SKAVICA:
Rama: “Garanton sovranitet energjetik për Shqipërinë”
Berisha: “Mbështes projektin me tunel, pa asnjë përmbytje”


Pamje nga vendi ku do të ndërtohet diga e Skavicës. Foto: Neki Feta

Ndërtimi i HEC të Skavicës kthehet në çështje elektorale. Palët politike për herë të parë shfaqin pikëpamje të kundërta

Nga BUJAR KAROSHI

“Projekti i Digës së Skavicës cënon proceset ligjore dhe kushtetutën shqiptare, është shkatërrues për mjedisin, shkatërron identitetin dhe kulturën dibrane, identitetin e popullit shqiptar dhe është kundër interesit kombëtar të vendit. Është krejtësisht e pakuptueshme se si mund të jete dhënë një leje mjedisore për një projekt hidroenergjetik

“Marrëveshja e 3 tetorit 2020 për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës është krejtësisht e paligjshme, antishqiptare dhe antikombëtare. Ajo është antiligjore jo vetëm në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë, por edhe me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut

Pamje nga vendi ku do të ndërtohet diga e Skavicës. Foto: Neki FetaNdërtimi i hidrocentralit të Skavicës ia doli të ishte një çështje elektorale gjatë zgjedhjeve të parakohshme për kryetarin e Bashkisë së Dibrës. Palët në fushatë për herë të parë kanë pasur pikëpamje të ndryshme në lidhje me këtë çështje.

Partia Socialiste e quan ndërtimin e HEC të Skavicës si një projekt kombëtar që “do ta shpëtojë Shqipërinë nga ‘varësia energjetike’.” 

PD zyrtare, që në këtë fushatë kishte kandidat për kryetar të bashkisë z. Luan Haka, ka mbrojtur pikëpamjen se “modeli më i përshtatshëm për ekonominë e Dibrës dhe mbrojtjes së natyrës, është projekti me tre diga”.

Kandidati tjetër i PD, Premtim Kryemadhi, i njohur në këto zgjedhje nën siglën “Shtëpia e Lirisë”, ka dalë krejtësisht kundër projektit të ndërtimit. “Ne do ti themi “Jo” këtij projekti shkatërrues për Dibrën”, ka thënë Kryemadhi në takimet elektorale, madje ka premtuar se pas zgjedhjeve, në detyrën e kryetarit të bashkisë “do të udhëheqë protestat popullore për ta ndaluar ndërtimin e hidrocentralit”.

KRYEMINISTRI RAMA: “SKAVICA GARANTON SOVRANITET ENERGJETIK PËR SHQIPËRINË”

Kryeministri Edi Rama dhe disa anëtarë të qeverisë, së bashku me kandidatin për kryetar bashkie të Dibrës, Rahim Spahiu, në Peshkopi. Foto: FB/EdiRama

Kryeministri Edi Rama ishte më 26 shkurt 2022, ku zhvilli një takim në kuadrin e fushatës “Këshillim Kombëar për Shqipërinë”. Kryeministri foli për tema të ndryshme si sistemin e drejtësisë, informalitetin në punë, evazionin fiskal, madje edhe për opozitën e ndarë në dysh, por nuk tha asnjë fjalë për Skavicën, duke dhënë një sinjal se “qeveria e ka ndarë mendjen për ndërtimin  e saj, ndaj nuk ka nevojë për asnjë lloj këshille”.

Por nuk e anashkaloi Skavicën gjatë një takimi me të rinjtë në një nga kafenetë e Peshkopisë.

“Liqeni që ndërtohet nga Skavica do ta bëjë këtë zonë një nga zonat më të bukura dhe më me shumë atraksione, jo në Shqipëri, por edhe në Ballkan”, u tha ai të rinjve.

Edi Rama: Skavica garanton sovranitet energjetik për Shqipërinë” dhe se ndërtimi i saj duhej të ishte bërë më herët. Do të bëhet një nga liqenet më turistikë të Ballkanit.  Ky është zhvillimi që mund të sjellim ne këtu. Ne këtu do të zhvillojmë turizmin, agrobiznesin, sektorin energjetik. Dhe me këto do të bëjmë të mundur që gjithë këtë, që Zoti e ka bërë për merak këtu; Dibrën zoti e ka bërë ditën e diel, kur ka qenë pushim, ka pasur kohën për ta qëndisë; gjithë këtë ta kthejmë në pasuri për njerëzit dhe kjo do kohën e vetë”.

