Dibër & Mat: Një destinacion magjik turistik


Nisma e krijimit të DMO në qarkun Dibër, është një nismë pilote në Shqipëri, në kuadër të programit “Zhvillimi i Qëndrueshëm i Zonave Rurale në Shqipëri (SRD)”, financuar nga Organizata ndërkombëtare Gjermane e Zhvillimit (GIZ) dhe zbatuar për qarkun Dibër nga Fondacioni Shqiptar i Zhvillimit të Kapaciteteve Lokale (ALCDF).

Nga Bujar Karoshi

Foto: Bujtina Çeliku, Kurdari. Foto: ©Arben Bici

Bujtina “Çeliku” në Kurdari, rreth 55 km larg nga Tirana u hap zyrtarisht më 29 qershor, gjatë një veprimtarie që kishte për qëllim promovimin dhe mbështetjen për turizmin në qarkun e Dibrës.
Bujtina Çeliku ka 10 dhoma me një kapacitet rreth 40 shtretër, është një destinacion i ri i turizmit në rajon.
“Vendosur në mes malit dhe liqeneve Balgjaj, është ndërtuar një tjetër bujtinë e rrjetit të ri agroturistik të Shqipërisë, ku familja Çeliku me përkrahjen e qeverisë përmes programeve të AZHBR, po zhvillon vreshtarinë, arrat si dhe serat me produkte bio, prej nga ku gatuhen edhe ushqimet e menusë së bujtinës “Çeliku”. Lumi Mat, Kepi i Skëndërbeut, Ura e Vashës e shumë atraksione të tjera që ofron zona, e bëjnë qëndrimin me familjen e shoqërinë në këtë bujtinë një ripërtëritje të vërtetë për trupin e mendjen”, e prezantonte në faqen e tij bujtinën kryeministri Edi Rama në maj të këtij viti.
Me 29 qershor 2022 në mjediset e bujtinës së re në qarkun e Dibrës u mblodhën aktorët kryesorë të zinxhirit të turizmit të qarkut Dibër, që nga pronarë dhe menaxherë hotelesh, bujtinash, guida turistike, artizanë, agjenci udhëtimi dhe përfaqësues të institucioneve të pushtetit lokal, Prefekturës, Qarkut, Agjencisë së Zonave të Mbrojtura, media dhe shoqëria civile për të promovuar nismën e forcimit të rrjetit të aktorëve të turizmit në nivel rajoni dhe krijimin e DMO, Organizata e Menaxhimit të Destinacionit në nivel rajonal për Qarkun Dibër.

“GIZ nuk është hera e parë që investon për turizmin në Shqipëri. Modeli i parë është ai i Thethit, i cili është një model që ka sukses në fushën e turizmit. GIZ nuk pretendon që ti bëjë gjera vetë. GIZ punon për angazhimin e aktorëve lokalë që të krijojë produkte” – Dhurata Gazhelli, përfaqësuese e GIZ në Shqipëri

Nisma e krijimit të DMO në qarkun Dibër, është një nismë pilote në Shqipëri, në kuadër të programit “Zhvillimi i Qëndrueshëm i Zonave Rurale në Shqipëri (SRD)”, financuar nga Organizata ndërkombëtare Gjermane e Zhvillimit (GIZ) dhe zbatuar për qarkun Dibër nga Fondacioni Shqiptar i Zhvillimit të Kapaciteteve Lokale (ALCDF).
Duke folur për arritjet e kësaj faze të projektit, Dhurata Gazhelli, përfaqësuese e GIZ në Shqipëri tha se janë të befasuar nga bashkëpunimi i aktorëve të turizmit në qark dhe nisur nga kjo, projekti i GIZ do të vazhdojë në një fazë tjetër katër vjeçare, me qëllim nxitjen e turizmit në këtë rajon.
Duke folur për ngritjen e bujtinave në rajon, Gazhelli i tha televizionit lokal “Dibra News” se “këta janë njerëz shumë guximtarë“.
“I përgëzoj të gjithë aktorët e turizmit rural në qarkun e Dibrës, sepse janë shumë bashkëpunëtorë njëri me tjetrin”.
“GIZ nuk është hera e parë që investon për turizmin në Shqipëri. Modeli i parë është ai i Thethit, i cili është një model që ka sukses në fushën e turizmit. GIZ nuk pretendon që ti bëjë gjera vetë. GIZ punon për angazhimin e aktorëve lokalë që të krijojë produkte”.
“Tani kemi një broshurë dhe një produkt turistik në nivel rajonal, jo vetëm për 1-2 ditë, por për të mbajtur turistë më shumë se 6-7 ditë”, tha Dhurata Gazhelli.
Besnik Alku nga Fondacioni ALCDF, duke prezantuar arritjet e kësaj faze të projektit, tha se “Dibra ka mundësi të mëdha për zhvillimin e turizmit”.
“Duke bashkëpunuar aktorët lokalë të turizmit, mundësitë e rritjes së shërbimeve turistike në rajon janë plotësisht të mundshme”.

