Arrestohen kryetari dhe disa drejtues të Bashkisë Bulqizë, falsifikuan 2.8 milionë euro tender për kanalizimet


Në foto: Lefter Alla (i pari majtas), në kohën që ishte kryetari i Bashkisë së Bulqizës, duke inspektuar ndërtimin e një ujësjellësi, gusht 2020. Foto: Facebook/Bashkia Bulqizë Faqja Zyrtare

SPAK ka zhvilluar përgjime gjatë kësaj periudhe dhe ka provuar se Alla ka pasur kontakte dhe komunikime me biznesmenin Aqif Konesha i kompanisë që kryente punimet për kanalizimet. Mësohet se së bashku kanë udhëtuar jashtë vendit me makinë. Ndërsa nënkryetarja e bashkisë Bulqizë, Enkeleda Lleshi, që është mes të arrestuarve për abuzim, kishte dhënë më herët dorëheqje nga detyra pasi nuk donte të bëhej palë në firmosjen e tenderëve, por kanë arritur ta bindin që të kthehej.

Nga Sami Curri
bulqizaime.al

Drejtuesit kryesorë të Bashkisë së Bulqizës, përfshirë kryetarin socialist Lefter Alla, ranë në pranga pas një hetimi të Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, nën akuzën se kanë falsifikuar dokumentet e një tenderi me vlerë 322 milionë lekë (afro 2.8 milionë euro) që synonte të rinovonte rrjetin e kanalizimeve në lagjen e vjetër të qytetit minerar.
SPAK bëri të ditur se punonjësit e bashkisë patën favorizuar në tender dy kompani, Egland shpk dhe BE-IS shpk, ndërkohë që punimet në terren dyshohet se janë kryer realisht nga një kompani e tretë, OE 2AF Albania shpk, për të cilën prokurorët thonë se ka lidhje me kryetarin e arrestuar të bashkisë.
“Nga hetimi ka rezultuar se për shtetasin nën hetim L. A. me detyrë Kryetar Bashkie me funksionin e tij si i zgjedhur vendor për të administruar konform ligjit Njësinë vendore Bashkinë Bulqizë evidentohet qartësisht sjellja e tij duke dokumentuar disa fakte penale si shkeljet gjatë procedurës së prokurimin publik me proçedurë të hapur në datë 30.04.2021, operatorëve ekonomikë “Egland Sh.p.k” dhe “BE-IS” Sh.p.k, me objekt “Ndërtimi rrjetit furnizimit dhe rrjetit shpërndarës Ujësjellësi dhe ndërtimi i rrjetit të KUZ , Lagja e vjetër, qyteti Bulqizë, Bashkia Bulqizë”, me vlerë të tenderit në shumën 322.439.000 lekë të reja, me afat kohor 10 mujor,” bëhet e ditur nga njoftimi i SPAK.
“Ky shtetas nën hetim në bashkëpunim me nënkryetaren e Bashkisë, dhe punonjësit e tjerë, si specialiste e prokurimeve, anëtarët e KVO, kanë bërë të mundur që këtë tender ta fitonte me dokumentacion BOE Egland shpk dhe BE-IS shpk, duke krijuar avantazhe për këtë subjekt gjatë procedurës së prokurimit. Në një kohë që nga hetimi ka dyshime të arsyeshme të bazuara, se punimet janë kryer nga OE 2AF Albania shpk, lidhje shoqërore e kryetarit të Bashkisë,” vijon më tej njoftimi.
