“Është koha që në vend të historisë folklorike të kemi historinë e librave”


Jam i vetëdijshëm se të gjithëve ne këtu në këtë sallë na mundon pyetja: Pse kaq vonë të flitet për luftën e Dibrës? Për këtë pyetje do të japin përgjigje me argumente historianët që kanë mbrojtur doktorata e kanë shkruar monografi. Por ka diçka për të thënë edhe në këtë fjalë hyrëse. Ekziston një analogji simetrike midis mënyrës si është paraqitur në histori lufta e Vlorës, që ishte një luftë kombëtare, dhe luftës së Dibrës, që ishte një luftë territorial-krahinore për të njëjtin qëllim. Në pikëpamje të historiografisë tradicionale, nëse nuk ishte verifikuar i njëjti qëndrim qartësisht atdhetar edhe në luftën antifashiste, nuk ishte e mundur të ndriçohej tërësisht merita e atyre që kishin bërë rezistencën më 1920 ose më 1921. Ky ishte qëndrimi ideologjik-klasor që përjashtonte në kriter nga historia bashkë me parësinë e Dibrës, prej Kaloshëve e Karahasanëve që bënë luftë, deri te Gjoçi e Mena i Lurës; prej Dacit të Kalisit e Litës së Kalasë së Dodës, deri tek Maqellara, Ndoka, Dema e Spata, për të përmendur vetëm disa prej tyre.

Vetëdija kombëtare e dibranëve dha dëshminë më të rëndësishme të saj gjatë asaj dekade jo vetëm në luftën vetëmbrojtëse, por edhe me pjesëmarrjen e vullnetarëve të saj në luftën e Vlorës dhe në mënyrë të veçantë me pjesëmarrjen e organizuar në mbrojtje të Shkodrës e në rezistencën popullore të Lumës ndaj së njëjtës ushtri pushtuese.

***
Akademik Skënder Gjinushi, në fjalën e tij, pasi përshëndeti të pranishmit dhe përgëzoi institucionet bashkëpunuese për organizimin e konferencës shkencore “100 vjet nga Lufta e Dibrës”, tha: “Kjo konferencë zhvillohet në vijim të veprimtarive të tjera për ngjarje jubilare që lidhen me dekadën e parë të shtetit shqiptar pas Shpalljes së Pavarësisë. Kemi përkujtuar e nderuar 100-vjetorin e themelimit të shtetit, 100-vjetorin e krahinës autonome të Korçës, 100-vjetorin e Kongresit të Lushnjes, 100-vjetorin e Luftës Kombëtare të Vlorës dhe sot jemi për të vlerësuar e nderuar 100-vjetorin e Luftës së Dibrës.
Kjo është dekada gjatë së cilës ndodhi procesi historik i kalimit nga shpallja e Pavarësisë tek njohja dhe rikonfirmimi i saj. Dhe në këtë kontekst Lufta e Vlorës dhe Lufta e Dibrës kanë qenë ngjarje që e bënë pavarësinë të vërtetë, sepse i kthyen shtetit shqiptar sovranitetin në gjithë territorin e tij, penguan copëtimin e vendit dhe vendimet e padrejta për rishikimin e kufijve të Shqipërisë caktuar më 1913.
Ashtu siç Lidhja Shqiptare e Prizrenit përgatiti Shpalljen e Pavarësisë, ashtu Lufta e Vlorës dhe ajo e Dibrës vulosën vetë pavarësinë.
Lufta e Dibrës qe një luftë popullore, që shfaqi të njëjtat ndjenja e veprime atdhetare si dibranët që kishte në krah themeluesi i shtetit shqiptar Ismail Qemali: dom Nikollë Kaçorri e Vehbi Dibra. Figura të tilla si Elez Isufi e Isuf Xhelili, Ismail Strazimiri, Jashar Erebara, Osman Paci, janë të përmasave kombëtare dhe meritojnë nderimin tonë.
Lufta e Dibrës dëshmoi se historikisht Shqipërinë e kanë dashur “të madhe” vetëm nëse do të ishte nën sundim dhe pavarësinë e saj kanë qenë të detyruar ta njohin vetëm kur dikush tjetër ka tentuar të shtrijë fuqinë e vet ushtarake dhe regjimin e pushtimit”.
Më poshtë po paraqesim fjalën e plotë të Kryetarit të Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi.

