Greva, siç nuk e kemi njohur


Nga Shaqir Skarra

Nehat Daci
Greva e Dibrës: histori, etnokulturë, personalitete
774 faqe / Çmimi: 2000 lekë
ISBN 978-9928-353-62-7
Botimet M&B

Kam qenë disa herë në Grevë, kam shumë miq e shokë atje. Më ka tërhequr pamja e fshatit, shtrirja e tij rrëzë malit , me tokat e shumta pjellore deri rreth rrugës nacionale. Pastërtia, rrugët e fshatit, shtëpitë pranë njera tjetrës. Vërtet bukuria është e pranishme kudo në Grevë por më shumë është bukuria shpirtërore tek këto njerëz bujar, fisnik,intelektual e të gjithë të dashuruar e lidhur shumë me vendlindjen. Kam mbledhur në Grevë folklor, këngë, legjenda, anekdoda, fjalë të urta, shprehje frazeologjike, duke i dëgjuar direkt nga goja e popullit . Pra, kontaktet e mia me Grevën dhe disa nga banorët e saj, pjesën e shëndoshë intelektuale kanë qenë të vazhdueshme.
E them me bindje të plotë se megjithatë Grevën nuk e kisha njohur. Kisha ditur shumë pak për të si fshat. Ishte pikërisht miku im i mirë, autori i të vetmit libër të botuar për këtë fshat të bukur të Dibrës “Greva e Dibrës” Nehat Daci. Isha me fat unë që librin e lexova i pari. Them e lexova i pari se pata mundësinë ta lexoi që në zanafillë kur autori materialet që sot na i ka dhënë të botuara, atëherë ishin në dorëshkrim, në blloqe shënimesh e fletore të ndryshme, fletë-fletë edhe të zverdhura e të shlyera nga boja por që në fakt falë një shkrimi kaligrafik të mirë lexoheshin qartë.
Vetë autori nga që e kishte për herë të parë, ndjehej në dilemë për të iu futur punës të botonte libër për Grevën.Sot që librin të gjithë e kemi në duar dhe po e lexojmë me dëshirë e endje, bindemi plotësisht në zotësinë e profesionalizmin e autorit se na ka dhënë një libër jo do si do por një vepër shkencore, një enciklopedi jo vetëm për Grevën por edhe jashtë sinorit të saj.
Nehat Daci ka hedhur një gur të madh, një shkëmb në themelet e sapo hapura të ngrehinës së historisë së Grevës dhe falë modestisë së tij që e karakterizon gjithmonë, nuk pretendon se ka bërë gjithçka, por ama , diçka të mirë e mjaft të bukur e ka bërë. Themelet e ngrehinës së historisë së Grevës janë hapur, godina është ngritur. Le të vijnë të tjerë, të shkruajnë përsëri. Ka ende histori, ngjarje, personazhe që duhen trajtuar.
Për ta shkruar e botuar këtë libër monografik për Grevën, vendlindjen e tij të dashur, mendoi se për autorin Nehat Daci nuk ka qenë diçka e lehtë por një punë mjaft e vështirë e pse jo, disa vjeçare.
Në fillim ndoshta as vetë autori siç e përmenda më lart nuk ka qenë i vetëdijshëm se po i futet një pune sa të rëndësishme aq edhe me përgjegjësi morale, sepse temën, përkatësisht lëndën, të cilën ia ka vënë vetes për detyrë që ta përgadis për botim, i është dashur ta vështrojë me kujdes nga segmente shumë dimensionale, punë kjo e cila ka kërkuar shumë njohuri paraprake për të bërë gjurmime fotografike, qoftë duke shfrytëzuar libra të ndryshëm të botuar më parë, qoftë duke bredhur vetë në teren, përmes kontakteve me shumë njerëz të niveleve të ndryshme, përmes bisedave e tregimeve, për të ardhur pastaj në fakte konkrete dhe dëshmi të argumentuara shkencërisht, gjë që nuk i kishim më parë për Grevën.
E themi me bindje se autori do ta kishte më të lehtë të ndalej vetëm në Grevën e ditëve tona, por qëllimi i tij nuk ishte ky pasi duke u ballafaquar me atë literaturë që kishte lexuar vetë, me të dhëna gojore e dëshmi të lëna nga pleqtë e Grevës ia ka arritur qëllimit duke na dhënë sot në duar një vepër të plotë shkencore për Grevën.
