Nisin protestat, kërkohet ndalimi i punimeve në Skavicë


“Nga qeveria shqiptarë na është thënë se jemi në fazën e studimit të fizibilitetit, por këtu puna vazhdon në mënyrë intensive, janë hapur rrugët për të shkuar të gryka e tunelit për të devijuar Drinin”.

Për protestuesit është tashmë e qartë dëmet që sjell ndërtimi i HEC të Skavicës: ndarja e Dibrës ose zhdukja e saj – siç e vlerësojnë disa protestues, mbytja e tokave bujqësore, prishja e ekosistemit, ndryshimi i klimës, mungesa e reshjeve, mungesa e dokumenteve të pronësisë, mbytja e vendeve historike etj.

Pamje nga punimet në hapjen e rrugëve që të çojnë në vendin ku do të ndërtohet diga në Skavicë

Ndërsa në Skavicë vazhdojnë punimet për studimet inxhinierike dhe të projektimit, të banorët e Dibrës është rritur frika se qeveria po vendos për Skavicën pa i marrë parasysh mendimin dhe interesat e tyre.
Rreth 40 banorë dhe aktivistë të shoqatës për Mbrojtjen e Pellgut të Drinit të Zi udhëtuan më 16 maj 2022 në Skavicë për të parë ecurinë e punimeve.
Banorët vunë re se po hapen rrugët që të çojnë në kantier dhe këto punime, sipas banorëve, nuk kanë lidhje me studimin e fizibilitetit, por është një punë në terren që ka nisur për ndërtimin e hidrocentralit.
“Nga qeveria shqiptarë na është thënë se jemi në fazën e studimit të fizibilitetit, por këtu puna vazhdon në mënyrë intensive, janë hapur rrugët për të shkuar të gryka e tunelit për të devijuar Drinin” – i tha Nazmi Drizi, kryetari i Shoqatës për Mbrojtjen e Pellgut të Drinit të Zi, një media lokale.
Drizi paralajmëroi përplasje të ashpra mes banorëve dhe qeverisë, por edhe punëtorëve që do të punojnë në këtë kantier.
“Në kemi ardhur këtu që ti dërgojmë një mesazh kompanisë “Bechtel”: Ajo dorë që na mbyt je ti!. Vërtetë ke marrë bekimin e qeverisë shqiptare, por je ti që po na mbyt”, deklaroi Drizi.
Nazmi Drizi është gjobitur në nëntor 2020, bazuar në një akt normativ të qeverisë, e cila ndalonte tubimet. Drizi udhëhoqi një protestë në Fushë Alie kundër planeve të qeverisë për HEC Skavica dhe autoritetet policore e ndaluan Drizin duke e gjobitur me një shumë prej 5 milionë lekësh. Drizi e ka konsideruar gjobën si një mënyrë për të frikësuar banorët që të ndalojnë protestat.
“Protestat do të jenë më të shpeshta dhe me më shumë njerëz”, thotë Drizi.
Për protestuesit është tashmë e qartë dëmet që sjell ndërtimi i HEC të Skavicës: ndarja e Dibrës ose zhdukja e saj -siç e vlerësojnë disa protestues, mbytja e tokave bujqësore, prishja e ekosistemit, ndryshimi i klimës, mungesa e reshjeve, mungesa e dokumenteve të pronësisë, mbytja e vendeve historike etj.
“Qeveria nuk po i merr parasysh dëmet”, – thotë Skënder Kuta, një ish-mësues në pension.
“Ne vlerësojmë se dëmi ekonomik që vjen me ndërtimin e HEC, është më i madh se përfitimet që llogarit qeveria”. “Dibra shkatërrohet, nuk ka më Dibër”, thotë Kuta.
Banorët janë të shqetësuar se deri më tani askush nuk ka shkuar ti pyesë, të diskutojë me to dhe të marrë mendimin e tyre.
“Skavica zhduk Dibrën përgjithmonë dhe pa e pyetur fare” shkruhet në një nga parullat e protestuesve.