Duke marrë shembull një nga liqenet e Belshit, i cili ka pasur transformim të madh gjatë qeverisjes së tij, Kryeministri Edi Rama tha se “Liqeni që do të krijohet nga Skavica dhe gjithçka që do të ndërtohet atje, do të jetë një destinacion turistik i jashtëzakonshëm. Do të krijojë punësim, ekonomi, kulturë”.

“Nuk është thjesht çështja që do të ndërtohet aty një vepër, e cila është projektuar, është ideuar të ndërtohet qysh atëherë kur është ndërtuar kaskada, dhe që do të shpëtojë Shqipërinë nga pikëpamja energjetike” – tha Rama.

“Do të na bëjë më në fund të pavarur  ne, shqiptarëve, sepse nuk jemi të pavarur. Ne na bën të pavarur sistemi elektroenergjetik, i cili, është i varur nga ‘Allahu’ lart. Hedh ‘Allahu’ shumë ujë, ne kemi shumë ujë. Ktheu kurrizin Allahu nga ana tjetër dhe na hodhi vetëm diell, ne  s’kemi ujë fare. Ndërkohë, ajo që ne na mungon është rezervuari që mban rezervën, Skavica. Prandaj, ne sot kemi një situatë ku shesim lirë dhe blejmë shtrenjtë. Me Skavicën ne do ta mbajmë ujin aty, nuk do ta shesim kur është lirë, do ta shesim kur është shtrenjtë dhe as nuk do të përmbysim dynjanë se nuk kemi ku çojmë ujin”, tha Kryeministri Rama.

Më tej, kryeministri Edi Rama theksoi se “Skavica garanton sovranitet energjetik për Shqipërinë” dhe se ndërtimi i saj duhej të ishte bërë më herët. Ai foli edhe për shpronësimet dhe investimet e tjera në këtë rajon, gjatë fazës së ndërtimit dhe pas ndërtimit të saj.

“Sot ne jemi të varur nga budalliku, sepse në gjithë ato vite nuk menduam të bëjmë këtë. Ato prona që janë aty nuk vlejnë, pasi njerëzit kanë ikur. Ato banorë që jetojnë aty, sigurisht që do të shpronësohen, ashtu siç ju takon. Pjesa tjetër do të kenë prona me vlera marramendëse, jo pas 100 vjetësh, por pas 10 vjetësh. Do të bëhet një nga liqenet më turistikë të Ballkanit.  Ky është zhvillimi që mund të sjellim ne këtu. Ne këtu do të zhvillojmë turizmin, agrobiznesin, sektorin energjetik. Dhe me këto do të bëjmë të mundur që gjithë këtë, që Zoti e ka bërë për merak këtu; Dibrën zoti e ka bërë ditën e diel, kur ka qenë pushim, ka pasur kohën për ta qëndisë; gjithë këtë ta kthejmë në pasuri për njerëzit dhe kjo do kohën e vetë”.

Kryeministri iu referua investimit në Rrugën e Arbrit, e cila e ka afruar Tiranën me Dibrën shumë afër dhe do ta afrojë më shumë me ndërtimin  e Tunelit të Murrizit.  

“Dibra bëhet kopshti i gjelbër i Tiranës”, tha Kryeministri në takimin me të rinjtë në Peshkopi.

PREMTIM KRYEMADHI: DO TË JEMI NË BALLË TË PROTESTAVE KUNDËR NDËRTIMIT TË SKAVICËS

Kandidati i “Shtëpisë së Lirisë” ka premtuar se do të jetë kundër ndërtimit të HEC të Skavicës. 

“Kudo ku  kam shkuar, në Reç, në Zall Dardhë, në Fushë-Alie e deri në Luzni, kam takuam qindra qytetarë që kanë mijëra halle, por  tani u është shtuar edhe halli tjetër, halli i përmbytjes me Skavicën. Unë bashkë me ju do ti themi “Jo” këtij projekti shkatërrues për Dibrën. Do ti themi “Jo”, sepse nuk mund të ndërtohet pa pëlqimin e dibranëve një projekt që e nxjerr fare Dibrën. 7-8 mijë hektarë të përmbytura dhe mbi 30 fshatra të zhdukura, bashkë me historinë e tyre. Kjo nuk mund të ndodhë”, tha Kryemadhi gjatë takimi përmbyllës të fushatës së tij elektorale. 

