A ka heronj dhe heroizëm sot në jetën tonë?


Nga Xhafer Martini

Heronjt i kemi të shpatës dhe të pushkës, të penës dhe të kulturës. Por, brezi im, kur shqipton fjalën “hero”, ka parasysh vetëm të parët, se qemë mësuar dhe edukuar me ta, se jeta nën diktaturë e presupozonte flijimin. Mbas Luftës së Dytë Botërore, që shkaktoi kaq shumë vuajtje dhe fatkeqësi, humbje në njerëz, qëndrimi ndaj heronjve dhe heroizmit ka ndryshuar. Në antipod me patriotizmin e zhurmshëm, në disa qarqe intelektuale, nuk flitej më për heronj, por për njeriun e zakonshëm që don ta jetojë jetën dhe nuk e jep atë për asnjë ideal. Kjo është filozofia e ekzistencializmit, përfaqësuesi kryesor i të cilit ishte filozofi francez Zhan Pol Sartër (1905-1980). Por kur e pyetën Sartrin se ç’ishte ekzistencializmi, ai tha se nuk e dinte, se nuk ishte një filozofi që shpjegohej, por që jetohej. Kuptimi i kësaj përgjigjeje është pak a shumë ky: rëndësi ka të ekzistosh, të pohohesh si qenie dhe ta jetosh jetën sido që të të vijë. Kjo filozofi bie në kundërshtim me filozofinë totalitariste që e zëvendësonte individin me turmën amorfe. Kamy, një tjetër filozof ekzistencialist, në një bisedë me me Simonë de Bovuar, shkrimtare franceze, i tha asaj: “Ti dhe unë kemi të përbashkët faktin se, për ne, individët kanë më shumë rëndësi se çdo gjë tjetër. Preferojmë konkreten para abstraktes, njerëzit para doktrinave. Dhe miqësinë e vemë para politikës”. Më thellë dhe më qartë këtë ide Kamy e shtjellon tek romani “Murtaja”: “Unë jam ngopur duke parë njerëz që flijohen për idetë. Unë nuk i besoj më heroizmit, tani e di që heroizmi është diçka e lehtë, madje mësova se ishte një gjë vdekjeprurëse. Unë kërkoj që njerëzit të rrojnë dhe të vdesin për diçka që e duan me gjithë shpirt”. Edhe Niçe i përbuzte sakrifikcat për kauzat: “Si?!- klithën i dëshpëruar ai. – Ia rritka vlerën një kauze fakti që dikush heq dorë nga jeta për të!?”. Kjo është, si të thuash, pamja historike e çështjes së heronjve dhe heroizimit.
Sot në vendin tonë, shtypi dhe televizioni, fjalët dhe fjalimet, diskutimet dhe analizat, gjithçka që flitet e shkruhet, e godet njeriun me negativen, me atë që nuk duhet të ndodh, por që në jetën tonë është bërë përditshmëri. Njeriu i sotëm shqiptar nuk mendon më për heroizmin. Ai ka rënë aq poshtë moralisht sa kjo fjalë mund t’i duket poshtëruese, sepse kudo që nga kupola e shtetit e deri tek vjedhësi i pusetave, shikon vetëm hajdutë, kriminelë, të korruptuar, të degjeneruar, banda dhe banditë, shikon një kaos dhe neveri që ta bëjnë shpirtin katran të zi, shikon një varfëri ekstreme që e ul dhe e poshtron njeriun. Burimi i deheroizmit është varfëria.
Tani në vendin tonë e ka humbur kuptimin edhe fjala Atdhe. Kjo për faktin se atdheun na e poshtruan, na e vodhën. Ata që duhet ta mbronin, në rast nevoje, dhe ta ndërtonin e ta lulëzonin atë, po ikin jashtë atdheut. Po ikën brezi i ri se ka mbetur pa atdhe. Armiqtë më të egër të vendit tonë, këtë kanë dashur- zbrazjen e Shqipërisë dhe të Kosovës. Shkencëtarët dhe akademikët serbë kanë hartuar platforma afatgjata për t’ia arritur këtij qëllimi. Në kohën e jugosllavizmit të parët që pajiseshin me pasaporta dhe inkurajoheshin të largoheshin prej vendit të tyre, ishin kosovarët. Tito ishte arkitekti i zbrazjes së Kosovës nga banorët vendas.
