Shkëmbinjtë dhe mineralet industrialë jo metalorë të Shqipërisë


Nga Prof. dr. Bashkim LLESHI

Albanidet bëjnë pjesë në sistemin e rrudhosur alpin në degëzimin e Dinarideve-Albanideve-Helenideve-Taurideve. Në Albanidet nga lindja në perëndim veçohen këto zona gjeotektonike: Zonat e Korabit, Mirditës, Apeve, Krastë-Cukalit, Krujës, Jonike dhe Sazanit.
Mbeshtetur në pozicionin që zenë Albanidet në brezin e rrudhosur Alpin dhe në volumin e madh të punimeve të kërkim-zbulimit të kryera në vitet 1950-2005 janë zbuluar dhjetëra vendburime të mineraleve të dobishme jo metalore (shkëmbinj dhe minerale industrialë) me rezerva të konsiderueshme që së bashku me vendburimet metalore dhe ato energjetike përbëjnë pasurinë minerale natyrore të Shqipërisë.
Krahas mineraleve metalorë, për ekonominë e tregut janë të dobishëm dhe shumë minerale jo metalore e shkëmbinj, të cilët quhen industrialë. Mineralet industrialë të njohur deri tani në Shqipëri arrijnë rreth 50. Me punimet dhe studimet gjeologjike për disa janë përcaktuar rezervat gjeologjike dhe janë kryer studime teknologjike të pasurimit, si për fosforitet, granitet etj.
Studime gjeologjike dhe punime kërkimi janë kryer për shkëmbinjtë dhe mineralet jo metalorë ofiolitikë si: olivinitet, xhamin vullkanik, magnezitet, baritet, feldshpatin, albitofiret, pirofilitet, talkun, fluoritin dhe shkëmbinjtë ofiolitikë bazaltikë, për shkëmbinjtë sedimentarë karbonatikë gëlqerorë, dolomite, mergele e trepele, gurët dekorativë karbonatikë e ofiolitikë, argjilat, kaolinat, gjips anhidritet, squfurin e kripërat, kuarcitet e rërat kuarcore, shkëmbinjtë copëzorë (inertet lumore), etj. (Lleshi B. Vaso P. Leka Gj. Boshnjaku B. Hoxha V. Gjoni V.etj. ( 2005) Për shumicën e këtyre mineraleve industrialë me punimet e kryera janë llogaritur dhe rezervat gjeologjike dhe industriale duke u bërë të gatëshme për tu vënë në shërbim të ekonomisë së tregut.

I. SHKËMBINJTË DHE MINERALET JO METALORË OFIOLITIKË

I.1 – Olivinitet – Janë të përhapur në masivët ultrabazikë kryesisht të brezit lindor dhe më pak në brezin perëndimor. Më i rëndësishmi është vendburimi (vb) i olivineteve Kalimash, Kukws. Mund të përdoren si materiale refraktare kur janë të freskët dhe MgO është nga 46-48 %, por mund të përdoren dhe si gurë dekorativë kur kanë bllokshmëri të mirë.
I.2 – Xhami vullkanik – Lokalizohet në kompleksin vullkanogjen të Mirditës Qëndrore kryesisht në pjesën perëndimore të malit të Munellës prej Mashtërkorit në jug, deri në Lak Roshi në veri. Në vb e Qafë Barit dhe Lumzi (Pukë) janë zbuluar disa trupa xhami vullkanik me trashësi nga disa metra deri në 20-40 m. Mund të përdoren me sukses si lëndë e parë në industrinë e çimentos dhe në prodhimin e perlitit teknik.
I.3 – Magnezitet- Janë zbuluar në shkëmbinjtë ultrabazikë të lidhura me peridotitet e serpentinizuara në disa masivë të vendit tonë. I vetmi vb me llogaritje rezervash, është ai i Gomsiqes si dhe janë gjetur disa shfaqje në rajonin e Pukës (Lovrushk e Korthpulë), Bulqizës (Shahinaj, Shëngjun e Luçanë), daljet në pellgun e Devollit, në Gramsh etj. të cilat përbëjnë fusha kërkimi për magnezitet.
