Skënderbeu mitik


Nga Xhafer Martini

Shumica e atyre që sulmojnë Skënderbeun dhe “duan ta zbresin nga kali”, thonë që ai është një figurë mitike, një figurë e ekzagjeruar, e pambështetur në realitet, gjithnjë e mbështjellë me mjegull, më shumë një imazh krijuar në përfytyrimet e njerëzve se sa një njeri konkret, një njeri që i janë atribuar aq shumë bëma sa nuk ka mundësi t’i bëjë askush. Historiani Oliver Jens Schmitt në vepërën e tij “Skënderbeu”, Tiranë 2011, i vërsulet ashpër Skënderbeut, sidomos akuzon traditën poetike gojore, por edhe atë refleksive që e ngritën lart figurën e Skënderbeut duke e nxjerrë jashtë çdo perceptimi realist. Ja si shkruan ai: “Krijimi i modeleve të reja të të menduarit dhe përpunimi i tyre në kulturën gojore si dhe mbeturinat e një kujtese që vinin nga mesjeta e vonë u shkrinë së toku dhe u bënë një epokë e kalimit nga identitetet fetare në ato etnike, në një mënyrë mjaft produktive. …Në mënyrë të veçantë eposi i Skënderbeut i Naim Frashërit shënon këtë ngritje të Skënderbeut (1989). Frashëri ishte bektashi, e pra një jo i krishterë, por së bashku me përfaqësues të tjerë të lëvizjes kombëtare propagandoi përfytyrimin e një ndjenje kombëtare shqiptare që qëndron mbi fetë dhe besimet, të cilën Pashko Vasa e ngjeshi në formulën “feja e shqyptarit asht Shqyptaria”, moto që shprehte një objektiv, por nuk pasqyronte një realitet shoqëror-kulturor, një parullë që megjithatë i nxiti elitat kombëtare të krijonin realitete përkatëse. Në këtë perspektivë simboli i shqiptarisë nuk duhej të përmbante komponente fetare. Lufta e Skënderbeut kundër osmanëve myslimanë, në fund të shekullit 19 u riinterpretua  në një luftë çlirimtare kundër sulltanëve, të zhveshur nga çdo ngjyresë fetare. Në këtë mënyrë interpretimi aktual i heroit u përgjigjet pjesëve të caktuara të traditës së mpakur gojore në Ballkan, e cila te Skënderbeu shihte mishërimin e idealit të heroit, ndërsa kundërshtarët e tij i linte në gjysmerrësirë të çuditshme dhe nuk thoshte as se kundër kujt luftonte heroi. Kësisoj Skënderbeu u bë syprinë për projektimin e dëshirave nacionale, mishërimin e virtyteve kombëtare; në të njëjtën kohë abstragohej gjithmonë e më shumë prej figurës historike. …Skënderbeu u vështrua si një mbrojtës i qytetërimit evropian, në një variant shqiptar të imazhit të murit mbrojtës për krishterimin, i cili edhe në rastin shqiptar lidhej me mitin e sakrifikimit të shqiptarëve që luftonin për shpëtimin e Renesansës italiane, mirëpo pastaj ishin harruar. Pra, Europa u kishte borxh shqiptarëve mirënjohjen, dhe kjo mirënjohje duhej shprehur me ndihmë politike – një mendim që edhe sot është mjaft i gjallë”. (f. 434)
Në kundërshtim me këtë autor, krejt ndryshe e ka konceptuar Qosja figurën e Skënderbeut. Në analizën që i bën veprës së Naim Frashërit “Istori e Skënderbeu”, Qosja shkruan: “Sipas shkrimeve të Naim Frashërit, të gjitha luftërat që bën Skënderbeu kundër pushtimeve turke, në të vërtetë janë luftëra që i nxit ndjenja atdhetare e vetvetishme. Arsyet sociale, klasore, dhe, më në fund fetare, nuk janë për të arsye që sadopak do të ndikonin në atdhetarizmin e Skënderbeut.” (Rexhep Qosja: “Porosia e madhe”, , 1989, f. 208).
