Dom Nikollë Kaçorri për Dibrën dhe dibranët


BOTOHET MONOGRAFIA PËR DOM NIKOLLË KAÇORRIN

Dom Nikollë Kaçorri sa njihte shpirtin luftarak, patriotik e liridashës të lurianëve, po aq njihte mosmarrëveshjet që shpërthenin mes tyre dhe fqinjëve oroshas, që herë-herë merrnin forma të ashpra gjakmarrjeje, që shoqëroheshin me jetë njerëzish nga të dyja palët. Kjo e trishtonte shumë priftin me origjinë luriane dhe nuk mund të largohej prej andej, duke lënë pas një plagë të hapur, që sillte përçarje dhe armiqësi mes shqiptarëve malësorë, në një kohë që duhet të ishin më të lidhur se kurrë kundër një armiku të egër.

Imzot Nikollë Kaçorri qëndron në themelet e shtetit shqiptar në të gjitha kuptimet e fjalës themel… Jo vetëm se hodhi firmën përkrah Ismail Qemalit dhe ishte ndër pesë personat që valëvitën për herë të parë flamurin e Shqipërisë së pavarur, por u bë edhe zëvendëskryeministri i parë i shtetit të ri shqiptar.
Ai qëndron në themelet e shtetit shqiptar jo vetëm sepse është njëri ndër gurët e mëdhenj të këtij themeli, por sepse më shumë se të gjithë protagonistët e tjerë ka mbetur i fshehur dhe i mbuluar me heshtje nga historia shqiptare si gjatë periudhës komuniste, ashtu edhe gjatë këtyre njëzet vjetëve. Themelet janë të padukshme për vetë funksionin e tyre të mbajtjes së godinës që mbështet mbi të, por, nëse njerëzit që banojnë në atë godinë lejojnë të përjashtohen nga themelet gurë të tillë të mëdhenj, rrezikojnë të banojnë në një godinë të lëkundshme.

Rrok Mirdita
(Nga fjala e mbajtur me rastin e kthimit të eshtrave të Dom Nikollë Kaçorrit në atdhe, shkurt 2011)