Premtim Kryemadhi: “Unë bashkë me ju do ti themi “Jo” këtij projekti shkatërrues për Dibrën. Do ti themi “Jo”, sepse nuk mund të ndërtohet pa pëlqimin e dibranëve një projekt që e nxjerr fare Dibrën. 7-8 mijë hektarë të përmbytura dhe mbi 30 fshatra të zhdukura, bashkë me historinë e tyre. Kjo nuk mund të ndodhë.”

Gjatë një takimi elektoral në Fushë Alie më 25 shkurt, Kryemadhi premtoi se do të ishte zëri i qytetarëve kundër këtij projekti shkatërrues. 

“Kemi kryetarë bashkie që shkojnë e vijnë, kemi deputetë të majtë e të djathtë, por a keni dëgjuar ndonjërin prej tyre ta përmendë Skavicën? Skavica është çështja e ditës, por pse nuk e përmendin?”

“Një kryetar bashkie që ka qytetarët me vete, ka shumë kompetenca, më shumë se kryeministri. Unë do të jem në këmbë të mbarë protestave, jo vetëm ju që prekeni drejtpërdrejtë, por edhe të tjerëve, sepse vetëm të bashkuar mund ti bëjmë ballë kësaj katastrofe historike, demografike kulturore për gjithë zonën. Unë do të jemi bë ballë të këtyre protestave”, tha Premtim Kryemadhi në Fushë-Alie.

BERISHA: “MBËSHTES PROJEKTIN E SKAVICËS ME TUNEL, PA ASNJË PËRMBYTJE”

Ish-Kryeministri Sali Berisha dhe kandidati për kryetar bashkie i Dibrës, Premtim Kryemadhi, gjatë fushatës elektorale në Fushë Alie. Foto: FB/SaliBerisha

Edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili udhëhoqi fushatën e “Shtëpisë së Lirisë” tha në Fushë Alie se ishte kundër projektit që përmbyt fshatra të tëra. Përfaqësues të banorëve të këtij fshati i kërkuan Berishës që ti ndihmonte ata në mbrojtjen e shtëpive dhe trojeve të tyre nga ndërtimi i HEC të Skavicës.

Duke iu përgjigjur thirrjes së tyre, Berisha tha se “Dibrën e kërcënon një mynxyrë e vërtetë, e kërcënon përmbytja e tokave, e shtëpive, e varreve të të parëve dhe e historisë së saj, që është njëkohësisht palcë e historisë kombëtare, me një digë e tëra korruptive, diga e Skavicës”.

Sali Berisha: “Skavica shënon hordhinë më barbare që kërkon të vërshojë mbi Dibrën në të gjitha kohërat. Ajo s’do të ndërtohet kurrë për të përmbytur Dibrën. Kam arritur në përfundimin e prerë se Skavica kurrë nuk duhet të ndërtohet në variantin që përmbyt fshatrat e Dibrës. Sot ka alternativa të tjera energjie: ato 100 megavat energji, që përfitohet nga përmbytja e Dibrës, mund t’i përfitosh shumë kollaj me turbina ere apo me panele diellore”.

Berisha, në fjalën e tij theksoi se në vitin 2005, kishte anuluar një kontratë me një kompani italiane, për faktin se ai nuk mbështeste asnjë projekt që shpërngulte qoftë një fshat apo lagje si dhe pa kaluar nga një tender ndërkombëtar”. 

Berisha tha se “kompania italiane e ribëri projektin, për një tunel nga Skavica deri afër Bicaj, pa asnjë përmbytje”.  “Ky është projekti që unë mbështes dhe do ta mbështes. Projekt me përmbytje nuk mbështes kurrë dhe kjo nuk mund të ndodhë”, tha ai.

Ish-kryeministri Berisha e akuzoi Ramën për dhënien e ndërtimit të Skavicës më një prokurim të drejtpërdrejtë, duke anashkaluar garën ndërkombëtare. Ai u bëri thirrje dibranëve në Tiranë dhe kudo nëpër botë, që të ngrihen në këmbë për të ndaluar përmbytjen e Dibrës.

“Skavica shënon hordhinë më barbare që kërkon të vërshojë mbi Dibrën në të gjitha kohërat. Ajo s’do të ndërtohet kurrë për të përmbytur Dibrën” – tha Berisha. 

