NJË DITË PER SKËNDERBEUN


Nga Osman Xhili

Data 6 maj bëri bashkë një grup jo të vogël njerëzish. Kishin ardhur në Dibër nga anë të ndryshme të vendit, nga Tirana Shkodra, Çamëria, Tuzi, Shkupi, Tetova,Kosova e shumë rrethina të tjera. Natyrisht kishte dhe dibranë, që si vendas, që ishin, i shoqëronin dhe i respektonin miqtë, që na nderonin.Inxhinjeri Munir Hoxha, profesori Hysen Uka, poetesha Miranda Derti e shumë të tjerë e zbukuronin takimin me praninë e tyre. Ndalesa e parë ishte bërë në Bulqizë, për të përkujtuar betejën e famshme të Vajkalit. Disa aktivitete u zhvilluan në qytetin e Peshkopisë. Një tryezë diskutimi rreth kësaj epoke dhe këtij personaliteti u zhvilluan hotel “Veri”.Më tej, grupi u zhvendos në shëtitoren e blinave, ku u bënë homazhe pranë bustit të Skënderbeut, sponsorizuar nga biznesmeni dibran, Zaim Korsi.
Karvani i njerëzve dhe makinave vazhdon përpara. Një tjetër lapidar në Laçes,në anë të rrugës. I kushtohet betejës së Torviollit dhe masakrës, që bën turqit në këto rrethina, duke vrarë tetë mijë persona, burra, gra e fëmijë. Tashmë jemi duke lëvizur drejt Sinës, fshatit të lindjes së heroit tonë kombëtar, ku ndodhet dhe muzeu historik, që i kushtohet kësaj figure legjendare. Rruga e shkurtër, por e paasfaltuar, gjithë gropa e pluhur. Nëse vërtetë do ta donim aq shumë figurën e Skënderbeut,që shumëkush do të donte ta bënte të tijën, të paktën,rrugën ta kishim rregulluar në nder të tij.
Ndalojmë. Bëhen vizita te muzeu nga gjithë pjesëmarrësit, bëhen foto për ta përjetësuar këtë takim të bukur e më pas njerëzit ulen në formë rrethi në oborrin e muzeut, në një bashkëbisedim. Ashtu kishte bërë heroi ynë kombëtar me trimat e tij, sa herë që ishte në prag betejash dhe eventesh të rëndësishme.
Takimin e përshëndeti kryetari i Akademisë“ Rrënjët tona”, profesori Stefan Pinguli. Ai theksoi se është shumë e rëndësishme që t’i kërkojmë rrënjët tona, nga kemi ardhur, se kështu qartësojmë më mirë dhe udhën, që duhet të ndjekim në të ardhmen. Ne,si Akademi,- vazhdoi ai, – kemi 2500 vepra, dhe shumë shpejt do të sjellim nga një kopje, këtu, në muzeun e heroit tonë kombëtar. Le tu tregojmë skeptikëve, se e vërteta nuk mund të mbulohet e të manipulohet.
Pas tij e merr fjalën dhe profesori tjetër, drejtues i kësaj Akademie, Sazan Guri, ambientalisti aq i dashur dhe i njohur për publikun e gjerë.- Jo rastësisht,- tha profesor Sazani, nëntëmbëdhjetë, nga njëzetepesë beteja janë zhvilluar në Dibër, në vendlindje të heroit. Bota e shpik heroin dhe kur nuk e ka një të tillë, kurse ne që e kemi, nuk dimë ta mbajmë e ta vlerësojmë. Vazhdoi më pas, se Akademia ka grumbulluar kaq shumë të dhëna, në favor të kësaj teze e ka publikuar disa libra, duke dhënë kështu një kontribut shumë të çmuar. Në fund, profesori citoi Gëten, duke thënë se : “Një popull, që nuk njeh rrënjët e veta, është i dobët si kallami dhe jo si një lis i fortë”.
E morën fjalën dhe miqtë nga Kosova, që aq shumë e duan dhe e çmojnë heroin tonë kombëtar. Nikollë Perkaj është historian dhe kryetar i “Ballit kombëtar.”Ai e vlerësoi Skënderbeun si një mburojë për kombin. Të huajt duan ta shkatërrojnë kombin tonë dhe pikë së pari ata duan të heqin këtë mburojë, duke zhvlerësuar dhe tjetërsuar figurën përbashkuese të heroit tonë kombëtar. Historiani është nga Gjakova dhe kishte marrë me vete nga malet rreth qytetit gjashtë gështenja të egra, për ti mbjellur këtu te muzeu. Nuk di pse në atë moment dhe unë ndjeva një krenari të të brendshme, pasi vitin e kaluar kisha sjellë dhjetë bredha si dhuratë për muzeun. Miku im i nderuar Hazis Kaloshi është kujdesur maksimalisht, për të mirëmbajtur godinën dhe ambientin për rreth tij, duke vaditur bimët dekorative dhe duke bërë ciceronin, aq sa mundet.
Ashtu si në shumë evente të tjera të bukura, nuk do të mungonte dhe deputeti Krashi. Ai u shpreh se jam në trojet e mia dhe më vjen mirë, që bëhemi bashkë këtu, nga anë të ndryshme të shqiptarisë. Sa më të thella rrënjët e historisë, shtoi ai, aq më larg duhet të shohim nga e ardhmja. Merr dhe një angazhim, për të lobuar fort në asfaltimin e rrugës për te muzeu, gjë që do të rriste mjaft numrin e vizitorëve për të ardhur këtu.