Nga Hajredin Isufi, historian

Kongresi i Dibrës

Në përvjetorin e parë të revolucionit të tyre xhonturqit vendosën të bëjnë në Dibër një kongres; gjoja të festohej “bashkimi i shqiptarëve me komitetin “Bashkim e Përparim”. Qëllimi i vërtetë i këtij kongresi ishte për të bërë për vete shqiptarët, sepse gjatë verës e vjeshtës së vitit 1908 qe rritur një valë e madhe pakënaqësie ndaj regjimit të ri xhonturk. Valiu i Shkodrës kishte dhënë udhëzime që delegatët për në Kongresin e Dibrës të përzgjidheshin përkrahës të komitetit xhonturk. Ftesat për zgjedhjen e delegatëve për Kongresin e Dibrës u shpërndanë në të gjitha krahinat në emër të Klubit të Dibrës, drejtuesit e të cilit bashkëpunonin me xhonturqit. Klubi i Dibrës e konsideronte veten “Partia shqiptare konstitucionale e Dibrës”.
Caktimi i delegatëve në qytetet kryesore të vendit ngjalli debate e konflikte të ashpra midis rretheve patriotike dhe administratës xhonturke. Qëllimi i xhonturqve ishte të zgjidhnin delegatë për në Dibër njerëzit e besueshëm të tyre. Për këtë qëllim tentuan të krijonin në Tiranë një të ashtuquajtur klub shqiptar si ai i Dibrës dhe, nga përbërja e kryesisë së tij, të nxirrnin delegatët për në kongres.
Ndërkohë, populli i Durrësit, nën drejtimin e pleqësisë së qytetit, ishte mbledhur më 15 korrik, përpara bashkisë së qytetit dhe me brohoritje shpalli përfaqësuesit të zgjedhur për në Kongresin e Dibrës. Populli kishte caktuar katër delegatë: Dom Nikollë Kaçorrin, Neki Libohovën, mjekun e Bashkisë, Myftiun e Durrësit dhe Vasil Rusin.
Një ditë më vonë, Komiteti Xhonturk në Durrës, i cili përbëhej kryesisht prej oficerësh, nën drejtimin e mytesarifit Zeki Beu, që ishte emëruar në atë post në qershor të vitit 1909, lajmëroi me tellall popullsinë e qytetit të mblidhej para bashkisë për një mbledhje, ku do të bëheshin disa sqarime. Mytesarifi , që vepronte nën urdhrat e Komitetit Xhonturk, doli përpara popullit dhe deklaroi se i kishte bërë një telegram Sejfulla Pashës, valiut të Shkodrës, se mbledhja për caktimin e delegatëve nuk kishte qenë e rregullt dhe priste përgjigje. Kaq ishte lajmërimi i mytesarifi t dhe populli u shpërnda.
Reagimi i Dom Nikollë Kaçorrit qe i menjëhershëm. Ai dorëzoi mandatin e tij në mënyrë demonstrative. Fill pas Dom Kaçorrit, të njëjtin veprim bëri dhe dr. Neki Libohova, një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Kaçorrit. Ndërkohë nga Shkodra, pas 3-4 ditësh, kishte arritur në Durrës përgjigja e valiut të Shkodrës, që i cilësonte si të padëshiruar si delegatë jo vetëm Kaçorrin dhe dr. Neki Libohovën, por edhe Myrtesim Këlliçin, myftiun e Durrësit. Kështu, nga të katër delegatët e zgjedhur nga populli i Durrësit, në listën e kandidaturës për delegat në Dibër, mbeti vetëm njëri, Vasil Rusi; tre të tjerët duhet të rizgjidheshin edhe një herë. Komiteti Xhonturk në vend të Kaçorrit caktoi Filip Serreqin, ndërsa dr. Neki Libohova mandatin e tij ia dorëzoi Mustë Ali Brahimit, kurse në vend të myftiut u vu në listën e delegatëve avokati Hafiz Ali Podgorica. Kështu delegatët e Durrësit që shkuan në Kongresin e Dibrës ishin: Mustë Ali Brahimi, Filip Serreqi, Vasil Rusi dhe Hafi z Ali Podgorica.
Shtrohet pyetja: Pse u refuzua pjesëmarrja e Kaçorrit dhe e bashkëpunëtorëve të tij në Kongresin e Dibrës, nga drejtuesit kryesorë të sanxhakut të Durrësit dhe vilajetit të Shkodrës? Përgjigjen e kësaj pyetjeje nuk është vështirë për t’iu përgjigjur, po të kemi parasysh disa konflikte të hapura që kishin plasur mes Komitetit Xhonturk
nga njëra anë dhe parisë së qytetit të Durrësit. Xhonturqit (turqit e rinj) e kishin çjerrë maskën e tyre. Premtimet e deklaruara se do të respektonin liritë dhe të drejtat dita-ditës po zëvendësoheshin me veprime të dhunshme për të nënshtruar popullin ndaj platformës politike të xhonturqve, që synonte të shuante çdo përpjekje të patriotëve në luftë për çështjen kombëtare.