“Dibra ka mundësi të mëdha për zhvillimin e turizmit. Duke bashkëpunuar aktorët lokalë të turizmit, mundësitë e rritjes së shërbimeve turistike në rajon janë plotësisht të mundshme”. – Besnik Alku, Fondacioni ALCDF

Alku prezantoi një studim të kryer nga ALCDF në prill 2022, mbi orientimet strategjike të zhvillimit të destinacionit turistik në qarkun e Dibrës.
“Nga të dhënat e grumbulluara rezulton se në Qarkun Dibër vizitohet nga rreth 87 000 vizitorë vendas dhe të huaj”.
“Në krahasim me rajonet e tjera përreth, ky numër është shumë i vogël”, thotë Alku, por mundësitë e Dibrës për zhvillimin e turizmit janë të mëdha.

“GIZ nuk është hera e parë që investon për turizmin në Shqipëri. Modeli i parë është ai i Thethit, i cili është një model që ka sukses në fushën e turizmit. GIZ nuk pretendon që ti bëjë gjera vetë. GIZ punon për angazhimin e aktorëve lokalë që të krijojë produkte”.
“Pozita gjeografike e favorshme me kufij me qarkun e Tiranës, Durrësit dhe Maqedoninë e Veriut, afër tregjeve më të mëdhenj kombëtare dhe ndërkombëtarë, është një mundësi e mirë për rritjen e turizmit. Hapja plotësisht e rrugës së Arbrit do të ofrojë një mundësi të mirë për rritjen e shpejtë të sektorit të turizmit.

Kush e Viziton Dibrën?

Vizitorët vendas kanë numrin më të lartë, rreth 87% dhe vizitorët e huaj janë me numër më të ulët, rreth 13%.
Rrjedha e vizitorëve vendas është e lidhur kryesisht me origjinën nga qarku i Dibrës që banojnë në Tiranë, Durrës apo jashtë vendit. Vijnë te të afërmit për rastet e eventeve familjare, nostalgji për vendlindjen për fundjavë. Emigrantët dhe familjet e tyre që vijnë në pushimet e verës dhe përbëjnë afërsisht 62% e vizitorëve.
Një grup tjetër vizitorësh janë ata që vijnë për kurim në Llixhat e Peshkopisë. Ky grup i vizitorëve përbën rreth 17% të vizitorëve vendas dhe janë kryesisht nga Shkodra, Kukësi, Lezha, Durrësi, Tirana, Fieri dhe nga zonat fqinje të Maqedonisë dhe Kosovës.
Vizitorët që vijnë për fundjavë dhe për kulinari janë një grup i konsiderueshëm dhe që po vjen në rritje dhe me hapjen rrugës së Arbërit. Deri në fazën e studimit, ky grup përbën rreth 8% të vizitorëve dhe shumica ishin nga Tirana dhe Durrësi që frekuentojnë restorantet tradicionale, bujtinat dhe hotelet e qyteteve dhe rrethinave. Ky grup është i interesuar për cilësinë e produkteve të zonës, kulinarinë tradicionale dhe natyrën e bukur piktoreske.
Në studim janë evidentuar edhe amatorët e natyrës dhe aventurës, të cilët përbëjnë 4 % të vizitorëve vendas. Grupi është më shumë nga të pasionuarit që frekuentojnë rajonin e Dibrës për ecje dhe ngjitje në mal, për rafting në lumin Drini Zi, për turet e biçikletave malore dhe me makina off road.
Një grup prej 3% janë vizitorët për arsye pune, që vizitojnë kryesisht hotelet dhe restorantet e qytetit.
Vizitorët e huaj në qarkun e Dibrës janë afërsisht 11500 në vit, ose 13% e vizitorëve dhe kryesisht vijnë nga Gjermania, Austria, Çekia, Polonia, Zvicra, Franca, Anglia, Italia dhe vende të tjera Europiane.
Vizitorët e huaj preferojnë natyrën malore dhe piktoreske, ku më shumë janë të pasionuar për ecje në natyrë dhe ngjitje malore, si dhe kamping. Një pjesë e konsiderueshme e tyre janë të pasionuar pas aventurës, për biçikletat malore, rafting, makinat off road etj. Shtigjet dhe zonat më të frekuentuara për ta janë zonat e Qafë Shtamës, Lura me liqenet akullnajore, vargmali i Korabit dhe Lumi Drin i Zi për rafting dhe Shkopeti për kanoe.