Por, edhe pse ndodh kështu, jeta nuk zmbrapset, ajo ecën në rrjedhat e saj të zakonshme, zhvillohet dhe përtëritet, si një pemë në degët dhe trungun e të cilës sopata ka bërë kërdinë, por prapë ajo treshon filiza të rinj, mbyll plagët dhe bën përpjetë “për të pohuar qenien e saj”.
Unë them që edhe sot, ka heronj dhe heroizma, por ato janë të pabujshëm, të një natyre tjetër, jo me krisma dhe me “urra”, ku mes plumbave dhe flakëve prinin në ballë të shqiptarëve prijësit popullorë. Unë në këtë shkrim do të bëj fjalë për dy heronj dhe heroizmin të tyre, që përdorin një armë tjetër, të vogël, por shumë të efektshme siç është bisturia që shpëton jetën e njeriut. Ky shkrim është për dy mjekë të shquar, kardiokirurgë, në QSUT, Selman Dumani dhe Ermal Lika. Heroizmi i tyre është në përditshmëri, prandaj edhe nuk vihet re. Që në fillim dua të them se ata në jetën time të tanishme kanë dhënë një kontribut të barabartë; të barabarta i kanë nderimet dhe mirënjohjen. Nëse do të përmend pak më shumë Selman Dumanin, këtë do ta bëj se ai është dibran, dhe bën pjesë në krenarinë e popullit të kësaj krahine, të cilit i përkas edhe unë.
Kisha shumë vite që vuaja nga një sëmundje zemre: valvula e aortës nuk funksiononte mirë dhe për këtë arsye zemra nuk furnizohej me gjak. Nuk mund të mbushesha me frymë. Koronografia zbuloi që veç mosfunksionimit të valvulës kisha edhe bllokim të enëve të tjera të gjakut. Nuk kishte rrugë tjetër, veç ndërhyrjes kirurgjikale. Nuk desha të pajtohesha me këtë mendim. A kisha frikë? Patjetër që kisha. Mosha më detyronte të mendohesha mirë “për të hyrë nën thikë”, siç shprehet populli. Vendosa të jetoja ashtu: të ecja fare pak, sa me dalë jashtë me këmbët e mia… Po laku në fyt vinte duke m’u shtrënguar. Unë, një tip shoqëror, që nuk mund të rrija pa shokë dhe pa miq, u mbylla në një lagje të veçuar, në “Astir”, madje në një “oaz” të kësaj lagjeje ku nuk ka (sot për sot), më shumë se dhjetë pallate… Puna që bëja m’u mërzit, nuk më bëhej ta hapja laptopin. Madje nuk kisha dëshirë as të lexoja. Erdhi një çast që edhe nëpër shtëpi nuk mund të ecja pa m’u marrë fryma.
Kur u vendos që të operohesha, kjo gjë tani duhej bërë sa më shpejt. Sa më shumë kalonin ditët, aq më tepër stresohesha dhe dobësohesha, shpirtërisht dhe fizikisht, duke u bërë i papërshtashëm për t’u operuar. Tani duhej menduar për mjekun. Nuk mund ta lija veten në dorën e cilitdo. Na rekomanduan kardiokirurgun Ermal Lika. Unë e familjarët e mi u takuam me të në klinikën gjermane. Ermali ishte një burrë me shtat mesatar që po i afrohej gjysmës së moshës. Mjekra e zezë dhe e gjatë e tregonte pak më të moshuar. Vështrimin e kishte të butë dhe si ledhatar. Mjekrën nuk e kishte për modë, besonte në Zot dhe falej e lutej. Kjo më bëri t’i besoja atij njeriu. Por kërkimet për mjekë të tjerë vazhdonin. Në internet hasa në lajmin se mjeku i QSUT, Qendra Universitare “Nënë Tereza”, kardiokirurgu Selman Dumani, kishte kryer një ndërhyrje kirurgjikale që bëhej për herë të parë në vendin tonë: ndërhyrje në valvulën e aortës së zemrës, në të cilën vendosi një protezë pa qepje. Operacioni u krye tek një 77 vjeçar dhe doli me sukses. Dija gjithashtu se ishte dibran. Kisha dëgjuar për të edhe nga burime të tjera, por operacioni tepër i vështirë që kishte kryer, sigurisht e rriste reputacionin e tij dhe e bënte shumë të kërkueshëm nga pacientët dhe familjarët e tyre. Organizuam një takim me të. Më priti para kabinetit të tij, kur ende nuk kisha zbritur nga karroca.
