Dita e verës në krahinën e Grykës së Madhe


Nga Lavdrim Beqiri, Strikçan

14 Marsi- Dita e Verës, Festa Unike e Shqiptarëve.
Dita e Verës (Ditëverja) është një festë pagane, unike e shqiptarëve, e lindur para krishtërimit, që festohet vetëm në Shqipëri!
Origjina e Festës i ka gjurmët në Tempullin e Zanës së Malit, të ndërtuar pranë lumit Shkumbin, në Elbasan.
Zana ishte Perëndesha e Gjuetisë së Pyjeve dhe mbarë natyrës dhe dilte vetëm më 14 mars, për Ditëvere, e cila kombinonte me 1 marsin allaturka, që shënonte fillimin e stinës së verës, sepse në atë kohë njiheshin vetëm 2 stinë, 6 muaj verë e 6 muaj dimër!
Kjo është festa më e dashur edhe për fëmijët, të cilët janë paralajmëtarët e parë të pranverës, me zjarret e tyre të ndezura në palcë të dimrit, ku me këngët e tyre garuese mes lagjeve, sikur e trembin atë dhe e detyrojnë të largohet para kohe!
Po kështu simbol fillestar pranveror është dhe vendosja e verores në dorë, kryesisht me ngjyrat simbolike të pranverës, e kuqe dhe e bardhë.
Simbol tjetër është kapja e hekurit në mëngjes, për t’u bërë i fortë si dhe ngrënia e një molle të kuqe. Kujtojmë këtu vargjet e një kënge: “Faqekuq si moll’ o moj lule, / vetullat gajtan…!”
Gjellëbërësit e nisnin me byrekun me hithra, ose barishte të tjera pranverore, gatime me mish dhe ëmbëlsira, ku padyshim simbol i festës mbetet ballokumja e Elbasanit, që kohët e fundit, ka filluar të marrë përmasa kombëtare!
Simbol tjetër karakteristik është dhe veza e ngjyrosur, ku gjithsecili mundohet ta bëjë vezën sa më të fortë, që të marrë “Kupën fituese”, të kampionatit ditor të vezës më të fortë!
Megjithatë, ajo që i jep më tepër shije ditëveres dhe e bën atë më të bukur, është Lulja e Ditëverës dhe Uji i Ri, që merret 3 ditë rresht, më 12, 13 e 14 Mars, para lindjes së diellit, ku për gjumashët është lajtmotivi: “Ra dielli te mulliri, të lëshofsha gjumin…” dhe përmendej emri i atij që nuk ishte i pranishëm, pra flinte akoma..

Si e festojmë ne ditëverën?
Tani po ndaj me Ju ato gjëra që hartova në bashkëpunim me nxënësit e mi, gjë të cilën e bëj për çdo ngjarje kombëtare, një nevojë emergjente kjo, për të ecur me hapin e kohës, jo vetëm nga ana mësimore, por edhe nga ana motivuese, njohëse e edukimit!
Ndezim zjarre kolektive, para se të vijë muaji mars. Gjithësecili jep ndihmesën e tij, duke sjellë dëllinja etj. Kohët e fundit, fatkeqësisht, u vënë zjarrin edhe gomave të makinave, por kjo nuk ka asnjë lidhje me festën. Të helmosh ajrin për ditëvere, nuk ka lidhje me festën. Veroret i vendosim sapo futet muaji mars. Tri ditë para ditëverës, marrim ujë të ri, me të cilin spërkaten njerëzit dhe kafshët e shtëpisë, ku në kovën e vogël të ujit, futen 2-3 gurë të vegjël, pak bar i njomë dhe 1 degë thane e çelur, me të cilën spërkatet sipas formulës:
“Njom’, njom’ si bari,/ kuq, kuq si thana, / fort’, fort’ si guri!”. Kjo përsëritet tri herë.
Natën e 13 marsit bëjmë gati vezët, kuleçët dhe çantat, për të shkuar të nesërmen në shëtitje, për të mbledhur lulet e ditëverës, të cilat vihen tek dera kryesore e shtëpisë dhe te dera e hajatit (haurit) të bagëtive.
Para disa vitesh, nuk fshihej shtëpia me fshesë 2-3 ditë, për shkak se rrëzohej ara, kështu që një nga fëmijët, mesatarisht të vegjël, shkonte derë më derë tek komshinjtë për të marrë mbeturinat e si shpërblim merrte nga një vezë!
Edhe ky rit shoqërohej me këngë: “Or… (përmendet një fshat) të këqinj / u lëshofsha klloqtë e zi, / klloqtë e zinj e klloqtë e bardhë, / topa-topa nëpër mëhallë.”
Klloqtë simbolizojnë insektet që janë bartës të sëmundjeve për njerëzit, që vijnë nga mungesa e pastërtisë, e cila mbetet virtyt për kombin.
Megjithatë, si finalizim i gjithë këtyre festimeve, duhej edhe 1 kupë që e merrte Fituesi i Kampionatit ditor: “Veza më e fortë”. Aq i rëndësishëm konsiderohej fitorja, sa shpesh përdoreshin edhe hile të vogla, si shtufi në formë veze etj.
Gëzuar Ditëverën! Verë të bukur e të mbarë