Edlira Haxhiymeri, intelektuale e përmasave kombëtare e ndërkombëtare


Ashtu si i ati, edhe Edlira nuk nguroi kurrë të përdorte imazhin dhe lidhjet e saj për të ndihmuar dibranët dhe për të promovuar Dibrën me të gjitha mundësitë e saj. Ajo luajti një rol të madh si kryetare e shoqatës “Lidhja e Intelektualeve Dibranë”. Si drejtuese e Shoqatës ajo luajti një rol të rëndësishëm në organizimin e komunitetit dibran në Tiranë si dhe evidentimin e vlerave më të mira dibrane në kryeqytet.
Angazhimi i saj pranë Lidhjes së Intelektualëve Dibranë ishte pikërisht vazhdimi i kësaj përpjekje, por tashmë në bashkëpunim me figurat e tjera publike të vendlindjes së saj. Përpjekja e kahershme e dibranëve për të mbështetur ndërtimin e Rrugës së Arbrit ishte një qëllim i rëndësishëm për Edlirën, të cilën fatkeqësisht nuk pati mundësinë të shihte të mbaruar.

Nga Musa Riçku*

Më 14 maj 2022 u nda nga jeta prof. dr. Edlira Haxhiymeri. Ikja e saj e parakohshme ka lënë në pikëllim jo vetëm familjen e saj, po edhe ne, miqtë e saj, anëtarët e Shoqatës Lidhja e Intelektualëve Dibranë, të cilët patëm fatin që për vite me radhë të udhëhiqeshim nga një grua mendjendritur, të zgjuar e të dashur si ajo.
Edlira ishte një “cucë dibrane”. Shtëpia e saj e fëmijërisë ishte pikërisht në Rrugën e Dibrës, pranë komuniteti dibran që ishte zhvendosur në Tiranë që para viteve të luftës. Gjatë fëmijërisë Edlira shpenzonte vazhdimisht verën pranë familjeve të gjyshërve të saj në Peshkopi. Ajo ka ndjerë dhe përjetuar ndjenjën e fortë të dashurisë, që vetë prindërit i kanë ushqyer për vendlindjen që në vitet e para të saj. Lidhja e fortë me Dibrën, e cila u brumos që në fëmijëri, mbeti një gur reference përgjatë çdo angazhimi të mëtejshëm të Edlirës.
Vlerësimi i saj për Dibrën si qyteti më i bukur, më i pastër, më mikpritës më me traditë, por dhe për karakterin punëtor dhe të ndershëm të dibranëve, mbeti i pandryshuar përgjatë jetës së saj. Fati, puna, detyra e saj i krijuan mundësitë që të vizitonte qytete nga më historikët dhe madhështorë të botës, si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim, por kur kujtonte Dibrën, rruga e kthimit i bëhej edhe më e shkurtër se sa ajo që kishte vajtur. Ky lloj vlerësimi shkonte deri atje saqë nuk e mendonte që jetonte në kryeqytet, por kryeqendra e vendit për të duhej pa dyshim që të ishte vendlindja e prindërve të saj, Dibra.
Prof. dr. Edlira Haxhiymeri ishte një personalitet i spikatur i botës akademike, i politikës dhe i shoqërisë civile shqiptare.
U diplomua në fushën e gjuhës angleze në Universitetin e Tiranës në vitin 1982 dhe kreu studimet pasuniversitare për Psikologji-Pedagogji, duke u diplomuar në vitin 1987.
Në vitin 1992 ishte një nga themelueset e Departamentit të Punës dhe Politikës Sociale në Fakultetin e Shkencave Sociale. Mbrojti doktoratën në fushën e studimeve psiko-sociale në Universitetin e Tiranës në vitin 1995.
Fitoi titullin akademik “Profesor i Asociuar” në vitin 2003, ndërsa titullin akademik “Profesor” në vitin 2016.
Ajo kishte kryer specializime pasuniversitare në fushën e pedagogjisë dhe të psikologjisë në vend dhe në fushën e politikave dhe administrimit të arsimit në SHBA. Ka punuar si pedagoge vizitore në GVSU, Miçigan, dhe bashkëpunëtore e jashtme e Universitetit Clemson në Karolinën e Jugut në SHBA.
Pati një përvojë prej 39 vitesh në mësimdhënie dhe kërkim në fushën e pedagogjisë, psikologjisë dhe të punës sociale, e përqendruar në nënfushat: sjellja njerëzore, mirëqenia e fëmijës, zhvillimi i fëmijës, të drejtat e fëmijëve, gjinia dhe barazia, të drejtat e grave, fuqizimi i grave. Ka kontribuar në themelimin dhe zhvillimin e shkollës së punës sociale në Shqipëri, si dhe në formimin, përgatitjen dhe diplomimin e dhjetëra brezave të punonjësve socialë dhe profesionistëve të tjerë të shërbimeve psiko-sociale në vend. Kishte përvojë të pasur në planifikimin, organizimin dhe drejtimin e projekteve të kërkimit në fushën e arsimit dhe të shkencave sociale.
