Vlerësime / Adem Bunguri anëtar i Akademisë së Shkencave


Zgjedhja e Prof. Adem Bunguri si anëtari më i ri i Akademisë së Shkencave është pritur mirë nga opinioni publik. Disa prej komenteve vlerësuese për profesorin, të shkruara në faqet zyrtare në facebook të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe gazetës Rruga e Arbërit, i përcollëm për lexuesit numrin e kaluar. Dy vlerësimet më poshtë, nga profesor Hajri Shehu dhe piktori Zaim Elezi, të ardhura përmes postës elektronike të gazetës, po i përcjellim për lexuesit më poshtë:

Prof. HAJRI SHEHU:
Lart e më lart i dashur Ademi ynë!

Përshëndesim përzemërsisht akademikun Adem Bunguri.
Kam lexuar me vëmendje të veçantë të gjitha vlerësimet që i janë bërë profesor Adem Bungurit në gazetën prestigjioze “Rruga e Arbrit”, në numrin 2, shkurt 2023 nga personalitete të kulturës dhe të shkencës në Dibër. Vlerësimet janë bërë me rastin e zgjedhjes së profesor Ademit anëtar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Vlerësimet janë plotësisht të merituara. Ato janë një sintezë e punës diturore vigane të profesor Ademit. Kjo e thënë është edhe vlerësimi im. Edhe i përzemërt.
Edhe i përzemërt sepse profesor Ademi është njëri nga ish-nxënësit e mi. I shkëlqyer edhe atëherë. Atëherë në bankën e shkollës, tani në Akademi. Dhe gëzohem shumë që ish-nxënësi e ka kaluar ish-mësuesin. Këtë do çdo mësues për nxënësit e tij. Ashtu si prindi. Prindi e do fëmijën mbi veten. Po kështu edhe mësuesi – e do nxënësin mbi vete. Në parantezë: Si Ademi kanë qenë nxënës shembullorë në gjimnazin e Peshkopisë edhe dy vëllezërit e tij – Nexhati (më pas, mjek) dhe Esati (më pas, mësues i gjuhës dhe i letërsisë). Të tre vëllezërit – njëri më i mirë se tjetri. Me një fisnikëri të natyrshme. Të heshtur në fisnikërinë e tyre.
Përkundër dëshirës sime për të folur e shkruar gjatë për profesor Adem Bungurin, do të mjaftohem vetëm me një vlerësim për një libër të tij që është për Dibrën e për dibranët:
Profesor Adem Bunguri është arkeolog i spikatur në fushën e parahistorisë së Shqipërisë e të Kosovës. Dhe punët e mëdha e veprat e mëdha flasin vetë. Një studim i madh i profesor Ademit është edhe “Prehistoria e Dibrës”. Është monument për Dibrën. Është libër me format të madh: 450 faqe. Libri është për më të diturit, por edhe për më pak të diturit. Dhe kësisoj, është për të gjithë. Ai duhet të zërë vend në të gjitha bibliotekat e shkollave të të dy Dibrave. Është libri numër një për parahistorinë e Dibrës; por edhe libri numër një për njohjen e vendlindjes. Dhe kësisoj, pjesë e veçantë e mësimit dhe e edukimit të nxënësit. Sepse shkolla dhe çfarë mësohet në shkolla është një ndër themelet e shoqërisë sonë.
Fjala ime e dytë: Lart e më lart i dashur Ademi ynë!

Zaim Elezi, piktor:
Adem Bunguri, kalorës i së vërtetës

Adem Bunguri është i lindur për studiues, kalorës i së vërtetës dhe i vendosur pas pasionit.
Që në rininë e hershme i lexoheshin këto cilësi dhe, në heshtje, jam lutur që ai të mund të gjejë fushën ku mund të investohej. Vitet e qëndrimit në Lurë si mësues na larguan fizikisht, por në ato momente të rralla takimesh, ndjeja që Ademi po kërkonte me ngulm mundësi shprehje të aftësive dhe dëshirave të tij. I paepur, ai iu qas kërkimeve në arkeologji, një fushë ku ka shkëlqyer dhe sot me plot gojën, them se titullin e lartë të akademikut, Ademi e rrëmbeu, askush nuk ja dha.
Kapacitetet akademike të tij dukshmërisht na flasin se ai ishte akademik në të gjithë malin me studime të tij. Titulli është thjeshtë një kostum që të mund ta lexojnë edhe ato të zakonshmit që nuk kanë pasur mundësinë të dinë për pafundësinë e dijeve të tij, pasi thjeshtësia e Ademit, nuk të lejon se me kë ke të bësh, urtësia e tij nuk të premton të kuptosh dimensionin e dijetarit dhe studiuesit të madh të tij.
Unë ndjehem krenar që Ademi ka arritur këto maja, i përkëdhelur që ai justifikon më së miri emrin e mirë që ka Dibra për mençuri dhe urtësi. Ademi nuk është i vetëm, ka shumë dibranë të urtë dhe të ditur që janë të heshtur dhe të thjeshtë në madhështinë e aktivitetit të tyre. Dibranët duhet të jenë mbështetës për emra të rëndësishëm dibranësh të sotëm, ashtu si për emrat që kanë bërë historinë e Dibrës. Të përmendin me krenari emrat e tyre në të gjitha forumet ku promovohen vlerat kombëtare, pasi vetëm kështu ne dëshmojmë qytetari dhe civilizim. Duke bërë këtë në vazhdimësi, ne lartësojmë kështu Dibrën dhe veten.