KESH: Studimet përpara, konsultimet më pas

Vëzhgim i terrenit me helikopter. Foto: KESH

Katër ditë para kësaj proteste, më 12 maj 2022, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) njoftoi përmes faqes së saj në Facebook se po “vijon puna në terren për realizimin e fazës së parë të projektit Skavica”.
KESH thotë se “ndërtimi i kësaj vepre mbi lumin Drin do të rrisë sigurinë e furnizimit me energji në vendin tonë, do të përmirësojë menaxhimin e kaskadës së Drinit dhe të ulë rreziqet e përmbytjeve në zonën e Shkodrës”.
KESH dhe qeveria shqiptare vazhdojnë ti gjejnë përfitimet ekonomike jashtë Dibrës, por deri më tani nuk kanë gjetur mundësinë të bëjnë publike planet e tyre për banorët që shpërngulen nga shtëpitë, trojet dhe tokat e tyre.
Përmes njoftimit publik të datës 12 maj 2002, KESH thekson se “faza e parë e këtij projekti konsiston në realizimin e studimeve dhe analizave inxhinierike, mjedisore, sociale dhe financiare për të përcaktuar realizueshmërinë e tij (fizibilitetin)”.
Aktivitetet që po kryhen në këtë fazë përfshijnë: studimet inxhinierike dhe të projektimit, vrojtimet mjedisore dhe sociale si pjesë të procesit të vlerësimit të ndikimit mjedisor e social, studimet gjeoteknike, vrojtimet topografike, batimetrike dhe fotogrametrike etj.
Por vetëm 10 ditë më vonë nga ky njoftim publik, më 23 maj 2022, KESH njoftoi se “në kuadër të zbatimit të fazës së I-rë të projektit të Hidrocentralit të Skavicës, kanë përfunduar tashmë në terren vrojtimet mjedisore të vjeshtës dhe dimrit”.
“Këto studime u kryen në kuadër të procesit të Vlerësimit të Ndikimit Mjedisor e Social dhe kanë për qëllim evidentimin e ndikimeve të mundshme të projektit në mjedis si dhe identifikimin e masave që duhen marrë për shmangien, minimizimin apo adresimin e këtyre ndikimeve”.
“Aktualisht është duke u kryer në terren edhe studimi ekologjik dhe po ashtu është në përfundim edhe studimi i gjendjes ekzistuese sociale të zonës së projektit”.
“Të gjitha studimet e përmendura më sipër do të jenë pjesë e Raportit të Vlerësimit të Ndikimit Mjedisor e Social, i cili pritet të përfundojë në tremujorin e tretë të këtij viti, e më pas do të konsultohet me të gjitha palët e interesit nëpërmjet takimeve dhe dëgjesave publike. Komentet dhe opinionet e marra gjatë procesit të konsultimit do të reflektohen më tej në raportin përfundimtar”, shkruhet në njoftimin publik të KESH, shpërndarë përmes Facebook.

Banorët protestojnë sërish: Qeveria po tallet me ne
Deklarata e dytë e KESH, shumë e ndryshme nga deklarata e parë, ka nxitur një protestë tjetër të banorëve, e cila është mbajtur në Fushë Alie, pranë Urës së Lushës mbi Drin.
“Qeveria po tallet me ne, – thotë një banorë për gazetën. Nga njëra ana thotë se “është duke u studiuar”, nga ana tjetër thotë se “kanë përfunduar studimet”. Si u përfunduakan studimet brenda 10 ditësh?
“Ne nuk kemi parë ekipe që të studiojnë mjedisin në terren. Nuk e dimë nga i kanë bërë studimet mjedisore “ekspertët” e kompanisë ose nënkontraktorët e tyre, por ata duhet ta dinë se po bëhen pjesë e një krimi, po bëhen pjesë e një genocidi ndaj banorëve të luginës së Drinit”, tha një protestues.
“Si ka mundësi që studime të tilla, që duan vite, duan ekipe studimi, të mbarojnë kaq shpejt? Si u merrka një vendim për “mbytjen e Dibrës” kaq shpejt? Ky nxitim ka vetëm një shpjegim: “korrupsionin”, – thotë Dalip Alia, njëri nga banorët e Fushë-Alies.
“Në qoftë se hidrocentrali ndërtohet dhe toka, shtëpitë, trojet dhe varret tona mbyten, jeta jonë mbaron këtu” – tha një banor i revoltuar.
“Ne nuk jemi dibranë, ne nuk jemi shqiptar dhe ne nuk ka asgjë që na bën krenar” -tha ai.
Banorët kërkuan një aleancë më të madhe të banorëve, ngado që janë, për të ndaluar planet për ndërtimin e HEC.
Shoqata për Mbrojtjen e Pellgut të Drinit të Zi ka paralajmëruar protesta të tjera përgjatë rrjedhës së lumit Drin, nga Kukësi në Dibër të Madhe.
Protesta e radhë do të mbahet me 5 qershor pranë Urës së Muhurrit, dhe të tjerat në ditët në vijim te Ura e Luznisë, Ura e Drinit në Gjoricë etj.