Sezoni turistik

Sezoni më i frekuentuar është sezoni i verës, por edhe gjatë muajve të fundit të pranverës dhe të vjeshtës ka një numër të konsiderueshëm vizitorësh.
Vizitorët vendas preferojnë muajin Gusht më shumë për pushime dhe për evente familjare, si dhe muajt me numër të konsiderueshëm janë Maj dhe Qershor si dhe Tetori dhe Shtatori dhe janë muaj më të frekuentuar nga pushuesit në Llixhat e Peshkopisë.
Vizitorët e huaj kanë preferuar më shumë muajin Qershor, Korrik dhe Gusht. Megjithëse e favorshme për stinën e Dimrit pak shumë frekuentohet rajoni i Dibrës gjatë kësaj stine.
Sabri Shahini, i cili ka në pronësi një Bujtinë në fshatin Rabdisht, thotë se këtë vit janë të kënaqur me interesin e rritur dhe prenotimet. Bujtina e tij u bë funksionale për grupet turistike para pandemisë, dhe dy vitet e vështira të pandemisë e ndërprenë rritjen e biznesit, por ky vit duket i mbarë.
“Turistët e huaj janë shumë të kënaqur me kushtet dhe natyrën, ndërsa turistët vendas janë të pakënaqur me rrugën. Kjo i frenon ata për të ardhur në fshat me familjet e tyre. Me ndërtimin e rrugës, 4 km, që na është premtuar se do të fillojë së shpejti, ne presim një fluks në rritje të turistëve vendas, jo vetëm gjatë verës, por gjatë gjithë vitit.
Rabdishti ofron mundësi të jashtëzakonshme të zhvillimit të turizmit malor. Ndërtimi i një Zipline për ngjitjet në mal është i mundshëm, por gjithashtu ofrohen edhe shtigje të tjera turistike, prej vështirësisë normale deri të vështirësia e lartë, që kërkon andrenalinë dhe fton për aventurë.

Mundësitë për zhvillim

“Pozita gjeografike e favorshme me kufij me qarkun e Tiranës, Durrësit dhe Maqedoninë e Veriut, afër tregjeve më të mëdhenj kombëtare dhe ndërkombëtarë, është një mundësi e mirë për rritjen e turizmit. Hapja plotësisht e rrugës së Arbrit do të ofrojë një mundësi të mirë për rritjen e shpejtë të sektorit të turizmit” – Lindita Manga, drejtore e ALCDF