-Ah, profesor, profesor,- më tha duke mos e plotësuar fjalinë. Por unë e plotësova me mendjen time: “qenke katandisur në ditë të hallit…”. I treguam se kishim pasur një pjekje edhe me kardiokirurgun Ermal Lika. Keni bërë shumë mirë, tha. Ne jemi shokë dhe miq dhe punojmë bashkë.
Doli që më njihte mirë: kur unë isha mësues në gjimnazin e Peshkopisë, ai ishte nxënës. Më tha se më njihte edhe si shkrimtar, disa libra të mi i kishte lexuar. Mbase kjo ishte thënie për politesë, sepse ai karakterizohej nga ëmbëlsia në të folur, por jo nga një ëmbëlsi veleritëse, e pasinqertë, por e zbuluar përmes strukturash morale të seriozitetit. Zbrita nga karroca dhe u futëm në kabinetin e tij. Me modesti dhe art më vuri në qendër të bisedës duke treguar jo vetëm respekt, por edhe përkushtim për të bërë ç’ishte e mundur për të më nxjerrë nga honi ku shpeshherë na lëshon sëmundja. Sytë e tij jashtëzakonisht shprehës më kontrollonin sikur po më vizitonin. Një mjek si ai më shumë se nga të gjitha aparaturat e analizat mëson nga pamja klinike e pacientit. Për disa çaste shikimin e ndalte tek barku im. Po të mos ishte i pajisur me taktin e nevojshëm, fryrjen e barkut, që, veç të tjerave, është një veprim kundërintelektual, do ta nxirrte si pengesë në operacion, se vërtet i tillë është. Ai këtë ma tha me shikimin e tij qortues. Me gojë tha tjetër gjë: “Profesor, të gjithave mund t’ua gjejmë anën, vetëm moshës nuk kemi çfarë t’i bëjmë”. Kjo e lehtëson procesin, thashë unë, se, në fakt, e kam jetuar jetën. Tani luaj me qarin. Me atë mprehtësinë që e karakterizon e kuptoi se kisha dhënë aprovimin për operim jo vetëm me shkuarjen aty, por edhe me fjalët që thashë. Kuptonte hollë. Nuk u bisedua për garancira, për përqindje suksesesh e dështimesh, sepse këto dihen. Ka edhe prej atyre njerëzve, që, edhe pse i drejtohen kardiokirurgut, bëjnë fjalë për sigurira dhe garancira. Organizmi i njeriut është tepër i çuditshëm; edhe në një operacion fare të lehtë, përfundimi mund të jetë fatal, siç mund të jetë i suksesshëm në një operacion tepër të vështirë. Zoti para e kirurgu mbrapa, kjo ishte deviza e Selman Dumanit dhe e Ermal Likës. Kjo ishte edhe deviza ime dhe njerëzve të mi. Puna ishte të bëhej më e mira e mundshme.
Nuk më harrohet ajo natë kur u nisa për në sallën e urgjencave të kirurgjisë në spitalin “Nënë Tereza” . Aty më përgatitën për në sallën e reaminacionit (terapi intensive). Bënte një vapë e madhe, kishte shumë njerëz në sallë, kurse përjashta ishte mizëri. Mbas një ore u ndava me njerëzit e mi të dashur, dhe, hipur në karrocë, më çuan në reaminacion. E kisha përfytyruar ndryshe atë sallë, por ishte mjaft e zakonshme, me shumë të sëmurë. Më mbajtën tri ditë për të më bërë analizat që të “vinin në parametrat” e nevojshëm. Duhej të rrije vetëm në kokërr të shpinës. Mbas tri ditësh më zbritën në spitalin e kirurigjisë së përgjithshme, pas dy netësh aty, më çuan në spitalin e kirurgjisë së zemrës. Kushtet nuk ishin ato që duhej të ishin. Personeli shëndetësor, në krahasim me të shtruarit, ishte mjaft i kufizuar. Doktor Selmani dhe doktor Ermali e ndiqnin “ecurinë” time. Më në fund më caktuan ditën kur do të operohesha. Do të isha i pari në listën e asaj dite…
Në shtëpinë botuese M&B kisha dërguar qysh një muaj më parë librin “Pasqyra e thyer” me kujtimet që kisha nga disa personalitete të politikës, artit dhe të kulturës. I thashë Shaqir Skarrës që erdhi të më shikonte, t’i thoshte Bujarit që ta botonte para se të hyja në sallën e operacionit. Kjo ngutje kuptohej. Doja ta shikoja librin të botuar para se t’i nënshtrohesha ndërhyrjes. Frika nga vdekja na shtyn të nxitojmë. Po të mos ishte vdekja, punët do të zvarriteshin me sot, me nesër. Kur shkon në sallën e operacionit, qoftë edhe për një rast më të lehtë, nuk je i sigurtë se do “të ngjallesh” prapë. Procesi u përshpejtua dhe pesë kopje të librit më erdhën në kohë. Ishte botim me cilësi si të gjitha botimet e Bujarit.