Të njëjtin qëndrim ai mbajti edhe në takim përmbyllës elektoral në bulevardin “Elez Isufi” në Peshkopi, më 2 mars 2022.

“Edi Rama ka marrë përsipër ti bëjë Dibrës atë që nuk ia ka bërë asnjë pushtues në të gjitha kohërat: të mbytë nën ujë Dibrën më pjellore, Dibrën historike, vendorigjinën e Skënderbeut, të mbytë nën ujë dhjetëra fshatra, përfshirë edhe shtëpitë dhe varrezat. Dhe pse? Për të prodhuar 100 megavat energji më shumë në hidrocentralin e Skavicës. Kam arritur në përfundimin e prerë se Skavica kurrë nuk duhet të ndërtohet në variantin që përmbyt fshatrat e Dibrës. Sot ka alternativa të tjera energjie: ato 100 megavat energji, që përfitohet nga përmbytja e Dibrës, mund t’i përfitosh shumë kollaj me turbina ere apo me panele diellore”.

LUAN HAKA: TRANSPARENCË E PROJEKTIT, KONSULENCË DHE KOMPENSIM I DUHUR PËR BANORËT

Luan Haka, kandidati i PD që drejtohet nga Lulzim Basha, nuk ka mbajtur një qëndrim të prere për çështjen “Skavica”. Në takimet me banorët ai ka vënë theksin te “konsulenca me banorët dhe transparencë të planit të fizibilitetit”.

Pas një takimi në Luzni më 22 shkurt 2022, Haka shkroi në faqen e tij në Facebook se “në fokus të bisedave, një vend të veçantë zuri dhe projekti i ndërtimit të Skavicës. Banorët theksuan se nuk janë kundër ndërtimit të kësaj vepre madhore energjetike, por nevojitet transparencë e projektit, konsulencë dhe kompensim i duhur për banorët që do të preken nga ndërtimi”. 

Haka i qëndron pikëpamjes se “modeli më i përshtatshëm për ekonominë e Dibrës dhe mbrojtjes së natyrës, është projekti me tre diga, i cili nuk do të shpërngulte komunitete të tëra, por do ta kthente zonën në një destinacion tërheqës turistik”.

Në një intervistë për median Haka ka evidentuar dy momente. E para, ai ka vënë re se “asnjë dibran nuk është kundër investimeve madhore energjetike kombëtare, por rasti i ndërtimit të Skavicës duhet të përfshijë më shumë konsulencë me banorët dhe transparencë të planit të fizibilitetit. 

Pika e dytë, sipas tij, lidhet me shqetësimet që banorët kanë për përmbytjen e tokave bujqësore dhe investimeve që kanë ngritur, si dhe pasojat në ekosistem.

Sipas Hakës, banorët “kërkojnë shpjegime dhe sqarime nga ekspertët e fushës, dhe jo nga euforia apo interesat e politikanëve”.

ORGANIZATAT MJEDISORE: TË RISHIKOHET PROJEKTI, SJELL DËME TË MËDHA MJEDISORE DHE PASOJA TË PARIPARUESHME SOCIALE

Më 22 dhe 23 shkurt, në një nga sallat e Hotel Veri në Peshkopi, përfaqësues të organizatave mjedisore dhe shoqërisë civile, zhvilluan takime në lidhje me organizimin e një fushate informuese dhe faktmbledhëse në terren, mbi dëmet që sjell ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës.

Përfaqësuese në këtë takim ishte edhe një nga aktivistet e organizatës më të madhe në Europë, Euronatur, e cila është e angazhuar në mbrojtjen e natyrës, jetës së egër të Europës, ruajtja e habitateve të saj dhe ofrimin e një perspektive ekonomike miqësore ndaj natyrës për banorët vendas. Organizata ka krijuar një rrjet të fuqishëm organizatash partnere dhe shkencëtarësh, duke ofruar mbështetje për komunitetet që rrezikohen nga ndërtimi i veprave të mëdha, ngjashëm si ai i HEC të Skavicës.

E pranishme në këtë takim ishte edhe Ferzileta Gjika, e cila përfaqësonte një lëvizje të dibranëve, shqiptarëve, në New York, të cilët janë kundër ndërtimit të Skavicës.

