“Futboll buzë Drinit” një veprimtari sportive që zbuloi bukuritë e panjohura të Dibrës


Më 21 maj 2022, në Fushë-Alie u zhvillua veprimtaria “Futboll buzë Drinit”, organizuar nga gazetari sportiv Defrim Methasani – Qytetar i Nderi i Dibrës.
Methasani ka qene disa vite mësues në këtë fshat dhe rikthehet me këtë veprimtari, së bashku me miqtë e tij, si një mënyrë për të promovuar këtë krahinë , e cila rrezikohet nga ujëmbledhësi i Skavicës.
Aktiviteti rezultoi të jetë një manifestim i madh sportiv e artistik në Fushë-Alie të Dibrës, në një prej vendeve më të bukura të Shqipërisë, buzë lumit Drini i Zi. Në organizimin e aktivitetit patën kontribut shumë njerëz që kanë lindur në këtë zonë, ndërkohë që miq të shumtë e të ftuar kishin ardhur nga qytetet e ndryshme të vendit e madje nga shumë vende të botës, duke sjellë një atmosferë festive që rrallë ishte parë gjatë këtyre viteve në këto anë. Një ndihmesë në zhvillimin e këtij aktiviteti e dha edhe Bashkia e Dibrës me kryetar Rahim Spahiun.

Garat

Organizimi festiv sportiv parashikonte disa ndeshje futbolli, ku organizatorët kishin përfshirë gjithsej 4 ekipe me emërtime shumë domethënëse si “Vendasit”, “Ish-nxënësit”, “Diaspora” dhe “Gazetarët”, me sistem eliminimi. Në fund, turneun “Futboll buzë Drinit” e fitoi ekipi i “Diasporës” që vinin nga Belgjika. Për fituesit u dhanë medalje e kupa të ndryshme. Duhet thënë se me këtë rast u shpërndanë çertifikata mirënjohjeje për emra të spikatur të futbollit e të sportit në tërësi që kanë dalë nga kjo zonë. Entuziazmin e rriti edhe prania e skuadrës së Korabit. Duhet thënë se personalitete të sportit, gazetarisë sportive në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe njerëz të artit, kulturës e arsimit kishin zgjedhur të ishin më 21 maj në Dibër, për të parë e kontribuar në këtë manifestim të madh sportiv dhe artistik. Spikati me praninë e tij ish-futbollisti i Flamurtarit dhe Kombëtares, Kreshnik Çipi e shumë emra të tjerë. Një aktivitet, që siç e përmendëm, u zhvillua në një prej vendeve më të bukura e më të begata të Shqipërisë, siç është lugina e Drinit të Zi, aty ku jeton një komunitet i spikatur për vlerat e tij të mikpritjes, kulturës dhe sportit.

Libra dhe materiale sportive për shkollën

Në kuadër të këtij manifestimi të madh, një nga momentet më emocionuese ishte dhënia e dhuratave për shkollën në Fushë-Alie. Uniforma sportive, bazë materiale sportive dhe libra për bibliotekën ishin dhuratë për mësuesit dhe nxënësit e shkollës.
“Një tjetër moment emocionues për mua dhe gjithe të ftuarit ishte momenti ku së bashku me mikun tim të çmuar dhe ish nxënësin tim të para viteve 90-të, Bujar Karoshi, realizuam në shkollën e Fushë-Alies. Uniformat sportive, baza materiale sportive dhe librat për bibliotekën, ishin dhuratë për mësuesit dhe nxënës e shkollës”, shkroi Methasani në profilin e tij në Facebook.
Ai falenderoi edhe drejtoreshën e Zyrës Vendore Arsimore Dibër Brikena Dani dhe stafin e shkollës me drejtor Izmir Shehu, të cilët e vlerësuan shumë këtë gjest. Falenderoj dhe ish drejtorin e shkollës Begu Hajri dhe ish mësuesit e saj, Zylfi Spata, Mehmet Saraçi, Rruzhdi Bitri, Pëllumb Uka, Dine Sina, Gëzim Kaba, Piro Qose, të cilët na u bashkuan në këtë ditë festive.
“I lehtësuar tashmë si kurrë më parë. Misioni u kry. Futboll buzë Drinit mori bekimin e tij, falë qindra e mijëra njerëzve që u bënë pjesë e tij në Fushë-Alie të Dibrës. Falënderoj me shpirt çdokënd që më mbështeti, që mu bë krah, më ndihmoi dhe më motivoi. Aty ku dikur bëheshin betejat e luftës, aty ku të duket se natyra ka pikturuar me dorë, aty këtë 21 maj u luajt futboll, u dhuruan kupa, medalje, uniforma, topa, u kënduan këngë, u bënë valle, u shpalos traditë, u dhuruan libra dhe u bë tifozllik. Falënderoj ata njerëz që na pritën siç i ka hije Çidhnës dhe Dibrës”, shkroi pas aktivitetit gazetari e njëherësh organizatori Defrim Methasani.
Adriatik Balla