Me shtatë shkurt, në mëngjes, aty rreth orës tetë, më vunë në karrocë për në sallën e operacionit. Ndërsa unë shkoja kat më kat me karrocë, nëpër ashensorë, dy doktorët, Selman Dumani dhe Ermal Lika, ia mbajtën shkallëve. U pamë në korridor, kur ata po ngjisnin shkallët.Më vështruan me një lloj ndjenje që ishte midis keqardhjes, shpresës dhe mallëngjimit njerëzor. Po vimë për ty, thonin shikmet e tyre dhe ashtu ishte…Kur jam nisur për në sallë, nuk e kisha aspak ndjenjën e frikës. Jo se jam trim, por ma hoqi “Zoti frikën”, sikur thuhet. Vetëm kisha ftohtë… Hë, se do të ngrohesh, më thanë infermieret dhe më hodhën sipër diçka si pelerinë të kaltër me të cilët mbulohen ata që do të operohen… Ajo linte zbuluar vetëm gjoksin…
Siç me thanë njerëzit e mi më vonë, operacioni kishte zgjatur pak më shumë se dy orë. Mobilizmi ishte total “që të mos u ngelesha në dorë”. Çdo vonesë e panevojshme, mund të ishte fatale. Kur më doli narkoza, e pashë veten edhe një herë në sallën e reaminacionit…Tani e kisha dhjetë herë më vështirë sesa kur nuk isha i operuar…Se ç’kam hequr ato katër ditë që më kanë mbajtur aty, nuk dua as ta kujtoj…
Kur nga reaminacioni rashë në mjediset e spitalit kirurgjikal të zemrës, pashë se poshtë, në përfundim të shtyllës kurrizore, më ishte hapur një plagë. Qëndrimi në shpinë, se çdo qëndrim tjetër është i pamundur, ishte një gjë tepër e rëndë, me shumë dhimbje dhe lëngime. Në atë gjendje që isha, erdhën dhe më panë shokët, miqtë, kushërinjtë, si: Dilaver Laçi, Sali Koltraka, Ramazan Buci, Bujar Karoshi, Shaqir Skarra e të tjerë.
Kishte prej atyre që kishin ardhur për të më parë, por që qëndronin pas dere se nuk i lejonin. Kishte plot të tjerë që më merrnin në telefon. Osman Miha më ka marrë dhjetra herë. Shokët dhe miqtë ma lehtësonin gjendjen, megjithatë, vuajta shumë. Këtë e dinë vetëm ata që e kanë provuar…
Por unë nuk e kam qëllim të shkruaj për ato vuajtje që i kanë provuar të gjithë ata që janë operuar. Unë dua të tregoj për punën e mjekëve të shkëlqyer që kemi, sidomos për kardiokirurgë të mrekullueshëm, si Selman Dumani dhe Ermal Lika. Për Ermalin nuk e di, por Selman Dumani sikur ecte sipas asaj thënies. “Bëmë baba, të të ngjaj”. Dibra gjithnjë ka pasur mjekë të mirë. Meritojnë t’i përmendish të gjithë, por mjafton të kujtojmë disa prej tyre: Rrahim Gjika, Basri Neziri, Qemal Çadri, Ali Tonuzi, Tahir Alku, Ahmet Alliu, Ahmet Kamberi, Mehdi Cani, Irfan Jashari, Hysen Pasha, Vehbi Keta, Ramazan Buci, Ahmet Shahinaj, Filip Cfarku, Selami Nazifi, Sashenka Nazifi, Shpresa Topuzi, Bajram Ndreu, Haziz Ndregjoni e të tjerë e të tjerë. Tani është Selman Dumani që ka bërë emër dhe është dalluar në Tiranë, ku ka “ujqër të mëdhenj”. Selmani është elita. Atë e dalloi dhe e veçoi vetëm talenti dhe puna e përkushtuar dhe e jashtëzakonshme. Nuk kishte suport tjetër. Nëse një shekull e ca më parë Dibra kishte burra të përmedur si Elez Isufi, Selman Alia, Mersim Dema, strategë të luftërave popullore, tani Dibra ka një strateg të një lufte tjetër, të luftës me bisturi– Selman Dumanin. Ky nuk është më pak i lavdishëm se sa burrat e mëdhenj të Dibrës para një shekulli. Përmendja për cilësi të larta intelektuale është shumë më e rëndësishme se përmendja për trimëri…
