Beshir Laçi, fisniku i fisëm dibran


Beshir Laçin ishte njeri i rrallë dhe i veçantë, njeri i drejtë dhe i ndershëm, vizionar dhe i përkushtuar, modest dhe human. Jam i sigurt se sikur politikanët dhe pushtetarët tanë të kishin cilësitë, vlerat dhe virtytet e Beshir Laçit, atëherë socializmi nuk do të kishte qënë diktaturë dhe demokracia e sotme nuk do të ishte kështu siç është anarshi

Nga Shaqir Çerpja

Janë të rrallë dhe shumë rrallë mund të njohësh apo të takosh njerëz aq të devotshëm, aq vizionar dhe të përkushtuar, aq dashamirës, të thjeshtë, modest dhe human si Beshir Laçi, fisnikun e fisëm dibran. Poeti, shkrimtari dhe historiani i mirënjohur, Moikom Zeqo, duke kujtuar Beshir Laçin, shkruan e thotë: “… Beshir Laçi qe një shqiptar i mirë, në kuptimin më të dlirë dhe më të pastër të kësaj fjale. Beshir Laçi qe një atdhetar i mrekullueshëm. Ai qe një partizan me merita të mëdha të luftës, por përherë i heshtur dhe modest. … Ajo që më ka bërë më shumë përshtypje tek Beshir Laçi, ishte heshtja e tij. Por ai fliste, duke heshtur. Kishte një karakter të fortë prej shqiptari dhe malësori. Nuk ishte mburravec dhe nuk kërkonte t’i njiheshin meritat që kishte. …”
Beshir Laçi u lind në vitin 1918, në fshatin Gjurrë-Reç të Dibrës. Beshirin dhe Reçin nuk i lidhte vetëm ADN-ja biologjike, por i lidhte dhe krenaria. Beshiri krenohej për Reçin e tij dhe Reçi krenohej dhe krenohet për Beshir Laçin. Merrnin dhe i jepnin krenari njëri tjetrit. Ai lindi në truallin dhe në trojet me histori të lavdishme shumë shekullore. Ai lindi dhe ishte biri i një fisi të shquar, me tradita patriotike, trimërie, qëndrese, bese dhe bujari. Ai lindi atje, ku historia është shkruar me gjak dhe këngë. Lindi në një truall, troje dhe fis me shumë zë dhe emër, jo vetëm në Reç e Dibër, por edhe në Lumë, Mat, Mirditë, etj. Beshir Laçi jetoi, punoi e veproi në disa periudha historike të vendit tonë dhe, gjithmonë, kurdo dhe kudo krijoi dhe ka lënë gjurmë të çmuara në udhët e jetës së tij.
Që në vogëli, ai ishte një djalë i qetë, por shumë i zgjuar dhe inteligjent, me shumë dashuri për dije dhe dituri. Ai ishte i vetëdijshëm dhe e dinte se çdo dashuri ka nevojë për ushqim dhe dashuria për dije dhe dituri duhej ushqyer me vullnet, pasion, përkushtim dhe këmbëngulje. Dhe, ndonëse shumë i ri, vetëm trembëdhjetë vjeç, u nis e mori udhën e shkoi tek Myftar Kaloshi, që t’i kërkonte ndihmë për t’a regjistruar në shkollë në Internetin e Kastriotit. Shkoi, por vetëm se shkoi, se nuk gjeti e nuk mori ndihmën që kërkonte dhe nuk mundi të regjistrohej në shkollë. Dhe u kthye zemërthyer, por jo dhe shpresë humbur e besim humbur për t’u arsimuar. Një vit më vonë, hapet shkolla shqipe në Zall-Reç dhe Beshiri shkon i gëzuar për t’u regjistruar. Por mësuesi Selim Qyshka i thotë se regjistrimet kanë mbaruar, klasa është mbush dhe ka shumë nxënës e nuk ka vend më. Por megjithëse shumë i ri, Beshiri i thotë mësuesit:
-Zotni mësues! Dasma nuk prishet as pse mungon një dasmor dhe as pse shtohet një dasmor.
I befasuar nga përgjigja inteligjente e Beshirit të vogël, mësuesi Selim Qyshka e regjistron menjëherë dhe të parit nxënës në klasë, i dha librat Beshirit.
