Dibra – referendum popullor për ti thënë JO Skavicës


Nga Abdurahim Ashiku

Shans që nuk i vjen asnjë komuniteti në ditë zgjedhjesh.
Armë e fortë në duar të Dibranëve për ti thënë me referendum popullor “JO SKAVICËS”.
Dhe ky shans vjen më 6 mars, ditën kur Dibra do të votojë për kryetarin e saj të Bashkisë.
Në internet janë shfaqur emra, madje ndonjëri ka dalë në një portal me zë e figurë.
Një listë me pesë emra për paravotim ka dalë nga partia socialiste.
Nga të pestë njeri është veçuar si më i përshtatshmi…
Ka filluar beteja elektorale. Janë ngritur temperaturat edhe pse këto ditë ata shënojnë minus 20 gradë.
Në Skavicë, atë fshat të Kukësit që këto kohë ka qenë më i përfolur dhe i më nëmur se kurrë për digën që do të mbysë, do të zhbëjë përgjithmonë luginën e Drinit të Zi, luginën pjellore e historike si asnjë trevë tjetër, nga Gjorica në Skavicë, u bë më 19 janar 2022 protestë, një thirrje për ti thënë JO SKAVICËS…
Ajo shkëndijë në prag zgjedhjesh duhet të shndërrohet në flakë, në një thirrje, një besa-besë që nuk është parë dhe dëgjuar ndonjëherë në Dibër përveçse kur i ka hasmi tek dera, kur serbi e ka dashtë të vetën luginën madhështore të Drinit të Zi e është ndalë nga pushka e bashkuar e dibranëve mbarë.
Ajo duhet të shndërrohet në një referendum popullor për ti thënë PO DIBRËS, JO SKAVICËS.
Shoqata ka ardhë koha ta thotë fjalën duke nxjerrë nga gjiri i vet një intelektual që si askush tjetër ka qenë në ballë të betejës për Dibrën siç e ka krijuar natyra.
Unë do të propozoja NJË, një njeri që i mbyten jo thjesht trojet fizike por shpirti i tij prej dibrani. Një njeri që betejën për Dibrën e ka filluar me protestën e tij për mbrojtjen e Radikës për ta vazhduar ditë për ditë e orë për orë për mbrojtjen e Dibrës.
Mendimi im është që në listë për kryetar bashkie, mbështetur nga shoqatat për mbrojtjen e Dibrës të jetë intelektuali Munir Ramadan Hoxha.
Për të duhet të votojnë të gjithë ata që e kanë në shpirt Dibrën dhe e duan atë të bukur e të begatë siç bënte thirrje i ndjeri Murat Koltraka: LËRENI LUGINËN E DRINIT TË ZI TË BUKUR SIÇ E KA DHËNË ZOTI (“Po Dibrës! Jo Skavicës” faqe 106 – 113)
Ka ardhë koha që dibranët me votën e tyre të fshehtë, tu thonë JO kandidatëve që u ofrojnë partitë politike, ta japin një herë të vetme votën e tyre për Dibrën.
Ka ardhë koha që Dibrës ti dalë zani nga dritaret e ngushta të kullave në fushën e madhe ku trimëritë dhe puna është shkruar me gjak e me djersë si asnjë trevë e vendit.
Dhe kjo fushë për të, për të sotmen dhe të afërmen e saj, është 6 marsi 2022.
Kryetar bashkie në Dibër duhet të dalë një bir i saj. Ai që e donë me shpirt dhe e mbron me të gjitha mënyrat demokratike.
Me parullën demokratike “PO DIBRËS! JO SKAVICËS!”, si një thirrje, si një kushtrim, si një mesazh për brezat duhet të mbushet çdo ballë shtëpie, pallati, rruge, rrugice, kodër, mali…
Dhe secili të shkojë para kutisë së votimit me vendimin ti thotë Dibrës “Të dua! Je imja dhe jam yti!”
23 janar 2022