Grupi i hartimit të planit strategjik të zhvillimit të turizmi nga ALCDF ka evidentuar disa mundësi çështje kyçe që ofrojnë një rritje të shpejtë të turizmit në rajon.
Së pari në studim janë evidentuar bukuritë e shumta natyrore, flora dhe fauna e pasur në dy luginat më të mëdha lumore në vend: Drini dhe Mati. Gjithashtu, atraksione të njohura dhe të frekuentuara në nivel kombëtarë si burimi termal i Llixhave të Peshkopisë, Lura me 7 liqene akullnajorë; mali më i lartë në Shqipëri, Korabi; lugina e Shkopetit dhe Ulzës; trashëgimia e pasur historike, kulturore, arkitektura, doket dhe zakonet (Vendlindja e Skënderbeut dhe Mbretit Zog; Kullat; etj.); kulinari e pasur, me kuzhinë tipike autoktone e veçante në secilën bashki.
Një vlerë e veçantë është organizimi i grupeve artistike lokale si dhe rritja e ngjarjeve dhe festave lokale.
Pozita gjeografike e favorshme me kufij me qarkun e Tiranës, Durrësit dhe Maqedoninë e Veriut, afër tregjeve më të mëdhenj kombëtare dhe ndërkombëtarë, është një mundësi e mirë për rritjen e turizmit.
Në studim vihet theksi edhe te modelet e suksesit të investimeve private në fushën e hotelerisë, restoranteve, fermave dhe agro-përpunimit, ngritjen e zyrave turistike në Peshkopi dhe Ulëz, hapja e muzeve në çdo bashki, rritja e guidave të certifikuara lokale, rregullimi i shtigjeve, vendosja e sinjalistikës dhe tabelave informuese, markimet e shtigjeve malore etj.
Hapja plotësisht e rrugës së Arbrit do të ofrojë një mundësi të mirë për rritjen e shpejtë të sektorit të turizmit.

Pengesat

Në studimin e Planit Strategjik të Zhvillimit janë evidentuar edhe një sërë problemesh.
Një nga problemet kryesore është varfëria, e cila i ka detyruar që të shpërngulen një pjesë e madhe e banorëve të zonës. Kjo është shoqëruar dhe me ikje të investimeve lokale.
Mungesa e politikave për zhvillimin e turizmit, mungesa e investimeve serioze private, mungesa e burimeve njerëzore të kualifikuara për shërbimet turistike, infrastruktura jo e favorshme për nxitjen e zhvillimit të turizmit, promovim i dobët i potencialeve dhe atraksioneve turistike të zonës, cilësia e shërbimeve turistike në hotele, restorante dhe bujtina, mungesa e strategjisë së marketingut të shitjes së produkteve turistike dhe të rajonit, mungesa e fondeve etj., janë disa nga pengesat për zhvillimin e turizmit në vend.

Turizmi kërkon pasion

Lulzim Hupi ka çuar në vend amanetin e gjyshit të tij. Ai ka restauruar kullën e vjetër dhe ka bërë investime të reja, duke ruajtur mjedisin dhe traditën dhe duke ftuar turistë nga brenda dhe jashtë vendit.
“Ne jemi në një rajon që ka shumë energji të mirë për zhvillimin e turizmit”, thotë Hupi. Ai është optimist se turizmi në rajon ka të ardhme.
“Investimet për të kthyer shtëpitë e vjetra në bujtina pritëse është një mundësi e mirë për zhvillimin ekonomik të rajonit. Tashmë kjo nuk është një ëndërr. Me zhvillimin e turizmit ka për të pasur një rritje të interesit për të investuar në fshat, duke sjellë një rritje ekonomike për fshatrat e rajonit të Dibrës. Me ndërtimin e rrugës së Arbërit do të lindë nevoja për një trajnim më të mirë për mënyrën e ofrimit të shërbimeve turistike, sepse kjo punë nuk do vetëm pasion, por do edhe dije”, thotë Hupi për televizionin lokal Dibra News.
Lulzim Hupi thotë se aktualisht është emergjencë bashkëpunim mes bujtinash dhe se ky bashkëpunim duhet të rritet edhe më shumë, në krijimin e një zinxhiri bujtinash që do të ofrojnë mikpritje dhe shërbime për turistët për afate më të gjatë.
Në takimin e 29 qershorit në Kurdari të Bujtina Çeliku ishin të pranishëm shumë operatorë të turizmit në Dibër. Dhe kur i shikon të gjithë bashkë mbushesh me besim se turizmi në rajon ka të ardhme.