“Në gjurmë të këngës dibrane”


Munir Shehu
Në gjurmë të këngës dibrane
– Këngë e balada
– Epikë historike e lirika
Përgatiti për botim: Mirdash Shehu
ISBN: 978-9928-387-33-2
438 faqe / 1500 lekë

Më 31 mars 1990, 33 vite më parë, në moshën 80-vjeçare, u nda nga jeta Munir Shehu, një nga mbledhësit nga mbledhësit më të hershëm e më pasionantë, gjurmues i palodhur në kërkim të historisë, këngëve e valleve, vargjeve e melodive popullore të vendit të tij.
Në këtë përvjetor, Mirdash Shehu – i biri i autorit dhe Botimet M&B sjellin për lexuesit librin më të ri, “Në gjurmë të këngës dibrane”, një përmbledhje me këngë, balada, epikë historike dhe lirika.
Pas botimit të “Rreth melosit në këngët dhe vallet dibrane”, botimi i këtij libri me balada, epikë historike e lirika popullore të mbledhura nga Munir Shehu, përbën një moment të rëndësishëm për kulturën dhe etnokulturën e Dibrës, por nisur nga ajo se çfarë vetë Dibra përfaqëson në kulturën shqiptare, ky libër është një pasuri me vlerë të veçantë që i shtohet thesarit të kulturës popullore kombëtare.
Këngët e botuara në këtë vëllim shoqërohen edhe me një shpjegim, i cili flet shkurtimisht për personazhet dhe kohën kur kanë ndodhur ngjarjet, pra për historinë e këngëve. Autori ishte një mbështetës i mendimit se edhe këngët e popullit duhet të pranohen e të merren si dokumente historike, prandaj paraqitja e tyre me data i shërbente edhe historisë por edhe mbledhësit.
Shumica e këngëve të këtij vëllimi botohen në disa variante, – siç i ka mbledhur autori, si dhe me vijën melodike të shkruar po prej autoit.

 

Nga Mirdash Shehu

Pas botimit të “Rreth melosit në këngët e vallet dibrane”, botimi i këtij libri me balada, epikë historike e lirika popullore të mbledhura nga Munir Shehu, mendoj se përbën një moment të rëndësishëm për kulturën dhe etnokulturën e Dibrës, por nisur nga ajo se çfarë vetë Dibra përfaqëson në kulturën shqiptare, ky libër është një pasuri me vlerë të veçantë që i shtohet thesarit të kulturës popullore kombëtare.
Ndoshta disi i vonuar në kohë, por besoj se kjo, nuk ndikon në vlerën e tij. Me gjithë lënien pas dore dhe zvetënimin ditë pas dite të interesit shtetëror për këtë fushë, unë shpresoj se një ditë, në një kohë tjetër (sigurisht në ditë “më të mira” për vendin), kur gjërat të marrin vlerën që meritojnë, nga institucionet, do të ketë një rivlerësim të kësaj kulture me vlerë të pamatë kombëtare.

Botime të Munir Shehut:

– “Dibra në shekujt e sundimit osman”
– “Dibra I – në vitet 1840-1860”
– “Shtek më shtek e skutë më skutë”
– “Rrëfime dhe këngë popullore”
– “Gjenealogjia e fisit Shehu të Peshkopisë”
– “Rreth melosit në këngët dhe vallet dibrane”
– “Në gjurmë të këngës dibrane”