“Kjo ishte Dibra e Dom Nikollë Kaçorrit dhe Vehbi Dibrës, të cilët Ismail Qemali i zgjodhi njërin nënkryetar të qeverisë dhe tjetrin kryemyfti të meshihatit mysliman shqiptar… Kjo ishte Dibra e Jashar Erebarës dhe Isuf Xhelilit; e Osman Pacit – Selam Musait dibran; kjo ishte Dibra e atyre që lanë malet e bajraqet dhe u bashkuan nën flamurin e të parëve.”

Më së pari ju uroj mirëseardhjen në këtë veprimtari, e cila – e shoh me vend për ta theksuar – organizohet për herë të parë në dhe nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë kushtuar 100-vjetorit të Luftës së Dibrës, një prej faqeve të ndritura të qendresës popullore dhe të përpjekjeve heroike të shqiptarëve për mbrojtjen e territoreve të veta dhe për pavarësimin e vendit të tyre.
Që prej afro një dekade jemi në kohën e 100-vjetorëve: prej shpalljes së Pavarësisë, çlirimit të krahinës autonome të Korçës, Kongresit të Lushnjes, Luftës Kombëtare të Vlorës dhe tani jemi në vitin e nderimit dhe përkujtimit të 100-vjetorit të luftës heroike të dibranëve, një luftë që zgjati gati dhjetë vjet dhe i riktheu tërësinë tokësore Shqipërisë, në kufijtë që kishin caktuar fuqitë vendimmarrëse në vitin 1913.
Periudha ndërmjet 28 nëntorit të vitit 1912 dhe 10 dhjetorit të vitit 1921, me ngjarjet njëra më e rëndësishme se tjetra mes tyre, është prova më e rëndësishme historike për ndërlikimet dhe vështirësitë që pati procesi i papërsëritshëm i kalimit nga shpallja e Pavarësisë tek vetë pavarësimi kombëtar, që ndodh një herë në histori.
Vetëdija kombëtare e dibranëve dha dëshminë më të rëndësishme të saj gjatë asaj dekade jo vetëm në luftën vetëmbrojtëse, por edhe me pjesëmarrjen e vullnetarëve të saj në luftën e Vlorës dhe në mënyrë të veçantë me pjesëmarrjen e organizuar në mbrojtje të Shkodrës e në rezistencën popullore të Lumës ndaj së njëjtës ushtri pushtuese.
Dy luftëra ballkanike dhe alternimi i ushtrive të dy aleancave më të fuqishme ushtarake europiane të dy krahëve ndërluftues gjatë Luftës së Parë Botërore janë thuajse e gjithë historia e Dibrës në dekadën e dytë të shekullit të 20-të. Por asnjë nga këto ushtri nuk shkaktoi aq plagë, shkatërrime dhe lëndime sa ajo e Jugosllavisë së parë fqinje, e ish-mbretërisë serbo-kroato-sllovene, e cila, e inkurajuar nga prishja e kufijve në Ballkan, nxitoi të shtrinte forcën e armëve të saj përgjatë tërë luginës së Drinit, për të realizuar projektin famëkeq të shtetit në formë korridori, që do t’i ndante territoret historike shqiptare mes për mes.
Kryengritësit e Dibrës, bashkëluftëtarë të gjeneralit me shajak, siç e patën cilësuar kanceleritë e Perëndimit Elez Isufin; në traditën e qëndresës së Kastriotëve; në traditën e kryengritjes së çidhnakëve të Nokës në shekullin XVIII; në traditën e besëlidhjeve historike shqiptare; morën vendime që mund të vlerësohen si të një përgjegjësie qeveritare nëpër kuvendime të urta, veçanërisht në kuvendin e Arrasit, ku u mor vendimi për të mos e pushuar rezistencën deri në dëbimin e ushtarit të fundmë të pushtuesve fqinjë. E tillë është historia parashtetërore e Shqipërisë: nga lidhjet dhe besëlidhjet, kuvendet dhe kongreset, lindi vetëdija e shtetësisë e zotësia e vetëqeverimit.
Gjatë nëntë vjetëve të qëndresës së vullnetarëve dibranë kundër pushtimit të huaj – dhe duhet thënë të një qëndrese që mbeti gati-gati e izoluar prej vatrave të tjera të rezistencës – shkëlqeu figura e Elez Isuf Ndreut; që është kthyer në një shëmbëlltyrë të saj. Kjo periudhë ka qenë prova e dritësimit edhe për shumicën e atyre familjeve të mëdha, që zakonisht janë quajtur parësia e Dibrës, të cilave më vonë u janë lënë në heshtje meritat e një kohe dhe u janë theksuar qëndrimet e qortueshme të një brezi tjetër. Këtu nuk është vendi për t’u ndalur në lista të emrave të tyre, por nuk mund të mos evokojmë rëndësinë që pati përkrahja pa lëkundje e vijës së qëndresës, e vullnetarizmit për të mbrojtur vendin, që nga Maqellara e Golloborda, deri në Sllovë, në Reç e Dardhë, në Çidhën e Lurë.