Pasi kreu e mbaroi një vit shkollë në Zall-Reç, Beshiri u nis për Tiranë, për tek një i afërm i tij, që të vazhdonte shkollën në Tiranë. Atë ditë që u nis rrugës për në Tiranë, në mbrëmje u ndal për të bujtur e pushuar tek Isuf Bej Sulejmani në Lis të Matit. Zgjuarësia e Beshirit i bëri shumë përshtypje beut të Lisit dhe ai i tha Beshirit që të mos shkonte në Tiranë, por të rrinte në shtëpinë e tij dhe të mësonte e të vazhdonte shkollën bashkë me fëmijët tij. Beshiri nuk shkoi në Tiranë dhe tri vjet qëndroi, jetoi, mësoi e vazhdoi shkollën në Lis të Matit. Pas tri vjetësh me kujdesin, interesimin dhe ndihmën e Isuf Bej Sulejmanit, i jepet bursë Beshirit për të vazhduar klasën e pestë në Internetin e Burrelit. Dhe pas një viti, po me ndihmën e Isuf Bej Selmanit, i jepet bursa për të vazhduar mësimet në gjimnazin e Shkodrës, ku Beshiri u njoh dhe u lidh me Qemal Stafën, Nazmi Rushiti, Vasil Shanto, Hajdar Dushin, Tomë Kolën, Haki Fejzon, etj. Të rinjët gjimnazistë të Shkodrës e pritën me indinjatë dhe zemërim pushtimin fashist të vendit tonë. Me 28 nëntor, Beshir Laçi, Nazmi Rushiti, Haki Fejton, etj., duke hedhur parulla “Poshtë fashizmi”, “Jashtë pushtuesit”, etj., prishën mitingun profashisht në qytetin e Shkodrës. Dhe Beshiri përjashtohet nga gjimnazi. Për veprimtari të pandërprerë antifashiste, gjykata e Shkodrës vendos që Beshiri të largohet nga qyteti i Shkodrës dhe të shoqërohet me xhandarë dhe të dërgohet në fshat, pranë familjes së tij, ku të mbahet nën vëzhgimin e komandës së vendit. Beshir Laçi nuk u kthye më në gjimnazin e Shkodrës, por filloi punë në Muhurr, magazinier në shoqërinë italiane ABC, e cila punonte për hapjen e rrugës Muhurr-Burrel dhe për ndërtimin e urës së Muhurrit, mbi Drinin e Zi. Beshir Laçi e vazhdoi veprimtarinë e tij antifashiste, jo vetëm në Muhurr e Dibër, por edhe në Tiranë, ku u njoh edhe me Gogo Nushin, Haxhi Lleshin, Dali Ndreun, Esat Ndreun, e të tjerë. Me porosi të Gogo Nushit vjen në Dibër për organizimin dhe zgjerimin e lëvizjes antifashiste. Gjatë aktivitetit të tij antifashist, u takua edhe me Nazmi Rushitin, Zejnulla Ukën etj. Gjatë gjithë periudhës Nacionalçlirimtare, Beshir Laçi zhvilloi veprimtari të dendur politike, mobilizuese dhe organizuese dhe dha kontribut shumë të çmuar në zgjerimin e lëvizjes Nacionalçlirimtare. Me krijimin e Brigadës së 18-të Sulmuese, Beshir Laçi u radhit në radhët e kësaj brigade.
Pas çlirimit të vendit, Beshirit iu ngarkuan detyra të rëndësishme. Për disa vite kreu detyrën e kryetarit të komitetit ekzekutiv të rrethit të Dibrës. Ishte njeri ëndërrimtar dhe drejtues e pushtetar vizionar dhe punoi me vullnet, përkushtim dhe këmbëngulje për zhvillimin dhe përparimin e vendit. Ishte i ndjeshëm ndaj problemeve, nevojave dhe halleve të popullit dhe punonte maksimalisht për t’u shërbyer njerëzve, për të zgjidhur dhe lehtësuar hallet e tyre. Njerëzit kujtojnë e tregojnë shumë episode nga përkushtimi i tij njerëzor, shpirtëror dhe fizik, shoqëror dhe institucional ndaj njerëzve. Liman Tanushi nga Reçi tregon se mbi shtatëdhjetë vjet më parë, pasi Limani kishte mbaruar shkollën fillore në Zall-Reç, bashkë me vëllain e tij, Qazimin kishin shkuar në seksionin e arsimit në Peshkopi për të kërkuar një bursë për Limanin, që të vazhdonte një shkollë të mesme (në atë kohë, shkolla e mesme bëhej menjëherë pas arsimit fillor). Por shefi i seksionit të arsimit u thotë se keni ardhë vonë, bursat janë shpërndarë dhe mësimi në shkolla ka filluar e nuk ka bursa më. Pasi dalin nga seksioni i arsimit, rastësisht takojnë në rrugë kryetarin e komitetit, Beshir Laçin. Pas përshëndetjes, ai i pyet se përse kishin ardhur në Peshkopi dhe ata i tregojnë se kishin ardhur të kërkonin një bursë për Limanin, që të vazhdonte shkollën e mesme, por bursë nuk gjetën e nuk morën, sepse ishin shpërndarë dhe nuk kishte më. Në moment, Beshir Laçi nxjerr një bllok, shkruan diçka dhe u jep letrën e u thotë: Nisuni për Durrës, takoni drejtorin e shkollës së mesme pedagogjike të Durrësit, Iliaz Bego, jepni letrën dhe Limani do të vazhdoj shkollën pedagogjike e do të bëhet mësues. Pastaj Beshiri i shoqëron deri tek agjensia e udhëtarëve dhe nga biletat rezervë për komitetin ekzekutiv, u jep dhe dy bileta udhëtimi për Tiranë. Me të arritur në Durrës, ata shkojnë tek shkolla pedagogjike e Durrësit, takojnë drejtorin e shkollës Iliaz Bego dhe i japin letrën e Beshir Laçit. Me të marrë dhe me të lexuar letrën e Beshirit, drejtori ishte përlotur dhe u thotë: -Me këtë letër të Beshir Laçit, jo vetëm njëri, por po të doni, të dy mund të vazhdoni shkollën pedagogjike me bursë të plotë.