Unë u jam shumë mirënjohës këtyre mjekëve që më kthyen prapë në jetë, tashmë me një shëndet të përmirësuar. Për mua kjo jetë pas operacionit është “Behari i vogël i një Forsajti” nëse dikush nga ju e ka lexuar Sagën e Forsajtëve të Gollsuorthit. Pushtetarët më të lartë të Dibrës, për shumë e shumë vjet, jo vetëm nuk më kanë vlerësuar, por më kanë luftuar, siç kam treguar me fakte tek libri im më i fundit: “Pasqyra e thyer”. Por ja që del Selman Dumani që ua heq “vrugun” të gjithëve dhe kthen jetën jo vetëm njeriun, por edhe shkrimtarin duke ia shtuar “lejen e krijimtarisë”. Se sa do të jetë kjo “leje”, e di vetëm Zoti. Por, meqë Selmani është dibran, unë mendoj se vendlindja e gjen mënyrën për të ndihmuar dhe për të vlerësuar atë që e meriton. Unë jam i gëzuar që këtë gjë e bëri për mua Selman Dumani. Partiakët dhe pushtetarët e Dibrës nuk do të më gëzonin me asgjë. Asgjë të mirë nuk prisja prej tyre. Në këtë gjendje të përmirësuar që jam sot, është lumturi të jetosh qoftë edhe pak muaj.
Përpara se të operohesha, jeta më ishte bërë tepër e vështirë dhe nuk më dhimbsej aq shumë. Ju flas me sinqeritet. Selmani dhe Ermali më dhanë një jetë të dytë dhe këtë nuk kam asnjë të drejtë ta shpërdoroj. Përpiqem të zbatoj çdo këshillë të tyre. Pothuaj jam bërë njeri tamam normal, duke humbur disa kile të tepërta. Normaliteti në këtë moshë qenka gjë shumë e bukur. Xholioni i Ri tek “Behari i një Forsajti”, ishte shumë më i ri se unë dhe ra në dashuri me Irenën. Jeta e tij mori kuptim nga lartësi të tjera. Unë për moshën që kam, duhet të kënaqem kur shikoj qoftë edhe një gjethe dafine kur e dridhën era. (Në lagjen time ka shumë dafina). Mua tani më gëzojnë më shumë takimet me shokë dhe me miq dhe, mbi të gjitha,më jep kënaqësi një mënyrë e re komunikimi, më e bukur, më njerëzore, pa asnjë fodullëk dhe mendjemadhësi. Jam krejt i zhveshur nga egoizmi i cili, sipas meje, është fatkeqësia e njeriut, pengesë e madhe për lumturinë e tij. Dëshira për të punuar më ka ardhur prapë. Në kompjuter ndosha rri më shumë se sa duhet. Pa shkuar një herë në grykë të varrit dhe pa kthyer prapë, nuk mund t’i kuptosh këto gjëra si duhet.
Janë me mijra njerëz si unë që duan t’u shprehin mirënjohje këtyre mjekëve të mrekullueshëm që kanë ardhur si një bekim dhe uratë nga Zoti për këtë popull të vuajtur dhe të braktisur në fatin e vet të keq…Operacioni im jashtë shtetit do të kryhej për mijëra dhe mijëra euro. Selmani dhe Ermali janë mjekët e të varfërve. Prandaj këtë shkrim nuk e bëj vetëm për vete- të shpreh nderimin dhe respektin tim,- por për të gjithë ata që nuk e kanë këtë mundësi. Do të kalojnë vite dhe këta mjekë brezat e ardhshëm do t’ingjisin në Panteonin e Lavdisë dhe të Dashurisë njerëzore…Nuk është përmendore prej mermeri, as prej ari, por prej një materiali më të çmuar: përmendore nga zemrat njerëzore, nga ato zemra që Selman Dumani e Ermal Lika kanë bërë që të mos e pushojnë rrahjen…Në këtë përmendore do të jetë dhe zemra ime…