Duke lexuar këtë libër nga faqja në faqe kuptojmë më së miri se Grevën nuk e paskemi njohur edhe pse e kemi parë, kemi qenë, kemi pi kafe e kemi ngrënë ndonjë drekë, kemi patur kontakte të shpeshta me miq e shokë nga Greva, përsëri ajo si fshat paska qenë një oaz i madh e i mbuluar. U desh pena e Nehat Dacit që të na jap gjithçka për Grevën që nga antikiteti, nga ngulmimet e para e deri sot në ditët tona. Duke u marrë me lashtësinë, me antikitetin, me ngulmimet e para, me etimologjinë, me toponimet, mendoj se kjo ka qenë pjesa më e vështirë për vetë autorin, jo që nuk kishte lëndën por që këto botoheshin për herë të parë e shumë vetave mund t’ju vinte si çudi.
Duke lexuar librin “Greva e Dibrës” bindemi se vetë autori ka marrë një hap të guximshëm pasi ka dashur të dëshmojë një realitet që ne në fakt nuk e kemi njohur, një histori ndryshe të fshatit Grevë treguar bukur e rrjedhshëm nga një jo profesionist por nga një mësues i cili di fare mirë edhe shkencat ekzakte, edhe historinë e vendlindjes duke përdorur me vyrtuozitet ashtu si formulat kimike edhe penën. Me këtë libër, autori nuk është nisur as të konkurojë, as për të sfiduar ndokënd. Jo, përkundrazi, ai ka lënë hapësira për gjithkënd pasi historia mbetet ende një fushë e virgjër.
Është më se e vërtetë se në këtë libër pena e Nehat Dacit ka ligjëruar e kënduar bukur. Ai ka nxjerrë në pah të gjitha vyrtytet e bukura njerëzore, të folmen, doket, zakonet, etnokulturën, festat, lojrat, veshjen, historinë e gjeografinë e Grevës.
Autori është treguar i kujdeshëm dhe nuk i ka mbetur as një detaj sado i vogël pa trajtuar në faqet e këtij libri voluminoz. Ai me të gjithë thjeshtësinë që e karakterizon, me bujarinë dhe përzemërsinë e tij, me një fjalor mjaft të pasur, me të folmen e vjetër të Grevës që në fakt sot po e humbet shkëlqimin e kohëve të shkuara, na i ka hapur portat që ta njohim më mirë Grevën e Dibrës me ata njerëz dashamirës, bujarë, mikpritës, të besës, të sinqertë,trima e të zgjuar, puntor e liridashës, atdhetarë e të sakrificës.
Çdo rrjesht, fjali, fjalë , paragraf e faqe e këtij libri është shkruar me pasion e skrupulozitet shkencor. Në të gjen histori, gjeografi, filozofi,letërsi,etnografi, folklor dhe një mori dokumentash të pa ndriçuara ma parë dhe të pa trajtuara deri më sot, me përkushtimin e një mësuesi, kimisti, biologu e pse jo shkencari.
Me mjaft art ka përshkruar relievin e natyrën e bukur të Grevës, lartësitë dhe pjerrësitë, malet e bjeshkët, tokat dhe burimet,florën dhe faunën. Me një gjuhë mjaft të pastër e plot metafora dhe me mjaft ëmbëlsi të fut në botën e emocioneve e cila të ndjek nga rrjeshti në rrjesht, nga faqja në faqe deri në fund të librit.
Dhe nëse diku tjerr histori, nuk e bën aspak për nostalgji e as për të të shuar kureshtjen por për të treguar e mësuar se si e qysh e pse, është falur jeta nga banorët e Grevës pa hezitim kur atdheu ka qenë në rrezik. Për të thënë atë që dihet pak, apo aspak. për të nderuar dëshmorët, ata që dhanë jetën për këtë liri që gëzojmë ne sot.
Nehat Daci me modestinë e tij na thotë se ky libër është jo vetëm një vështrim i shkurtër gjeografik-historik por edhe etno-kulturor e etnografik. Në fakt është një libër i një lloji krejt të veçantë i cili do të shërbejë edhe si model nga shumë njerëz të penës.Autori të fut e të josh nën ylberin e vet. Siç duket është vërtet një libër i rrallë, i shkruar me mjaft kulturë, i cili lartëson dhe hijeshon krejt botën e brendëshme, si ideoartistike ashtu edhe psikologjike. Është një enciklopedi, që të ndriçon,lartëson, edukon e të pasuron mendjen e shpirtin dhe të zbukuron bibliotekën tënde.
