Ndahen çmimet kombëtare për Letërsinë
Agron Tufa fiton çmimin e parë


“Ngjizja e papërlyeme” shpallet libri më i mirë në kategorinë e romanit’

Agron Tufa fitoi çmimin Kombëtar të Letërsisë, për kategorinë “Romani më i mirë i vitit”, me romanin “Ngjizja e papërlyeme”, “për një rrëfim mjeshtëror dhe një galeri të pasur personazhesh, ku gërshetohen së bashku historia, fantastikja dhe grotesku”.
Në datë 23 dhjetor 2022, në hollin e Akademisë së Arteve të Shqipërisë, u mbajt ceremonia e ndarjes së Çmimeve Kombëtare të Letërsisë për vitin 2021, organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.
Agron Tufa fitoi çmimin Kombëtar të Letërsisë, për kategorinë “Romani më i mirë i vitit”, me romanin “Ngjizja e papërlyeme”, “për një rrëfim mjeshtëror dhe një galeri të pasur personazhesh, ku gërshetohen së bashku historia, fantastikja dhe grotesku”.
Në garë për këtë çmim ishin edhe shkrimtarët Bashkim Hoxha, Mira Meksi, Ritvan Dibra dhe Stefan Çapaliku.
Vlerësimi për Agron Tufën, i cili prej dy vitesh jeton në Zvicër, u dha në mënyrë unanime nga anëtarët e jurisë, kryesuar nga prof. Floresha Dado.
“Nuk nxjerr ndonjë sekret po të them se pati të gjitha votat pro”, shkruante në profilin e tij në Facebook, anëtari i jurisë, shkrimtari Virion Graçi.
“Tetralogjia “Ngjizja e papëlyeme” është ndërtuar në bazë rrathësh interferues rrëfimorë, gjithsej katër, me një prolog dhe epilog të zhvendosur në kohën e sotme që legjitimon instancën nga ku shkarkohet rrëfimi dhe një intermexo, “Orë pa akrepa”, që na jep idenë e palëvizshmërisë, pezullimit të rrjedhjes së Kohës. Rrathët rrëfimorë janë romane që kanë në epiqendër një protagonist, i/e cili (cila) ose rrëfen në vetë të parë, ose na jepet në veprim përmes vetës së tretë”, thotë Tufa në një intervistë një vit më parë.
Në panairin e librit të mbajtur në Tiranë në nëntor 2022, Agron Tufa botoi romanin e ri “Paqja e përgjakur e Adamit”, i cili është një rrëfim elegjiak për fatin e njeriut të drejtë që përpiqet të meritojë “hisen e tij nën diell”, që sakrifikon e flijohet për të afërmin, që ëndërron të ndërtojë strehën e tij në paqe me këtë botë dhe që gjen në realitet vetëm tradhtinë, poshtërimin dhe mosmirënjohjen.
Për më shumë rreth dy librave të rinj të shkrimtarit Agron Tufa, lexoni më poshtë një kritikë të librit nga studiuesi i letërsisë, Namir Lapardhaja