Gjurmë në ardhmëri


Nga Llesh Ndoj

Kur lexon librin e të nderuarit Qazim Prejsi, titulluar “Katër-Grykët e Dibrës, Vendlindja jonë” (vëllimi i parë dhe i dytë) vetvetiu lexuesit i lind pyetja: Ku e gjenë ky njeri gjithë këtë vullnet e përkushtim për të dokumentuar historinë e një zone që nga lashtësia e deri në ditët e sotme dhe cila është shtysa që e nxit në këtë ndërmarrje, satë vështirë, po aq edhe me përgjegjësi. Po të shtosh këtu edhe faktin se ai tashmë i ka kaluar të tetëdhjetë e gjashtat e se jeton me shumëhalle shëndetësore e familjare, pyetja e mësipërme merr përmasa akoma më të mëdha dhe bëhet një shtysë më tepër e nxitje qët’i lexosh librat e tij. Pa qenë dibranë e as katërgrykas, në përfundim të leximit të librit, them se ndjehesh plotësisht i tillë, po aq edhe krenar për atë vend me histori e ngjarje të lavdishme dhe më i plotësuar në vetvete, pasi ke njohur një pjesë të rëndësishme të atdheut. Mund të them me plot gojën se leximi i këtij libri në dy vëllime, personalisht më ka dhuruar kënaqësi e më ka shtuar respektin për autorin e tyre, po e po, por edhe për të gjithë atë zonë krenare, dhe gjatë këtij leximi kam arritur edhe të kem një përgjigje lidhur me pyetjen e sipërshtruar: Një njeri i përgjegjshëm e që ka kryer në jetë detyra të rëndësishme, nuk mund të qëndrojë pasiv e ta mbyll jetën e tij pa lenë gjurmë për vendin e vet. Ai është produkt edhe i asaj historie e duhet t’i kthejë asaj një pjesëtë detyrimit që i ka, në atë formë e mundësi që secili mund ta bëj.
Kur po përgatisja librin tim “Domgjoni-Në dokumente, gojëdhëna e histori” e ndjeva thellë mungesën e dokumenteve të shkruara për atëfshat, gjithashtu me histori të lashtë, e kjo ma përforcoi besimin e vetdetyrimin për të hedhur “hapin e parë”. Edhe nga libri i Qazimit (pjesa e parë) mësova shumë.Aty me fakte e me rreshtim breznish, disa fise, sipas Qazimit, vinin nga Domgjoni im.Përgjegjshmëria për të lenë gjurmë në ardhmëri, është edhe sforcoja që studjuesi Qazim ka bërë dhe ka arritur në materialin që ne kemi në dorë, mjaft voluminoz, cilësor e i argumentuar logjikisht, me njohje personale, gojëdhëna e dokumente. Shumë nga ato që pasqyrohen në pjesën e dytë të librit, e cila përfshinë periudhën 1939-1990, janë ngjarje të jetuara nga vetë autori, gjë që ua shton atyre peshën e rëndësinë. Shtuar këtu edhe faktin se Qazimi ka një rrëfim të kandshëm, të thjeshtë e shumë realist, pa zbukurime e dredhime tëkota, i gjithë materiali merr vlera autentike.
Pa synuar të bëj një përshkrim të plotë të librit të Qazimit, mund të rendis disa nga vlerat e tij, vlera që janë për t’u çmuar sot, por që në një të ardhme do të konsiderohen shumëmë të çmueshme e me to do të ndodh si me venën:Sa më e vjetër, aq më e kandshme bëhet!
– Libri “Katër-Grykët e Dibrës, Vendlindja jonë” sjell thuajse të plotë e në mënyrë shteruese historinë e kësaj zone që nga lashtësia e deri në ditët e sotme (viti 1990). Pesha e një libri të tillë shtohet edhe për faktin se historia po përsëritet, fatkeqësisht në kahjen e dhimbshme ku shumë nga këto zona, përfshirë edhe Katër Grykët e Dibrës, po boshatisen e në një ditë jo fort të largë, me këtë trend të kohës, do të mbeten pa frymë. Ndërsa për popullimin e tyre Qazimi nuk gjeti thuajse asgjë të shkruar, por mblodhi gjithshka të vyer e të trashëguar gojarisht apo të treguar si histori, brezat e ardhshëm e gjejnë atë të shkruar bukur në pjesën e parë të librit; ndërsa pjesa e historisë së re (volume i dytë), natyrisht që ka shkrime të tjera (disa janë përdor edhe si referencë nga autori), por materiali i Qazimit, pa asnjë dyshim, është më i ploti e më i sistemuari i kësaj periudhe. Pemët gjenealogjike të mjaft familjeve të njohura të kësaj zone, hartuar nga vetë këto familje e të pasqyruara nga autori në libër, ndonëse siç e thekson edhe vetë autori nuk janë të plota e për të gjitha fiset, konsiderohen vlerë e kontribut i rëndësishëm.