Siç na kanë dëshmuar protagonistë të rendit parësor të epokës, si heroi i rrallë i dy luftërave botërore Ismail Strazimiri, shumë të rënda kanë qenë humbjet, shumë e vështirë ka qenë lufta, por edhe më i vështirë ka qenë bashkimi. Rryma e ndikime nostalgjike për sulltanin që kishte perënduar, për perandorinë e shembur dhe për Sherjatin; sabotatorë esadistë e afër tyre dhe njerëz tinëzarë të shitur tek ushtritë sunduese; që do të dilnin më hapur në një kohë pak më të vonshme, bënë ç’mundën për të prishur punë, për të dobësuar luftën e dibranëve kundër ushtrive pushtuese, e cila, megjithatë, me betejën e lavdishme të Lanë-Lurës, arriti ta shndërrojë gjithë situatën në favor të vet dhe, më së fundi, në dhjetor të 1921-shit, të çlirojë tërë territorin e krahinës dhe t’ia kthejë atë nën sovranitet qeverisë dhe kuvendit që kishte dalë mbi bazën e akteve të miratuara nga Kongresi i Lushnjes. Kjo ishte Dibra e Dom Nikollë Kaçorrit dhe Vehbi Dibrës, të cilët Ismail Qemali i zgjodhi njërin nënkryetar të qeverisë dhe tjetrin kryemyfti të meshihatit mysliman shqiptar, duke hedhur hapin e parë historik të pavarësimit të xhamisë shqiptare, një hap po aq i rëndësishëm mëvetësues sa dhe shpallja e autoqefalisë së kishës ortodokse dhe mëvetësimi i bashkësisë bektashiane. Kjo ishte Dibra e Jashar Erebarës dhe Isuf Xhelilit; e Osman Pacit – Selam Musait dibran;kjo ishte Dibra e atyre që lanë malet e bajraqet dhe u bashkuan nën flamurin e të parëve.
Jam i vetëdijshëm se të gjithëve ne këtu në këtë sallë na mundon pyetja: Pse kaq vonë të flitet për luftën e Dibrës? Për këtë pyetje do të japin përgjigje me argumente historianët që kanë mbrojtur doktorata e kanë shkruar monografi. Por ka diçka për të thënë edhe në këtë fjalë hyrëse. Ekziston një analogji simetrike midis mënyrës si është paraqitur në histori lufta e Vlorës, që ishte një luftë kombëtare, dhe luftës së Dibrës, që ishte një luftë territorial-krahinore për të njëjtin qëllim. Në pikëpamje të historiografisë tradicionale, nëse nuk ishte verifikuar i njëjti qëndrim qartësisht atdhetar edhe në luftën antifashiste, nuk ishte e mundur të ndriçohej tërësisht merita e atyre që kishin bërë rezistencën më 1920 ose më 1921. Ky ishte qëndrimi ideologjik-klasor që përjashtonte në kriter nga historia bashkë me parësinë e Dibrës, prej Kaloshëve e Karahasanëve që bënë luftë, deri te Gjoçi e Mena i Lurës; prej Dacit të Kalisit e Litës së Kalasë së Dodës, deri tek Maqellara, Ndoka, Dema e Spata, për të përmendur vetëm disa prej tyre.
Sot është dita të nderojmë gjithashtu gjithë ato familje të vjetra të Tiranës së varfër të dekadave të para të shekullit të kaluar, të cilat me bujari u dhanë shtëpi dhe truall dibranëve të dëbuar për shkak të luftës, sidomos më 1913 dhe më 1921, duke formuar në kryeqytet një bashkësi të qëndrueshme dhe të integruar, një Dibër tjetër rreth e qark nesh, duke dëshmuar edhe me këtë akt se tashmë Shqipëria ishte një dhe e të gjithëve dhe se vetëdija kombëtare kishte fituar hegjemoninë e vet mbi çdo përbërëse tjetër të identitetit të njeriut dhe të popullit.
Nderim shqiptarëve atdhetarë të luftës së Dibrës, tani është koha që në vend të historisë folklorike të kemi historinë e librave, dhe kjo konferencë për këtë qëllim është organizuar. Faleminderit për vëmendjen dhe suksese kumtuesve.