Rafting në lumin e Drinit


Nga Osman Xhili

Mes shumë aktivitetesh të zhvilluara gjatë tre ditëve të festës në qytetin e Peshkopisë, jo pak interesant ishte dhe sporti i raftingut në lumin e Drinit. Diversiteti i formave të shtratit të këtij lumi, me zgjerim e ngushtim, me ujëra të qeta e më të rrëmbyera, me peizazhe interesante faqesh shkëmbore, kodrash, apo tokash të punuara e të mbjella, bashkuar me adrenalinën e këtij sporti të guximshëm, bëjnë një shumatore, që çdokush do të donte ta provonte e ta shijonte.
Dhe pse nisja e varkave do të bëhej poshtë urës së Topojanit, që nga lokali i Pajtim Beçës, nxënësit e gjimnazit “ Fiqiri Dinja “ të Maqëllarës, me në krye drejtorin e shkollës Admir Asllani dhe të kudogjendurën mësuese Zamirën, menduan ta zgjerojnë paksa hartën e aktivitetit. Ata u tubuan fillimisht te ura e re e Drinit, pranë Gjoricës. Pa u vonuar gjatë, nxënësit nisën të pastrojnë e të grumbullojnë mbeturinat e ndryshme të hedhura pa kujdes, apo ato që lumi i kishte nxjerrë në breg. Bashkë me ta ishte dhe zv/ministrja e turizmit, Almira Zebi Xhembulla, e bërë njësh me nxënësit e shkollës. Lodra dhe cula të luajtura mjeshtërisht nga Pëllum dhe Zabit Osmani e shoqëronin aktivitetin dhe sikur e përcillnin larg jehonën e tij.
Në një moment që ata e ndalën lojën virtuoze, afrohem dhe i pyes rreth pasionit të tyre. Më tregojnë se janë aktivizuar që në moshën dhjetë vjeçare te Pallati i Pionierëve me profesorin e nderuar Hilmi Kolgjegja. Që atëherë ata nuk u janë ndarë aktiviteteve të ndryshme artistike dhe festivaleve të Gjirokastrës, duke merituar jo rrallë dhe çmime fituese. Krahas kënaqësisë kur tregojnë për arritjet e tyre, kanë dhe një merak. Nuk shohin të rinj të aktivizohen në këto lloje zhanresh dhe ndoshta vjen një ditë dhe nuk i pason më askush. Kanë dhe shumë gjëra për të treguar, por tashmë nxënësit po lëvizin për tek lokali i Pajtim Beçës pasi sportistët profesionistë të raftingut dhe dashamirës të shumtë bëhen gati për të lëshuar varkat në ujë.
Edi Truka është një djalë mjaft i shkathët, pjesë e grupit profesionist të “Rafting Black Drini”. Bashkë me të janë dhe mjaft djem të tjerë pasionantë si Gesti, Blerimi, Gojarti, Niku, Eraldi, të cilët i pëlqejnë mjaft sportet e aventurës. Përveç raftingut, ata praktikojnë dhe kanoe, kajak, hidrospit, e të tilla si këto. Lumenj të tjerë përveç Drinit, si Vjosa, Osumi, por dhe destinacione jashtë vendit, janë të pëlqyera për grupin e djemve të guximshëm.
Tashmë njerëzit afrohen grupe-grupe pranë varkave të ankoruara. Ka ardhur deputeti Krashi, admirues e praktikues i sportit, bashkë me Sokol Savën, kryetar i këshillit bashkiak, që do të jenë pjesë e raftingut të sotëm. Ka ardhur dhe një familje nga Tirana, Sokoli, Vanina dhe dy vajzat e tyre, që së bashku do të jenë në të njëjtën varkë. Kanë qenë dhe në lumenj të tjerë të Shqipërisë dhe sot kanë vendosur të vizitojnë Dibrën me bukuritë e saj. Vanina ka marrë me vete dhe Manjola Fagun, kolegen e punës te ministria e financës. Ka ardhur dhe një turist holandez për të qenë pjesë e aktivitetit. Ai është për herë të dytë në Shqipëri dhe për herë të parë në Dibër. Quhet Nik Baker dhe drejton një organizatë me drejtim promovimin e turizmit, në vend dhe jashtë tij. Thotë se Zoti nuk është kursyer duke i dhuruar Shqipërisë bukuri përrallore. Ja, kështu vijnë turistët, duke tërhequr njëri tjetrin, si dallëndyshet kur zbulojnë vende të pëlqyera, për të të ndërtuar foletë dhe për të kaluar verën aty.