I.4 – Granitet – Në Shqipëri njihen disa masivë e dalje të vogla graniti (Trokuzë, Lovrushk, Fierzë, Radomirë, Peladhi, etj.) ku deri më sot graniti i masivit të Lovrushkut përfaqëson një lëndë të parë minerale kuarc feldshpatike me fushë përdorimi në industrinë e qelqit dhe qeramikës. Me sukses mund të përdoren dhe si gurë dekorativë nga më të bukrit dhe më të fortit, kur formojnë blloqe të madhësisë mbi 1-2 m3 dhe kanë rezerva të konsiderueshme, siç janë plagjiogranitet e Lak Roshit të zonës së Pukës. Para vitit 1990 është prodhuar një sasi e vogël graniti si dhe është ngritur një impjant përpunimi në Tiranë, i cili tani nuk funksionon.
I.5- Gurët dekorativë ofiolitikë – Janë të përhapur në zonën e Mirditës duke filluar nga Tropoja e Kukësi në veri, deri në Korçë e Kolonjë në jug (Shkupi D. Lleshi. B.etj. 1995, Lleshi B. 2010). Deri tani janë studjuar vb i oliviniteve Kalimash (Kukës), troktoliteve Shkopet (Mat) e Dragostun (Librazhd) dhe vazhdon puna kërkimore për disa shfaqje gurësh dekorative ofiolitikë të lidhur me shkëmbinjte troktolitë, piroksenitikë, plagjiogranitikë e dunitikë në rajonet e Tropojës, Pukës, Mirditës, Matit, Dibrës, Elbasanit, etj.
Gurët dekorativë ofiolitikë kanë veti dekorative shumë të mira dhe janë shumë të rezistueshëm për veshje e shtrim brenda dhe jashtë objekteve. Me troktolitet e Dragostunit (Librazhd) është veshur pjesa e poshtme e Muzeut Historik Kombëtar etj. Këto gurë dekorativë ofiolitikë të quajtur dhe gurët jeshilë janë shumë të preferuar për tu përdorur në ndërtim në kohën e sotme. Mbështetur në punimet e kërkim-zbulimit të kryera në vitet 1952-1995, në vitin 1995 u krye studimi përgjithësues për Gurët dekorativë të Shqipërisë (Shkupi D.Lleshi B.,etj) ku evidentohen mbi 50 vb gurësh dekorativë të lidhur me shkëmbinjtë karbonatike me afro 300 milion m3 rezerva dhe mbi 20 vb gurësh dekorativë ofiolitikë me mbi 70 milion m3 rezerva të cilat përbëjnë një pasuri kolosale që duhet të vihet në dispozicion të ekonomisë së tregut, për të plotësuar jo vetëm të gjitha nevojat e punës ndërtimore në vend, por edhe për eksport, për ti prerë plotësisht rrugën importit.
I.6 – Bazaltet – Janë të përhapur në zonën tektonike Mirdita nga veriu në rajonin e Kukësit (Vauspas-Kostur-Helshan), Pukë (Kabash, Fushë Arrëz, Lumbardhë, Gjegjan), Mirditë (Kaçinar, Spaç, Prosek, Bardhaj, Lëkundë, Rubik-Ungrenj) dhe Korçë e Kolonjë (Vithkuq-Lubonjë-Stratoberdhë). (Dobi A.Lleshi B.2001)
Mbeshtetur në treguesit fiziko-mekanikë e kimikë këto shkëmbinj janë të vetmit që plotësojnë kushtin teknik për t‘u përdorur si lëndë inerte ofiolitike për bazamente aeroportesh, portesh, linjash hekurudhore, autostradash etj. duke zevendësuar plotësisht lëndën inerte të lumenjve dhe atë karbonatike që përdoret tani për tani, duke rendur pas fitimit në kurriz të cilësisë së infrastrukturës.