Njihet tashmë që Muniri është një nga mbledhësit më të hershëm e më pasionantë, gjurmues i palodhur në kërkim të historisë, këngëve e valleve, vargjeve e melodive popullore të vendit të tij.
Shumë mbledhës të folklorit të cilët, megjithëse kanë dhënë një kontribut të shquar në këtë fushë, duke mos patur formimin e nevojshëm (mos njohjen e një instrumenti muzikor), kanë sjellë gjithsesi një punë të paplotë: kanë mbledhur vargje, por nuk kanë mbledhur dot meloditë. Shumë syresh, sidomos ato më të hershme, kanë humbur. Mungesa e melodive tek shumë këngë e valle, aq më tepër kur bëhet fjalë për larminë e linjave melodike të folklorit dibran, shumë pak të dokumentuar, mungesa apo varfëria e kësaj pasurie i shtynë edhe më shumë përpjekjet e Munirit, që me shqetësim u përpoq ta mblidhte atë me sa mund e ku të mund. Për të nuk pati kurrë rëndësi nëse ishte sëmurë, nëse ishte kohë me diell apo me shi, ishte larg apo afër, mal apo fushë. Ai do të vraponte drejt burimit sapo të informohej për të.
Njohja e mirë e muzikës, e bën punën e tij më të plotë dhe atë, një etnomuzikolog të formuar si pakkush. Si një bletë e mirë, me durim e përkushtim, lule në lule, ai nuk la as një grimë nektar t’i shkojë dëm duke prodhuar kështu, një mjaltë cilësor, pra, mblodhi edhe vargjet, edhe meloditë.
Në këtë proces grumbullimi e seleksionimi të këtij thesari kulturor, shumë probleme, si p.sh. ato gjuhësore, historike, etj, krijojnë vështirësi të panumërta, të cilat ai i përballoi me sukses në sajë profesionalizmit dhe seriozitetit shkencor.
Ky ishte Muniri.
Pikërisht për këtë arsye, puna e tij veçohet dhe qëndron më lart.
Fillimet e punës së tij në mbledhjen e folklorit, i takojnë viteve 1930-1932, me shkrimet në revistën “Normalisti”, revista e shkollës Normale ku studionte Muniri, kur nuk kishte mbushur ende të njëzetat. Bartësit e vlerave të kulturës popullore me të cilët kontaktoi Muniri që herët, pjesëmarrës të drejtpërdrejtë, apo dëshmitarë të shumë ngjarjeve të rëndësishme historike të atyre kohërave, apo të tjerë jo pjesëmarrës a dëshmitarë direktë, por shumë pranë tyre për arsye të ndryshme, të njohjeve, farefisnisë, etj., bartës të një trashëgimie të mbledhur tashmë nga Muniri, sigurisht që nuk do të mund të jetonin edhe një kohë tjetër. Me humbjen e tyre, bashkë me ta do të treteshin, do të humbisnin, pasuri me vlera të pa llogaritshme të kulturës dibrane. Të kuptoje dhe të punoje për ta vjelë këtë trashëgimi, për të mos e lënë të humbasë, në atë kohë dhe në atë moshë, padyshim që duhet vlerësuar maksimalisht. Vlera e kësaj pune shumëfishohet kur ndodhesh para faktit se, humbjeve të Dibrës, iu shtua si rezultat i pushtimeve të ndryshme, e sidomos atij serb, përveç jetëve njerëzore e vlerave monetare e pasurore edhe humbja e shkatërrimi i vlerave kulturore e dokumentacionit.
Kështu, Muniri, u bë mbrojtësi dhe ruajtësi i trashëgimisë historike e kulturore, i kujtesës së popullit, i vlerave të cilat po i përpinin dallgët e kohës duke dëshmuar atdhedashuri, ndjeshmëri, vullnet e pasion, lidhjen e ngushtë me vendin e vet dhe ky ndërgjegjësim flet sigurisht për një formim të plotë e të qartë intelektual e patriotik të tij. Prandaj, me të drejtë, mendoj e besoj se duhet kuptuar, duhet njohur e vlerësuar për këto merita.
Megjithëse i shpallur “armik i popullit”, i burgosur që në muajt e parë pas çlirimit, pas daljes nga burgu, në vitin 1952, shumë shpejt, do t’a shohim atë të rendë pas pasionit të tij. Në mungesë kuadrosh, ekspertë dhe specialistë të fushës të Institutit të Folklorit në Tiranë, të cilët dërgoheshin për ekspedita kudo nëpër Shqipëri, në Dibër vinin me kënaqësi sepse e dinin se aty do të gjenin një njeri tek i cili mund të mbështeteshin, specialistin me të cilin mund të diskutonin dhe vlerësonin problemet e fushës profesionalisht. Ky ishte një lehtësim i madh për ta, ashtu siç krijonte vështirësi në mjaft krahina e rrethe të tjerë ku mungonin njerëz si Muniri. Puna në gjurmimin, mbledhjen dhe vlerësimin e thesarit popullor do të tërhiqte vëmendjen e këtij institucioni i cili do ta ftonte dhe do të merrte në konsideratë mendimet e tij në fushën e folklorit, duke u bërë një zë me peshë aty si bashkëpunëtor për shumë kohë e duke dhënë kështu kontributin e tij edhe në rang kombëtar në institucionin më të lartë të kësaj fushe në vend.
Megjithëse puna e tij skrupuloze, shumë e dashur nga populli, nuk linte shteg për të dyshime në vlerën e saj, ajo nuk do të arrinte të hiqte kurrë “dyshimet” mbi “armikun e popullit”, i cili jo vetëm që nuk do të përkrahej, por do të sulmohej e goditej me urrejtje e xhelozi nga edukimi mediokër i mjaft njerëzve partiakë në pushtet, duke i shkaktuar dëme të mëdha, Munirit, familjes dhe vetë vendit.