Dom Nikollë Kaçorri ishte një nga patriotët më të ekspozuar dhe i padëshiruar prej Komitetit Xhonturk. Nga një burim konsullor mësojmë se, në dhjetor të vitit 1908, Durrësin e vizitoi Ferid Pasha, anëtari i Klubit të Stambollit. Qëllimi i vizitës së tij në Durrës ishte të kontaktonte me krerët e lëvizjes patriotike durrsake, për t’i dhënë asaj një impuls të ri. Ferid Pasha kontaktin e tij të parë e bëri me Dom Nikollë Kaçorrin. Disa muaj më vonë, në prill të vitit 1909, në selinë e Dom Nikollës arriti një mik tjetër në emër të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, Dervish Hima.
Të gjitha këto hyrje e dalje të patriotëve më në zë në Durrës dhe kontaktet e tyre me Kaçorrin e bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë kishin rënë në sy të Komitetit Xhonturk që e shihte Kaçorrin me dyshim e mosbesim të madh. Gjithashtu, Komiteti Xhonturk dhe mytesarifi, kishin informacione të plota për famullitarin katolik të Durrësit se para disa kohësh kishte qenë një nga drejtuesit kryesorë të lëvizjes anti-osmane në Kurbin e në rrethinat e tij. Të gjitha këto e bënin famullitarin e Durrësit njeriun më të padëshiruar për të qenë delegat në një kongres që kishte për synim shpalosjen e platformës xhonturke, e cila binte ndesh me vendimet e Kongresit të Manastirit, ku kishte qenë delegat edhe Kaçorri.
Dom Nikollë Kaçorri fillimisht e kishte pranuar mandatin për në Kongresin e Dibrës, me synimin që të luftonte së bashku me patriotët e tjerë, nga tribuna e Kongresit, programin xhonturk. Por megjithëse u hoq arbitrarisht nga Zeki beu, Kaçorri me patriotët e tjerë durrsakë, nisi një lëvizje të fuqishme kombëtare në Durrës. Gjatë kohës që vazhdonin punimet e kongresit në Dibër, një përfaqësi e pleqësisë së Durrësit hartuan një deklaratë për t’ia dorëzuar mytesarifit, ku paralajmërohej Zeki beu se përfaqësuesit e popullsisë durrsake do të krijonin një klub që do të kishte për qëllim të mbronte interesat e qytetarëve durrsakë dhe se ky klub do të ishte krejt i shkëputur, i lirë dhe i pavarur nga Klubi Xhonturk. Kjo kërkesë ultimative e parisë së Durrësit ishte një kundërpërgjigje e menjëhershme ndaj veprimeve të dhunshme që kishte nisur të manifestonte administrata e re e regjimit xhonturk kundër shqiptarëve. Pleqësia durrsake, popullsia dhe klerikët myslimanë, katolikët dhe ortodoksët e Durrësit shihnin te veprimet e mytesarifi t dhe të Komitetit Xhonturk një diktaturë të egër si ajo e kohës së sulltan Hamidit. Myftiu i Durrësit, në shenjë proteste kundër mytesarifit, i dërgoi një letër të gjatë Sheh Ul Islamit në Stamboll.
Pleqësia durrsake, megjithëse kishte vendosur hapjen e klubit shqiptar kundër vullnetit të mytesarifit, për mungesë të mjeteve dhe të një mësuesi të aftë për të dhënë gjuhën shqipe në shkollën shqipe që do të hapej pranë klubit, e la hëpërhë. Ndërkohë, rrethet patriotike durrsake me Kaçorrin në krye bënë një hap tjetër: në gusht të vitit 1909 formuan dy komitete mbrojtëse dhe sigurie për popullsinë. Komiteti i parë, përbëhej prej 22 anëtarësh, nga njerëzit më të përzgjedhur pa dallime fetare. Ai komitet kishte për qëllim, që të kontrollonte të gjitha veprimet e dhunshme të Komitetit Xhonturk e të mytesarifit ndaj popullsisë e të grumbullonte ankesat e popullit.
Komiteti i dytë, përbëhej nga 6 anëtarë, të përzgjedhur nga paria kryesore e Durrësit. Kryetar Nderi i tij ishte caktuar Nikollë Kaçorri, por, në fakt, rolin e kryetarit e luante dr. Neki Libohova. Nënkryetarë ishin Kristaq Rama dhe Pali Terka, ndërsa anëtarë të këtij komiteti ishin Jahja Ballhysa, Ilia Llavda dhe Agustin Serreqi. Detyra e këtij komiteti ishte që ankesat e popullit kundër zyrtarëve osmanë, që i merrte nga Komiteti i parë, t’ia shtronte për zgjidhje mytesarifit dhe nëse nuk merrnin rrugëzgjidhje, i drejtoheshin valiut në Shkodër e deri Portës së Lartë në Stamboll. Krijimi i Komitetit Shqiptar në Durrës që kishte marrë përsipër mbrojtjen e popullsisë nga nëpërkëmbja e xhonturqve, e kishte rritur shumë besimin e banorëve durrsakë te përfaqësuesit e vet. Ai Komitet nuk kishte asgjë të përbashkët me komitetin lokal xhonturk, që e konsideronte veten gjoja si klubi i shqiptarëve, për shkak se në
përbërjen e tij kishte disa elementë që e quanin veten shqiptarë, por që ishin me origjinë të largët sllave dhe s’kishin asgjë të përbashkët me kulturën e ndjenjat kombëtare shqiptare.