Në shkallë vendi rezervat e bazalteve i kalojnë mbi 1 miliard ton, por rëndësi e veçantë u duhet kushtuar studimit të shkëmbinjve bazaltikë afër rrugëve automobilistike dhe qendrave të mëdha urbane si ato të Rubikut etj. si dhe shkëmbinjve të tjerë magmatikë me karakteristika të ngjashme me bazaltet. Me rezervat e mëdha që kemi me lëndë bazaltike të shpërndara nga veriu në jug plotësohen jo vetëm kërkesat e brendëshme të vendit por shtohet dhe një zë i ri në eksport.

II. SHKËMBINJTË DHE MINERALET JO METALORE SEDIMENTARË

II.1- Gëlqerorët – Përfaqësojnë lëndë të para karbonate dhe magneziale të përhapur nga depozitimet më të vjetra, triasiko-jurasike deri në moshat më të reja, kretake dhe eocenike në formë masivësh, shtresash e brezash që ndiqen në shtrirje për disa kilometra të përhapur pothuajse në gjithë rrethet e vendit tonë nga Tropoja, Kukësi e Shkodra në veri, deri në Korçë, Kolonjë e Gjirokastër në jug. (Ostrosi B.Grazhdani A.Tërshana A.etj.1999)
Gëlqerorët me CaO mbi 50% për të cilët ka rezerva të mëdha në të gjithë Shqipërinë mund të përdoren me sukses në industrinë e çimentos, për prodhimin e gëlqeres si dhe duhet të zgjerohet prodhimi i inerteve karbonatike, prodhim i cili sapo ka filluar me disa impiante të ngritur këto vitet e fundit për nevojat e ndërtimit.
Prodhimi i inerteve karbonatike (rërë e granil karbonatik) duhet të zgjerohet sidomos për tu përdorur si lëndë e parë në ndërtim për llaçe e betone për ti zevendësuar në një perspektivë të afërt inertet lumore, shfrytëzimi intensiv i të cilave, tre dekadat e fundit ka çuar në prishjen e shtrateve të lumenjve, prishjen e pritave, gërryerjen e tokave arë, duke çuar në prishjen e ekuilibrave mjedisore të shtrateve të lumenjve afër qendrave të mëdha urbane, si në rrjedhjen e poshtëme të Drinit, Mat, Tërkuzë, Tiranë, Erzen, Shkumbin, Seman, Vjosë, etj. (Lleshi B.1999,2000,2002,2010).
II.2- Dolomitet – ashtu si gëlqerorët takohen bashkë me to, ose pranë tyre në formë shtresash, pakosh e brezash me përmasa të mëdha. Në vb e Dukatit (Vlorë) trashësia e pakos dolomitike arrin deri 400 m. me përmbajtje të MgO nga 18-21 %. Trupa dolomitike me përmbajtje mbi 18% MgO janë takuar dhe në rajonin e Borshit, Kurbinit (Milot, Gjonëm), Krujës (Kodra e Shulsit, Zall), etj.
Dolomitet kanë vlerë të veçantë si lëndë e parë zjarrduruse, me përdorim në industrinë e qelqit, atë kimike etj. Si gëlqerorët dhe dolomitet, të cilat kanë veti dekorative të mirë dhe bllokshmëri e veti fiziko-mekanike të pranueshme mund të përdoren me sukses dhe si gurë dekorative në fushën e ndërtimit. Në vitet 1950-1990 nga SHGJSH janë zbuluar edhe disa vendburime të vogla mergelesh dhe trepelesh.