Për këtë arsye, puna e tij merr ende, edhe një vlerë tjetër të shtuar, pasi ajo është një punë e kryer në mungesë të plotë të lirisë, nën trusni dhe goditje, që gjithashtu, na lejon të njohim modelin e intelektualit, i cili nuk bën kompromis me antivlerën, nuk u nënshtrohet, as me dhunë, veçse bindjeve të tij. E pagoi këtë, bile shtrenjtë. Vazhdon të paguajë edhe sot.
Jo pa qëllim, larg modestisë, i mërzitur nga mosmirënjohja dhe një hipokrizia e neveritshme, në një moment në dukje vlerësimi, me një sarkazëm që atij i shkonte shumë (më lejohet ta them këtë, në bazë të njohjes, si djali i tij), ai u tha: “Unë nuk kërkoj vlerësim tjetër nga ju, vetëm të më vlerësoni shojet e këpucëve që kam grisur duke punuar për mbledhjen e këtij folklori”!
Siç e kam përmendur edhe në parathënien e përkthimit tim të librit të Justin Godart “Shqipëria në vitin 1921”, ai kishte ngritur një bibliotekë mjaft të pasur, shumë libra të të cilës ishin porositur në Paris. Por jo vetëm kaq. Aty gjendeshin vepra në origjinal me vlera të rralla të autorëve më të hershëm shqiptarë, por edhe të huaj që shkruanin për Shqipërinë, p.sh., Barleti origjinal, etj. Kjo bibliotekë do të habiste edhe oficerin gjerman gjatë kontrollit në shtëpinë e tij në Dibër të Madhe. Biblioteka dhe violina, bënë që ky ushtarak gjerman të besonte, i befasuar se shtëpia e Munirit prej të cilës ishte luftuar kundër gjermanëve, nuk ishte një bazë partizane, por shtëpia e një intelektuali i cili vetëm komunist nuk mund të ishte dhe për këtë arsye, në respekt të kësaj kulture, ai nuk e pushkatoi, por i fali jetën. Dhe shfaqen para nesh dy modele. Ja paradoksi i jetës: oficeri fashist gjerman, nga njëra anë, i cili i fal jetën një intelektuali, në nderim të kulturës dhe dijes, megjithëse nga shtëpia e tij ishte qëlluar dhe ishin vrarë gjermanë dhe nga ana tjetër, komunistët, të cilët e arrestuan megjithëse ai sakrifikoi jetën e tij për t’i shpëtuar ata!
Pas arrestimit nga komunistët në 1945, fati i bibliotekës ishte një shqetësim ndoshta edhe më i madh se vetë shqetësimi i arrestimit. Bashkë me librat, në këtë bibliotekë ndodheshin edhe shumë punë të tij si romani i humbur i shkruar rreth viteve 1935, që e rendit në fakt ndër romancierët e parë shqiptarë, përkthime të ndryshme nga italishtja dhe frëngjishtja dhe fletore të tëra me vargje, melodi, histori e folklor i mbledhur në një kohë kur siç e përmenda edhe pak më lart, pak njerëz e kuptonin rëndësinë e tij. Humbën librat, humbi edhe një pasuri folklorike me vlera të padiskutueshme.
Për një periudhë gati 10 vjeçare, Muniri punoi në Mat. Pikërisht për këtë arsye, pjesë të këtij folklori janë përfshirë në libër duke e shtuar dhe zgjeruar akoma më shumë hapësirën gjeografike të punës së tij.
Sigurisht, puna e Munirit shtrihet në shumë fusha, por këtu kemi dhënë shkurtimisht disa mendime për të dhe punën e tij në mbledhjen e folklorit, pikërisht për atë se çfarë përfaqëson pjesërisht edhe ky libër.
Muniri e vlerësonte shumë veprën e Haki Stërmillit “Fyelli i Dibrës”, me vërejtjen se materiali i sjellë aty, vjen vetëm nga një burim, pra, të gjitha këngët janë marrë vetëm nga një këngëtar. Disa këngë nga kjo vepër janë rivendosur edhe në veprën e tij sepse, ose vijnë të plotësuara me vargje të tjera të zbuluara nga Muniri, ose për t’u plotësuar me vijën melodike.
Këngët shoqërohen edhe këtu me një shpjegim, i cili flet shkurtimisht për personazhet dhe kohën kur kanë ndodhur ngjarjet, pra për historinë e këngëve. Muniri ishte një mbështetës i mendimit se edhe këngët e popullit duhet të pranohen e të merren si dokumente historike, prandaj paraqitja e tyre me data, kënaq të dyja palët edhe historinë edhe Munirin.
Ne do të flasim e gjykojmë për Munirin mbi bazën e asaj se çfarë kemi sot në dorë. Pikërisht për këtë arsye, për të patur një gjykim sa më afër të vërtetës, unë u përpoqa me sa mund, të nxjerr në dritë e të bëj të njohur punën e tij, veç dua të theksoj, se kjo që ne kemi sot, është një pjesë shumë e vogël e asaj që duhet të ishte në të vërtetë; p.sh. në shënimet e tij, ai flet për një cikël të tërë baladash me titull “kishte pasë motra nandë vëllazën”, por unë gjeta vetëm një, atë që kam paraqitur në libër. Ku janë të tjerat? Etj, etj. Jo pa qëllim, ndër biseda, me shokë e miq shprehem për punën e tij se qypi i mbushur iku. Iku bashkë me të. Kanë mbetur vetëm ato që ranë nga qypi, thërmijat. Unë, ato kam mbledhur.