institutit “Gorki”. Për Dragon, që gjithashtu e mbante mend dhe e kishte pasur shumë për zemër, zysha qau kur i fola për aviokatastrofën e tij mbi shkretëtirat mongole. Kjo zonjë e mrekullueshme, ndjesë pastë, më thoshte: shih si u përftua me mua një kompozicion unazë: e nisa vitin e parë të mësimdhënies me shkrimtarët shqiptarë, Kadare me shokë, dhe po e mbyll po me shkrimtarë shqiptarë.
Rektori i atëhershëm i Institutit “Gorki”, Sergej Jesin, gjithashtu njëfarë shkrimtari, tregoi interes të madh gjatë një darke kur i fola për “Muzgun e perëndive të Stepës” dhe donte me çdo kusht ta botonte, si duket për ta vënë si simbol të Institutit, pasi nuk dinte të kishte shkruar kush tjetër një roman për Institutin “Gorki”.

Një nga personazhet kryesore të romanit është Martin Gega. Herë pas here, gjatë leximit më duket sikur Martini është alter egoja juaj. Dhe në vijim të kësaj pyetjeje: cili është dallimi midis një studenti të 1960-s në Rusi me studentin Agron Tufa tridhjetë e ca vjet më pas? A mund të na flisni nga përvoja juaj jetësore për vajzat ruse apo nuk do të donit ta ndani këtë me lexuesit tuaj?
Në njëfarë mënyre po, është një alter ego e spostuar në kohë, në rrethana tragjike, në të cilat unë, ju, çdo lexues normal, do të kishim mbetur të martirizuar, jo prej paaftësisë për t’u përshtatur, por për dinjitetin thelbësor që vë në diskutim “lulen e nderit” burrnor, pa të cilën jeta humbet kuptim e përmbajtje. Një pjesë e madhe e protagonistëve të romanit kanë frikëra fizike dhe bëjnë çfarëdo kompromisi, capak të tjerë frikën më të madhe kanë humbjen e dinjitetit dhe poshtërimin.
Por një student i viteve nëntëdhjetë, siç isha unë, pas rënies së mureve ideologjike, gjendej në një hapësirë lirie të shfrenuar dhe indiference, jashtë konteksteve kohore e koniunkturore të viteve gjashtëdhjetë. Detyra ime ka qenë të mos harroja qëllimin kryesor përse gjendesha aty, të bëja më të mirën e mundshme duke përfituar sa më shumë kulturalisht për çfarë më interesonte, të disiplinoja kaosin që të gëlltiste lehtë me aventurat, pleksjet në histori ekscentrike, të ruaja pavarësinë time. Krahas studimeve në “Gorki” e më vonë në Institutin e Kulturave Europiane, në vitet 1996-2001 isha pedagog i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare (MGIMO), çka më jepte pavarësi financiare për të jetuar, për të blerë libra, për të shkuar në teatër, për të udhëtuar etj.
Vajzat ruse, të paktën të rretheve letrare e filologjike me të cilat kisha të bëj, mendoj se kanë qenë të njëllojta me ato të viteve gjashtëdhjetë, pa shumë luhatje, nëse flasim për natyrën romantike e sentimentale. Duheshin bërë llogaritë mirë e seriozisht në lidhjet dashurore me to, sepse pasioni dhe shenjtëria karakteristike me të cilën i përkushtoheshin ato një lidhjeje dashurore dhe gatishmëria për të sakrifikuar kishte një bukuri të tmerrshme, tronditëse. Kështu që ishte gjithmonë me rrezik të ishe i përfshirë.

***
Shumë personazhe në roman, për mendimin tim, janë lehtësisht të identifikueshme nga emrat dhe karakteret e tyre dhe doja t’ju përgëzoja për mjeshtërinë tuaj në portretizimin dhe karakterizimin e tyre: Samuil Ismari, Nesho Dragoi, Dritan Agalliu, Dario S., Damjan Shpërdheja etj. Ndërkaq, më lind krejt natyrshëm pyetja se pse e keni ndier të nevojshme ta bëni këtë? Cili është qëllimi juaj në këtë rast? (Zakonisht shkrimtari i pararend një gjëje të tillë dhe e paralajmëron lexuesin se këtu kemi të bëjmë me roman.) Më krijohet përshtypja sikur ju doni ta theksoni posaçërisht identitetin e tyre.
Jeta e tillë është: e tëra një radhë e pasosur me déjà vu: ngjajnë njerëzit, ngjajnë situatat, ngjajnë emrat, pasionet dhe bëmat. Romani është i lirë ta lërë lexuesin t’i bëjë vetë lidhjet asociative, ashtu si në jetë: e rëndësishme është që ligjësitë letrare t’i binden frymës së asaj të vërtete me të cilën rrojnë, veprojnë e shpresojnë protagonistët, të mirë apo të ligj. Sigurisht, dikush me dikë do të ngjajë, se për mishërime letrare të një brezi të caktuar është fjala. Unë nuk e vura klishenë e njohur e të gatshme paralajmëruese, sepse më duket se kështu fyej inteligjencën e lexuesit, i cili e sheh që shkruhet që në kopertinë “roman”.
***