Në të gjitha këto takime më bënte përshtypje një burrë i gjatë me kostum popullor, me një pamje impozante, që për asnjë çast nuk e lëshonte nga dora flamurin kombëtar. Ishte Irfan Domnori nga Shkodra, që vinte nga një familje e hershme flamurtare dhe patriotike e këtij qyteti historik. Atlet i lindur dhe fitues i disa garave të saj në rini dhe tash pjesëmarrës e sfidues maratonash të organizuara. Dikur kish marrë pjesë si volejbollist i ekipit të Vllaznisë dhe më pas dhe i ekipit kombëtar, si një lojtar i talentuar dhe i palodhur. Deri në Çanakala të Turqisë kishte dërguar flamurin kombëtar, duke shfaqur shpirtin e tij atdhetar e patriotik. Ndoshta do ti kushtojmë një tregim më të zgjeruar këtij njeriu të paepur, që dhe pse u paralizua pas një aksidenti fatal, u ngrit në këmbë, falë forcës dhe vullnetit, duke marrë pjesë sërish në maratona dhe evente të tjera, si ky.
Bëmë dhe ca foto të tjera te gështenjat pesëqindvjeçare të kohës së Skënderbeut, pranë muzeut me emrin e tij dhe u nisëm sërish. Do të shkonim në stacionin e fundit, të udhëtimit tonë ditor, drejt ujëvarës së Sopanikës. Nuk kishte lidhje direkte me heroin tonë kombëtar, por do të ishte një atraksion i veçantë për syrin e njeriut, po pse jo dhe për stomakun e tij. Duke lënë Çidhnën, devijuam majtas dhe ju afruam ujëvarës fantastike. Sapo kaluam rreth saj me miliona pikla të bardha na njomën e na ledhatuan. I gëzoheshin lirisë së fituar, pasi për pak do kishin përfunduar në tubat e errët të Hecit, që u tentua të ndërtohej para dy vjetësh. U shtangën banorët e Çidhnës e më gjerë. Si ka mundësi që një bukuri e tillë e rrallë, e trashëguar në shekuj, e cilësuar si një monument natyror i mbrojtur nga shteti, të sulmohej kaq egërsisht?E çfarë kishin banorët mjet tjetër për ta mbrojtur, përveçse me trupat dhe jetët e tyre. Mjeku veteriner, Mustafa Tola, bir i këtij fshati ishte në krye të kësaj qëndrese. Kushëriri i tij, Mexhit Tola, i sëmurë me dializë erdhi nga Tirana, për të dorëzuar dhe atë pak frymë që i kishte mbetur, nëse kjo do të shërbente për të mbrojtur Sopanikën. Të tjerë e të tjerë banorë u grumbulluan, për të mos e dorëzuar ujin, amanet të të parëve. Atë që se kishin marrë serbët me luftë, po përpiqeshin ta marrin tani me dinakëri e forcë pushteti.
Fadroma po ecte përpara për të bërë gati vendin për të shtrirë tubat. Liman Kola, një nga banorët e fshatit, që kishte shërbyer me dekada si kuadër i bujqësisë dhe i arsimit, i del fadromës përpara. Ishte një vendim ekstrem, ku në pak sekonda ai mjet i stërmadh mund ta shtypte si një milingonë. – Nuk mund të merrni ujin, pa kapërcyer mbi trupin tim, – bërtiti me të madhe. Nuk kishte zgjidhje tjetër. Vendi do të thahej e do bëhej shkretëtirë. Tufa e dhive që kishte në shtëpi, kuajt e lopët do të kërkonin ujë për të pirë.
Mjeti u ndal e nuk bëri më tutje. Erdhën dhe të tjerët pastaj. Fadroma dhe njerëzit që e kishin sjellë deri aty u tërhoqën të mundur. Portelashet nuk paskan të sosur. Ata vazhdojnë akoma me gjygje,për tokat e tyre, pasuritë e tyre, ujrat e tyre. Kanë zhvilluar 19 seanca deri tani dhe më 20 qershor kanë të njëzetën.
Shumë pak nga ne mysafirët, dinim për këto gjëra. Po të mos ishte qëndresa e banorëve nuk do të kishte më Sopanikë, as vizita turistësh si kjo e jona. Aty pranë ujëvarës u shtrua një drekë e këndshme nga banorët bujarë të zonës. Mishi ikecit të pjekur, kosi, hudhrat, buka e zonës na shijuan kaq shumë, sa lodhja u hoq si me magji. Izet Shulku, Tarzani i Dibrës, nuk mund ti mungonte këtij takimi. Ai bëhet gati me kostumin e notit dhe zhytet në ujërat e ftohta e të rrëmbyera të ujëvarës. I bën ballë furisë së ujit dhe e sfidon atë.
Ndoshta pas një ëndrre të keqe, vjen diçka e mirë. Rruga mendohet të asfaltohet tani shpejt. Limani a dikush tjetër mendon të ngrejë një bujtinë. Pse jo dhe një mulli të bukur, që të bluaj drithin si dikur, si shumë të tillë, që ka pasur këtu pranë. Marrim rrugën e kthimit, të kënaqur, nga ato që pamë e dëgjuam, me miqtë që njohëm dhe shkëmbyem telefonat. Falenderuam dhe heroin tonë kombëtar, që dhe jetëndërruar na bashkoi atë ditë, që do të donim ta quanim, “Dita e Skënderbeut”.