Trishtimi që vjen nga gjuha…


Nga Bashkim Lami

Miqtë e mi, mundohuni të ndiqni shembuj pozitiv në shoqëri dhe mos u futni aty ku nuk dini, se dëmtoni rëndë edhe ato vlera reale tuajat, që ju ka dhënë Zoti!
Pse u trishtova kur lexova në një portal të dibranëve në FB? Portalet që shkruajnë për Dibrën dhe Bulqizën i lexoj me vëmendje. Bëj pëlqime dhe komentoj, por jo në çdo rast.
Këto ditë më shfaqet portali X që shtronte një pyetje dhe unë lexova dy komente të momentit. Aty për aty më shtyu dëshira për të kuptuar se si do të jetë reagimi i komentuesve. I lexova të gjitha komentet e replikat dhe kur përfundova mbeta shumë i zhgënjyer për nivelin e ulët të të menduarit dhe të të shprehurit të qytetarëve.
E para, në atë shumicë komentesh vetëm tre apo katër komente ishin të vlerësueshëm, që jepnin opinion me logjikë realiste, edukative e të shkruar me kujdes, që i lexova edhe për së dyti. Atëherë pyeta veten pse kaq pak mençuri në gjithë këtë shumicë pjesëmarrësish në këtë tavolinë debati.
E dyta, që mbeta i zhgënjyer ishte realiteti i hidhur, që në shumicë komentuesit ishin gjysmë analfabet, që për ti kuptuar duhej një përkthyes talent shqip – shqip. Disa raste nuk arrita t’i kuptoj fare se çfarë shkruajnë.
E treta, që më zhgënjeu pafundësisht ishte se në shumice u kishte mbetur në gojë fjala “m….”, sepse nuk kishin shkruar fjalë tjetër. Pyeta veten. Deri këtu ka mbërritur niveli i popullit tim? Vallë të jenë kaq shumë gjysmë analfabetë, që vetë “m….” ju paska mbetur në gojë, për tu mbllaçitur.
Pikërisht këtë nuk do të doja kurrë të ndodhë për askënd, por veçanërisht për miqtë e mi.
Shyqyr Zotit, që shpejt u kthjellova, sapo mendova që aty nuk ishin futur fare të mençurit, sidomos dibranët që shquhen për mençuri. Para kësaj situate mendja më thotë se kjo gjendje mjerane e popullit tim është arsyja kryesore, që ne jemi në shumë vite nën këmbët e mashtruesve, që na shkatërruan Atdheun, na përdhosën demokracinë e na morën lirinë, më të çmuarën që na duhet për dinjitet njerëzor.
Së fundi, një thirrje për miqtë e mi. Ju jeni njerëz të mirë për vete dhe për familjet tuaja. Mundohuni të ndiqni shembuj pozitiv në shoqëri dhe mos u futni aty ku nuk dini, se dëmtoni rëndë edhe ato vlera reale tuajat, që ju ka dhënë Zoti!
(Marrë nga faqja në FB e autorit)