Qarku i Dibrës, një nga destinacionet më të bukura të Shqipërisë


Takimi përmbyllës i fazës së parë të nismës për krijimin e DMO në nivel rajonal

Foto: Nga ceremona e pwrurimit tw bujtinws Çeiku, Kurdari. Foto: ©Arben Bici

Me datë 29 Qershor 2022, në fshatin Kurdari, te bujtina e sapo hapur “Çeliku”, u mblodhën aktorët kryesorë të zinxhirit të turizmit të qarkut Dibër, që nga pronarë dhe menaxherë hotelesh, bujtinash, guida turistike, artizanë, agjenci udhëtimi dhe përfaqësues të institucioneve të pushtetit lokal, Prefekturës, Qarkut, Agjencisë së Zonave të Mbrojtura, media dhe shoqëria civile për të promovuar nismën e forcimit të rrjetit të aktorëve të turizmit në nivel rajoni dhe krijimin e DMO, Organizata e Menaxhimit të Destinacionit në nivel rajonal për Qarkun Dibër.
Nisma e krijimit të DMO në qarkun Dibër, është një nismë pilote në Shqipëri, në kuadër të programit “Zhvillimi i Qëndrueshëm i Zonave Rurale në Shqipëri (SRD)”, financuar nga Organizata ndërkombëtare Gjermane e Zhvillimit (GIZ) dhe zbatuar për qarkun Dibër nga Fondacioni Shqiptar i Zhvillimit të Kapaciteteve Lokale (ALCDF).
Qarku i Dibrës është një nga destinacionet më të bukura të Shqipërisë, e cila dallohet nga të gjitha rajonet e tjera të vendit sepse ka:
• malin më i lartë në Shqipëri, Korabin;
• Burimet termale të Llixhave të Peshkopisë, me veti kuruese nga më të mirat në Ballkan;
• 27 Liqenet akullnajore që nga Lura, Balgjait deri në Martanesh;
• lumin Mat dhe Drini Zi, më të gjatët në Shqipëri;
• lulishtja më i vjetër urbane në Shqipëri “Mbretëresha Geraldinë” në Burrel;
• Burimi fantastik i lumit të Shutresë në Lac-Bruc;
• Kanionet unike të Shkopetit, Setës dhe Drinit të Zi, që janë të veçanta për peizazhin dhe sportet e aventurës;
• Minierat më të madha në Ballkan të kromit në Bulqizë;
• “Bjeshkët e bekuara” të ngjyrave të Korabit, Gramës, Rabdishtit, Hinoska, Kerçini, pjesë e shtegut Ballkanik SCARDUS;
• Vendi i mbretërve, heroit kombëtarë Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Ahmet Zogut;
• Vendi i Kullave të gurta të Arbërit;
• Plantacionet më të mëdha të frutave të qershisë dhe mollëve;
• Zona e jufkave dhe sheqerpares, pjesë e markës autoktone të produkteve Shqiptare, dhe shumë e shumë bukuri magjike.
Për 18 muaj, të gjithë aktorët e turizmit në bashkitë e Matit, Klosit, Bulqizës dhe Dibrës punuan sëbashku, shkëmbyen eksperiencat, analizuan rrjedhën e vizitorëve strategjik në zonën e tyre, zhvilluan dokumentin me orientimet strategjike, produktet turistike të nëntë shtigjeve shumë ditore, me 5 deri në 7 ditë në nivel rajonal, dhe tashmë janë të gatshëm për të forcuar rrjetin e tyre dhe për të krijuar një strukturë të fortë të DMO që të merret me menaxhimin e destinacionit Dibër-Mat.
“Në këtë mënyrë, rajoni i Dibrës do të jetë rajoni i parë në Shqipëri që do të ketë një DMO, – thotë Dhurata Gazulli, përfaqësuese e GIZ në Shqipëri, – model që GIZ po punon për ta ngritur në nivel kombëtarë duke ndihmuar qeverinë Shqiptare të hartojë një kuadër të duhur ligjor dhe të krijojë modele të DMO në rajone tjera”.
Ekspertët e ALCDF, sëbashku me aktorët e turizmit kanë zgjedhur prioritetet kryesore të zhvillimit të turizmit në qarkun Dibër, të cilat janë të lidhura me orientimin e atyre elementeve potenciale që ofron ky destinacion, si më tërheqësit për vizitorët dhe më konkurrues me rajonet e tjera.
Këto elementë prioritarë të zhvillimit të produkteve turistike në këtë destinacion janë:
• Natyrë dhe peizazhe të mrekullueshme, me liqene, lumenj, male, gryka, kanione, pyje dhe kullota të bekuara, që mundësojnë aktivitete të larmishme turistike për të gjithë grupet e vizitorëve, vendas dhe të huaj.
• Fundjava, pushime familjare dhe relaks mes bukurive të natyrës dhe pranë restoranteve, hoteleve, kampingjeve ku shërbehet me thjeshtësi gatimet tradicionale të një kuzhine të pasur autoktone, me produkte natyrale nga fermat dhe kopshtet e shumta të fshatrave të kësaj zone që jeta tradicionale dhe eksperienca lokale është e ruajtur me fanatizëm.
• Aventurë dhe adrenalinë për të gjithë të pasionuarit e ecjeve në mal, rafting, me biçikleta malore, makina off road 4×4, me kajak në liqene, për eksplorim në shpellave dhe minierave dhe plot surpriza të tjera.
• Histori, kulturë dhe art, si një vend me histori të pasur të figurave më të ndritura historike, plot me legjenda dhe histori të panjohura, me kulla të gurta, me ngjarje dhe evente artistike dhe ku mund të shikosh dhe provosh produktet e artizanëve të zonës që përgatisin veshjet popullore, rakinë, verën, produktet blegtorale dhe shumë krijime të tjera.
Tashmë me hapjen e rrugës së Arbrit, potencialet turistike të qarku të Dibrës janë më afër tregut të madh vendas dhe të huaj. Shfrytëzimi i këtyre potencialeve turistike kërkon angazhimin e gjithë aktorëve kyç të turizmit në rajon, por dhe të komunitetit, të cilët duhet të njohin vendlindjen e tyre, dhe pastaj të jenë ambasadorët dhe udhërrëfyesit e turizmit të këtij destinacioni të magjishëm.
Pjesëmarrësit në këtë takim u njohën me broshurën turistike të destinacionit Dibër-Mat, hartën turistike dhe me zemër dhe mendje të hapur ata theksuan me nota optimizmi që turizmi do të zhvillohet në rajonin e Dibrës dhe Organizata e Menaxhimit të Destinacionit (DMO), e cila do të krijohet dhe formalizohet, do të jetë promovuesja e vlerave më të mira të mikpritjes, natyrës dhe traditës së zonave të qarkut Dibër.
Dibër-Mat një destinacion turistik magjik, atje ku mbetesh pa frymë!
(ALCDF)