Varret e viktimave të komunizmit mbulohen nga stoqet e kromit


Nga Hysen Likdisha*

“Kampi i të burgosurve i hapur në vitet ‘50, me punën e detyruar të të burgosurve të tij, ndikoi fuqishëm në rritjen e prodhimit të nxjerrjes së kromit. Por qëndrimi i zyrtarëve të regjimit komunist ndaj tyre ishte dhe mbeti tejet ç’njerëzor”

Zona e parë krom-mbajtëse në Bulqizë. Foto: Sami Curri

Dhjetëra ish të burgosur në kampin e Burgut të Bulqizë-s, që ndërruan jetë në rrugë natyrale ose për shkak të aksidenteve gjatë punës së detyruar në minierë, nuk u gjenden varret. Një numër i konsiderueshëm të burgosurish “ordinerë”, të dënuar nga regjimi komunist i kohës me punë të detyruar në minierën e Bulqizës, që vdiqën gjatë vuajtjes së dënimit, u varrosën në afërsi të burgut, pa as më të voglën mundësi identifikimi të varreve të tyre.

Inxhinieri gjeolog në minierën e Bulqizës, Jorgo Kola, që punoi 32 vjet në galeritë e kësaj miniere, tregon se kampi i të burgosurve i hapur në vitet ‘50, me punën e detyruar të të burgosurve të tij, ndikoi fuqishëm në rritjen e prodhimit të nxjerrjes së kromit. “Por, përkrah këtij kontributi të vyer që jepnin me punën e tyre të burgosurit, qëndrimi i zyrtarëve të regjimit komunist ndaj tyre ishte dhe mbeti tejet çnjerëzor”, thotë inxhinieri.

Në fillim të viteve ‘90 shumë familjarë dhe të afërm të të burgosurve të regjimit komunist, që vdiqën gjatë vuajtjes së dënimit në Burgun e Bulqizës, kanë ardhur në qytezën e minatorëve për t‘u interesuar për gjetjen e varreve të të afërmve të tyre. Por, në asnjë rast një gjë e tillë nuk është mundësuar, pasi sterili i mineralit ka zhdukur përfundimisht çdo gjurmë të tyre.

“Të paktën 40 deri në 50 persona të burgosur në këtë burg – vazhdon të tregojë ai – të cilët vdiqën në rrugë natyrale ose aksidentalisht, varroseshin në afërsi të burgut gjatë natës në kushte misterioze dhe fshehtësi të plotë, larg syrit të njerëzve dhe të afërmit e tyre as që njoftoheshin, por e merrnin vesh kur vinin për t‘u takuar me ta”. tregon Kola.
Puna ndër vite në galeritë e minierës, bëri që këta varre të mbuloheshin me sterile kromi, ku aktualisht pak gjurmë të këtyre varreve, për të mos thënë fare, mund të dallohen. Ndërkohë, ka pasur raste kur vdekjet e të burgosurve kanë ardhur edhe aksidentalisht, nga puna në galeritë e kromit. “Në një aksident të ndodhur në zonën jugore të minierës – kujton inxhinieri Jorgo Kola – nga zjarri i rënë në një nga galeritë e thella të kësaj zone, humbën jetën 11 të burgosur që u dogjën nga flakët apo u asfiksuan nga tymi. Por nuk u lejua që trupat t‘u jepeshin familjeve të tyre për t‘i varrosur”.
Sipas Kolës, i vetmi ndryshim në varrosjen e këtyre 11 të burgosurve ishte se u lejua varrosja e tyre në varrezat e qytetit të Bulqizës. Në fillim të viteve ‘90 shumë familjarë dhe të afërm të të burgosurve të regjimit komunist, që vdiqën gjatë vuajtjes së dënimit në Burgun e Bulqizës, kanë ardhur në qytezën e minatorëve për t‘u interesuar për gjetjen e varreve të të afërmve të tyre. Por, në asnjë rast një gjë e tillë nuk është mundësuar, pasi sterili i mineralit ka zhdukur përfundimisht çdo gjurmë të tyre.

Kërkimet e familjarëve vazhdojnë edhe sot. Në verën e vitit të kaluar, tregon inxhinier Jorgoja, erdhi një djalë emigrant në Angli që kërkonte varrin e babait të tij. Vetëm sa e çova te zona e varreve, ku edhe ai vetë, thotë inxhinieri, u bind se gjetja dhe identifikimi i varrit të babait të tij ishte e pamundur.

“Pavarësisht krimeve që mund të kishin kryer, edhe ata ishin njerëz, dhe të paktën pas vdekjes e meritonin të kishin një varr si të gjithë njerëzit e tjerë”, thotë inxhinieri Kola, i cili i ka njohur shumë nga këta të burgosur të mbetur pa varr, pasi për dekada me radhë ka drejtuar punimet në galeritë e minierës së Bulqizës.

Marrë nga bulqizaime.al. Titulli është i redaksisë. Titulli i botimit origjinal: “Stoqet e kromit në Bulqizë “fshijnë” varret e viktimave të komunizmit”