Që shqiptarët e kanë nxjerrë fenë në plan të dytë apo edhe të tretë kur është fjala për liri e atdhe, kjo dëshmohet edhe me faktin që ata e ka ndërruar fenë, në radhë të parë, për interesin kombëtar. Edhe pse e kanë ndërruar fenë, ata  aspak nuk janë tjetërsuar nga pikëpamja etnike, nuk janë bërë as sllavë, as grekë, as turq. E pra, nëse këtu ka një mit, ky është miti i lirisë dhe miti i atdheut, gjithsesi mite përparimtare, që  e shtyjnë përpara rrotën e historisë.
Ka studime të plota dhe të pjesshme për mitet. Pra, nuk jemi në një truall bosh, por në këto tridhjetë vjet e fundit miti u nxor jashtë vetes, u zhvesh nga përmbajtja e caktuar që ka dhe iu atribuan tërë dështimet dhe të metat e letërsisë së realizmit socialist dhe u bë si bazë për të sulmuar edhe historiografinë e periudhës së diktaturës në një plan të gjerë. Tejkalimet janë gjithnjë të panevojshme, madje të dëmshme. Ruajtja e masës është kryesore në çdo studim. Kalvino thotë: “me mitet nuk duhet të jemi të nxituar; është më mirë t’i lëmë të depozitohen në kujtesë, të ndalemi e të reflektojmë mbi çdo hollësi, të arsyetojmë për të dalë nga gjuha e imazheve të tyre. Mësimi që mund të nxjerrim nga një mit qëndron në trajtimin e tij besnik dhe jo në atë që e shtojmë jashtë tij”. (Italo Kalvino: “Leksione amerikane”2011: 53)
Por deri këtu, siç e pamë, flitet për mitet e vjetra, mitet tradicionale, ata që burojnë nga muzgu i historisë dhe i kulturës kombëtare. Por për mitet flitet edhe në një kuptim tjetër, për mitet e reja që janë krijuar ose në analogji me mitet e hershme ose si reflektim i kërkimeve të reja në fusha të ndryshme të jetës, sidomos në fushën shpirtërore. Studiuesi Shaban Sinani në librin “Letërsia në totalitarizëm dhe “Dosieri K”, Tiranë 2011, ka edhe një kapitull me titull: “Mitet dhe demonët në letërsinë e realizimit socialist”. Dukuri të tilla si mitet janë studiuar edhe në periudhën e diktaturës dhe njeri prej këtyre studiuesve (A. Uçi), që ka qenë më në korrent të zhvillimit të letërsisë dhe të arteve ka arritur në përfundimin se “çdo përpjekje për të ringjallur mendimin mitologjik brenda artit të realizmit socialist kishte për të qenë në kundërshtim me synimet njohëse të kësaj metode”. Sh. Sinani, përkundrazi, thotë se “letërsia shqipe e realizmit socialist në tërësinë e vet mund të lexohet edhe si letërsi mitologjike” (Shaban Sinani: 2011:43) Ky autor thotë se letërsia shqiptare edhe më herët ka qenë mitologjike, por shqyrtimi më nga afër i letërsisë së realizmit socialist evidentoi mite të reja si “miti i komandantit, miti i armës, miti i partisë udhëheqëse, miti i drejtpërdrejtë e komunizmit”, për të shkuar pastaj që në fillimet e kësaj letërsie “që u paraqit si letërsi heronjsh dhe bëmash heroike. “Miti i Gjergj Kastriotit u përhap në Europë e në Azi përmes kësaj letërsie duke e bërë të njohur botën shqiptare prej Islandës në thellësitë kontinentale aziatike”. (Sinani: 2011: 44)
