Poetja e fjalës së bukur


Nga Shaqir Skarra

Poetët janë një rracë e çuditshme njerëzore, preken e tjetërsohen si me magji, edhe nga një buzëqeshje e luleve në pranverë, edhe nga stina e dimrit e nga dallgët e detit. Një poete të tillë njoh edhe unë, që në fakt çdo ditë i hap portat e ditës së saj me buzëqeshje dhe oshëtima, me dallgë deti e lule vjollcë pranverë, me këngët e shpirtit që nuk rreshtin kurrë nga gurra e madhe dhe e pashtershme e lirikave të saj. Cucë Vile e nuse Dibre, siç ka qejf dhe vetë të shprehet poetja e afirmuar tashmë Sulbie (Tota)Shehu, pas botimit të librit të parë në vitin 2020 “Anës Drinit” siç duket e ka ngritur stekën, dhe në vëllimin e dytë që po na jep në duar me titull “Lotin ma kthe në vesë mëngjesi” nuk është larguar kurrsesi nga lirikat pasi me lirika është e dashuruar qysh kur e pa vetë se kishte talent për të shkruar.
Duke e shfletuar librin e saj nga faqja e parë dhe në të fundit shikojmë me kujdes se poetja herë këndon si mjellmë e herë si zanë, herë flet më hënën e herë me detin, herë me qiellin e herë me natyrën.
Unë për veten time them se jam me fat që isha redaktori i këtij libri me lirika, them isha me fat se isha edhe lexuesi i parë dhe të them të drejtën u befasova nga freskia e vargjeve dhe befja e imazheve që ajo përcjell tek lexuesi me një thjeshtësi vërtet për tu admiruar.
Në poezinë e poetes Sulbie Shehu fryjnë erërat e trazuara femërore, kujtimi, ëndrra, iluzioni, vetmia, malli, kategori të përjetshme të fiksionit poetik, që nuk kanë ndryshuar kurrë që kur ka lindur poezia, por që vijnë në kurba dhe dimensione të ndryshme nga njëri poet tek tjetri, në filtrin e përvojës vetjake dhe unit. Sulbia ka botuar vazhdimisht edhe në rrjetet sociale dhe akseset e ndryshme të epokës së modernitetit. Kam lexuar herë pas here cikle të poezisë së Sulbies, botuar në portale të ndryshme, dhe më bën përshtypje gjallëria e imazhit dhe figurës, shpërfaqja pikturale në akuarelin e ndjenjës, dendësia e mendimit poetik, asimetria e gjendjeve dhe përjetimeve, që në finale të aktit poetik përbëjnë një harmoni të plotë, të kudoshfaqur në strofa e vargje, që të mbeten në mend për një kohë të gjatë.
Dhe ja se si shprehet poetja në poezinë e saj me titull:”Boll inat të kam, pa t’folë nuk rri dot”:

“Do i përziej lotët, me pak vesë mëngjesi,
me flladin e mbrëmjes do të përqafoj .
Shpesh t’i përballë meje
zë e nis të zbehesh,
boll inat të kam, këtë s’e mohoj.

Në vargjet e mia, përsëri je ti,
herë më vjen si këngë e herë si refren.
Boll inatë të kam, edhe ti e di,
ndaj nuk rri pa t’folë se bëhem verem!. “

