Asnjë në votim: Dibra Po! Skavica Jo!


Nga Abdurahim Ashiku

Votuesit dibranë mund e duhet të dalin në zgjedhje me një kusht:
heqjen zyrtarisht, me vendim të Kuvendit, ndërtimit të hidrocentralit
të Skavicës. Pa këtë – votë nuk ka. Zgjedhje – nuk ka!

Dibra do të ketë zgjedhje brenda dy muajve. Zgjedhje për kryetar bashkie. Lajmi po qarkullon nga Presidenca në Komisioni Qendror të Zgjedhjeve. Nga Meta te Celibashi. Nga Celibashi tek Meta…
Partitë politike ende janë pa zë, pa kandidatë, pa grupe patronazhistësh, pa çanta të mbushura me para për blerje votash… Heshtje si në tablonë “Qetësi në Shipkë” të luftës Ruso-Turke…
Është shansi që Dibra ta thotë fjalën e saj. Të fortë e pa kompromis. Me një zë. Si një shekull më parë kur e hodhi serbo-jugosllavin në Drinin e Zi dhe ia mbushi shpinën me plumba. Jo me plumba e besa besë kundër shkjaut, por me votë e me besa-besë për ta mbrojtur Dibrën, luginën e saj mbush me varre betejash të mëdha historike si 18 nga 25 betejat fitimtare të Gjergjit, të Gjon Dibranit kundër pushtuesit otoman, betejash kundër serbit, nemces, italianit, gjermanit… Mbush me lavdi e krenari…
Dibra ka shansin që nuk i vjen dhe nuk do ti vijë më kurrë. Ka shansin ti thotë shtetit të vet, partive politike majtas – sot në pushtet e djathtas – dje në pushtet, parti që për të mbyt Dibrën që të shpëtojë Shkodra janë vënë si qetë në zgjedhë për ta shkulur nga themelet atë, për ti përdhosur varret, për ti harruar emrin.
Votuesit dibranë mund e duhet të dalin në zgjedhje me një kusht: heqjen zyrtarisht, me vendim të Kuvendit, ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës. Pa këtë – votë nuk ka. Zgjedhje – nuk ka!
Për ndryshe – Dibër nuk do të ketë!
Mos e humbni këtë rast.
Dibra duhet të mbetet Dibër si e ka dhënë Zoti!
Athinë, 16 janar 2022