Letërsi mitologjike qe edhe ajo e Rilindjes Kombëtare, thotë ky autor, që prej fillimeve të saj e deri në fund, duke nxjerr në pah mite të tilla, si mitin e “motit të madh”, mitin e “Dheut të Arbërit”, mitin e  prejardhjes prej lashtësisë, mitin e gjuhës shqipe, të virtyteve shqiptare etj. (Sinani: 2011:45) Poetët më të njohur të kësaj periudhe si De Rada me “Rapsodi e një poemi arbëresh”, Naim Frashëri me “Istori e Skënderbeut”, Fishta me “Lahuta e Malcis” shënuan si të thuash mitin e epopesë. Po unë me atë “naivitetin” tim pyes: çfarë ka të keqeje kishte në letërsinë e Rilindjes? Si thoni, ju, është gjë e keqe apo gjë e mirë që, në kushtet e popullit shqiptar që ende nuk e kishte fituar lirinë dhe pavarësinë, a mund të kishin një sjellje tjetër shkrimtarët e këtij kombi, përveçse asaj që patën, domethënë duke glorifikuar “motin e madh”- kohën e Skënderbeu-, që ishte me të vërtet i madh, mitin e prejardhjes së lashtësisë, sepse në të vërtetë ishim dhe jemi popull i lashtë, të paktën më të lashtë se ballkanasit e tjerë, se edhe grekët; të mos i këndonin Gjuhës Shqipe që është në të vërtetë një nga gjuhët më të bukura të botës, por që, për fatin historik të keq të shqiptarëve është shkruar vonë; dhe, më në fund, të mos u këndohet virtyteve shqiptare, të shqiptarëve të asaj kohe që janë mburrur edhe nga të huajtë? E pra, lind pyetja përfundimtare: ku qëndron e keqja këtu? Pse t’i ndërlikojmë dhe t’i labirinthojmë gjera kur i kemi të qarta si në dritën e diellit?
Kur them se letërsia e Rilindjes Kombëtare mund të ishte vetëm ajo që ishte, jam dakord me studiuesin që letërsia e realizimit socialist, nuk duhej të ishte ajo çka ishte, sepse ashtu si ajo qe, ishte një letërsi regresive, jo në interes të popullit dhe të kombit shqiptar, një letërsi përdalluese nga ajo evropiane e botërore, që e humbi rrugën e zhvillimit dhe kjo jo për interes të kombit shqiptar, por të një klike të caktuar. Prandaj jam plotësisht i një mendimi me studiuesin se  letërsia e realizmit socialist krijoi mbi të gjitha mitin “e njeriut të ri”, që është një nga gënjeshtrat më të mëdha të njerëzimit, por që partisë në pushtet i shërbente për të kontrolluar, programuar, përshtatur dhe kodifikuar gjithë jetën shoqërore në përputhje me synimin që kishte. Në shërbim të ideologjisë komuniste u vunë re edhe paradigma të reja si “ideologjia socialiste”, “rendi socialist”, “shoqëria socialiste”, “morali socialist” deri tek “Atdheu socialist”. Nuk mund ta përmendje me konotacion pozitiv fjalën “Atdhe”, nëse me këtë kuptohej thjesht atdheu tradicional, dheu i të parëve, nëse nuk shtoje atë socialist që kishte kuptimin e  një “atdheu“ të ri me një përmbajtje të re dhe i “krijuar rishmi” në periudhën e socializmit.