Autori mbetet objektiv si në përshkrimin bukur dhe vlerësimin e plotë të figurave të ndryshme historike të Grevës. Ai nuk përpiqet për të na dhënë me ca penelata bardh e zi, por ashtu në fakt siç kanë qenë në jetë. Një analizë të përsosur dhe me mjaft fakte dhe argumenta shkencor, duke u bazuar në burime historike të botuara, autori analizon të gjitha luftrat kundër pushtuesve të huaj, të gjithë pjesmarrësit në këto lufta, të gjithë të rënët, humbjet, djegjet dhe masakrat e pushtuesve të huaj mbi popullsinë e Grevës.
Një hapësirë të madhe në libër zë edhe lufta e madhe nacional-çlirimtare. Mbi të nuk ka hedhur dafina të tepërta e as një grimcë balte mbi figurat e ndryshme që kanë luajtur atë rol që u ka caktuar koha.Është ky qëndrim burrëror e prej artisti që e bën këtë libër mjaft të pëlqyer, të lexueshëm dhe autorin të nderuar e respektuar.
Nga Greva kanë dalë figura të njohura në kohë e periudha të ndryshme të cilët kanë lënë gjurmët e tyre edhe në historinë tonë kombëtare.Dhe barra për të treguar këtë të vërtetë, të pa thënë e treguar aq sa duhej i ra njeriut të thjeshtë e të vyrtytshëm, Nehat Dacit. Ai me mjaft finesë, mençuri dhe e zgjuarsi na i paraqet ata ashtu siç kanë qenë në jetë dhe në luftë; burra të fortë, me besë dhe të vetëdijshëm plotësisht që ndoshta do të falnin edhe jetën për të mbrojtur fatet e atdheut. Portretet e tyre i ka gdhendur, pikturuar e përshkruar me dashuri e përkushtrim. Edhe këtë e ka bërë me vetëdije të plotë, se ka në damarët e vet të njëjtin gjak e ideal.
Duke e lexuar me kujdes të plotë këtë libër, bindesh plotësisht se autori ka njohuri shumë, ka kulturë, ka lexuar shumë literaturë të ndryshme për Dibrën dhe më gjërë. Autori na tregon në përgjithësi se e kaluara jonë vërtet ka qenë e lavdishme pasi sot ne jo që duhet të mburremi por edhe kemi se çfarë të tregojmë për të parët tanë, ne duhet ti tregojmë botës sot se në këto troje nuk jemi ardhacakë por jemi vendas prej mijra vjetësh. Fqinjët shumë vite më vonë erdhën, u zgjeruan me tokat tona dhe nga luftrat e gjata e të përgjakëshme na coptuan, na vranë, na gjakosën.
Nëpërmjet këtij libri autori përcjell trashëgiminë tek pasardhësit, duke bërë kështu thirrje për njohjen e vetvetes. Ashtu thjeshtë e mjaft bukur bën lidhjen e së shkuarës me të sotmen, por me sytë nga e ardhmja.Libri ka jetë se fundja është jeta ajo që përcakton nivelin e njerëzimit, stadin e tij. Duke dhënë këtë pasuri të madhe të Grevës, vetë autori jep një mesazh që pasardhësit të mos e harrojnë historinë, traditat, doket, zakonet, se ndëshkimi më i madh që mund të japësh është harresa.
Njohja me historinë tënde, do të thotë ruajtje e kujtesës, e kjo do të thotë të bëhesh pjesë e popujve historik, të cilët nuk harrojnë nëpër cilat rrugë të historisë kanë kaluar të parët tanë,për ta mbajtur gjallë jetën siç nuk harrojnë se pa sakrifica nuk ka vlera.
Në librin e Nehat Dacit ka materiale të bollshme që ndoshta sot do të na duken si një vlerësim i thjeshtë, por jemi të bindur se pas disa vitesh, vlera do të jetë e shumëfishtë.Pasardhësit do ta kenë më të lehtë të vlerësojnë historinë e të parëve pasi mjaft dokumenta janë gati.