“Projekti i Digës së Skavicës cënon proceset ligjore dhe kushtetutën shqiptare, është shkatërrues për mjedisin, shkatërron identitetin dhe kulturën dibrane, identitetin e popullit shqiptar dhe është kundër interesit kombëtar të vendit. Është krejtësisht e pakuptueshme se si mund të jete dhënë një leje mjedisore për një projekt hidroenergjetik”, tha për gazetën “Rr.A.” Ferzilete Gjika.

Ajo i cilësoi veprimet e politikanëve si “të papërgjegjshme”.

“Ndërsa emergjenca klimatike përshkallëzohet, qeveritë e ndryshme të Europës dhe Amerikës po kërkojnë mënyra për të reduktuar emetimet e “Greenhouse Gas” dhe “Go Green”. Ndërsa industria hidroenergjetike në Shqipëri po kërkon të përfitojë nga urgjenca klimatike, duke e reklamuar në mënyrë të rreme fuqinë e saj si “të pastër, të gjelbër, të qëndrueshëm dhe të rinovueshëme”. Hidrocentrali i Skavicës është energji e pistë, nuk duhet lejuar të kualifikohet për subvencione ose të konsiderohet “energji e pastër”. Është një fatkeqësi e të drejtave të njeriut, klimës dhe mjedisit”, tha Gjika.

Ajo theksoi se “SHBA ka ndaluar me ligj ndërtimin e hidrocentraleve të mëdha, siç është ai i Skavicës, dhe shteti federal merret vetëm me mirëmbajtën e hidrocentraleve ekzistuese, është e pakuptueshme se si është përfshirë një kompanie amerikane në ndërtimin e HEC Skavica”.

Gjatë një intervistë në “Syri TV” më 27 shkurt 2022, ajo i kërkoi qeverisë shqiptare që ta ndalojë zhvillimin e këtij projekti, duke propozuar disa kërkesa:

– të bihet dakord për muajt në vijim, mars-prill 2022, për një rishikim të plotë të planeve aktuale të zhvillimit të hidrocentralit mbi Lumin Drin i Zi;

– organizimi i një tryeze të rrumbullakët shkencore për Skavicën, ku të përfshihen ekspertë vendas dhe ndërkombëtar, për të informuara marrjen e vendimeve në lidhje me çështjet e identifikuara në pellgun ujëmbledhës të Drinit të Zi;

– të ndiqen angazhime politike dhe ligjore të Shqipërisë, për të përmbushur konventat ndërkombëtare si dhe kërkesat e Bashkimit Evropian në lidhje me ndërtimin e digave të mëdha;

– të shqyrtohen alternative të tjera energjie, si ajo diellore, nga era, dhe të ndalohet kategorikisht ndërtimi i një hidrocentrali të madh, si ai i Skavicës;

– të dëgjohet zëri i banorëve të Dibrës që preken drejtpërdrejtë nga përmbytja e vendit të tyre, duke zhdukur identitetin, historinë, kulturën, shtëpitë dhe trojet.

Shoqata për Mbrojtjen e Pellgut të Drinit të Zi, dy ditë para zgjedhjeve, doli me një thirrje të hapur, ku kërkon ndihmën dhe kontributin e çdo shqiptari për “shpëtimin e Dibrës”.

Deklarata i kundërvihet kryeministrit dhe politikaneve që duan të ndërtojnë Skavicën, dhe bën thirrje që njerëzit të votojnë për “veten e tyre”.

“Votoni atë që ju ka dalë Zot në mbrojtjen e Dibrës. Këto votime janë një test për shpëtimin e Dibrës tonë”.

Në deklaratën e shoqatës, firmosur nga kryetari, Nazmi Drizi, nuk përmendet emri i kandidatit, por nënkuptohet se ai është Premtim Kryemadhi.

Shoqata ka deklaruar publikisht se ka mbi 5 mijë anëtarë në radhët e saj, por gjatë fushatës elektorale nuk organizoi asnjë proteste kundër Skavicës. Tani mbetet të verifikohet nëse 5 mijë anëtarët e saj do të votojnë kandidatin e “Shtëpisë së Lirisë” apo do ti bojkotojnë zgjedhjet.

Që prej protestave të organizuara në nëntor 2020, ku Drizi është gjobitur me një shumë prej 5 milionë lekë, protestat e shoqatës kanë qenë të pakta. Që prej protestës së organizuar në nëntor 2021 në Peshkopi, ku u themelua Aleanca për Mbrojtjen e Dibrës, nuk ka pasur më protesta kundër Skavicës. Protestat janë zhvilluar vetëm në Facebook.