Kalaja e Zhugjërit dhe Zhugjeri i Historisë


Janë këto themele të kalasë, bashkë me malet e larta për rreth, që na bëjnë krenarë me historinë e të parëve tanë, që s’u përkulën kurrë përballë pushtuesve osmanë e, më vonë, atyre serb.

Nga Kujtim ÇERPJA

Kodra ku është vendosur kalaja, kontrollon rrugët që lidhin krahinën e Dardhës me Lurën, Reçin dhe Çidhnën. Në majën e sheshtë të kodrës shkëmbore, duken konturet e murit rrethues të kalasë duke formuar një drejtkëndësh të rregullt, me përmasa 29.5×20 metër. Muri është i rrafshuar dhe vetëm në anën lindore ku është zbuluar faqja e brendshme e tij, deri në lartësinë 0.8 metër, ka gjerësinë 1.5 metër.

Kushdo që jeton në ketë botë ka një dëshirë, ka një kujtim apo një mall që në moment të caktuara e shfaq në forma të ndryshme dhe e lidh atë me ngjarje e sekuenca jete në periudha kohe të caktuar. Por ndër më të bukurat, më të dashurat dhe më të vlerësuarat mbeten kujtimet e fëmijërisë. Ato kujtime të bukura që janë të lidhura me fillesën e jetës dhe me vendlindjen që bukuria e sajë të shoqëron gjithë jetën ku do që të jesh në çdo skaj të globit. Ato kujtime që jetojnë bashkë me ty, që flenë e zgjohen bashkë me ty, që ecin e rrugëtojnë bashkë me ty.
Eh vendlindja, origjina e gjithë kujt që vjen në ketë botë. Ajo mund të jetë reliev i thyer i thepisur, pllajë e butë me livadhe e gjelbërim, zonë malore me lisa e gurë, e ngrohte ose me klimë të freskët por si do që të jet, si do që ta ketë fal natyra, në mendjen dhe kujtimet tona ajo mbetet e bukur, frymëzuese dhe mallëngjyese. Frymëzuar nga jeta dhe kujtimet e fëmijërisë unë sot po shkruaj kujtime për një fshat malor me shumë halle të kohës, por i mbushur me shumë histori. Për një fshat që rrethohet nga male të larta, nga kodra e bregore që në brendësinë e tyre mbajnë një peshë të madhe të historisë e të mbijetesës së këtyre anëve që nuk u gjunjëzuan e s u përkulën në luftrat shekullore osmano- serbe. E ky fshat është Lashkiza e DARDHËS, me lagjet e saj: (Bakaraq, Kodra e Majce, Zhugjerri e Qani).
– Frymëzuar nga kujtimet e vegjëlisë, bukuritë e natyrës e zhvillimet historike që në kohë të herëshme, ketë radhë po sjell në ketë shkrim fshatin Zhugjërr:
Në ngjitjen nga ana veriore e Lashkizës në lartësinë rreth 1200 metër mbi nivelin e detit tek Guri i shkruar nisën fshati Zhugjerr, për të vazhduar ngjitjen në shpatinën e bukur deri në maje të kujthit, laku i krye shenjtëve dhe zbret në anën tjeter për të ndaluar në bregun e burimit të akullt Kroi i Zhugjërrit e përsëri për tu ngjitur deri në vendin historik të quajtur Kalaja e Zhugjërit.
Kalaja; është kjo kala që mora shkasë të sjell në kujtimet e mia vlerat dhe historinë e fshatit Zhugjër, i cili në memorien historike daton me ngritjen e kësaj kalaje ose edhe më përpara saj. Përballë fshatit ndodhet një kodër shkëmbore e zhveshur dhe pa mbrojtje natyrore ku poshtë saj ndodhen rrënojat e kësaj kalaje. Kodra ku është vendosur kalaja, kontrollon rrugët që lidhin krahinën e Dardhës me Lurën, Reçin dhe Çidhnën. Në majën e sheshtë të kodrës shkëmbore, duken konturet e murit rrethues të kalasë duke formuar një drejtkëndësh të rregullt, me përmasa 29.5×20 metër. Muri është i rrafshuar dhe vetëm në anën lindore ku është zbuluar faqja e brendshme e tij, deri në lartësinë 0.8 metër, ka gjerësinë 1.5 metër. Ndërtimi është bërë me gurë mesatarë e të vegjël, të lidhur me gëlqere. Në katër skajet e murit, duken grumbuj gurësh, që duket se janë të kullave mbrojtëse në formë rrethore me diametër 2 metër. Brenda murit rrethues në çdo skaj, duket një banesë me përmasa 4×3.5 metër². Këto banesa duhet të kenë shërbyer për bujtina të ushtarëve që ruanin kalanë.
Me botimin e dokumenteve osmane të shek. XVI-XVII, del se kalaja e Lashkizës (Zhugjërit) u ndërtua në vitin 1565, për të vënë në kontroll shtypjen e
kryengritjeve që shpërthyen në sanxhakun e Ohrit dhe veçanërisht në fshatrat e Lurës, Çidhnës, Reçit e Dardhës. Për këto arsye urdhërohet ndërtimi i kësaj kalaje. (Të dhënat statistikore: Marrë nga Dibra në faqen e një ditari arkeologjik autor I.Kaca). (Kalaja e Lashkizës (Zhugjërit), Shpallur monument kulture me datë 08.01.1977, nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës.)