Pasi punoi disa vite në Dibër, në vitin 1952, Beshir Laçi transferohet e shkon në Durrës. Fillimisht kreu detyrën e kryetarit të qarkut të Durrësit. Më pas ka kryer edhe detyra të tjera të rëndësishme, drejtor i hidrokarbureve, drejtor i NISH tullës, ka punuar edhe në portin e Durrësit, kryetar kooperative në Shkallnur të Durrësit dhe në Lurë. Kreu dhe studimet e larta në degën e agronomisë. Një periudhë kohe ka punuar edhe në ministrinë e transportit dhe vitet e fundit, në prag të daljes në pension ishte nëndrejtor i NTSH-së Durrës. Edhe në Durrës, siç shkruan e tregon edhe Moikom Zeqo, Beshir Laçi punoi me ndërgjegje e ndershmëri, me përkushtim dhe këmbëngulje, duke krijuar e lënë gjurmë të çmuara, duke fituar respektin dhe mirënjohjen, jo vetëm të e qytetarëve, por të gjithë Durrësit. Para disa vitesh, për arsye pune, unë u ndodha në një familje durrësake. Duke pirë kafen e duke biseduar, muhabeti doli dhe fjala shkoi tek emri i Beshir Laçit. I zoti i shtëpisë, një burrë i moshuar, ish instruktor në komitetin e partisë të Durrësit, i emocionuar tha: -Eh, mor bir! Kush nuk e njihte Beshir Laçin!! Beshir Laçin e njihnin të gjithë, jo vetëm në qytet, por gjithë Durrësi, se ai ishte njeri i veçantë ishte burrë i rrallë. Edhe pishat e bregdetit të Durrësit, që tani po i presin pa mëshirë, janë mbjellë nga Beshir Laçi. Beshir Laçi ishte ideatori, insistuesi, projektuesi dhe këmbëngulësi për pyllëzimi e bregdetit të Durrësit. Sa episode përkushtimi dhe humanizmi tregohen për Beshir Laçin. Tregojnë se një burrë nga Skrapari, të cilit i kishte vdek gruaja, i vetëm, vetëm me një fëmijë të vogël jetonte në Durrës në kushte shumë të vështira, i pastrehë dhe i papunë. Një qytetar durrësak i thotë të shkoj të takoj kryetarin e qarkut të Durrësit, Beshir Laçin, se vetëm ai të ndihmon dhe t’a zgjidh hallin. I ndrojtur dhe mosbesues, burri i pastrehë, bashkë me fëmijën e vogël shkon në zyrën e Beshir Laçit dhe i tregon hallin e tij. Në moment, Beshir Laçi i telefonon drejtorit të portit të Durrësit dhe drejtorit të një shkollë në qytet dhe me mirësjellje u thotë se ka nevojë urgjente për ndihmën e tyre. Dhe pasi ata erdhën në zyrën e Beshirit, në prani të burrit të pastrehë diskutojnë dhe po atë ditë në zyrën e Beshir Laçit u zgjidh hallin i tij. Drejtori i portit të Durrësit e punësoi dhe i siguroi një dhomë për banim, ndërsa drejtori i shkollës mori djalin e vogël, e çoi tek shkolla dhe e sistemi në një klasë.
Në mesin e viteve ‘80 isha për vizitë në familjen e Beshir Laçit në Durrës. Banonte në një apartament të thjeshtë, ku biblioteka e tij e madhe zinte më shumë hapësirë se sa gjithë objektet mobiluese të shtëpisë.
Beshir Laçi jetonte dhe punonte në Durrës, por asnjëherë nuk e hoqi mendjen dhe nuk e shkëputi mendimin dhe interesimin e tij për Dibrën dhe dibranët. Mbahet dhe do të mbahet mend, jo vetëm dëshira, por kujdesi, interesimi dhe thirrja e Beshir Laçit për popullin e Reç e Dardhës, që të shkonin masivisht dhe të vendoseshin në zonën bregdetare Durrës-Kavajë, duke u garantuar mbështetje institucionale shtetërore për tokë, strehim e punësim.
Të shkruash për Beshir Laçin nuk mjafton një faqe gazeta, as disa faqe dhe disa gazeta. Ai ishte njeri i rrallë dhe i veçantë, njeri i drejtë dhe i ndershëm, vizionar dhe i përkushtuar, modest dhe human. Jam i sigurt se sikur politikanët dhe pushtetarët tanë të kishin cilësitë, vlerat dhe virtytet e Beshir Laçit, atëherë socializmi nuk do të kishte qënë diktaturë dhe demokracia e sotme nuk do të ishte kështu siç është anarshi