Nga viti 1986 deri në vitin 1996 janë prodhuar mbi 25 milion ton gëlqerorë për nevojat e fabrikave të çimentos, për gëlqere, si flus në metalurgji, për themele e bazamente në ndërtim etj. Pas vitit 1991 prodhimi i organizuar u ndërpre dhe ka vazhduar me projekte të rregullta shfrytëzimi në karrierat e vendburimve Letaj, Zall e Picrragë, Kojlikë, Kakarriq, etj. për furnizimin me lëndë të parë të fabrikave të çimentos Elbasan, Fush Krujë, Thumanë, etj.
Vitet e fundit kanë filluar të hapen disa karriera gurësh gëlqerorë me liçensa nga disa firma private të cilat duhet të shtohen, por duhet të disiplinohet shfrytëzimi i këtyre lëndëve të para me projekte shfrytëzimi, për të shtuar sa më shumë prodhimin e tyre duke mos prishur mjedisin ashtu siç është vepruar sidomos në 10-15 vitet e para të demokracisë. (B.Lleshi 2010)
II.3 Gurët dekorative karbonatike – Janë të përhapur kryesisht në zonën e Korabit, në pjesët periferike të zonës Mirdita. Në zonën e Alpeve, Krasta-Cukali, Krujës dhe atë Jonike duke filluar nga Tropoja e Kukësi në veri, duke vazhduar në jug me Dibrën, Bulqizën, Matin, Librazhdin, Pogradecin, Korçën, Kolonjën dhe zonat Lezhë, Krujë, Tiranë, Elbasan, Lushnje, Vlorë, Tepelenë, Gjirokastër e Sarandë në jug.
– Me shkëmbinjtë karbonatikë të Trias-Jurës janë të lidhur shumica e vendburimeve dhe shfaqjeve dekorative të vendit si vendburimet e Muhurit, Gjurasit e Kovashicës në Dibër, Kolesjanit në Kukës, Qaf Shtamës në Mat, Mirakës e Dërstilës në Elbasan, Linit në Pogradec, Malit të Thatë në Devoll, disa shfaqje të rajoneve Shkodër, Malësi e Madhe, Tropojë etj.
– Me shkëmbinjtë karbonatikë të kretakut dhe kretë-paleogenit të përhapur në mbulesën kretake të zonës Mirdita dhe në zonën Kruja, janë të lidhur vendburimet e Lisit, shfaqjet e Qafë Kishës, Linosit e Burgajetit në Mat, Munellës (Pukë), Vithkuqit e Polenës (Korçë), Gërmenjit (Kolonjë), Milotit, Laçit e Gjonëmit (Kurbin) Mamurasit, Lumit të Drojës e Burizanës (Krujë), Zall Dajtit e Qaf Priskës (Tiranë).
– Në zonën Krasta takojmë gëlqerorët pllakorë të Rasfikut (Mirditë), Nuajit e Fekenit Krujë e Tiranë, Malit të Rrasës (Elbasan) si dhe gëlqerorët konglomeratikë të Tepës (Shkodër) Treshit, Spitenit e Monatisë (Lezhë).
– Në zonën Jonike kemi gëlqerorët pllakorë të Zhitomit (Berat), Lazaratit, Derviçanit e Jergucatit (Gjirokastër), Muzinës, Shkallës e Sarandës (Sarandë), gëlqerorët porozë të Kosovës (Lushnje), Karaburunit (Vlorë), dolomitet e Borshit (Sarandë) etj. Me veti dekorative shumë të mira janë dhe gurët dekorativë konglomeratikë të Munellës (Pukë), Pretushës (Pogradec), Bitinckës e Trenit (Bilisht), etj.
Në vitet 1950-1990 janë bërë përpjekje relativisht të vogla në krahasim me pasuritë që ka vendi ynë me gurë dekorativë, duke përdorur gurët dekorativë të vendit për veshjen dhe shtrimin e disa ndërtesave kapitale, si Pallatit të Kulturës, Muzeut Historik, Hotel Tiranës, Muzeut të “Skenderbeut” në Krujë etj.