Një mit ishte “heroi pozitiv” në letërsinë tonë, një shpikje e kësaj metode që edhe vetë nuk ngrihej mbi bazën e një estetike të caktuar, por një kongolomerat parimesh që buronin nga praktika të ndryshme krijuese. “Në kushte e ndarjes nga bota, – shkruan Sinani, – krijimi i njeriut të ri mori trajtën e një mitologjie etnike. Miti i njeriut të ri u kthye në një qëllim themelor të letërsisë së realizmit socialist, deri në atë shkallë sa, edhe kur mungonte dhe nuk gjendej nga kritika, shpikej si “hero pozitiv”, edhe diçka jonjerëzore, mjafton të plotësohej kushti i mitologjisë së realizmit socialist: një qytet, një kantier apo edhe një “kështjellë që përbën heroin pozitiv”(rasti i romanit “Kështjella”). (Sinani: 2011: 48)
Kështu me këto zhvillime dhe me këto konstatime dhe analiza të drejta të studiuesit Sinani, mund të vazhdonim më gjatë, se ky problem pothuaj gjen shterim të plotë në veprën e tij në lidhje me dukuri të ndryshme të letërsisë së realizmit socialist. Por dhe këtu është tepruar, sepse përmenden si mite edhe miti i malit, miti i armës, miti i traditave historike e të tjera mite. Kështu duhen parë si mite edhe poemat “Përse mendohen këto male”, “Alarme të përgjakura”, “Nënë Shqipëri” . Po të mos kishte “Nënë Shqipëri, fjala vjen, figurën e Enver Hoxhës, të ndarë, të specifikuar e të glorifikuar, këtë libër secili duhej ta kishte në bibliotekën e vet për shkak të vlagës poetike dhe të mençurisë që e përshkon.  E pra, kur nuk jemi në gjendje të bëjmë një studim përzgjedhës, diferencues, ta ndajmë, si thotë ajo fjala e urtë, “shapin nga sheqeri”, nuk bëjmë gjë të mirë kur hedhim poshtë letërsinë më të vyer të asaj periudhe.
Por le të kthehemi tek qëllimi i kemi vënë vetes: tek miti mbi  Skënderbeun. Të thuash mit për Skënderbeu do të thotë se është një krijim, një fantazi, si në rastin e parë të konceptit për mitin që buron nga tradita historike , por edhe përgjithësi tha studiuesi për mitin në letërsinë e realizmit socialist. Por kjo nuk është e vërtetë, mbasi Skënderbeu ka ekzistuar dhe gjithçka që është thënë rreth tij nga historiografia shqiptare dhe ajo e huaj, në mos qoftë plotësisht e vërtetë, ka pjesë të mira nga e vërteta. Kështu, si shembull, me argumente shkencore jo të mjaftueshme janë dhënë mendime përfundimtare për vendlindjen e Skënderbeut, për vitin e lindjes, për vendndodhjen e betejës së Torviollit, për rininë e hershme të Skënderbeut etj:, por këto nuk e cenojnë vërtetësinë e figurës, ekzistencën e saj.
Për Skënderbeu mungojnë siç dihet burimet e shkruara që të na kënaqin plotësisht. Por nuk mungojnë burimet popullore. Skënderbeu ka qenë i popullit, në radhë të parë, një prijës që i doli në mbrojtje dhe ja rriti nderin e lavdinë jo vetëm sa qe gjallë, por edhe sot e kësaj dite. Është e pamundur që gurra popullore të ketë heshtur për Skënderbeun me të gjitha format me të cilat ajo e pasqyronte realitetin. Populli, me pak fjalë, ka krijuar imazhin e Skënderbeut të vet. Autori i këtij shkrimi, duke gjurmuar në popull, ka mbledhur një tufë me legjenda, që tashmë janë botuar në librin “Dasma me treqind nuse”, Tiranë 2010, rreth njëqind faqe tekst. Në këto gojëdhëna është Skënderbeu mitik, legjendar, sepse nuk kemi ngjarje të vërteta, por nganjëherë e pavërteta, legjendarja, fantastikja flet me një gjuhë më