U rritëm me historinë pak të njohura të kësaj kalaje, lozëm me kukafshehtas në mjediset e rrënuara të saj, lozëm kala dibrançe, rrëshqitëm e lozëm me topa bore, pa e ditur se brenda këtyre mureve dhe themeleve ruhej një histori qëndrese e plot pesë shekujve më përpara.
Janë këto themele të kalasë, bashkë me malet e larta për rreth që na bëjnë krenar, me historinë e të parëve tan, që s’u përkulën kurrë përballë pushtuesve osmanë e më vonë atyre serb.
Përballë kalasë në luginën e vogël të fshatit vërshon vrullshëm burimi i kristalt dhe “brisk i ftohtë” (siç thoshin të parët tanë, kur një uji ishte i ftohtë, të priste si brisk), e patjetër që lidhet me historinë shekullore te fshatit sepse quhet: Kroi i Zhugjërit, që burimi i tijë vjen nga shpati masiv me lajthi e quajtur edhe kjo: Lajthia e Zhugjërit. E të tjera emërtesa si: Laku i Kroit, Shpati i Kroit. Kur në mendje të vijnë këto emërtime vendesh dhe objektesh patjetër që logjika të çon se Zhugjëri është një histori faktike e kohërave shumë të hershme.
Zhugjëri kufizohet: në veri dhe veri-lindje me Kunorën e bukur dhe majën e Qelisë, në perëndim me majën e Madhe dhe Qafë-Gëlqeren, në Jug dhe jug-lindje me Karmën dhe Shkaurranin dhe në lindje krijohet një hapësirë që e përball Zhugjerin me gjithë fushë pamjen përpara deri në majën e Korabit. Me sa duket natyra e ka krijuar këtë fushëpamje, strategjikisht për të vrojtuar dhe për tu mbrojtur nga zaptuesit. Thirret fshati Zhugjer sepse ashtu është quajtur prej kohësh që me popullimin e hershëm, kur këtu banonin e jetonin shumë fise, ku edhe sot e kësaj dite ka emërtime të arave, livadheve e shtigjeve të ndryshme. Gojëdhënat e të parëve thonë se, përpara rreth 200 vitesh e kusur, fshati u shpopullua, familjet u larguan pasi moti në periudhën e dimrit ishte shumë i ashpër dhe me reshje dëbore që arrinin deri në 3 m lartësi, e për pasojë u dëmtuan shumë njerëz e blegtori. Banorët ktheheshin vetëm në stinën e verës për verim në stane me blegtorinë. Zgjati shumë vite kjo situatë.
Ndërsa në Lashkizë ishin vendosur dhe banonin katër fise: Çerpja, Hysa, Rasha dhe Topuzi. Në qendër të fshatit ishte vendosur Çerpja me kullat në një plan në krye të asaj pak toke fushë, (kulla e Avdulla Meres, e Ahmet Salis, pak me djathtas kulla e Dalip Rushitit, Xhetan Hakikut dhe Dan Nezirit).
Fisi po rritej, familjet po shtoheshin, kërkesat për prodhim e konsum rriteshin, kështu në fillim të viteve 1900 filluan lëvizjet e para duke u larguar nga Lashkiza për në Zhugjer.
Ishte Ramadan Islami (në moshën vetëm 20 vjeçare) njëri nga djemtë e Islam Adullahut që në verën e vitit 1900 vendosi të ndërtonte një kullë në Zhugjër, e kështu ndodhi.
Në shpadinën e fshatit në një kodër të vogël përballë Korabit ai ngriti kullën tre katshe me rrethim avlli me gur. Pak vite më vonë i bëhen komshi edhe kushërinjtë e tijë Maliq dhe Zeqir Mera, Misim Ahmeti i cili ngriti kullën dy katshe në pikën më strategjike në Maje të Kujthit. E kështu filloi popullimi me Rushit Dalipin, Dull Metën e Halim Hazizin( te gjithë nga fisi Çerpja), duke krijuar një lagje të re mes vëllazërisë.
Pak vite më vonë filluan lëvizjet e para edhe të fisit Hysa. Ata u vendosen në pjesën jugore të Zhugjerit, në një pllajë të sheshtë në tokat e veta, filluan të ndërtohen kullat e para, e Hakik Hysës, Halim Hysës, Selim Hysës e Gani Hysës, Nga që vëndi ishte i rrafshët të parët tanë e quanin Qa dhe për ketë arsye mori edhe emërtimin fshati Qa. Jeta evoluoi u hapën toka bujqësore, u pastruan livadhet, dhe filloi të merrte një zhvillim të mirë blegtoria. Kohërat ishin të vështira, Shqipëria ishte nën pushtimin osman një barrë e rëndë që edhe pse familjet u larguan për më mirë kjo nuk do të thotë se iu shmangën luftës e përballjes me pushtuesin, përkundrazi, terreni dhe pozicioni gjeografik ku ata jetonin i motivonte edhe më shumë për atdhetarizëm.
