TUNELI


Nga Kamber Faruku

Duke menduar për Tunelin e Murrizit, nuk e di pse mu ngjitën si rrodhe në tru Tunelet e letërsisë.Njëri prej tyre, romani Tuneli i Dhimitër Xhuvanit.Shkrimtari mendoi të ndërtojë një vepër letrare në atë kohë diktature, por masivi i fjalëve dhe panelet e paragrafëve u shembën dhe e zunë Dhimitrin brenda.I dhanë shkrimtarit të mbuluar nga pluhuri i fjalëve një kazëm në dorë, e përzunë nga Tirana, e ndanë edhe nga familja, dhe e çuan të hapë kanale që të mbushet me mend nga klasa puntore.Të njëjtin fat pësoi edhe një infermiere në Bistricë, ku zhvilloheshim ngjarjet e romanit.Edhe asaj i dhanë një lopatë në dorë të mbushë gropat e rrugës, sepse kishte shërbyer si model frymëzimi për shkrimtarin.Ishte rasti i vetëm në botë që , bashkë me shkrimtarin, të dënohej edhe personazhi i veprës së tij.Komedi dhe tragjedi bashkë.
Apo Tuneli tjetër, një roman i Ernesto Sabatos.Kjo vepër nis si një tunel dashurie, por, ec e ec, dashuria brishtësohet, ngec në shtresa të paparashikuara dhe shembet.Mbeti Tuneli i shkrimtarit argjentinas si një labirinth social, edhe i kalueshëm edhe i bllokuar për ndjenjat njerëzore, edhe me dritë edhe i errët.Edhe ky një tunel letrar i frikshëm.
Do të kisha vazhduar edhe me TUNELE të tjera shkrimtarësh, por, befas, shkëndijoi në kujtesën time një tunel fizik, Tuneli famoz i Semeringut në malet austriake.Aty, shekull më parë, ndonëse nuk pati asnjë kapriçio nëntokësore, inxhinieri shqiptar Karl Gega u vetëvra.E vrau nderi profesional, mungesa e dritës në fund të tunelit.Kur drita u shfaq pas disa metrash gërmimi, nderi profesional u rikthye, por inxhinieri i paharruar nuk jetonte më.Jeton jehona alpine e lokomotivës , që i bie borisë saherë kalon krahas bustit të Karl Gegës aty te tuneli i Semeringut.
Çfar pata unë që u futa në xhunglën e tuneleve?Jo, jo nuk më rrëshqiti këmba, por më fluturoi mendja kur, pas vitesh e vitesh, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e energjisë dhe e infrastrukturës, Belinda Balluku, bash Ajo, del e thotë para pak ditësh:
-Për tunelin e Murrizit nuk ka kohë përfundimi.
Heeej!Puna për Tunelin e Murrizit po bëhet e pavdekshme!
Ishte thënë se ky tunel do të mbaronte në fund të prillit 2022.
Pastaj, gjithmonë nga Ministrja, u kumtua se do të mbaronte në shtator 2023.
Po tani?
Mu kujtua historia e Nastradinit me borxhin.Djali i kishte thënë borxhliut të vinte pas një viti.
-Jo, i thotë Nastradini, të vijë të enjten!
Borxhliu u gëzua, se e enjtja vinte shpejt.Kur ai erdhi të enjten, Nastradini i tha përsëri:
-Të pres të enjten.
Por, të enjtet nuk mbaruan asnjëherë…
Flitet për tunelin se nuk janë bërë studime gjeologjike.Folën gjeologë të njohur.Kjo u paragjykua si mosbesim, si keqdashje, si propagandë nga jomiqtë e Tunelit.
Dikush tha se është një gabim teknik në punë dhe këtë dëm e ka kompania Gjoka, shteti nuk paguan asnjë qindarkë.Doli llafi se veshjet e Tunelit u bënë me bukë peshku, polisterol.
Këto mbetën fjalë në ajër, veçse të gjithë e
kemi vënë re se për muaj e muaj nuk është punuar fare në kantier.Edhe kur niset puna, të duket se punohet me karroca dore.
Shtrohet një pyetje:-Ka inxhinierë zbatimi, apo projektimi, apo studimi gjeologjik kompania Gjoka shpk?Ka konsulentë kësolloji?Pse asnjëri prej tyre nuk shpjegon se çfar po ndodh brenda në tunel?Qytetarët kërkojnë ta dinë, sepse ata janë investitorët.
Po media, pse nuk interviston specialistët e kompanisë, drejtuesit e saj?
Ky mur i lartë errësire duhet kapërcyer.Deklaratat e Ministres janë thjesht tym, paqartësi, rrahje uji në havan.Nuk duam më të dëgjojmë atë, sepse fjalët e saj duken si perde që mbulojnë të vërtetën.
Rruga e Arbërit nuk ka dritë në fund të tunelit.
Po të jetë Tuneli i Murrizit një vepër letrare, ku i ka personazhet e saj? Është një vetëvrasje inxhinierike kjo vepër, apo një lojë ekonomike?Apo të dyja bashkë?