të fuqishme se e vërteta. Vetëm në këto krijime dhe në këtë kuptim Skënderbeu është një mit. Le të na lejohet që nga këto dhjetë legjenda, të paraqesim shkurtimisht përmbajtjen e njërës prej tyre: “Dhitë e Skënderbeut”. Këtu si personazh është një ish-luftëtar i Skënderbeut, që, meqë ka marrë plagë të rënda në luftë, ka mbetur invalid, i paaftë për të luftuar më si dikur me shpatë në dorë. Tani ai është çoban dhe ruan dhitë. Kur dëgjon zërin e tij dhe këmborët e bagëtive, një ditë Skënderbeu shmanget ta takoj trimin e dikurshëm. Mbasi pyeten e përshëndoshen siç e kanë burrat, trimi thotë se do të marrë pjesë në luftë kundër turqve. Ai nuk e le shumë kohë Skënderbeun të habitet se thotë “do të marr pjesë me ushtrinë time” dhe ushtria e tij ishin dhitë. Kur ushtria e Skënderbeut do t’i dilte në ballë ushtrisë madhe turke në fund të luginës, si të mbaronte ajo përleshja e parë, nga krahu i majtë i ushtrisë së Skënderbeut, fshehur thellë në pyll, do t’i vinte në ndihmë ushtria rezervë, kurse nga krahu i djathtë, si ushtri do të ishin njëmijë dhi, me kunja pishash të ndezura tek brirët, që to të binin si rrufe tatëpjetë malit. Ushtria turke kur ta shikonte gjithë atë mal zjarresh, duke e pandehur si ushtri të vërtetë, do të merrte arratinë. Ndodhi pikë për pikë ashtu si e kishte menduar ishi-luftëtar i Skënderbeut dhe fitorja edhe kësaj radhe, e ndihmuar edhe nga kjo dredhi, i buzëqeshi kryetrimit shqiptar. Por kjo është njëra prej legjendave për Skënderbeun. Dhjetëra dhe qindra të tjera sigurisht e plotësojnë figurën e Skënderbeut, secila me mënyrën e vet, duke e dhënë këtë figurë më të plotë, plot dinamizëm dhe plastikë.
Por për ta kritikuar mitizmin e Skënderbeut na ndihmon njeri prej autorëve që duke qenë se mendimi i tij buron nga një interviste, e ka më të qartë dhe më të specifikuar se ku qëndron miti te Skënderbeu. E kam fjalën për Artan Puton, i cili, në intervistën “Nga Skënderbeu mitik në atë historik” (Gazeta “Shekulli”, 18 janar 2009), e mbështet plotësisht Schmitt-in. Ai shkruan: “Skënderbeu zbret nga lartësia e figurës legjendare dhe vjen si një personazh tokësor. Ky aspekt i dytë më duket i rëndësishëm, sepse vetëm dekonstruktimi i figurave mitike mund të ndihmojë në njohjen e historisë”. Sipas tij “Miti është një mënyrë me anën e të cilës komunitetet të caktuara përcaktojnë themelet e ekzistencës së tyre, sistemin e tyre të vlerave morale”. Për mua mitet në radhë të parë kanë të bëjnë me botëvështrimin, me mënyrën se si mund të kuptohen disa dukuri nga një bashkësi shoqërore në një periudhë të caktuar. Për studiuesin e kësaj fushe “Mitet janë rrëfenja, histori, përfytyrime të mbinatyrshme, të sendeve dhe dukurive të caktuara…mbijetoja të paganizmit, pasqyrë e rrugës së veçantë të zhvillimit etnik të bashkësive shoqërore të caktuara të popujve…ato flasin shumë për veçoritë e etnokulturës në tërësi të popujve ose edhe më gjerë, të marrë në kuptimin e shtrirjeve të arealeve antropogjeografike më të mëdha”. ( Mark Tirtja: “Mitologjia ndër shqiptarë”: Tiranë 2004: 7,8)
