Përse nuk e shikoj Big Brother VIP?


Ne shtyjmë, shajmë (kryesit pas krahëve), vishemi ndryshe për PRIME, e ndryshe e kemi zemrën pas kuintave. Ne të shajmë e të kritikojmë, e pastaj të japim të drejtë… Sot vdesim për ty, nesër nuk na duhesh. Të marrim në telefon kur na ka rënë një hall, e të kritikojmë për sjelljen tënde, kur të kanë rënë ty halle mbi kokë.. E kemi vdekje, në kuptimin, që vdesim duke kërkuar dashuri, e s’kemi guximin të bëjmë diçka për të sakrifikuar për dashurinë.
Ne, shqiptarët, duam gjithmonë të marrim pjesë në një lojë ku fiton më i miri. E pastaj, nuk lëmë gjë pa lëvizur, që më i miri të dalim vetë…

Nga Afrim karoshi
jashtekornize.al

Nuk kisha menduar se do të më duhej të shkruaja rreth një programi televiziv, aq sa ç’kam shkruajtur këto kohë për Big Brother.
Por kam shkruar, sepse, dukshëm, programi është kthyer në një dritare mediatike, në të cilën edhe pasqyrohet kultura e tanishme shqiptare, por edhe shfytyrohet, në një formë që kërkon reflektim.
E kur, shumë shqiptarë, i lënë makinat në garazh e ulen përpara ekranit për të parë programin, lypset një lloj sqarimi se përse unë, nuk e parkoj makinën fare për programin.
Ndoshta, në listimin e arsyeve, mund të gjej ca të tjerë si puna ime të ndihmojmë njëri-tjetrin t’i bëjmë ballë kësaj dalldie të përkohshme mediatike që po çmend dynjanë.
Arsyeja kryesore se përse nuk e shoh programin është mungesa e kohës.
Nuk kam kohë në darkë të shoh fare asnjë program televiziv. Gjatë ditës kam punë si shumë të tjerë. Pasdite, kur kthehem në shtëpi, kam vazhdimisht angazhime familjare. Po mësoj nga e para gërmat e mëdha të shtypit dhe të voglat e dorës me djalin në klasën e parë. Dal e printoj ndonjë projekt për vajzën në klasën e 10-të, dhe mezi pres të lidhem me djalin në universitet, për ta pyetur për ditën andej ku është.
Kur vjen ora e programit – e kam fjalën për të martën e për të shtunën – më ngatërrohen klasët me fëmijët, e mezi mbaj mend se kush është ku. Prandaj, përtoj të ngrihem nga dhoma, ku më kanë rënë kockat rehat, e të shkoj të ndez televizorin në dhomën e ndejtes.
Meqë ra fjala, se u kujtova, më prisni një minutë, sa ta shoh, a më punon televizori akoma apo është prishur?
….
Nuk më punoka televizori. Më saktë, dekoderi tokësor nuk punon. Na duhet të blejmë një televizor tjetër. Ose dekoder.
Arsyeja e dytë se përse nuk e shoh Big Brother VIP është, se nuk paskam dekoder.
Më duhet të dal të blej një dekoder tjetër, e nuk kam kohë ta blej. Ndoshta nuk dua të harxhoj para. Atëherë, nga fillimi i procesit të digjitalizimit, thanë se këto dekoderat janë falas, por as atëherë nuk u interesova se kishte rradhë të madhe. Dhe, e fika televizorin, sapo procesi i digjitalizimit po ecte me ritme të kënaqshme.
Arsyeja e tretë, që bie më shpesh në sy, është, se programi, sillka një pamje të kulturës shqiptare në pah, por unë nuk ia kam nevojën kësaj pasqyre.
E besoj këtë. Se programi pasqyron shqiptarinë, njëfarësoj. Por unë, nuk kam nevojë për pamjen që sjell ky program për të kuptuar kulturën shqiptare.
Kam vite, që e analizoj me shumë kujdes kulturën shqiptare.
Ne shtyjmë, shajmë (kryesit pas krahëve), vishemi ndryshe për PRIME, e ndryshe e kemi zemrën pas kuintave. Ne të shajmë e të kritikojmë, e pastaj të japim të drejtë, se na ndodh dhe neve siç të ka ndodhur ty, por s’kemi guxim të kërkojmë falje. Larg qoftë ta ul unë veten për të kërkuar falje dhe kur e kam gabim! Është dobësi! Pastaj të duam, e më vonë të harrojmë, sot vdesim për ty, nesër nuk na duhesh. Të marrim në telefon kur na ka rënë një hall, e të kritikojmë për sjelljen tënde, kur të kanë rënë ty halle mbi kokë. Vetë ia solli vetes gjithë këto telashe!
Shqiptarët të shtyjnë, bëjnë sikur s’të kanë shtyrë, dikujt ia rrëfejnë se kanë bërë mirë që të kanë shtyrë, e dikujt i thonë “për Zotin, nuk kam gisht unë në këtë shtyrje.” Shqiptarët bëjnë gjithçka e sillen sikur s’kanë bërë asgjë!
Dhe dashurinë, ashtu si në televizor, shqiptarët – domethënë ne – e kemi vdekje. E kemi vdekje, në kuptimin, që vdesim duke kërkuar dashuri, e s’kemi guximin të bëjmë diçka për të sakrifikuar për dashurinë.
Ne, shqiptarët, duam gjithmonë të marrim pjesë në një lojë ku fiton më i miri. “Le të fitojë më i miri”, themi publikisht. E pastaj, nuk lëmë gjë pa lëvizur, që më i miri të dalim vetë.
Ne e kemi vendosur, që në fillim të garës, se më i miri, jemi vetë. A ke dëgjuar dikë të pranojë krejt natyrshëm se dikush tjetër, në atë fushë ku lëmon ky personi, të pranojë se ka një më të mirë?
A mjaftojnë këto arsye për të mos e parë programin?
Nuk besoj se lipset më shumë shpjegim.

P. S. Ndërkohë që mbarova këto shënime, të cilat i kisha nisur prej ditësh, tre gra janë vrarë sot, shumë afër qendrës së qytetërimit modern shqiptar. Dhe kontrasti mes një programi televiziv që rreket të tregojë personalitetin e ca njerëzve të rëndësishëm, realitetit mediatik shqiptar dhe realitetit të vrazhdë, ku vdesin njerëz të cilët nuk duhet të vdesin, pothuajse nuk ekziston.