SPAK ka zhvilluar përgjime gjatë kësaj periudhe dhe ka provuar se Alla ka pasur kontakte dhe komunikime me biznesmenin Aqif Konesha i kompanisë që kryente punimet për kanalizimet. Mësohet se së bashku kanë udhëtuar jashtë vendit me makinë. Ndërsa nënkryetarja e bashkisë Bulqizë, Enkeleda Lleshi, që është mes të arrestuarve për abuzim, kishte dhënë më herët dorëheqje nga detyra pasi nuk donte të bëhej palë në firmosjen e tenderëve, por kanë arritur ta bindin që të kthehej.
Nga hetimet ka dyshime të forta se kryebashkiaku Alla, në bashkëpunim me nënkryetaren e Bashkisë Enkeleda Lleshi, si edhe punonjësit e tjerë kanë favorizuar dy kompanitë ‘BOE Egland shpk’, dhe ‘BE-IS shpk’, gjatë procedurës së prokurorimit publik. Ky favorizim i këtyre dy kompanive është bërë me qëllim që më pas punimet për ujësjellësin t’i kryejë kompania ‘OE 2AF Albania shpk’, e cila është në administrimin e të afërmit të Allës, Aqif Koneshës.
Kryebashkiaku Alla në bashkëpunim me zyrtarët e tjerë kanë miratuar kritere për të favorizuar dy firmat ‘BOE Egland shpk’ dhe ‘BE-IS shpk’ që morën pjesë në tender. Pasi i shpallën fituese këto firma, punimet për kanalizimet realizoheshin nga firma ‘OE 2AF Albania shpk’. Bëhet fjalë për tenderin “Ndërtimi rrjetit furnizimit dhe rrjetit shpërndarës Ujësjellësi dhe ndërtimi i rrjetit të KUZ, Lagja e vjetër, qyteti Bulqizë, Bashkia Bulqizë”, me vlerë rreth 3 mln euro, me afat kohor 10 mujor. Kompanitë që dolën fituese të tenderit kanë si administrator Rasim Dacin, për ‘BOE Egland shpk’, ndërsa administratori i ‘BE-IS shpk’, është Kastriot Ibrahimaj.
Ndaj kryebashkiakut Alla dhe nënkryetares Lleshi rëndojnë akuzat për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”. Ndërkohë, ndaj të afërmit të Allës, Aqif Konesha rëndon akuzat për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”. Po për falsifikim dokumentesh akuzohen edhe dy administratorët, Rasim Daci dhe Kastriot Ibrahimaj, ky i fundit është lënë në arrest shtëpie.
Lefter Alla, i cili më parë drejtonte Partinë Socialiste në Bulqizë, mori detyrën e kryetarit të bashkisë në zgjedhjet pa opozitën në qershor të 2019-s. Më parë këtë detyrë e mbante daja i Allës, Melaim Damzi, që ishte zgjedhur si kandidat i koalicionit të majtë, por me propozim nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

Arrestuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre, Këshilli i Ministrave shkarkon zyrtarisht Lefter Allën

Pas arrestimit me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, Lefter Alla nuk do të jetë më edhe zyrtarisht kryetar i bashkisë së Bulqizës. Me vendim të Këshillit të Ministrave, publikuar këtë të premte datë 24 mars, u vendos shkarkimi i Allës, vendim ky që hyn në fuqi menjëherë. Në mungesë të Kryeministrit Rama, vendimi është firmosur nga zëvendëskryeministri, Belinda Balluku. Kjo e fundit mban njëherësh edhe pozicionin si drejtuese politike e Partisë Socialiste për qarkun Dibër.
“Në mbështetje të neneve 100 e 115, pika 1, të Kushtetutës, dhe të shkronjës “a”, të nenit 62, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave vendosi: Shkarkimin nga detyra, për shkak të shkeljeve të rënda, të kryetarit të Bashkisë Bulqizë, z. Lefter Alla”, thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.

Gëzim Xhafa, zgjidhet ushtrues i detyrës së kryetarit të bashkisë Bulqizë

Këshilli Bashkiak i Bulqizës, ka vendosur që ushtruesi i detyrës së kryetarit të bashkisë, deri në përfundimin e mandatit të jetë Gëzim Xhafa. Ky i fundit nuk kishte kundërshtar tjetër brenda këshillit, ku me votim të fshehtë, nga 16 anëtarë të pranishëm arriti të merrte 11 vota pro, katër kundër dhe një votë e pavlefshme.
Xhafa ka mbajtur detyrën e kryetarit të Këshillit Bashkiak Bulqizë dhe ish-kryetar i komunës Fushë-Bulqizë.
Sipas ligjit për vetëqeverisjen vendore, me përfundimin para kohe të mandatit të kryetarit të bashkisë, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, funksionin e tij e kryen zëvendëskryetari i bashkisë. Referuar po këtij ligji, në rastin kur vendi i kryetarit të bashkisë mbetet vakant gjatë 6 muajve të fundit të mandatit të tij, këshilli përkatës zgjedh nga radhët e veta një kryetar të ri me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij, i cili ushtron funksionet deri në përfundim të mandatit.
Seanca për zgjedhjen e ushtruesit të detyrës së kryetarit të bashkisë Bulqizë, nisi me një kërkesë nga disa këshilltar, të cilët kërkuan largimin e medias nga salla, pa dhënë arsye. Këshilltarët e pranishëm, në shumicë vendosën që mbledhja të vazhdonte me praninë e medias.
Në zgjedhjet vendore që do të zhvillohen më 14 maj, për Bashkinë Bulqizë do të jenë në garë: Festime Mjeshtri nga Partia Socialiste dhe Dëfrim Fiku nga koalicioni ”Bashkë Fitojmë”.

Avokati i Allës: Arrestim politik, nuk pranoi moskandidimin

Lefter Alla para marrjes së detyrave në bashki ka qenë biznesmen i suksesshëm. Ju garantoj që nuk ka ndërhyrë në një tender me 3 milionë euro. Edhe në Bulqizë ka jetë, por ai popull nëse është pa bukë, le të mbesin edhe pa atë kanal, le të mbesin edhe pa ujë. 90% e punimeve janë të kryera. Nuk ka hetuar fare prokuroria se si është problemi në terren.

Në përfundim të seancës në GJKKO, Hysni Demiraj, avokati i kryebashkiakut të Bulqizës Lefter Alla, ka folur para mediave, duke mbajtur të njëjtin qëndrim se është sulm politik. Sipas Demirajt, gabimi i Allës ishte se nuk pranoi të hiqte dorë nga gara në zgjedhjet e 14 majit, ndërsa me ironi, shuma prej 3 milionë euro të tenderit, i duket diçka e panevojshme për të ndërhyrë. “Është fillimi i procedimit. Prokuroria shqiptare dhe gjykata nuk kanë arrestuar vetëm rojën dhe pastruesen e bashkisë. Ne, juristët, duhet të jemi më të matur. Ai bëri gabim që i kushtoi shumë shtrenjtë se duhet të ishte më i zgjuar e duhet të kishte pranuar atë moskandidim. Ne do ndjekim rrugën ligjore, do ankohemi në panel. Skandali më i madh kur akuzohet për 2 akuza. Nëse një zyrtar mund të ketë kryer shkelje të barazisë së tenderave, s’mund të akuzohet për shpërdorim detyre. Të akuzosh për 2 vepra penale më duket e padrejtë vetëm të bësh bujë, megjithatë sistemi është treshkallësh. Fillimi sa ka nisur. Ne s’kemi në dorë asnjë provë. Ne kemi pasur 2 netë në dispozicion. Ky është sistemi. S’jemi për të shajtur sistemin, por për të mbrojtur Lefter Allën. Lefter Alla para marrjes së detyrave në bashki ka qenë biznesmen i suksesshëm. Ju garantoj që nuk ka ndërhyrë në një tender me 3 milionë euro. Edhe në Bulqizë ka jetë, por ai popull nëse është pa bukë, le të mbesin edhe pa atë kanal, le të mbesin edhe pa ujë. 90% e punimeve janë të kryera. Nuk ka hetuar fare prokuroria se si është problemi në terren. Megjithatë, të mos paragjykojmë, vijojmë hetimet”, tha Demiraj gjatë fjalës së tij para medias.
Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka rikonfirmuar masën “arrest me burg” për zyrtarët e bashkisë, përjashtuar Leonard Daçi, sekretar i përgjithshëm në Bashkinë e Bulqizës që për shkak të kushteve shëndetësore u la në arrest shtëpie. Ish-kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla ka ankimuar vendimin për masën ‘arrest me burg’ në Apelin e GJKKO-së. Gjyqtarja e Apelit të Posaçëm, Saida Dollani do të vendosë nëse do e pranojë kërkesën e të pandehurit apo jo. Ndërkohë, seanca është caktuar që të mbahet të premten e datës 14 prill në orën 09:30.