“Në mitologji, – thotë një studiues tjetër, -shkrihen njohja me aksionin, aspekti gnoseologjik me aspektin akseologjik, kuptimi mbi jetën dhe mbi botën, përfytyrimi artistik i realitetit, i njeriut dhe i mjedisit, riti dhe besimi, parandjenja emocionale dhe didaktika, ndërgjegja artistike popullore dhe psikologjia etnike, predikimi i virtytit dhe evokimi i vlerave kombëtare…Në mitologji ndërthuren kategoritë më të përgjithshme të dijes, përfytyrimit, fantazisë dhe ndjesive njerëzore, botëkuptimi, filozofia e jetës, arti, trashëgimi i përvojës dhe i shprehjes krijuese nga një brez në tjetrin”. ( Shaban Sinani: “Mitologji në eposin e kreshnikëve”: Tiranë: 2000:37)  Këto element mitikë, siç po i emërtojmë, jo vetëm nuk janë të dëmshëm, por janë të dobishëm, sepse plotësojnë më mirë ngjarjet dhe rrethanat, ndihmojnë “të sqarohen në një plan më të gjerë raportet midis artit popullor dhe zhvillimeve historike, vartësitë dhe pavarësitë ndërmjet kujtesës kolektive dhe dokumentacionit arkivor mbi këto zhvillime” (Shaban SInani: “Mitologjia në eposin e kreshnikëve , Tiranë 2000, f. 153)
E pra, kur mitologjia qenka e tillë, a mund të thuhet se ka figurë të madhe historike që nuk ka elementë mitikë? Kjo është e pamundur, sidomos figura e Skënderbeut që është kaq larg me kohën tonë dhe e padokumentuar sa duhet. Për mua figura e Skënderbeu vuan nga trajtimi i deritanishëm, por jo pse në të ka mit. Vuan për të kundërtën, pse është trajtuar pa plasticitetin e nevojshëm, pse  në të nuk janë shkrirë ato përfytyrime dhe emocione, parandjenja dhe besime që do ta bënin këtë figure konkrete, tokësore më të afërt dhe më të dashur. Historia operon me dokumentin, por përtej dokumentit nuk ka hapësirë boshe, përkundrazi, është jeta e gjallë, që ka diktuar ato dokumente.
Puto tregon se tek figura e Skënderbeut është mishëruar edhe “Miti i vlerave morale. Skënderbeu luftoi për atdhe dhe jo për interesa meskine. Legjenda e tij përmblidhet tek thënia: “Lirinë nuk ua solla unë, por e gjeta midis jush”, me rastin e rikthimit të tij në Krujë”.
Këtu nuk ka asgjë për të qenë mit. Skënderbeu vërtet nuk luftoi për interesa personale, ai vërtet i gjeti shqiptarët të etur për liri: Lirinë nuk mund ta sjellë kurrë një njeri, po qe se ajo nuk ekziston tek vetë populli që lufton për liri.
Gjithashtu Puto shkruan se në lidhje me Skënderbeun ekziston “Miti i vuajtjes dhe të trajtimit të padrejtë historik. Sakrifikimi për Europën dhe në këtë mënyrë justifikohej “ribashkimi” i Shqipërisë me Europën dhe njohja e kombit shqiptar si kthim i një borxhi historik”.
Kjo thënie nuk ka të bëjë fare me mitin. Ne, shqiptarët, kemi të drejtë ta themi me zë të lartë se populli shqiptar me Skënderbeun në krye, bëri shumë për qytetërimin Perëndimor, duke e pruajtur atë nga invazioni i hordhive osmane, që nuk kishin tjetër pengesë veç Skënderbeut dhe popullit shqiptar.
Diplomati i shquar Ulliams i ka folur hapur botës për këtë padrejtësi të madhe që iu bënë Shqipërisë gjatë historisë: “…prenë copa me rëndësi nga tokat shqiptare dhe ua dhanë fqinjëve në veri, në jug dhe në lindje…dhe copën që mbeti, e quajtën shtet të pavarur-Shqipëri”(“Drita”, f. 5, 13 qershor 1999)
Tjetër mit sipas Putos, është “Miti i ndjenjës fetare të cekët ose i unitetit përtej feve, meqë Skënderbeu ndërroi fenë disa here, që u hyjnë në punë si veprimtarëve nacionalistë shqiptarë të kohës së Lëvizjes Kombëtare për të tejkaluar ndarjet fetare midis shqiptarëve, monarkisë zogiste për të krijuar shtetin e tij laik të ndarë nga fetë, ashtu edhe ateizmit të E. Hoxhës”.