Lindita Manga është drejtuese e ALCDF-së, që në terma të gjatë nënkupton Fondacionin shqiptar të zhvillimit të kapaciteteve lokale. Kjo organizatë filloi aktivitetin në vitin 2010, kur SNV pati mbyllur veprimtarinë e saj. ALCDF-ja është e shtrirë në katër qarqe të vendit, në Dibër, Tiranë, Korçë dhe Elbasan. Ajo ka pasur në fokus veprimtaritë e përbashkëta krosborder me Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë. Flora dhe fauna e liqeneve, shtigjet malore të biçikletave, menazhimi korrekt i mbetjeve dhe shumë projekte të tjera, janë fituar e realizuar me shumë korrektesë, duke dhënë një ndihmë shumë të çmuar për komunitetin. Dhe ky aktivitet i raftingut të kësaj dite, ishte produkt i punës së kësaj organizate e për këtë duhet falenderuar. Jo rastësisht, zyra e turizmit në Peshkopi, e menaxhur prej tyre, mbetet më e kompletuara, ndoshta dhe në rang vendi.
Besnik Alku ka vite që punon me këto projekte. Ai thotë se ka dhe shumë gjëra për të cilat duhet të falënderohet kjo organizatë, por ne po përmendim vetëm dy vlerësime speciale. I pari vjen për menaxhimin perfekt të fondeve të USAID-it dhe i dyti nga Zvicra për reformën territoriale .
Ikin dhe minuta të tjera dhe niveli i adrenalinës ka filluar të ngjitet, akoma pa u nisur. Edi Truka i fton të gjithë ata që do marrin pjesë të afrohen pranë varkave. Jepen këshillat e fundit para nisjes. Çfarë duhet bërë me komandën para, po me atë prapa, me komandën majtas dhe me atë djathtas. Si fiksohen këmbët për të pasur sa më shumë siguri. Si duhet mbajtur lopata në ujë, apo kur nuk vozisim. Po nëse bien aksidentalisht nga varka, si duhet të veprojmë? Disa prej tyre kanë marrë pjesë dhe herë të tjera dhe janë ambientuar, kurse disa e kanë për herë të parë. Pesë djem të gjimnazit bëhen gati për vozitje, të veshur me kostumet përkatëse. Bashkë me ta është dhe drejtori, Edmir Asllani, që nuk mungon asnjëherë në evente të tilla të bukura. Varkat nisen, që të katra, njëra pas tjetrës. Do të kalojnë Gradecin dhe do të përfundojnë në Hotesh, për të kënaqur të gjitha shqisat dhe gjymtyrët, gjë që ta dhuron vetëm një sport si ky.
Tashmë e kuptojnë akoma më qartë se sa vende të bukura na ka dhuruar Zoti dhe sa pak e dimë vlerën e tyre. Jo vetëm kaq, por dhe i shkatërrojmë këto pamje e mjedise të mrekullueshme. Nëse ndërtohet Skavica do të humbin njëherë e mirë këto kanione e bukuri natyrore, do të humbet përfundimisht mundësia për të bërë rafting, apo sporte të tjera të aventurës. Ndoshta për të moshuarit do të jetë më mirë, pasi do të notojnë në një traget të qetë, që nga ura e Drinit, deri në fshatrat e Reçit. Lusim Zotin, që të bëhet më e mira për banorët e Dibrës.