Zhugjeri është vëndi i burrave që, në të gjitha kohërat ishin bujar, luftëtar, të ditur e punëtor, por edhe të besës dhe trimërisë. Janë këto virtyte që lanë gjurmë të pashlyeshme në memorien e historisë.
“Po të studiosh historinë e Dardhës në të gjitha fazat e zhvillimit shoqëror, rezulton se fisi Çerpja i ka dhënë më shumë të vrarë e të plagosur atdheut si në luftërat anti turke, serbe, italine e pushtuesve të tjerë”. (Hysen Ndreu te libri “Dardha në nëntë malet e Dibrës”, f.139)
Shumë djemë në moshë të re flijuan jetën me akte heroike. Shembujt janë të shumtë,,, Fillon me Man Islamin nizam në radhët e ushtrisë Turke, u vra në luftën e Perandorisë Osmane kundër Rusisë. Vazhdon me qëndresën e pashembullt të dëshmorëve: Cen Dalipit, Hazis Tahirit e Xhafer Çerpja.
Me qëndresën heroike në luftën e Kaushit 1920 të Ramadan Islamit (i plagosur me gjashtë plagë) dhe një vit më vonë Qershor 1921, ra heroikisht në frontin e luftës në përpjekje më forcat antiShqiptare, (Ramadan Islami ra heroikisht si në luftërat e mitologjisë Homeriane….siç e ka pershkruar Prof. Dr. Bajram Xhafa ne sesionin shkencor me rastin e 100 vjetorit të luftës së Dibranëve anti Serbeve në dt 20.12.2021 në sallën e akademisë së shkencave). Me plagosjen e Misim Ahmetit në vitin 1924 në Peshkopi përkrahë gjeneralit me shajak Elez Isufi. Po a mund të mos përmendet akti burrëror e i guximshëm i Halim Hazizit, në veren e vitit 1947,,, që kaloi një kalvar torturash nga sigurimi i eger shtetëror, por kurrë nuk e tradhtoi besnikërinë ndaj nacionalistëve të dinastisë Ndreu.
Me mendjen e hollë te Xhetan Hakikut që i printe logjikës e fjalës së gjetur, që bënte organizimin dhe informacionin e lëvizjeve në operacionet mbrojtëse të fshatit dhe krahinës etj…
Në harkun kohor prej dhjetë vitesh u ngritën gjashtë kulla, gjashtë kulla Kala që në vitet e luftës 9-vjeçare anti Serbe u dogjën dhe u shkrumbuan disa here, e fundit ishte djegia e kullës së Misim Ahmetit në gusht 1921, e nga qëndresa e dibranëve në tetor 1921 mori fund njëherë e përgjithmonë.
Pas viteve 1921 fshati filloi një jetë tjetër, të rritej në popullsi dhe ekonomi ku në fund të viteve 1990 numëroheshin 30 shtëpi me një popullsi mesatarisht 170 frymë, e bashkë me lagjen e Qanit ( Hysën), përbënin rreth 60 shtëpi me një popullsi më shumë se 350 frymë. Gjithmonë në bashkëjetesë e bashkëveprim me vëllezërit e tyre në Lashkizë mbasi thuajse gjysma vazhduan jetën në trojet autoktone në Lashkizë, të gjithë së bashku përbënin një fshat të madh në banesa dhe frymë. U lindën dhe u rritën djem e vajza që me aftësitë e tyre çan në fusha të ndryshme të jetës me plot suksese. Vetëm në vitet 1980-1990 u arsimuan e u diplomuan 16 djem e vajza.
Po sot çfarë të shohim, si ti kujtojmë ato ditë dhe vite në harmoni me njëri tjetrin, në komunikim e bashkëpunim që e zhvilluan e zbukuruan këtë fshat?
Le të jetojnë brenda nesh kujtimet e bukura të fëmijërisë… Sot, në vitin 2023, në fshatin Zhugjer e Qa nuk jeton asnjë frymë njeriu. Të gjithë të larguar. Shtëpi gjysmë të rrënuara dhe shumica të rrënuar plotësisht. Vetmi. Heshtje. Trishtim, mall e dhimbje pa fund kur e përfytyron. E ne, bijtë e tu jemi shpërndarë në të gjithë anët e Shqipërisë, të Europës e Amerikës, për një jetë më të mirë, por mendja dhe zemra janë tek ti, vendlindja jonë e shtrenjtë. Jetojmë me dëshirën dhe shpresën se një ditë do të gjendemi pranë, me të stolisë e me të zbukuruar si një nuse të rrallë. Por, edhe në mos ndodhtë kjo, le të mbeten këto rreshta të hedhur në letër, si një apel në kujtesën tonë, se atje, atje larg kemi lënë të vetme një zonjë të rëndë të mbushur me krenarinë e historinë e qëndresës, me madhështinë e rritjes dhe edukimit të brezave…