“Gjurmë të folkut arbëror” – një enciklopedi e folkut shqiptar


Libri “Gjurmë të folkut arbëror” i autorit Gëzim V. Bara, sjell në vemendjen e publikut të gjërë vlerat e trashëgimisë folklorike kombëtare si vlerë dhe pjesë e identitet kombëtar.

Libri është një kontribut i promovimit të vlerave ku autori është munduar të na i sjellë me vërtetësi si studiues serioz dhe i vëmendshëm këto këngë e valle, vegla muzikore dhe kostume shumëngjyrëshe që vijnë nga thellësia e shekujve deri në diët tona.
Libri vjen si botim në një moment kur Ministria e Kulturës ka shpallur organizimin e Festivalit të Gjirokastrës duke sjellë në vëmendjen e lexuesit, artistëve popullorë dhe organizatorëve të këtij manifestimi madhështor të festës së folkut shqiptar, rolin dhe vlerat e kësaj trashëgimie dhe vëmendjen që duhet të tregojmë të gjithë që ky festival të organizohet me tërë madhështinë e tij.

Nga Naxhi Kasoruho

Botimi i një libri për autorin është ditë e veçantë prandaj edhe ne miqtë e kolegët e Gëzimit jemi këtu në këtë promovim për të marrë pjesë në këtë gëzim dhe t’i urojmë atij krijimtari të begatë në të ardhmen.
Libri “Gjurmë të folkut arbëror” i përbërë me këtë triptik fjalësh shumëdomethënëse të zgjedhur nga autori sjellë në vemendjen e publikut të gjërë vlerat e trashëgimisë folklorike kombëtare si vlerë dhe pjesë e identitet kombëtar.
Autori në 280 faqe të librit në përbërje të 115 titujve të shkrimeve që ilustrohen nga rreth 220 foto të artistëve popullorë të veshur me kostume të shndritshme e shumëngjyrëshe në veprimtari kombëtare deri në Kalanë e Festivalit të Gjirokastrës janë analiza studimore shkencore duke na dhënë një panoramë befasuese në gjithë dimensionin e kësaj trashëgime kombëtare, që vjen nga thellësia e shekujve dhe meliumeve ku populli artist e ka trashëguar në breza me tërë dashurinë e shpirtit.
Për gjithçka që sjell autori në gjithë faqet e librit unë këtë libër e quaj: “Enciklopedi e Folkloristikës Shqiptare”. U ula ta lexoj me vëmendje duke qënë se nga Festivali i parë Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës në vitin 1968 dhe deri në edicionin e tetë në vitin 2009 kam qënë pjesë e këtij manifestimi të fuqishëm edhe si udhëheqë artistik i grupeve popullore të rrethit të Gjirokastrës, më kalojnë para syve si një film dokumentar artistët popullorë nga gjithë kombi.
Mbi 20.000 këngëtarë këngëtarë, valltarë e instrumentistë virtuozë korifej të këngës e valles popullore shqiptare kanë bërë që të buçasin bedenat e kalasë historike të qytetit të gurtë nga zërat e tyre brilantë duke ekspozuar perla nga trashëgimia tonë folklorike.
Dhe nostalgjia për këto festivale më bëri të kujtoj një këngë të kënduar nga grupi i Gjirokastrës në festivalin e vitit 1978 ku thotë:
“Na buron nga zemra,
Kënga më e mirë.
Në Kalanë e Festivalit,
Plot me mysafirë.
Ç’e erdhën sot në vatrat tona,
Kaq zambak e kaq shqiponja,
Nga Saranda tek Valbona”.
-Thoja shqipe, thoja,
Hidhe vallen shtruar,
Këndoni o male
Sup më sup bashkuar.
Pikërisht këtë atomsferë festive, këta artistë të jashtëzakonshëm, këto perla nga folklori tradicional dhe ai bashkëkohor të një mendimi studimor me penelata të theklsuara në një mozaik magjepës të etnografisë shqiptare dhe tinguj të këngës e valles burimore është mbështetur autori në këtë libër enciklopedi. Mendoni për një moment bashkimin e 220 fotove të librit në një poster gjigand se çfarë pamje mahnitëse e madhështore do të ketë ai duke na pasqyruar në tërë shumëllojshmërinë e ngjyrave të kostumeve mahnitëse të një populli vital në trojet e tij nga lashtësia deri në ditët e sotme.
Ja pra, madhështinë e këtyre festivaleve dhe pasurinë e jashtëzakonshme të trashëgimisë tonë na i përcjell në libër Gëzim Bara në një analizë të gjithanshme duke dhënë një kontribut të vyer si vlerë e identiteti kombëtar. Për këtë folklor befasues dhe madhështinë e Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës po sjell këtu vlerësime të dy personaliteteve të studiuesve të folklorit europian.
Selina Grasia Gorduvjo, zëdhënëse, drejtoreshë e Institutit Meksikan të Kulturës:
“Qyteti i Gjirokastrës është për mua një vend i mrekullueshëm për të organizuar festivalet folklorike. Unë jam e emocionuar që marrë pjesë në festivalin që zhvillohet këtu. Gjithashtu jam e lutur që takoj një popull që këndon me shpirt dhe krenari këngët e tij”.