Edhe këtu nuk mund të bëhet fjalë për mit. Shqiptarët nuk e kanë pas as të cekët, as të thellë ndjenjën fetare. Kanë qenë dhe janë fetarë si të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit dhe të Europës. Ishin rrethanat historike që i bënë një pjesë të tyre ta ndërronin fenë. Ndërrimi fesë është shkaktuar nga shumë faktorë historikë, por më kryesori është ky: shqiptarët u islamizuan se nuk donin të kishin një fe me fqinjët grabitqarë, donin të diferencoheshin edhe nga pikëpamja fetare me sllavët dhe grekët. Feja islame qe një shpëtim historik. Miftar Spahia thotë: “…u islamizova se s’desha me u serbizue, se s’dashta me u ba serb, dashta me mbet shqiptar e qe ku jam shqiptar në tokën teme…Kërkush të mos më qortojë , kërkush të mos bajë shoje, kërkush të mos më shtie mend. U islamizova në fe të turkut, por nuk u turkizova, nuk u bana turk, nëpërmjet islamizimit ruajta gjuhën atë gjanë ma të vetën qi ka nieri”. (Hasan Spahia: “Miftar Spahija, korife I Lumës”, f. 92, Prishtinë 1995)
Tjetër mit sipas Putos që ka lidhje me Skënderbeun është “Miti i guximit dhe natyrës luftarake të popullit shqiptar. “Shqiptari e ka çare rrugën e historisë me shpatë në dorë”.
Fjalia e parë qëndron e patundur si konstatim, duke hequr fjalën mit, sepse nuk ka kurrfarë miti. Populli shqiptar vërtet ka qenë një popull luftarak. Kjo është një  e vërtetë dhe nuk ka sit ë jetë mit. Fjalia e dytë është një citat, që mund të hiqet për atë që e ka thënë dhe jo për të vërtetën që shpreh.
Një pjesë e madhe e librit të Schmitt-it, thotë Ardian Ndreca, është bazuar mbi hamendje dhe ai i numëron një për një: (Ardian Ndreca: “Kur Skënderbeu” nuk asht historia e Skënderbeut”, f. 32, Onufri 2008). Hamendje ka edhe për Dibrën, por ajo që na çuditë dhe na le pa mend qëndron në faktin që për dibranët thuhet: “Në njërën anë trupa mbrojtëse e tregoi veten me një disiplinë të forte dhe besnikëri të patundur, nuk ndodhi asnjë tradhti, pasi Kruja mbrohej nga luftëtarë të shumët me besim të krishterë e jo prej ndonjë trupe rezerviste nga Dibra e sipërme që llahtarisej nga pamja e sulltanit”. ( Oliver Jens Schmitt: “Skënderbeu”, Tiranë 2008, f. 102)
Dibranët, krejt ndryshe nga çfarë i cilëson ky historian sharlatan, kanë qenë të lavdishëm jo vetëm në luftërat me Skënderbeun në krye, por edhe pas vdekjes së tij. Ndonëse të islamizuar, ata, siç e thotë Miftar Spahia, nuk u turkizuan. Nga 54 kryengritje kundër turkut pas vdekje së Skënderbeut deri në shpalljen e Pavarësisë, 12 të tilla janë zhvilluar në truallin e Dibrës. (Dibra dhe dibranët, Peshkopi 1981, f. 28).
Ja, pra, me pak fjalë, se për çfarë çmitizimi bëhet fjalë për figurën e  Skënderbeut.