Dom Nikollë Kaçorri mes lurianëve

Kaçorri nuk i kishte shkëputur për asnjë çast lidhjet me bashkë fshatarët, shokët e fëmijërisë së tij lurianë. Kur doli nga burgu, Nikollë Kaçorri i dërgoi një letër Hasan Koçit, një kaçaku lurian. Me një grup të vogël djemsh lurianë, Hasani kishte ngritur krye kundër sundimit osman. Famullitari i Durrësit kishte jo vetëm njohje të hershme me Hasan Koçin, por, në vitet 1905-1907, në kryengritjen e Kurbinit, një çetë luftëtarësh lurianë përkrahu Dom Nikollën në kryengritjen e Kurbinit. Famullitari i Durrësit i shkruante “kaçakut”:
“Fol me luras, o Hasan Kaçi e gjithkush do dëgjojë që ai grusht i vogël trimash të tu të rritet e të bëhet rrebesh kundër turkut, që na ka zaptue vendin…”.
Nikollë Kaçorri shkoi në Lurë për të koordinuar lidhjet dhe bashkëveprimet e lurianëve me fqinjët e tyre. Ndalesën e parë në fshatin e Lurës e bëri në shtëpinë e Abaz Isufit; për ta ngushëlluar për humbjen e një të afërmi të tij. Kur mësuan se në shtëpinë e Abaz Isufit kishte ardhur Kaçorri, lurasit shkuan në shtëpinë e bashkëfshatarit për t’i uruar mirëseardhjen Kaçorrit si dhe për t’i shprehur kënaqësinë që kishin ndjerë për lirimin e tij nga burgu. “Oda e madhe e burrave në shtëpinë e Abaz Isufit atë natë, -shkruan në kujtimet e tij Hil Kançi, -u mbush plot me burra të mençur. Në fytyrat e tyre shprehej kënaqësia që ndjenin se kishin mes tyre priftin patriot lurian”.
Dom Nikolla e nisi bisedën hollë-hollë, fillimisht me Mustë Osmanin, një burrë i mençur i parisë së Lurës. Biseda shkonte nga shkonte dhe përqendrohej te harmonia që duhet të kishin lurianët mes vetes dhe me fqinjët e tyre. Gjatë bisedës, Kaçorri u ishte drejtuar burrave të pranishëm në odë: “Forca jonë varet sesa të bashkuar dhe të lidhur do të jemi mes vetes dhe me fqinjët tanë dhe sidomos me oroshasit që i kemi fqinjët më të afërt…”. Disa nga të pranishmit, me zë të ulët i thoshin njëri-tjetrit që kishin përbri: “Nikollë Kaçorrit duhet t’ia vemë menien e ta përkrahim, t’ia vemë disa gjem me veti se asht i vnefshëm për Shqipninë”.
Dom Nikollë Kaçorri sa njihte shpirtin luftarak, patriotik e liridashës të lurianëve, po aq njihte mosmarrëveshjet që shpërthenin mes tyre dhe fqinjëve oroshas, që herë-herë merrnin forma të ashpra gjakmarrjeje, që shoqëroheshin me jetë njerëzish nga të dyja palët. Kjo e trishtonte shumë priftin me origjinë luriane dhe nuk mund të largohej prej andej, duke lënë pas një plagë të hapur, që sillte përçarje dhe armiqësi mes shqiptarëve malësorë, në një kohë që duhet të ishin më të lidhur se kurrë kundër një armiku të egër. Kaçorri vendosi që me kryepleqësinë e Lurës dhe të fshatrave përreth të organizojë në prill të vitit 1911 një tubim paqëtimi. Për mbajtjen e këtij kuvendi të burrave u caktua vendi i quajtur “Vlladar”. Aty ishin ftuar të merrnin pjesë kryepleqësia e fshatrave të Dibrës, krerët e fiseve më me emër të krahinës, klerikë etj.
Prifti patriot Dom Nikollë Kaçorri e mori i pari fjalën në atë tubim. Pasi përshëndeti të pranishmit, bëri një tablo të shkurtër të situatës së rënduar që kalonin krahinat e malësisë nga administrata xhonturke. Ai tregoi se forca të shumta turke kishin ndërmarrë sulme të ashpra kundër fshatrave të Delbinishtit, Malbardhës, Skurajt, Vinjollit. Ekspeditat ndëshkimore të tyre kundër malësorëve kryengritës, xhonturqit i shoqëronin edhe me një propagandë të gjerë, nëpërmjet së cilës kishin për qëllim që, me anën e klubit të oficerëve, të bënin për vete elementë të lëkundur brenda rretheve patriotike shqiptare. Pasi bëri të qartë situatën e zymtë që kalonte vendi nën sundimin xhonturk, me fjalë zemre Kaçorri iu drejtua burrave të pranishëm:
“…Vëllezërit e mi! Sot është koha të shikojmë në sy njëri-tjetrin dhe me zemër të hapur, me dashuri dhe besë. Mëritë, gjaqet, hasmëritë, t’ia harrojmë njeri-tjetrit, se ne e kemi hasmin brenda dhe ky është hasmi i të gjithëve. Nëse ne luftojmë me njeri-tjetrin, ne i themi të huajit “eja na shtyp e na sundo ti, se ne jemi në luftë me njeri-tjetrin”.
Një vend të rëndësishëm në shënimet e tij Hil Kançi u kushton vlerësimit të fjalëve të Dom Nikollës para të pranishmëve. “Fjalët e tij, kujton Hila, merrnin krahë e fluturonin. Ato dukeshin, sikur në shpirtrat e të pranishmëve, mbillnin vetëm dashuri. Ndërmjet të pranishmëve, që ishin aty, kishte edhe nga ata, që u përkisnin familjeve, që ishin në gjakësi të vjetër. Solemnisht, ata, që kishin qenë në gjak, drejtoheshin me përulësi drejt Dom Nikollë Kaçorrit, i puthnin dorën, që tregonte, sipas ligjeve të vendit, se që nga ai çast, hiqnin dorë nga hasmëria e tyre përballë rrezikut kombëtar.
Me dy shoqëruesit e tij Dom Nikollë Kaçorri, nga Lura u nis drejt Oroshit. Në takimet që pati me parinë e fiseve të malësorëve dhe me famullitarin e Oroshit, ashtu si në Lurë, nuk iu drejtua për t’u bërë thirrje në luftë kundër sundimit osman, sepse ata i kishin pushkët të varura në odat e tyre dhe prisnin vetëm një sinjal. Forcën dhe suksesin e malësorëve, Dom Kaçorri nuk e shihte as tek trimëria e tyre, as tek shpirti luftarak që i karakterizonte, por tek uniteti, lënia pasdore e mërive dhe gjakmarrjeve. Kjo ishte ideja e bisedave që bëri prifti katolik i Durrësit me parinë oroshane.
Rrugëtimi i Dom Nikollë Kaçorrit në zonat e thella të malësisë veriore e verilindore qe i suksesshëm. Fillimisht, gazeta londineze “Times”, në editorialin e saj, njoftonte se prifti Kaçorri kishte hyrë në lidhje me parinë e Matit, të Dibrës, Mirditës, Kurbinit e zona të tjera për një besëlidhje ndërkrahinore. U vendos që Kuvendi i Besëlidhjes të bëhej në Lurë. Për mbledhjen e kuvendit ndërkrahinor që u mbajt në Lurë dhe vendimet që u morën nuk kemi shumë informacione. Nga një gazetë e kohës mësojmë se në atë kuvend merrnin pjesë edhe bajraktarët e Shalës, të Shoshit etj. Në Kuvendin e Lurës u lidh një besëlidhje ndërkrahinore e zonave të thella të malësisë për të qenë të bashkuar në kryengritjen antiosmane, sapo të jepej sinjali nga drejtuesit e Komitetit të Kryengritjes së Përgjithshme. Lëvizjet e Dom Nikollë Kaçorrit në zonat që përshkruan më sipër nuk ishin as personale e as spontane. Ato bëheshin në kuadrin e organizimit të kryengritjes.
Në këtë kohë, kur Dom Nikollë Kaçorri lëvizte nga Selita në Kthellë e Lurë, nga Oroshi në Mirditë, Kurbin etj., dhe organizonte takime me krerët ndërkrahinorë e tubime, Faslli Toptani kishte shkuar në Mal të Zi që të merrej vesh me kryengritësit. Por sapo shkeli në Mal të Zi, Toptani u ndalua nga qeveria malazeze dhe u urdhërua të largohej menjëherë. Faslli Toptani largohet nga Mali i Zi dhe arriti në Shkodër dhe prej andej, shkoi në Durrës. Qeveritarët xhonturq, sapo Faslli Toptani shkeli në Durrës, shkuan ta arrestonin, por, falë kapitenit të vaporit që ndaloi hyrjen e xhandarëve xhonturq në bordin e vaporit, i shpëtoi arrestimit.