Për punën e pakët të kryer në vitet 1950-1990 për përdorimin e gurëve dekorativë të vendit mjafton të përmendim faktin që gjatë këtyre viteve ka funksionuar vetëm një minierë, ajo e Gurit te Kuq (Peshkopi), ndërsa karrierat e tjera si në Sarandë, Lushnje, Qafë Shtamë, Qafë Priskë, Kosovë të Lushnjes, etj. hapeshin vetëm kur ndërtohej ndonjë objekt i rëndësishëm dhe mbylleshin përsëri. Në vitin 1991 edhe e vetmja minierë që prodhonte blloqe mermeri, ajo e Gurit të kuq Muhur (Peshkopi) u mbyll, ndërsa sot funksionojnë disa karriera gurësh dekorativë karbonatikë masivë e pllakorë, gurësh ranorë masivë e pllakorë dhe gurësh dekorativë ofiolitikë në disa zona të vendit. (Shkupi D.Lleshi B.etj.1995, Lleshi B.1996-2000,2010)
II.4 – Argjilat – Janë ndër mineralet më të përhapur dhe me shumë vlerë për ekonominë e tregut, në disa degë të saj. Me punimet e kryera janë zbuluar dhe njihen disa lloje argjilash që sipas përbërjes, fushave të përdorimit etj. janë quajtur: argjilat bentonite (tip Prenjasi) me fushë përdorimi në naftë, argjilat e gresifikueshme (tip Alarupi) me fushë përdorimi në qeramikë, argjilat e bardha kaliumore (tip Tamare) me fusha përdorimi në porcelan, argjilat ngjyrosëse me fushë përdorimi në industrinë kimike dhe argjilat për qeramikën e trashë me përhapje sidomos në zonat fushore, bregdetare nga Shkodra, Lezha, Tirana, Durrësi, Kavaja, Lushnja, Fieri deri në Vlorë dhe në gropat e brendëshme, në Korçë, Burrel, Peshkopi etj. për t‘u përdorur si lëndë e parë për prodhimin e tullave dhe tjegullave. (Deda T.Vaso P.Serjani A. etj. 2000)
Mbi bazën e rezervave të zbuluara në shumë objekte të vendit të cilat kalojnë mbi 260 milion ton, në shumë rrethe të vendit janë ngritur dhe kanë funksionuar disa fabrika për prodhimin e tullave në Tiranë, Vorë, Lushnje, Dibër, Korçë etj. të cilat pas vitit 1991 u mbyllën dhe kohët e fundit kanë filluar të ringrihen ashtu siç kanë funksionuar në Lushnje dhe në Vorë, me teknologji të përparuar për të plotësuar jo vetëm të gjitha nevojat e vendit për tulla e tjegulla, por dhe për të eksportuar, për t’i prerë rrugën importit.
II.5 – Fosforitet – Përhapjen më të madhe e kanë në shkëmbinjtë karbonatikë të zonës Jonike, në rajonet e Tepelenës (Gusmarit), Gjirokastrës (Fushë Bardha), Sarandës etj. duke zbuluar disa vendburime fosforitesh me një sasi të konsiderueshme rezervash, të cilat me pasurim mund të vihen në shërbim të ekonomisë së tregut kryesisht për prodhimin e plehrave fosfatikë. Para vitit 1990 janë shfrytëzuar sasira të vogla fosforitesh, kryesisht në vendburimet e Fushë Bardhës dhe Gusmarit, të cilat përpunoheshin në fabriken e pasurimit të fosforiteve Memaliaj dhe përdoreshin për prodhimin e plehrave fosfatike në Uzinën e superfosfatit Laç. Pas vitit 1991 prodhimi dhe përpunimi i tyre u ndërpre, por duhet të rifillojë në të ardhmen.