Poezia e saj tërheq vëmendjen për fshehjen e objektit poetik dhe fjalën e kulturuar. Nën tisin e vetëpërmbajtjes dhe “ekonomizimit” të fjalëve, shpërfaqet një shpirt i trazuar deri në rebelim, që kërkon ta jetojë me intenistet të lartë gjithçka dhe që në rrugëtimin e ëndrrës, përballet me çdo pengesë, e mbi të gjitha me pengesat që i ngre vetvetja.
Sulbia, mes shpërthimit ndjesor dhe aparatit meditativo-lirik, si arsyetim poetik rreth të ndodhurës, si kujtesë, si imazh, si arkitip i sendërtuar në kumt estetik, mes mesazhit, ndjenjës dhe mendimit, ka zgjedhur intuitivisht gravitetin tërheqës të të nënkuptuarës, të asaj që është nën sipërfaqe, të nëntekstit. Moderniteti i saj nuk është klithës, por “shungurues”, duke na bërë të besojmë në fiksionin e saj, në apologjinë e të vërtetave të saj, që mëton t’i bëjë të vërteta universale të gjithëkohshme, duke besuar verbërisht në atë që shkruan, çfarë dëshmohet si cilësi absolute e poezisë, që kur ajo ka nisur rrugëtimin drejt njerëzve në këtë botë.
Befja, në kuptimin e të papriturës rrëzëllitëse, kapriçoze dhe ndjellëse njëherësh, shfaqet si “ormanent” poetik në poezitë e Sulbies, duke na joshur në krahët e ëndrrës së kulluar, e cila qëndron tej caqeve të çdo arsyetimi racional dhe filozofie jetësore, si një transhendencë e unit të unifikuar me vetë botën dhe universin.
Moderniteti i saj poetik shfaqet më së pari në grimcimin në formë mozaiku që poetja i bën objektit poetik, “lëndës së parë”, duke e thërmuar dhe rikonfiguruar në një të plotë të re, që tashmë, përveçse pjesë e kujtesës, është pjesë e filtrave të fuqishëm estetikë, që vë në përdorim autorja.
Përzgjedhja e imët e fjalës, si shenjim metaforik dhe simbolik i gjendjes, imazhit dhe mesazhit, duket se është pjesë e një diskursi ballafaques dhe reargues të poetes, e cila në çdo gjë që bën objekt të artit të saj poetik vështron një marrëdhënie, që ia bën më të afërt ëndrrën, njerëzit që e rrethojnë dhe botën. Sulbie Shehu përcjell ankthin e njeriut modern, që përballet me kujtesat e tij, me kohën e ëndrrës dhe zhgjëndrrës, me baticat dhe zbaticat e fatit, me humbjen e ndjeshmërive të botës ndaj vuajtjes së tjetrit, çfarë e bën poeten të rebelohet dhe të kërkoj ankorim në brigje të sigurtë.
Poetja e ndërton figurën poetike me anë të projeksioneve të thyera fotografike, duke e risjellë realitetin jetësor me nuanca dhe ngjyra të përndezura, por larg shtampave deklarative dhe prolikse, me të cilët, në fakt, është mbushur dëng një pjesë e konsiderueshme e librave të botuar me poezi, sidomos gjatë këtyre viteve të fundit, ku lehtësia e të shkruarit dhe identifikimi i artit poetik me një soj zeje artizanale, e ka dëmtuar rëndë peizazhin poetik të botës shqiptare.
Ajo priret të zbulojë anët e panjohura të vetvetes dhe të atyre që e rrethojnë, duke i rivlerësuar kujtesat, përjetimet dhe impresionet e çastit, me anë të një rimodelimi, që është, në thelb, imazhi i asaj çfarë poetja e konturon si kredo të botës së saj të brendshme. Polivalenca e figurës që ajo ndërton, komunikimi i ngrohtë lirik, përzier me mesazhe bashkëkohore dhe universale për nga gama e rrokjes së këndvështrimeve, e bëjnë poezinë e Sulbies të komunikojë emocion të fortë dhe ndjesinë e një zbulimi të beftë.
Origjinaliteti i poezisë së saj është i dukshëm, aq sa një lexues i kujdesshëm e dallon menjëherë atë nga poezitë e poetëve të tjerë, veçori kjo e autorëve të rrallë, që gjejnë korda të përbashkëta me lexuesin e tyre.
Në vargjet e poetes ka trill, magji, dritë hije të një botë të thyer simbolike, mbushur me trishtim e dhimbje, pezm e dashuri, trill e vetmi, të cilat shpërfaqen me një thellësi tronditëse, e cila vjen e na zgjon nga gjumi e na mundëson shpalimin e një bote shprese e harmonie asimetrike, me anë të një simbolike shumëdimensionale.
Poezi si këto të Sulbies nuk lexojmë dhe aq shpesh në këtë kohë të ngarkuar aq shumë me proliksitet, shtampa dhe steriotipe. Duke lexuar poezinë e saj, të duket sikur përballesh me efektet e një kure “teraupike”, pas një mpirje të gjatë dhe ankthi sindromik dhe ky është efekti i poezisë elitare, të të freskojë shpirtin dhe të të bëjë të ndihesh më mirë me veten dhe me të tjerët, në një botë të pa përkryer dhe stresante, siç është bota jonë, të cilën poetja nuk tenton që “ta ndreq”, por duke i bërë një autopsi të thellë vetvetes, unit të saj të trazuar, ajo na ofron një mundësi për ta parë ndryshe botën, për ta modeluar atë sipas shijeve tona më të mira.

Po të pyes Zalldardha ime

Kush mungon sot moj Zalldardhë?
Në këto skena që gjëmojnë.
A janë mbledhur të gjithë artistët?
Po pyes veten vallë kush mungon?

Kush këto skena i hijeshonte?
Me atë zë kala vigane.
Vallë ku është sot Haziz Ndreu?
Kënga e ti vepër e madhe !

Sot t’u mblodhën bij e bija,
Të gëzojnë në ditën tënde.
Po ku është vallë Xhelal Çerpja?
Që n’kto skena hidhte valle.

Ti gjithmonë o moj Zalldardhë,
Nëpër shekuj buqetë lulesh.
A mos vallë sot të mungon?
Zëri i ëmbël i Qerim Sulës.

Bashkë qëndruam Vilë e Kalisë

O po të thërras nga bjeshkët tona,
O moj Vilë e historisë!
Ty gjithmonë të ndriti balli,
Kurrë s’u ndave me Kalisë.

Nëpër shtigjet e Drinit Zi,
Ju latë gjurmët në gur e shkëmb.
Vilë, asnjëherë nuk t’u tremb syri,
Me vëlla Kalisin në istikam.

Bashkë luftuat nëpër shekuj,
Lidhët besën e falët gjakun.
Shpia e parë e Murat Merës,
Lartëson brezash bajrakun.

O do këndojmë për viset e mija,
Se jemi bijtë e këtij vatani.
Vilë – Kalis për ju del kënga,
Dhe për ju më ushton zani.

E ëmbël vjen kanga për ju vise t’mija,
Se shpirti më këndon më ëmbël se kurrë.
Kangën ma rrëmben bukuria e historia,
Perlat arbënore, shqipe në flamur!