Legjenda


Nga Shaqir Skarra

Zanat e Shumbatit

Poshtë Kroit të Verës, në një luginë që ndan fshatin Shumbat në dy mëhallë, ndodhet një emër vendi që në popull quhet “Hurdha-Togë”, një emër vërtet disi i çuditshëm. Këtu, nga uji i rrjedhshëm që vjen nga poshtë luginës, krijohet një ujëvarë e vogël, ku lahen fëmijët gjatë verës.
Gojëdhëna ka ardhur deri në ditët tona, se ndodhte që në orët e vona të natës, pikërisht, kur udhëtarët kalonin këtej, dëgjonin tinguj të ndryshëm, lodra dhe curle, tamam siç ndodh në një dasmë fshati
Të moshuarit tregojnë se tingujt dëgjoheshin deri sipër në kodër. Herë-herë këto tinguj ishin të frikshëm dhe herë-herë bëheshin të dashur për udhëtarët, të cilët rrinin lart në rrugë e dëgjonin.
Askush nga pleqtë e fshatit nuk e kuptonte drejt se kush kërcente tek “Hurdha-Toga” në orët e vona të natës nën tingujt e lodrave dhe curleve.
Kjo ndodhte në orët e vona të natës se ditën “Hurdha-Toga” ishte pronë e fëmijëve të fshatit, të cilët, pasi laheshin, shulleheshin në gurët e nxehtë që ndodheshin aty pranë. Lidhur me këto tinguj muzike, natën shumë veta nga fshati thoshin se janë ‘ato që qofshin larg’, dikush thoshte se janë xhindet se këto dalin natën.
Shpeshherë, gratë e fshatit, kur kishin ndonjë fëmijë sëmurë apo shëndetlig, e merrnin dhe e linin pak kohë tek “Hurdha-Toga”. Besonin se këtë fëmijë e merrnin xhindet dhe e ndërronin me një fëmijë tjetër. Ka pasur mjaft raste që në fshat shpreheshin që “filan fëmijë është i ndërruar” (i këmbyer me një tjetër).
Kjo ka ardhur si besëtytni deri në ditët tona se tashmë nuk dëgjohen tinguj lodre dhe curle. Megjithatë legjendat tona janë mbushur me zana dhe shtojzovalle. Ndoshta dhe “Hurdha-Toga” ka qenë një mriz i bukur, një log ku dëfrenin në qetësi zanat e malit pikërisht tek kjo ujëvarë e vogël me ujë si kristal. Sot këtu nuk dëgjohen si më parë tinguj lodre dhe curle, por ama toponimi “Hurdha-Togë” apo “Logu i zanave” ka mbetur.

Liqeni i Zi

Megjithëse ka mjaft gojëdhëna të ndryshme, në Kala të Dodës ndodhet një vend që ende është i mbuluar me mister dhe një nga vendet më të bukura dhe piktoreske në të gjithë zonën. Sot i thonë “Liqeni i Zi”.Edhe kjo ka legjendën e saj. Tregojnë se pikërisht këtu është mbytur një nuse e re bashkë me burrin e saj. Kishin dalë të dy herët në mëngjes burrë e grua dhe po punonin tokën me qé, që atëherë kjo ishte një pllajë e bukur e mjaft prodhuese.
Kur dielli ishte në të perënduar e toka ishte në përfundim e sipër, duke u lëruar nga qetë sakaq çahet një zgafellë e madhe në mes të saj dhe i përpiu të dy burrë e grua, si dhe qetë bashkë me parmendën dhe zgjedhën. Flitet se stolitë e florinjta të nuses së re dolën aty ku sot është “Kroi i Mirë”.
Vite më vonë kjo copë are u mbush me ujë e u bë një liqen, që sot në popull quhet “Liqeni i Zi”. Kështu i mbeti nga mallkimi që i bënë banorët për mbytjen e nuses së re. Tek “Kroi i Mirë”, ku thonë se dolën stolitë e nuses, ka ujë të rrjedhshëm, por ujë është mjaft i rëndë në të pirë. Udhëtarë të ndryshëm ndalojnë tek ky krua dhe shpeshherë lënë dhe ndonjë penj apo diçka tjetër nga rrobat e trupit që kanë veshur dhe pinë ujë.
Kjo lidhet me besëtytnitë se gjoja ky krua sjell mbarësi.

ANEKDOTA

Atë trung nuk po e gdhend kurrë

Unis një plak nga Luznia për të shkuar një natë tek një mik në Çidhën. Sapo u fut në oborrin e shtëpisë, djali i vetëm ndodhej jashtë dhe këtë mikun nuk e priti mirë, bile i tha se baba nuk ndodhet në shtëpi. Luznakut i erdhi mjaft keq për këtë pritje që i bëri djali, por përsëri u fut në shtëpinë e mikut. Sapo u ul, i zoti i shtëpisë nisi e po e pyet mikun si je e a u lodhe rrugës.
– Mirë jemi të gjithë e rrugës nuk u lodha, por më erdhi keq se bash tek porta jote hasa me një trung të pagdhendur e desh rashë përdhe. I zoti i shtëpisë e kuptoi se çfarë i kishte ndodhur mikut, ndaj ia ktheu:
– Mos u mërzit, bre burrë! Unë kam mbi tridhjetë vjet që merrem ta gdhend atë trung, por ende nuk po e gdhend. Asnjë ashkël nuk i del.