I dashur Agron, nuk gaboj kur shprehem se kjo është kryevepra juaj dhe një nga romanet më të mira të pas viteve ’90 në letërsinë shqipe. A mund të na flisni për procesin tuaj krijues? Sa kohë ka zgjatur të shkruarit deri në dorëzimin te ne të dorëshkrimit? Çfarë ka ndikuar së tepërmi në këtë roman, çfarë keni ndier, a ju ka sjellë gëzim, a keni hasur vështirësi deri në përfundim. Dhe në fund titulli: “Ngjizja e papërlyeme”. Një mrekulli! Po si erdhët deri këtu dhe a ju duket sikur keni shlyer ndonjë borxh moral për sivëllezërit tuaj krijues të kohëve të vështira të diktaturës?
Faleminderit i dashur Bujar dhe e çmoj shumë mendimin dhe shijen tuaj. Unë ende nuk jam në gjendje të përcaktoj se ku jam me këtë roman. Më mirë është të mos mendosh e të vijosh veprën tjetër (çka po e bëj). Siç thashë në krye, ideja e romanit e ka pasur fillin që kur isha student në Institutin e Letërsisë “Gorki”, me disa nxitje të tjera, të mëvonshme. Romanin e kam filluar në dhjetor të vitit 2014 kur isha ftuar për një qëndrim njëmujor në një rezidencë shkrimtarësh në Wannsee, Berlin. Shkrova disa fragmente që m’u dukën pa lidhje dhe e braktisa. Kam provuar edhe disa herë në Tiranë, por ndieja se ky tip romani të donte t’i kushtoheshe me kohë të plotë e të pandërprerë, jo me thërrime të tepruara kohe. Provova sërish vitin e kaluar, por nuk isha i qetë. Romani u shkrua nga 11 qershori i këtij viti deri në 17 shtator, duke shkruar përditë, shpesh me nga 7-8 orë. Ka qenë romani im më i vështirë, pasi duhej përshtatur mrekullia e lindjes misterioze me një përditshmëri të ngjeshur realiste deri në çikërrima. Me romanet e mëparshme e kam pasur shumë më të lehtë. Koha e shkrimit më zgjaste një javë deri në një muaj. Kam ndier pa dyshim gëzim, çlirim dhe një lehtësim të madh jo vetëm nga tirania e një pune të rëndë, ndonëse asnjëherë gjatë procesit të shkrimit nuk e ndieja.
Shkrimi vetë të çliron edhe nga disa stereotipa paragjykimi ose gjykimi të cekët kur flitet për paraardhësit. Nuk besoj se ka pasur kohë më të vështira në planet për të shkruar letërsi të vërtetë sesa vitet e diktaturës komuniste në Shqipëri. Të arrish të shkruash një tregim të mirë, një cikël poezish a poemë të mirë artistikisht apo një roman të shkruar profesionalisht bukur, jashtë dogmës, ky është, pa ekzagjerim, njëmend heroizëm kulturor, rezistenca më e mirë, sepse qëndresa më e mirë është ajo e gjuhës dhe stilit të shkrimit. Dakord, pak, madje shumë pak ka pasur prej kësaj cilësie, por ka pasur dhe është shenjë se diku, dikush ia ka dalë të triumfojë estetikisht me mjetet e gjuhës dhe mjafton për të qenë madhështore. Le ta shpërngulim veten, pra, kur gjykojmë, le ta vendosim shkrimtarin që gjykon nga lartësia e sotme bash në vitet e survejimit të shumëfishtë dhe ta shohim se në çfarë epilepsie ekzistenciale do të përpëlitet. Përmes këtij romani unë kam provuar të kridhem në kohë dhe ta jetoj si në lëkurë përditshmërinë psikotropike të viteve gjashtëdhjetë, të jem njëri nga kolegët e asaj breznie.

(Intervista botohet me shkurtime. Për intervistën e plotë shih linkun origjinal:
https://exlibris.al/agron-tufa-ngjizja-e-paperlyeme-eshte-nje-sage-rreqethese-e-shoqerise-shqiptare-ne-fillim-te-viteve-60/?fbclid=IwAR3YfUxoRI5Ek3rFY74wJHt09X0stiTR1itRonFnngfc4l5DxOqPQY6eKzs