1I.6 – Gjipset dhe Anhidritet – Përfaqësojnë minerale me rëndësi të radhës së parë, si për rezervat e mëdha dhe për fushat e shumta të përdorimit ne vend dhe për eksport. Takohen në zonën tektonike të Korabit nga llixhat e Peshkopisë deri në Radomirë, në Ultësirën bregdetare nga Durrësi e Kavaja, në Fier e Vlorë, në zonën e Dumresë dhe në zonën Jonike (Kurvelesh etj.), gjatë disa prishjeve tërthore e gjatësore.
Në Mengaj, Sarandë dhe Korab takohet dhe lloji strukturor alabastër i punueshëm si gurë zbukurimi, ndërsa në Korab anhidridet, mbështetur në vetitë dekorative dhe vetitë fiziko-mekanike të mira duhet të vihen në perdorim si gurë dekorativë.
Në Korab dhe Dumre, Gjipset formojnë masivë të mëdhenj në të cilët duhet të ngrihet industria e përpunimit të tyre, për t‘u vënë në shërbim të ekonomise së tregut, si për nevojat e vendit ashtu dhe për eksport.
Rezervat e zbuluara deri tani i kalojnë 85 milion ton me CaSO42H2O = 88-98% ku deri tani janë shfrytezuar vetëm një sasi e vogël në afërsi të Vlorës për prodhimin e allçisë dhe çimentos dhe në afersi të Dumresë e Kavajës për çimento. Punime të kërkimit janë kryer edhe për Squfurin e Kërçishtit (Dibër) dhe bojrat e dheut në Dibër, Bulqizë, Shkodër, Pukë, Vlorë, Korçë, etj. (Hoxha V.2005, Lleshi B.2010)
II.7 – Kripa e Gurit – Takohet në rajonet e Kavajës (Mengaj, Tilje ) dhe Sarandës (Dhrovjan). Me punimet e kryera janë zbuluar mbi 300 milion ton kripë guri me NaCl=76-82%. Në Mengaj e Tilje (Kavajë), deri në vitin 1991 është shfrytëzuar një sasi e vogël nga këto rezerva, por pas vitit 1991 u ndërprenë punimet. Rezerva të mëdha janë llogaritur dhe në Dhrovjan (Sarandë) e diapirët e Dumresë e Kardhiqit që i kalojnë miliarda ton. Nevojat për kripë guri plotësohen dhe nga kriporet e detit sidomos ajo e Vlorës.
II.8 –Ranorët kuarcorë dhe kuarcitet – I takojmë kryesisht në pellgjet ë Tiranës dhe Devollit duke formuar shtresa me trashësi mbi 10 m. gjatësi qindra m. deri disa km., ndërsa në rajonet e Tropojës dhe Kukësit janë zbuluar dy vendburime kuarcitesh, Kërnajës dhe Kallabakut, etj. Përmbajtja e rërave kuarcore është mbi 80 % SiO2, rreth 10 % Al2O3 dhe deri 1.5% Fe2O3, ku me një pasurim të thjeshtë mund të përdoren si lëndë e parë ndërtimi dhe në industrinë e qelqit, kurse kurcitet me përmbajtje mbi 95 % SiO2 përdoren me sukses në industrine e qelqit, atë abrazive, fonderi etj.
II.9 – Inertet lumore – Janë studjuar pothuajse në të gjithë lumenjtë e Shqipërisë, duke llogaritur mbi 242 milion m3 rezerva rëre dhe zhavori, të cilët duhen shfrytëzuar me projekte të rregullta e me kriter, për t‘u përdorur në dobi të ekonomisë. (Lleshi B. Dhimitri A. 2004)
II.10-Shkëmbinjtë magmatikë, sedimentarë e metamorfikë, si lëndë e parë ndërtimi.