Dr.Dinrih Shyler – përfaqësues i Fonogram Arkivit të Akademisë së Shkencave të Austrisë në Vjenë.
“Do ta kujtoj këtë festival për një kohë të gjatë. Në asnjë vend të Europës sot nuk ka mundësi të dëgjosh e të shikosh këngë e valle folklorike kaq spontane, vitale dhe në të njëjtën kohë kaq tradicionale.”
Autori është kujdesur maksimalisht për të sjellë në libër çdo cep të territorit të vendit me këngëtarë e valltarë virtuozë e grupe popullore befasuese, vlera në trashëgiminë kombëtare si përfaqësues të çdo treve etno-muzikore që ekspozuan në kalanë e festivalit në qytetin e Gjirokastrës, perla të rralla të folkut arbëror që tashmë janë në gjerdanin e artë të kulturës. Korifej që udhëhoqën këto grupe autori i sjell ata të portretizuar me tërë bukurinë dhe individualitetin e tyre në një tregim emocionues e mbreslënës duke u ndalur në vlerat artistike të veçanta, që ata bartin e transmetojnë nëpërmjet një intepretimi të lartë. Janë me qindra emrat e artistëve popullorë që Gëzimi i sjell në libër jo vetë si vlera statistikore e historike por tregon përhapjen në një dimension të jashtëzakonshëm të pjesëmarrjes në lëvizjen folklorike ku masiviteti është treguesi kryesor i vlerave në breza dhe që këta korifej të jenë edhe shembuj për artistët e rinj, që presin me padurim të ngjiten për herë të parë në Kalanë e Festivalit të Gjirokastrës, në sofrën e këngës, në panteonin e kulturës popullore në maj të vitit 2023 duke nisur udhëtimin e tyre të gjatë e të bukur.
Në trashëgiinë folklorike ka shembuj të artistëve që janë kthyer në legjendë e vlerë për kombin tonë që në historinë e një vendi vijnë një herë në 100 vjet si të papërsëritshëm e të paarritshëm nga Vaçe Zela, Mentor Xhemali, Ndue Shyti, Demir Zyko, Besim Zekthi, Katina Bejleri, Golik Jakupi, Fitnete Rexha, Luçie Miloti, Laver Bariu, pletë e Krujës, vallatërt e Tropojës, Korç[s, Rajcës, fyejt e Gramshit, grupi i Kolonjës etj., që këto fletë nuk mjaftojnë për t’i shkruar të gjithë që u jemi mirënjohës për kontributin e tyre jo vetëm në festivalin e Gjirokastrës por edhe në skenat e Europës dhe botës.
Në libër autori evidenton jo vetëm vlerat e festivalit por edhe trashëgiminë në përgjithësi të promovuar në shumë festivale tipologjike të organizuar nga Qendra Kombëtare e vepritarive folklorike si: Takimi i rapsodëve në Lezhë, vallet në Lushnje, polifonia në Vlorë, sazet në Korçë apo oda Dibrane e kënga qytetare në Elbasan etj, çka tregon vëmendjen që ai i kushton folklorit i cili na i paraqet me kopetencë dhe analiza të sakta të një studimi shkencor.
Gëzim Bara me pasionin e një studiuesi i ka ndjekur veprimtaritë folklorike me vëmendje të veçantë dhe na i pasqyron në këtë libër “Enciklopedi” në një dimension gjithëpërfshirës duke u ndalur në analiza të detajuara në pasqyrimin e kësaj pasurie nga Saranda në Tropojë.
Portretizimi i shumë artistëve të mirënjohur për vlerat që bartin e me të cilat takohet e bashkëbisedon në ditët e festivalit i japin vlera librit dhe i memorizojnë ato duke bërë të mundur të njihen nga lexuesit e shumtë dhe dashamirët e trashëgimisë folklorike.
Libri është një kontribut i promovimit të vlerave ku autori është munduar të na i sjellë me vërtetësi si studiues serioz dhe i vëmendshëm këto këngë e valle, vegla muzikore dhe kostume shumëngjyrëshe që vijnë nga thellësia e shekujve deri në diët tona. Për gjithçka që autori sjell, ne i jemi mirënjohës dhe i urojmë krijimtari të begatë në të ardhmen.
Libri vjen si botim në një moment kur Ministria e Kulturës ka shpallur organizimin e Festivalit të Gjirokastrës duke sjellë në vëmendjen e lexuesit, artistëve popullorë dhe organizatorëve të këtij manifestimi madhështor të festës së folkut shqiptar, rolin dhe vlerat e kësaj trashëgimie dhe vëmendjen që duhet të tregojmë të gjithë që ky festival të organizohet me tërë madhështinë e tij.
Në përfundim një sygjerim për Ministrinë e Kulturës, kur të hartojë programin e veprimtarive që do të zhvillohen në ditët e festivalit të panifikojnë edhe promovimin e librit të studiuesit të trashëgimisë kulturore Gëzim Bara. “Gjurmë të folkut arbëror”. Ku më mirë se në në Kalanë e Gjirokastrës mund të flitet për vlerat e trashëgimisë folklorike të kombit tonë.