BASHKIM DUVA, MIKU I GJITHË MATJANËVE


Nga Sejdin Demiri, Burrel

Më datë 03.02.2023, Këshilli Bashkiak Mat, aprovoi njëzëri një nga vendimet e tij më të drejta, dhënien me titull “Qytetar Nderi të Matit”, Ing. Bashkim Duvës.
Bashkim Duva lindi në Bulqizë në një familje patriotike, por aktivitetin e tij të punës e pati në Mat. Bashkimi në mesin e shumë vështirësive mbaroi arsimin e lartë me rezultate të shkëlqyera si inxhinier shpimi. Pas mbarimit të studimeve të larta, ai dërgohet në frontet më të vështira të gjeologjisë në Mat.
Drejtoi prej shumë kohësh vendburimin e Batrës. Ku falë punës organizative dhe shkencore të Ing. Bashkimit u bë e mundur realizimi dhe tejkalimi i detyrave të zbulimit të kromit të pasur në vendburimin e Batrës, aq të nevojshëm për ekonominë Shqiptare duke e kthyer Batrën në ekspeditën gjeologjike pararojë në gjithë vendburimet krom-mbajtëse të Matit dhe më gjerë.
Në vitet 1980 Ing. Bashkim Duvës i besohet drejtimi i Ndërmarrjes Gjeologjike të Matit, kjo një detyrë mjaft e vështirë, por falë përgatitjes së lartë teknike dhe organizative dhe aftësive të tij të rralla për të punuar në grup, arriti që Ndërmarrja Gjeologjike e Matit të radhitet e para në vend për rezultatet e larta në zbulimin e kromit të pasur.
Ai bëri të mundur që çdo pëllëmbë tokë e Matit të mbulohej dhe të studiohej me shërbim gjeologjik. Inxhinier Bashkimi drejtoi gjeologjinë e Matit për një periudhe 10 vjeçare dhe në periudhën më të vështirë, për vetë natyrën e punës së saj gjeologjia është puna më e vështirë, por kësaj i shtohej edhe presioni i partisë në pushtet, ku inxhinier Bashkimi diti t’iu bëj ballë me sukses të plotë madje duke marrë në mbrojtje shokët dhe bashkëpunëtorët e tij, që punonin bashkarisht në projektet dhe zbatimin e detyrave në ndërtim zbulimin e kromit të pasur.
Bashkim Duva ishte një drejtues i vërtet i një ndërmarrjeje me vështirësi të mëdha për vetë karakterin e zbulimit dhe kërkimeve, distancat e largëta, hapësirat e shpërndarjes së punimeve që kërkonte sakrificë dhe lodhje, por ai ishte atje. Falë punës së tij organizative dhe shkencore plot përkushtim dhe pasion, u bë e mundur ndërtimi i një ndërmarrjeje me mbi 1000 punëtorë dhe specialistë, ku falë punës së tyre u bë e mundur hapja e perspektivës se minierës 11 heronjtë e Batrës me mbi 100 vjet shfrytëzim dhe sjellje të ardhurash për shoqërinë tonë. Në planin njerëzor, Inxhinier Bashkim Duva ishte një qytetar model, ai ngrit familjen e tij në Burrel ku lindi dhe rriti 3 fëmijë. Ku dy djemtë e tij ishin futbollistë të ekipit matjan të futbollit. Një cilësi tjetër e inxhinierit ishte dhe ajo e mbështetjes së njerëzve në nevojë, ku ne si punonjës të gjeologjisë e kishim derën e hapur për çdo problem ku inxhinier Bashkimi u be miku i gjithë matjanëve. Në vitet 1990 mbështeti proceset demokratike me qëndrimin e tij intelektual ndaj reformave ku shumë shpejt u zhgënjye për rrjedhën sesi morën ngjarjet. Ai punoi në ndërtimin e një gjeologjie të re me konceptet e ekonomisë së tregut por problemet me shëndetin e penguan në realizimin e kësaj sipërmarrjeje.
Ndërroi jetë pa arritur kohën e daljes në pension nga një sëmundje e rëndë. Vdekja e tij e parakohshme la një hapësirë dhe mungesë të madhe për familjen, shokët e punës dhe gjithë gjeologjinë shqiptare ku ai shërbeu me pasion dhe përkushtim për më shumë se 40 vjet. Desha t’i mbyll këto pak rreshta për drejtorin simbol të gjeologjisë së Matit dhe gjithë Shqipërisë dhe njeriun e mirë Bashkim Duva.
Desha të falënderoj edhe njëherë në emër të të gjithë kolegëve dhe punonjësve që kanë punuar me inxhinier Bashkimin, këshillin bashkiak të Bashkisë Mat duke nderuar me titullin e lartë “Qytetar Nderi i Matit” pas vdekjes mikun e gjithë matjanëve, dibranin e mirë, inxhinier Bashkim Duva.