Gurët natyrorë të ndërtimit, të përhapur nga veriu në jug të Shqipërisë, Gurët natyror mbulesor (rrasat e gurit), të përhapur më shumë në Kukës, Dibër, Mirditë, Krujë, Tiranë, Elbasan, Skrapar, Gramsh, Korçë, Kolonjë, Përmet, Gjirokastër Delvinë, etj. Gurët natyrorë ranorë e gëlqerorë pllakorë, sidomos në rajonine Mokrës Pogradec, Berat, Skrapar, Tepelenë, Përmet, Gjirokastër, etj. Gurët natyrorë acid durues në ku hyjnë albitofiret e tufet në Juban e Gur të Zi Shkodër,ortofiri i Mirditës dhe kuarci i Çeravës Pogradec.

III. PËRFUNDIME

Shkëmbinjtë dhe mineralet industrialë të zbuluar nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar përbëjnë një pasuri të madhe kombëtare e cila ka luajtur dhe do të luajë një rol të rëndësishëm për fuqizimin e ekonomisë. Deri tani me studimet e punimet gjeologjike të kryera në shkallë vendi janë zbuluar:
Për lëndë të para industriale mbi 50 objekte oliviniti, magneziti, bariti, feldshpatesh, albitofiresh, xhami vullkanik, azbesti, pirofiliti, guri i talkut dhe fluorite, të cilat nuk janë vënë sa duhet në shërbim të ekonomisë.
Për lëndët e para kimike, mbi 12 vb fosforitesh, mbi 41 vb gjipsesh, anhidritesh, alabastri, kripërash e squfuri, mbi 23 objekte dhe shfaqje ngjyruesish mineralë (bojra dheu) me perspektivë të hapur, për shtimin e rezervave të tyre, të cilat deri tani ja në vënë shumë pak në shërbim të ekonomisë.
Për lëndë të para ndërimi, mbi 50 vb e shfaqje argjilash, kaolinash e tufesh të disa tipeve kaolinore, porcelanike, argjila për qeramikë, bentonite, mikore, hidromikore, karbonatike për çimento, tufe vullkanike etj. Një pjesë e tyre kanë gjetur përdorim në 27 fabrika tullash e tjegullash, tuba gres, në fabrika çimentosh për prodhim tullash refraktare (shamot), në porcelanikën artistike dhe komunitare, etj.
Mbi 190 vb dhe objekte gëlqerorësh, dolomitesh, mergelesh e trepelesh, travertinash dhe rërash e zhavoresh karbonatikë, të cilat janë përdorur në ndërtim dhe në degë të tjerë të industrisë e bujqësisë.
Rreth 90 vb dhe objekte gurësh dekorativë karbonatikë dhe ofiolitikë me perspektivë të hapur për shtimin e rezervave të tyre, të cilat nuk janë vënë sa duhet në shërbim të ekonomisë së tregut në sektorët e ndërtimit, etj. si dhe janë llogaritur mbi 1 miliard resurse bazaltesh e shkëmbinjsh bazaltikë në shumë rajone të vendit nga veriu në jug, dhe megjithëse janë lënda më e mirë cilësore në infrastrukturë për shtrime të autostradave, aeroporteve, porteve, etj. pak kanë filluar të futen në përdorim.
Mbi 30 vb dhe objekte kuarci, kuarcitesh, ranorësh dhe rërash kuarcore, të cilat janë përdorur në industrinë e qelqit dhe atë abrazive, mbi 52 objekte inertesh lumore (rërë e zhavore) dhe rërë e çakëll karbonatik, në lumejt afër qendrave të mëdha urbane, të cilat deri tani në shumë raste janë shfrytëzuar pa kriter, duke u shoqëruar me dëme të mëdha në mjedis dhe ekonomi.
Janë zbuluar qindra objekte shkëmbinjsh magmatikë, sedimentarë e metamorfikë, që përdoren si gurë natyrorë ndërtimi, gurë natyrorë mbulesorë (rrasa guri), kryesisht për mbulime çatishë, ranorë pllakorë e masivë, për ndërtime dhe si gurë dekorativë, gurë natyror acid durues, etj.