Në libër parakalojnë personazhe historikë, të njohur por të treguar në mënyrë mjaft të bukur, me një gjuhë të thjeshtë e mjaft origjinale. Në udhën drejt përshkrimit të veprimtarisë historike të Grevës, në mënyrë inteligjente dhe tepër fine kalojnë mjaft ngjarje, ndodhi të rëndësishme e ndonjë edhe pak të rëndësishme dhe pse jo edhe të panevojshme. Me mjaft interes për lexuesin, pse jo, edhe për studiuesin, janë jo vetëm ngjarjet e kronikat historike por dhe ritet, doket, zakonet e njerëzve të thjeshtë. Pra të gjitha këto i gjen në monografinë e shkruar nga Nehat Daci për Grevën dhe banorët e saj.
Duke lexuar këtë libër rrjesht pas rrjeshti, pasazh pas pasazhi e kapitull pas kapitulli, bindesh plotësisht se autori ka bërë një punë vërtet serioze, me pasion e përkushtim, për të na përcjellë historinë e një fshati, vendlindjes tonë të dashur, të cilit i ka mjaftuar vetvetja për të mbijetuar dhe përcjellë mesazhe nëpër kohë, gjer në ditët tona.
Greva nuk është një fshat i zakonshëm e për rrjedhojë dhe ky libër për të, shkruar me aq ngrohtësi e dashuri nga autori Nehat Daci, nuk është një libër i zakonshëm. Greva është një fshat model i urtësisë dhe mençurisë së përcjellë në mexheliset e odave të Grevës, i filozofisë së të drejtës, e cila nuk e ka humbur kurrë orientimin, edhe në kohët më të vështira, kur e drejta dukej se nuk ekzistonte dhe shpërfytyrimi e degradimi qenë ngritur në sistem.
Ky libër përcjell sagëen e fiseve të një fshati që e duan jetën dhe në emër të saj, të vlerave më qenësore të ekzistencës njerëzore, si nderi,dinjiteti, besa, bujaria, kanë sakrifikuar e vazhdojnë të sakrifikojnë, pasi një jetë e vlefshme dhe kuptimplote për të jetuar nuk mund të ketë kuptim pa këto kode të forta të ekzistencës njerëzore.Në shpalimin e gjithçkaje shpirtërore, që nga kultura e mikpritjes, gjer tek ushtrimi i riteve, zakoneve e traditave të ardhura brez pas brezi, Greva është krejt e veçantë dhe shpreh mendësinë e një fshati që di të respektojë vlerat, di të ndërtojë jetën dhe të shijojë mirësitë e natyrës dhe universit.
Autori depërton në shtresimet e mendësive dhe psikologjisë grevase, që kanë vënë në veprim mekanizmin e jetës në këtë fshat të madh, me një etje të pashuar për dinjitet njerëzor. Në këtë këndvështrim, kuptimshmëria e rrëfimeve të Nehat Dacit, në këtë libër janë të ngrohta, të vizatuara lehtë dhe të spërkatura me nuanca të imta nostalgjike e malli, ç’ka është më se e natyrshme që niset në një “aventurë” shkrimore drejt rrënjëve të vendlindjes, të cilat janë rrënjët e tij dhe të të gjithë ne të tjerëve, që në fakt jemi pjesë e tyre, pjesë e një sage krenarie dhe dashurie njerëzore.
Autori duhet përgëzuar për punën e madhe që ka bërë me shumë përkushtim e përgjegjësi në qëmtimin dhe përcjelljen efakteve dhe detajeve jetësore e historike, me një gjuhë të thjeshtë e të kapshme për të gjitha moshat.
Ky libër duhet të jetë një libër tavoline për çdo familje grevase, për çdo grevas, kudo që ndodhen, në vendlindjen e tyre tek rrënjët a degët apo në treva të tjera të atdheut, urbane apo rurale qofshin ato, në emigracionin e vjetër apo të ri, në diasporë e gjetkë. Por ia vlen ta kenë si libër shtëpie të gjithë ata që duan të njohin më në gjerësi e më në thellësi historinë e trojeve tona, nëpërmjet dyerve, fiseve e fshatrave më në zë, histori e përgjithshme kjo, ku rri me aq natyrshmëri e dinjitet historia e veçantë e Grevës, përcjellë nga autori Nehat Daci.