Prof. dr. Edlira Haxhiymeri ka dhënë gjithashtu një kontribut aktiv në zhvillimin e reformave dhe politikave arsimore të të gjitha niveleve në Shqipëri. Gjatë 22 viteve të fundit ajo ka mbajtur pozicione të rëndësishme drejtuese në arsimin e lartë, si përgjegjëse e Departamentit të Punës Sociale, anëtare e Senatit të Universitetit të Tiranës, zv. Rektore e Universitetit të Tiranës dhe zv. Ministre e Arsimit. Gjatë vitit 2005 ajo ushtroi dhe detyrën e Prefektes së Qarkut të Tiranës.
Kontribuoi për zhvillimin e arsimit të lartë dhe zhvillimin e programeve të studimit edhe në trojet shqiptare përtej kufirit në fushën e punës sociale në Universitetin e Evropës Juglindore të Maqedonisë së Veriut dhe në Kosovë.
Prof. dr. Edlira Haxhiymeri spikati për aktivizimin e saj për të drejtat e njeriut, të drejtat e fëmijëve dhe të grave. Ajo ishte themeluese dhe drejtore ekzekutive e Strehëzës për Gra dhe Vajza të Dhunuara në Tiranë, i pari institucion i ngjashëm në vend, i cili u kthye në pikë referimi edhe për institucione të tjera publike që u ngritën më pas.
Ajo luftoi për kauza të rëndësishme të shoqërisë dhe në veçanti të familjes shqiptare. Ishte anëtare e disa shoqatave profesionale ndërkombëtare të fushës së arsimit dhe të punës sociale në nivel evropian e më tej. Pati një përvojë të pasur në koordinimin dhe realizimin e projekteve të përbashkëta ndërkombëtare në fushën e arsimit
Prof. dr. Edlira Haxhiymeri ka botuar si autore dhe bashkautore shumë artikuj në revista kombëtare dhe ndërkombëtare, botoi tekste shkollore dhe universitare. Disa nga botimet e saj më të rëndësishme janë: “Dhuna në familjen shqiptare”, “Sjellja njerëzore dhe mjedisi social”, “Rolet dhe stereotipat gjinore”, “Mitet dhe realitetet e dhunës në familje”, “Dhuna ndaj fëmijëve dhe pasojat në zhvillimin e tyre” etj.
Ashtu si i ati, edhe Edlira nuk nguroi kurrë të përdorte imazhin dhe lidhjet e saj për të ndihmuar dibranët dhe për të promovuar Dibrën me të gjitha mundësitë e saj. Ajo luajti një rol të madh si kryetare e shoqatës “Lidhja e Intelektualeve Dibranë”. Si drejtuese e Shoqatës ajo luajti një rol të rëndësishëm në organizimin e komunitetit dibran në Tiranë si dhe evidentimin e vlerave më të mira dibrane në kryeqytet.
Angazhimi i saj pranë Lidhjes së Intelektualëve Dibranë ishte pikërisht vazhdimi i kësaj përpjekje, por tashmë në bashkëpunim me figurat e tjera publike të vendlindjes së saj. Përpjekja e kahershme e dibranëve për të mbështetur ndërtimin e Rrugës së Arbrit ishte një qëllim i rëndësishëm për Edlirën, të cilën fatkeqësisht nuk pati mundësinë të shihte të mbaruar.
E gjithë jeta e prof. dr. Edlira Haxhiymerit u karakterizua nga humanizmi, aktivizimi, profesionalizmi dhe dashuria për vendin. Me shembullin e saj ajo ndriçoi dhe ndryshoi jetën e shumë njerëzve. Edlira do të kujtohet si një ndër personalitetet e shquara të botës akademike dhe gratë e suksesshme të Shqipërisë.
Edlira Haxhiymeri ishte një intelektuale emërmirë e përmasave kombëtare dhe ndërkombëtare
Kryesia e Shoqatës Lidhja e Intelektualeve Dibranë i ka propozuar kryetarit të Bashkisë Dibër dhe Këshillit Bashkiak, që të vlerësojë kontributin e prof.dr. Edlira Haxhiymerit si: “Profesore e Shkencave Sociale në fushën e pedagogjisë, psikologjisë, të drejtat e fëmijëve dhe grave; në fuqizimin e rolit të gruas në jetën shoqërore e publike; kontributin në themelimin dhe zgjerimin e arsimit publik në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë; si dhe rolin si udhëheqëse e komunitetit dibran në Tiranë në organizimin e jetës shoqërore dhe politike, duke nderuar gjithmonë dhe pa kufij Dibrën dhe dibranët.
Vlerësimi që duhet t’i bëhet nga Këshilli Bashkiak i Dibrës dhe anëtarët e saj është një vlerësim i merituar jo vetëm për profesoreshën tonë, por edhe për komunitetin dibran, që ka nxjerrë personalitete të tilla, që nderojnë emrin e tyre dhe të Dibrës sonë.
*Nënkryetar i Shoqatës LID