Organizata mjedisore kundër projekteve të qeverisë
Qeveria shqiptare që nga 3 qershori 2020, kur prezantoi studimin e fizibilitetit për Skavicën hartuar nga një kompani franceze, ka vazhduar planet e saj për ndërtimin e hidrocentralit.
Që pas nënshkrimit të kontratës mes KESH dhe Bechtel për fazën e parë të ndërtimit, qeveria ka bërë publike dy alternativat më të mundshme për ndërtimin e digës.
Varianti i parë parashikon ndërtimin e hidrocentralit në kuotën 388 metra mbi nivelin e detit, 92 metra lartësia e digës, 17.6 km2 sipërfaqja e rezervuarit, 326 milion metër kub ujë, me fuqi instalimi 120 MW dhe prodhim vjetor 479 GHh. Kosto e ndërtimit parashikohet 308 milionë Euro, nga të cilat 250 milionë për ndërtimin dhe 58 milionë euro për shpronësime dhe infrastrukturë.
Variantri i dytë parashikohet në kuotën 443 metra mbi nivelin e detit, 147 metra lartësia e digës, 54 km2 sipërfaqja e rezervuarit, 2319 milion metër kub ujë, me fuqi instalimi 210 MW dhe prodhim vjetor 915 GHh. Kosto e ndërtimit 510 milionë Euro, nga të cilat 350 milionë për ndërtimin dhe 160 milionë euro për shpronësime dhe infrastrukturë.
Në lidhje me kostot e ndërtimit, nga kjo fazë e parë e studimit pritet të dalin kosto shumë më të larta, për shkak të konfliktit Rusi-Ukrahinë, gjë që ka çuar në rritjen e ndjeshme të kostove të lëndës së parë për ndërtim.
Ndërkohë, disa organizata mjedisore në vend janë duke punuar për nisjen e një fushate në terren, për ndërgjegjësimin e banorëve për rreziqet që sjell ndërtimi i hidrocentralit, për ndikimet në jetën e tyre dhe në ekosistemin mbi nivelin e rezervuarit.
Ekspertët mjedisore mendojnë se ndërsa për një pjesë të luginës së Drinit toka do të mbulohet nga uji, pjesa tjetër e natyrës do të pasojë ndryshime të pariparueshme për mjedisin dhe jetesën në këtë zonë.
Organizata mjedisore të njohura në botë pritet që të vijnë në ndihmë të organizatave mjedisore lokale, me ekspertët e tyre të mjedisit dhe ligjit, në mënyrë që fushata kundër ndërtimit të hidrocentralit, sipas planeve të bërë publike nga qeveria, të ndalohet.
Për organizimin e një fushatë kundër ndërtimit të hidrocentralit është e nevojshme edhe ngritja e fondeve. Shoqata e Drinit të Zi ka kërkuar publikisht mbështetje financiare, sidomos nga të rinjtë jashtë vendit, dhe për këtë ajo ka publikuar edhe personat përgjegjës për mbledhjen e fondeve dhe ka publikuar gjithashtu edhe emrat e atyre që kanë ndihmuar deri më tani.
Korresp. Rr.A.