Nga shtypi i kohës mësojmë se në Shqipërinë veriore kishte filluar një lëvizje e fuqishme antiosmane. Në Shkodër punët po trasheshin e ditën e Shën Markut ishin betuar të fillonte një kryengritje. Thuhej se Dibra e Mati bllokuan rrugën e Manastirit. Në radhët e forcave xhonturke u mblodhën e u mobilizuan në Durrës, Tiranë dhe Elbasan, 9 tabore redife.
Malësorët kishin rrëmbyer armët dhe ishin bashkuar me krahinat kryengritëse të malësisë. Porta e Lartë nuk u lëshonte pe shqiptarëve, megjithëse lëvizja antiosmane ishte shtrirë në të gjitha trevat shqiptare. Qeveria turke, për të shuar kryengritjen, ndërmori goditje të ashpra kundër vatrave kryesore kryengritëse në rrethinat e Durrësit. Në maj të vitit 1911, një trupë ushtarake turke prej 80 vetash, hyri në fshatin Delbinisht. Fshati Delbinisht, që në atë kohë kishte rreth 12 shtëpi katolike, u gjend nën presione të egra e të dhunshme të ushtarëve turq. Të gjitha shtëpive të fshatit iu bë një kontroll i imët për armë. Forcat turke prej andej shkuan në fshatin Malbardhë, Skuraj e Vinjoll. Dom Nikollë Kaçorri, sapo mori vesh për sulmet turke në territorin e arqipeshkvisë së tij, u lidh menjëherë me komitetet kryengritëse dhe parinë e atyre zonave, që të boshatiseshin fshatrat e të merrnin rrugën e malit, pasi të siguronin familjet. Atëherë, ekspeditat turke vazhduan mësymjen. Një trupë tjetër, pohon konsulli austro-hungarez, Halla, ishte nisur nga Tirana me urdhër të Turgut Pashës për në drejtim të grykë-derdhjes së Matit e të Ishmit për të kontrolluar bregdetin, që të mos hynin armë për kryengritësit.
Ndërkohë, xhonturqit propagandonin në shtypin e tyre se shqiptarët po të ulnin armët me rastin e udhëtimit, që bënte sulltan Mehmet Reshati në Maqedoni, do t’u bëhej një falje kryengritësve shqiptarë, madje edhe do të dëmshpërbleheshin për të gjitha dëmet, që ishin bërë, nëse ata do të zbrisnin nga malet në shtëpi.
Kryengritësit paralajmëroheshin se, nëse refuzonin kërkesën që u afrohej, do të sulmoheshin nga forcat turke. Madje, do të ndiqeshin këmba-këmbës edhe në territorin e Malit të Zi, derisa të shpartallohej plotësisht kryengritja shqiptare e Shqipërisë së Veriut. Paqja që ofronte qeveria xhonturke ishte shumë larg kërkesave për autonomi. Kjo bëri që propozimet e xhonturqve të hidheshin poshtë nga malësorët kryengritës, të cilët deklaronin se do të luftonin deri në fund për kërkesat e Gërçës, që ishin njohja e kombit shqiptar, bashkimi i vilajeteve me popullsi shqiptare, vendosja e një administrate shqiptare, krijimi i gjykatave, xhandarmërisë e policisë me elemente vendas.
Është me interes të vihet në dukje se në kohën kur qeveria xhonturke përpiqej, duke përdorur të gjitha mjetet e veta propagandistike, që të bindte malësorët, Dom Nikollë Kaçorri në një mbledhje që mbajti në Kurbin me përfaqësues edhe të krahinave përreth, hodhi idenë që t’i dërgohej një peticion Portës së Lartë nga kryepleqtë malësorë, në emër të kryengritësve. Në letër do të kërkohej se nëse ata do të ktheheshin në shtëpitë e tyre, jo vetëm të kishin garancinë e Fuqive të Mëdha, por edhe armët nuk do t’i dorëzonin se u duheshin për mbrojtjen e jetës dhe të nderit të tyre. Në atë tubim, deklaron Sheh Adem Rada, famullitari i Durrësit lëshoi edhe një herë thirrjen që lëvizja çlirimtare të rritej dhe të merrte shtrirje sa më të madhe.

Përgatiti për botim: Naim Zoto
www.botimenaimi.com

(Marrë nga libri i sapobotuar me titull “Dom Nikollë Kaçorri” dhe nëntitull “Nënshkrues i Pavarësisë dhe nënkryetar i Qeverisë Kombëtare të kryesuar nga Ismail Qemali”, shkruar nga historiani Hajredin Isufi, botimet “Naimi”, Tiranë 2023)