Me pasuritë e mëdha që kemi, me gëlqerorë e dolomite, gjipse e anhidrite, argjila e kaolina, gurë dekorativë karbonatikë, ranorë e ofiolitikë, bazalte, e shkëmbinj bazaltikë,etj. në çdo rreh duhet të hapen karriera për prodhimin e lëndëve të para për ndërtim e infrastrukturë, duke filluar nga inertet karbonatike, deri tek gurët dekorativë, duke ngritur fabrika të reja çimentosh, tullash e tjegullash, kombinate për përpunimin e gjipseve e anhidriteve për prodhimin e allçisë dhe çimentos së bardhë, etj. për të plotësuar jo vetëm nevojat e mëdha të sektorëve të ndërtimit, infrastrukturës dhe industrisë për këto lëndë të para minerale, por edhe për të dalë në eksport.

IV. REFERIMET

Deda T.Vaso P.Serjani A.etj (2000) “Studim përgjithësues mbi gjendjen e materialeve jo metalore në Shqipëri (lëndë të para të ndërtimit e të industrisë së lehtë). Fondi i ISPGJ Tiranë.
Dobi A. Lleshi B. (2001) Shkëmbinjtë ofiolitikë bazaltikë si lëndë e parë ndertimi për shtrime aeroportesh, autostradash, rrugësh hekurudhore. Konferenca e 3- te kombëtare “ Mjedis 2001” 23-24 shtator 2001 Tiranë
Lleshi B. (1999) Vendburimet minerare jo energjitike – gjendja aktuale e prodhimit të mineraleve jo energjitikë në Shqipëri. Botim i Universitetit të Barit, Itali 2001
Lleshi B. (2000) Rivlerësimi i objekteve të lëndeve karbonatike të zonës Milot-Tiranë-Elbasan për zevendësimin e inerteve të lumenjve Mat, Drojë,Tërkuzë, Tiranë, Erzen, Shkumbin me inerte karbonatike. Fondi i Degës Rajonale Tiranë. dhjetor 2000
Lleshi B. Dhimitri A.(2004) “Vlerësimi i pasojave, ndikimit mjedisor, problemeve hidrodinamike dhe rehabilitimit të gjendjes në shtretërit e lumenjve”. Fondi i Degës Rajonale Tiranë tetor 2004
Lleshi B. Vaso P.Leka Gj.Boshnjaku B. Hoxha V.Gjoni V.etj. (2005) Shkëmbinjtë dhe mineralet industrialë. Fondi i Sh Gj Sh Tiranë mars 2005
Lleshi B (2010) Shkëmbinjtë dhe mineralet industrialë (jo metalorë) të Shqipërisë, Tiranë 2010
Ostrosi B.Grazhdani A.Tërshana A.etj (1999) Monografia “Metalogjenia e mineraleve industrialë në Shqipëri” Fondi i F Gj M Tiranë, 1999
Shkupi D. Lleshi B.etj (1995) “Studim mbi gurët dekorativë të Shqipërisë. Karakterizmi dhe përgjithësimi i tyre.” Fondi i ISPGJ Tiranë 1995
Degët Rajonale Gjeologjike (2001–2005) Përmbledhje e të dhënave për mineralet jo metalorë. Tiranë shkurt -mars 2005 Fondi i Sh Gj Sh 2005.
Prishtinë më 21 maj 2022 Vitet e fundit kanë filluar të hapen disa karriera gurësh gëlqerorë me liçensa nga disa firma private të cilat duhet të shtohen, por duhet të disiplinohet shfrytëzimi i këtyre lëndëve të para me projekte shfrytëzimi, për të shtuar sa më shumë prodhimin e tyre duke mos prishur mjedisin ashtu siç është vepruar sidomos në 10-15 vitet e para të demokracisë. (B.Lleshi 2010)