– Nuk ka asnjë aspekt të jetës shoqërore, ekonomike, historike, arsimore e kulturore të kësaj zone që të mos e ketë rrok mendja dhe pena e autorit dhe ajo qëështë më e rëndësishmja, ai ka sjellë zhvillimet e kësaj zone pa u hallakatur në zhvillimet e përgjithshme lokale e kombëtare, pa i përjashtuar ato dhe duke bërë një raport mes tyre që lexuesi të mund të konkludoje më lehtë e më saktë rreth tyre. Në libër trajtohet pushtimi i vendit e largimi i Ahmet Zogut, çeta partizane e Dibrës, lufta çlirimtare e gjithë evenimentet e rëndësishme të saj në Dibër e Katër Grykët, duke u dhënë vendin e merituar edhe personazheve të kohës. Po ashtu, në libër gjejnë trajtim periudha pas çlirimit, kolektivizimi, ekonomia, lufta e klasave, arsimi, kultura, shëndetësia, e deri tek emigrimi i katërgrykasve në vitet nëntëdhjetë.I gjithë materiali voluminoz i këtij libri karakterizohet nga proporcionaliteti dhe rracionaliteti, i dukshëm ky së paku në dy aspekte thelbësore: Së pari, në raportin e përshkrimit të historisë e ngjarjeve të zonës e atyre rajonale e kombëtare. Autori i trajton historinë e ngjarjet e Katër Grykëve, pa asnjë dyshim në kuadër të ngjarjeve krahinore të Dibrës e Matit, por edhe të atyre kombëtare, duke u dhënë atyre përparësi në raport me to. Kjo e ka shmangur rrezikun që haset rëndom në libra të tillë kushtuar zonave apo fshatrave të veçantë kunë dhjetra apo qindra faqe historia e tyre, më së shumti, gjendet në kopertinë! Dhe aspekti i dytë: raporti autor-personazh-familje me të tërën. Autori është edhe pjesmarrës aktiv në ato që rrëfehen në libër; familja e tij është familje e njohur e me kontribute të vlerësueshme, por autori i ka trajtuar këto në proporcion me personazhet, familjet e kontributet e të gjithë zonës, duke shmangur rrezikun e shëndrrimit të librit në një libër autobiografik apo familjar.
– Autori mundohet dhe e arrinë të jetë “asnjanës” në trajtimin e materialit, duke synuar që ai të jetë plotësisht afër realitetit dhe i pranueshëm për të gjithë. Megjithëse vetë ka kryer detyra të rëndësishme gjatë jetës në atë zonë dhe jo vetëm, si agronom, kryetar kooperative, kuadër i rëndësishëm në Drejtorinë e Postë-Telekomunikacioneve Dibër, apo në Drejtorinë e Ujërave e Komitetin Ekzekutiv, autori trajton me objektivitet edhe gabimet e kohës e politikës që shkoi. Janë me shumë interes disa rrëfime origjinale në këtë libër (pjesa e dytë) si takimi me ish-kulakun e Lurës, Ternim Mena, rrëfimi se si i shpëtoi arrestimit Dali Gjoci, biseda me Ksenofon Nushin, asokohe zëvendësministër i jashtëm, në Lurë në vitin 1972; rasti kur vetë autori rrezikoi shumë vetëm pse u kishte dhënë bukë (jashtë rregullave të kohës, por me pagesë) disa banorëve të fshatit Lajthizë (tashmë me Oroshin e Mirditës) të cilët izoloheshin plotësisht nga dimri e nuk mund të komunikonin me pjesët e tjera të vendit për periudha të gjata, dhe mbrojtja që ata i bënë atij etj, janë jo vetëm origjinale, por edhe të rrëfyera bukur e me nje gjykim drejtpeshues të autorit. Autori nuk pajtohet me luftën klasore e cila goditi edhe zonën e tij, ashtu si edhe pjesët e tjera të Dibrës e të gjithë Shqipërisë. Ai e tipizon atë si “llava e luftës klasore”, duke bërë paralelizëm me llavën e një vullkani në zhvillim që fshin gjithshka i del përpara. Po ashtu, dënimet pa gjyq, sidomos në kohën e luftës, marrin vëmendjen e autorit dhe vijnë me një rrëfim të dhimshëm e realist. Përmend këtu rastin e Llesh Doçit, torturuar me urdhër të Hito Çakos e nxjerjen e tij para popullit pas 2-3 orësh, i cili, ashtu i dërmuar u len amanet atyre “…që do të mbeten gjallë…që të marrin hak”. Vend të posaçëm zë familja “Ndregjoni” apo dhe një rrëfim për “Hebrenjtë në fisin Ndregjoni të Lukanit”etj.
– Dibra njihet si vendi i kuvendeve, e autori ka sjellë në vëmendje të lexuesve disa prej tyre si Kuvendi i Bruçit që e cilëson “si më unikali i asaj kohe në shkallë kombëtare”, i cili u bajt me 26 korrik 1943 dhe ku katërgrykasit kishin kontribute të qënësishme; trajtohet mbledhja e Lurës e 23 gushtit 1943, roli i saj dhe lista me 61 pjesmarrës; po ashtu vihet në vëmendje pjesmarrja e katërgrykasve në luftë dhe heronjtë e saj, ku spikat një listë prej 107 partizanësh, ndarë sipas fshatrave; vend të veçantë zë përplasja mes forcave partizane dhe forcave kundërshtare në zonën e Katër Grykëve me 22 korrik 1944; trajtohet roli i posaçëm i Haxhi Lleshit në atë zonë dhe heronjtë e dëshmorët e saj; ashtu siç zenë vend më së miri edhe ngritja e pushtetit të ri në fund të luftës, roli i katërgrykasve e personazhet e periudhës që lanë gjurmët e tyre.
– Librit në fjalë, thuajse nuk i shpëton asgjë nga zhvillimet e personazhet e kësaj zone. Aty trajtohen me kujdes, me realizëm e me shumë respekt, por edhe me dashuri, thuajse çdo person që ka bërë emër e ka lenë gjurmë në përditshmërinë e zones apo ka kontribuar jashtë saj në fusha të ndryshme të zhvillimit ekonomiko-shoqëror që nga lashtësia e deri në ditët tona. Janë një numër i madh personazhesh të trajtuar nga autori në formën e portretit të veçantë, mbi 100 të tillë, krahas përmendjes së emrave e përshkrimeve të tyre në kapitujt përkatës, ku autori ndalet në veçantitë e kontributeve të secilit. Thuajse nuk ka familje katërgrykase që nuk përmendet në këtë libër.
– Autori nuk mungon t’u vej ngjarjeve emrin që kanë, duke mos anashkaluar asgjë. Kështu ai flet për përplasjen mes forcave partizane dhe fiseve Ndregjoni e Dervishi të Lukanit dhe e quan, as më pak e as më shumë se “genocid” veprimin e tyre ndaj fisit Dervishi, duke përshkruar torturat çnjerëzore ndaj disa prej pjestarëve tësaj, si Mal Dervishi të cilin, sipas autorit, e lidhën “me tela me gjemba dhe e tërhoqën zvarrë gjatë gjithë fshatit, për dy orë rresht, duke mbjell në popull tmerr e panik…”. Janë shumë burra me emër të kësaj zone, torturuar e pushkatuar pa gjyq, që vijnë në librin e Qazimit për të mos u harruar kurrë, por edhe si një “kujtesë kolektive” për eksperimentin e dështuar social të kohës së socializmit. Janë këto rrëfime e qëndrime edhe një vrasje ndërgjegje e thirrje për të gjithë ata që kanë punuar e drejtuar në atë kohë, ta rrëfejnë historinë e saj me realizëm, ashtu siç ishte, se kështu i bëjnë shërbim të sotmes e të nesërmes. Jo rrallë dëgjojmë nga personazhe të tillë se rrëfimete historisë nga ish të persekutuarit janë me mllef e ndonjë herë të tepruara! E si mundet të pritet një rrëfim i ekulibruar prej atyre që kanë vuajtur mbi kurriz peshën e një persekutimi deri në genocid ndaj vetes e familjes, kur një gjë të tillë nuk e bëjnë ata që kanë qenë kuadro e drejtues të kohës, të cilët, në shumicën e tyre absolute, nuk kanë ngjyer duart por i kanë shërbyer kohës duke besuar në të e duke kontribuar për t’i zbutur plagët e saj, siç ka bërëedhe autori i këtij libri në jo pak raste.
Mund të rreshtoja sa e sa momente kulmore nga libri i Qazimit, por nuk është qëllimi im një analizë shteruese e tij, analizë që jam i bindur do e bëjnë intelektual të tjerë të asaj zone, por thjesht të paraqes disa veçanti të autorit e të librit, si një nxitje për ta lexuar librin e si një falenderim për autorin që ka sakrifikuar kaq shumë për të na dhuruar ne një njohje e çasje realiste ndaj ngjarjeve historike në një zonë po ashtu historike.
Ky libër duhet të jetë pjesë e bibliotekës së çdo familje katërgrykase, duke e konsideruar atë “pasuri me vlerë” për t’ua trashëguar brezave. Sjell në këtë kontekst dy fjalë të një intelektuali të mirënjohur nga zona ime e Fanit në promovimin e librit tim “Fani dhe fanasit: Kështjellë e pamposhtur”, ku theksoi (perifrazoj): Kurrë s’u kam imponuar bijve të mi çfarë të lexojnë e çfarë të bëjnë, por këtë libër do t’ua imponoj!
Jetë të gjatë e shumë suksese autorit Qazim Prejsi.